Back

Kornizë trekëndëshe

Shkruan: Kim MEHMETI

Në kohën e socializmit, fatin e shqiptarëve, kudo që ata jetonin, e përcaktonte dhe e mbante të lidhur në nyje vepra dhe fytyra e Enver Hoxhës. Përderisa shqiptarët e mëmëdheut shkonin në burg pse e kundërshtonin dhe nuk donin t’i këndonin këngë lavdie Enverit, ata nga kjo anë e kufirit burgoseshin pse i thurnin rapsodi madhështore ndërtuesit të "mëmëdheut socialist". Pra, fati gjithëshqiptarë lidhej në nyjën e vuajtjes së shqiptarëve të Shqipërisë nga sistemi i Enverit dhe ndëshkimi i shqiptarëve të ish Jugosllavisë për po të njëjtin Enver. Me çka edhe atëherë kur shqiptarët nuk mund të komunikonin dhe të shiheshin mes veti, kishte diçka që i lidhte, që i bënte të kenë shkakun e njëjtë të vuajtjes, që i çonte të paguanin tatimin e ndasisë në të njëjtën arkë të vuajtjes. Kështu që edhe në epokën socialiste, shqiptarët i lidhte shumëçka e përbashkët, të cilave u shtohej edhe fatkeqësia e dyfishtë që mbante emrin dhe mbiemrin e udhëheqësit të Shqipërisë socialiste.

Por, edhe në epokën socialiste, si edhe në të gjitha kohët tjera, dhe pa marrë parasysh ngjyrat e sunduesve nga ajo anë dhe nga kjo anë e kufirit, mbeteshin qartë të shënuar brinjët e trekëndëshi shqiptarë Tiranë-Prishtinë-Shkup, e mbi të cilin shtrihet planimetria e përafërt e tërë shqiptarisë. Pra, shiheshin qartë tre brinjë që formonin kornizën ku qëndronte portreti ynë kolektivë, me gjitha të mirat dhe të këqijat që kemi. Portret në të cilin edhe sot mund të shohësh të veçantat dhe të përbashkëtat e një populli që me dekada ka jetuar i ndarë me mure, që ka jetuar në sisteme dhe rrethana të ndryshme, por që kurrë nuk i ka harruar kufijtë etnik që i ka pasur të vulosur në vetëdije, e të cilët kanë qenë më të vlefshëm se ato të shënuar në hartat topografike.

Duke jetuar kështu, duke qenë realisht të ndarë e në imagjinatë të bashkuar brenda kufijve etnike, ata u ngjajnë vëllezërve të rritur në ambiente të ndryshëm e të cilët kanë bërë çmos të ruajnë gjuhën, traditën, kulturën historinë dhe vlerat tjera të tyre të përbashkët. Aq më shumë, kjo trini ka dëshmuar se asnjë sistem nuk ka mundur t’i shlyej nga ata disa tipare që i bëjnë t’i njohësh kudo që janë. Se shqiptarët mbeten çdokund të njëjtë, sado që do i mbani të ndarë me vite mes veti, më së miri do e shihni sot nëpër rrugët e Tiranës, Prishtinës dhe në pjesën shqiptare të Shkupit. Nëpër rrugët e këtyre tri kryeqendrave tona, do e shihni fytyrën nevrike shqiptare, do u bëhet se çdokund përballeni me po të njëjtët vozitës që shajnë cilëndo që ua pretë rrugën, që respektojnë vetëm ngjyrën e gjelbër të semaforit, vozitës që nguten për të mos arritur askund. Në këto tri kryeqendra shqiptare, po ashtu do e shihni edhe portretin e varfërisë sonë, të cilin e kompletojnë fëmijët që lypin lëmosh dhe shesin cigare. Apo atë të shoqërive të politizuara deri në ato përmasa sa edhe pastruesit e shkollave vlerësohen sipas librezave partiake.

Të përbashkëtën shqiptare do e vëreni edhe nëpër kafenetë e shumta anëve të rrugëve që lidhin kulmet e trekëndëshit tonë kombëtarë. Në ato kafene do e shihni fytyrën tonë gazmore, atë të turbo-follkut dy taktesh dhe do e kuptoni se mbase bashkimin e plotë kombëtar e kanë realizuar vetëm këngëtarët e këtij zhanri aq të përfolur muzikor. Dhe ndoshta kjo ka ndodhur shkaku se ata kanë burimin e njëjtë nga i vjedhin harmonitë muzikore për këngët e tyre, e i cili burim është ai sllav dhe turko-arab. Duke shuar etjen nga i njëjti burim, ata jo vetëm që filluan të bashkëveprojnë dhe të jenë më solidar por edhe të martohen mes veti. Me çka dëshmuan se pjesën e bashkimit kombëtarë që nuk mund ta realizojë as politika, as bashkëpunimi kulturorë, mund ta përmbyll vetëm shtrati. Andaj nuk është keq të mendohet për një ligj që do i obligonte universitetet tona të regjistrojnë nga 50 për qind student nga trevat shqiptare matanë kufijve shtetëror. Me çka do u mundësohej të rinjve tanë të njihen më mirë, të dashurohen, të martohen mes veti e të bëjnë dasma me vetura të stolisura me lule e flamuj kombëtarë, të cilat vetura do enden nëpër brinjët e trekëndëshit të shqiptarisë sonë. Kuptohet, ato vetura do i vozisin po këta vozitës nevrik që nguten edhe kur e shohin se kanë mbërri te pragu i derës së nuses, e ku fillojnë të nevrikosen pse kanë arritur para kohe, pse nuk kanë vozitur më ngadalë dhe pse s’kanë ku të shkojnë më tej. Që do të thotë se shqiptari më shumë nevrikoset atëherë kur nuk mund të shkojë përtej vetvetes.

Dikur, shqiptarëve të mëmëdheut dhe këtyre këndej kufirit, fatin ua lidhte në nyje litari me të cilin Enver Hoxha e maste rrugën që duhej ta çojë Shqipërinë në parajsën komuniste. Mbase edhe sot, kur thuajse çdo lagje shqiptare ka prijësin e vet partiak, shqiptarët e të gjitha hapësirave, përsëri e kanë të lidhur fatin në nyjën e përbashkët, në atë të shoqërive të udhëhequra nga "maunokratët" dhe "bajraktarokratët", të cilët nuk i dallon mes veti thuajse asgjë përpos mënyrës se si e futin dorën në xhepin e popullit të vet. Pra, edhe sot, kur shqiptarët kanë më shumë prijës partiak se sa barinj të denjë që mund të drejtojnë "stanin" ku milen dhentë e bëhet djathi, ka diçka që edhe këtë kohë e bënë të ngjashme me atë të Enverit. Dhe ngjashmëria nuk duhet kërkuar vetëm në atë se shumica e shqiptarëve këtej kufirit i adhurojnë disa politikanë që nuk i duron mëmëdheu, as në të vërtetën se Tirana i çmon shumë politikanë që i lindi Prishtina dhe Tetova, e për të cilët shqiptarët e kësaj ane të kufirit besojnë se me më shumë fat do ishin sikur ata t’i kishte abortuar koha demokratike: ngjashmërinë duhet kërkuar në të vërtetën se të gjithë prijësit tanë partiak, janë aq të ngjashëm mes veti, sa ke përshtypjen se është një i klonuar në më shumë veta. Dhe si të tillë, edhe këtej edhe matanë kufirit, ata janë përqendruar në realizimin e projektit të ngjashëm me atë të Enverit: partitë që i udhëheqin t’i shndërrojnë në firma të tyre private, e popullin në argatë që do punojë në ato shoqëri aksionarësh ku ata kanë "paranë e artë". Me çka ata ia dolën ta përmbyllin "demokraturën" më neveritëse ku libreza partiake është certifikatë më e rëndësishme që ta përcakton fatin, që të mundëson të punësohesh, që t’i kompenson të gjitha mangësitë individuale. Dhe kështu filloi edukimi i brezave të së ardhmes, të cilët që në fëmijëri e shohin se emblema partiake, e jo ajo individualja, është ajo vendimtarja që ta përcakton fatin. Mbase edhe nuk mund të pritet asgjë më shumë se kaq nga shoqëritë tona ku atë që merr një mollë nga kopshti i huaj e quajnë vjedhës, e atë që vjedh nga xhepat e popullit të gjithë e respektojnë dhe e quajnë të pasur.