Back

Krijuesi, njëri i dy jetëve

 Intervistoi: Ajete ZOGAJ

Iliria Post”: Keni deklaruar shumë herë se sa herë që vini në Prishtinë, mbeteni po ai i dikurshmi?

Kim Mehmeti: Po ndoshta, pse njeriu gjatë jetës normalisht pëson ndryshime, rritet në të gjitha gjërat, përveç që mbetet një bërthamë e tij e përhershme. Bërthama ime e përhershme, që ka mbetur, mbetet ajo ndjenja ime ndaj Prishtinës, se këtu erdhi ai fillestari që ndoshta tani ka arritur diçka; erdhi ai i ndrojturi, që kur u ngjit në katin e nëntë të Pallatit të Shtypit, ku ishte Anton Pashku, të cilin ëndërronte ta takoi, përnjëherë mori përkrahjen e njerëzve, me përkrahjen e të cilëve mundi të udhëtonte më lehtë, në atë rritën time krijuese. Pastaj unë gjithmonë e kam atë ndjenjën e njëjtë kur vij në Prishtinë, bëhem përnjëherë ai i ndrojturi, ai fillestari, që sa herë vij këtu ndihem mirë. Si të them, ajo ndjenja kur i kthehesh nënës, ti mund të rritesh, mund të bëhesh njeri i madh, mund të bëhesh për të tjerët çka do çoftë, por për nënën, mbetesh gjithmonë fëmijë. Dhe këtë ndjenjë ndoshta ma krijojnë edhe përkrahësit e mi të flaktë të asaj kohe, baca Anton dhe të gjithë ata që punonin me te. E them intimisht se unë nuk mund t’i iki kurrë asaj ndjenje kur vij në Prishtinë. Unë gjithmonë në Prishtinë jam po ai fillestari.

Antonin e kam dashur shumë

“Iliria Post”: Këtë vit panairi i Prishtinës shënon dy jubile atë të Kutelit dhe të Anton Pashkut. Ju e përmendët se e keni njohur dhe keni pasur respekt për të. A mund të na kujtoni ndonjë përshtypje për të si njeri dhe si krijues?

Kim Mehmeti: Unë shpesh e them, se si i ri gjithmonë mendoja se krijuesit së pari duhet të jenë njerëz të mirë. Për fat të keq në hyrje të parë ma rrënuan idealin për krijuesin, sepse hasa në njerëz ziliqarë, në kufomë ngrënës që njëri – tjetrit duan t’ua hanë kokën. Kur u përballa me Anton Pashkun mu ringjall ideali im, modeli im i krijuesit, sepse te Antoni i gjeta të gjitha ato që ëndërroja t’i ketë një shkrimtar: të jetë prozator i mirë, njeri model, të jetë shpirt mirë, të ketë ndjenjën princore ndaj të rinjve, të dijë të qëndroj mirë aty ku është. Dhe kjo ishte ajo veçori që reflektoi tek unë. Pas asaj ndodhi një miqësi paksa e çuditshme, por t’ua them të drejtën ndjehem keq kur dua të flas për Antonin, sepse njerëzit tanë tani janë të atillë që pasi të vdes ndonjëri të gjithë i bëhem miq, dashamirës dhe të gjithë duan të krijojnë përshtypje thuaja se kanë qenë aq të afër me të. Unë dua ta them vetëm këtë me mburrje, sepse e kam dashur shumë, dhe besoj se më donte shumë. Për këtë unë kam dëshmi të cilat më vjen keq që ai nuk mund t’i dëshmoj, dhe se nuk mund t’i dëshmoi as e shoqja e tij, tezja Paulinë, e cila vinte për çdo Bajram edhe si gjyshe e fëmijëve të mi, dhe ishte e para që ua uronte festën fëmijëve të mi. Mirëpo janë këtu fëmijët e bacës Anton që i dinë disa relacione, mirëpo ato janë relacione private të cilat nuk do të doja t’i komentoja. Njeriu duhet të ruaj diçka për vete, në fund të fundit ndoshta duhet të ruaj diçka edhe për në varr, atje ku do të takohem sërish me miq, por thjeshtë e shqip, atij njeriu i kam borxh shumë, sepse ai ishe që mundësonte botimin e shpejtë të librave të mi, që të mos presin me vite, por librat e mi në “Rilindje” botoheshin brenda muajit çka ishte e rrallë, sepse as sot nuk mundeni t’i botoj aq shpejt. Ai ishte njeriu që më besonte, ai besimi i tij për mua ishte një certifikatë që më krijonte sigurinë që të shkoj më tej, e lëre kur t’i shtohet kësaj edhe miqësia, që ishte miqësi familjare, e cila erdhi vet vetiu. Ndoshta njohëm te njëri – tjetri diçka që reflektonte, atë që njoha unë mund ta shpjegoj, atë që ka gjetur ai tek unë nuk mund ta shpjegoj, për pos një shkrim të shkurtër në kompletin e librave të tij që ma ka dhuruar, por që prapë mbetet pjesë e imja. Mirëpo më vjen mirë, që sivjet emri i tij dominon, dhe kur e pashë foton e tij në panair më erdhi shumë mirë, sepse tek njeriu krijohen ato ndjenja sikur përballet. Unë e kujtoj shpesh, dhe mendoj se është i lënë pas dore, posaçërisht në Shqipëri. Bëhet fjalë për një prozator që unë besoj se ende nuk është tejkaluar kufiri i tij ku është vu proza, tregimi, bëhet fjalë për një prozator, një nga ata referet që në gjeodezi quhet kuota prej ku maten të gjitha objektet tjera. Mendoj që në këtë kontest, Antoni është ende i lanë anash.

Ai ishte si i ardhur para kohe, ndoshta ndonjëherë kemi edhe shkrimtarë të atillë që vijnë para kohe dhe lexuesit e tij lindin me vonesë. Por gjithsesi ai është tregimtari ynë më i madh. Ende është më i madhi dhe që ende askush nuk e ka tejkaluar.

Jeta është provim, të cilin duhet ta japin

“Iliria Post”: E keni thënë në një rast se të vetmes gjë që i frikësoheni është jeta dhe krijimtaria. Pse?

Kim Mehmeti: Po, jeta dhe krijimtaria janë magjitë më të komplikuara në përgjithësi, marrë në aspektin e asaj çka i ndodhë njeriut. Jeta është një lojë sa e tmerrshme aq e lezetshme, sa vuajtje aq edhe kënaqësi. Jeta është një provim i madh të cilin duhet ta japin, para kujt nuk e di, unë jam besimtar, gjithsesi unë nganjëherë edhe tallëm them se njerëzit e mirë nuk lindin, ata që lindin, ata duhet të japin provim para Zotit edhe nëse është kështu atëherë provimet nuk jepen lehtë. Krijimtaria gjithashtu është një lloj jete paralele që e zhvillon krijuesi. Unë shpesh them se krijimtarinë e bëjnë ose njerëzit me potencë të madhe ose njerëzit që u mungon diçka. Unë besoj, që behet fjalë për një potencë për një njeri të cilit i duhet edhe një botë paralele, që do të thotë se krijuesi disi është njëri i dy jetëve, por edhe i dy vdekjeve, sepse vdesin si njeri si krijues të dyja janë të dhembshme edhe pse për të dyja duhet të japësh llogari në fund çfarë ke bërë për para Zotit të këtyre dy jetëve që është i përbashkët besoj, edhe në këtë kontekst nuk është lehtë posaçërisht të jesh krijues do më thënë kur ndërton dy botëra, botën tënde krijuese dhe tjetrën, të përditshmen, ku janë obligimet, ku janë ata që të duan dhe i donë, ku duhet të investosh sepse dashuria është punë e shtrenjtë. Në këtë jetë asgjë nuk ka falas. Kemi krijuar krijimtarinë e cila njësoj si kjo kërkon një dashuri të llojit tjetër. E të dyja kërkojnë një sinqeritet që i bashkon jeta e jetuar, sepse ju djersitet fytyra ngase dikush do ta zbuloj fytyrën e vërtet. Në krijimtari është njësoj, sepse kemi krijues që tërë kohën bënë ndonjë imitim ose jeton me bindje se ata janë dikush tjetër e jo atë që ua thotë lexuesi ose që ua thotë kritika. Thjeshtë jetën dhe krijimtarinë unë i kam shumë frikë, sepse provimi është i rëndë, është provimi njerëzor. Në këtë jetë njeriu mund të bëhet çka të dëshiroj, mund të bëhet edhe kryetar shteti. Nëse e vëreni nuk ka asnjë sistem arsimor ku mund të shkoj njeriu që të bëhet njeri që ta bëhet më bujar më fisnik. Ajo është diçka që e bënë ti vetë, dhe ndoshta është provimi më i rëndë, e nga kjo rrjedh ajo frika ime se gjithmonë duhet pyetur veten: a ke mbetur njeri, dhe a do të mbetesh krijues? Këto janë pyetjet që më shumë vinë nga frika.

Arti është pasuri shpirtërore

“Iliria Post”: Nga koha dhe kur ishit për herë të parë në Prishtinë dhe tani, kanë kaluar vite, keni pasur rastin të njihni krijues dhe zhvillime letrare në Kosovë, Maqedoni dhe përgjithësisht ku shkruhet shqip. Në çfarë niveli është letërsia shqipe?

Kim Mehmeti: Mua më vjen keq që jetojmë në kohëra të një paqartësie të plotë, dhe në këtë kontest, natyrisht më së keqi e kanë njerëzit që merren me art, sepse në kohëra të tilla, mbijetesa është ajo e para që ju intereson njerëzve. Shikoni çka ndodhë në Kosovë: të rinj janë të pa punë, dhe ju t’i akuzoni tani ata se pse s’bëhen lexues, pse nuk kanë kujdes ndaj librit, kur ata nuk e dinë se çka do të ndodhë të nesërmen me ta. Është jo e njerëzishme ta bëni këtë. Në anën tjetër, paramendojeni sot të jeni krijues i ri, kur në Pallatin e Shtypit, si dikur, që ne na prisnin si A. Pashku, A. Podrimja e redaktorë të tjerë. Tani të rinjve u mungon kujdesi, tani shihni të rinjtë duke vrapuar si ndonjë tregtar i mjerë nëpër donatorë që t’u japin ndonjë euro dhe të botojnë librat. Nuk bëhet arti kështu. Arti është çështje e pasurisë shpirtërore e një populli, është çështje elitare që kushton. Artin nuk e bëjnë lypsarët. Piano nuk mund të ketë në çdo shtëpi, bibliotekë nuk mund të ketë në çdo shtëpi. Duhet të krijosh kushte që të jetë artist, krijuesi . Unë njoh në Kosovë krijues mahnitës si: Xhevdet Pozhari, por e di një gjë, se ai nuk ka derë ku të troket, që ndonjëri ta udhëzoj e t’i thotë, mos u mundo më të shkruash. Pse? Këto janë kohëra të harresave të mëdha, këto janë kohëra kur ne harrojmë që njeriu përveç që të hajë e të pijë, të ketë veturë të mirë, duhet të ketë edhe diçka mbi këtë që ushqen shpirtin: shpirti nuk ushqehet me mish të pjekur, ushqehet me gjëra të tjera. Në këtë kontest, mendoj se jetojmë në kohëra të territ, në njëfarë mënyre të varrosjes së artit, që do të duhej shumë shpejt shqiptarët ta kuptojnë se po ndodhë një tragjedi: tragjedia e madhe është kjo që ndodhë sot, veçanërisht në Kosovë, që ju keni gjenerata të reja që flijohen, që nuk janë askund dhe që mund të prosperojnë vetëm nëse partia iu jep licencë që të shkojnë përpara. E në rrethana të tilla kur individi zhduket e del në sipërfaqe vetëm emblema e partisë, ju nuk keni vlera, nuk keni standard, ju keni vetëm forcën e grupit që vendos, andaj i keni ato situatat absurde, për kulturën tonë, të Shqipërive tona, për politikën kulturore vendosin njerëz që me kulturën kanë aq lidhje sa kam unë lidhje me ata që bëjnë ëmbëlsirën. Vet kjo flet se kemi të bëjmë me shoqërinë shqiptare, ku ndodhë për fat të keq, një akulturim i plotë. Në shoqërinë ku ndodhë akulturimi, ku kultura merret si diçka pa të cilën mundet të ndërtohet shoqëria, ka krizë të madhe, si në aspektin shpirtëror, moral dhe material. E derisa kjo të mos konsolidohet, mendoj se nuk do të jenë ditët e artit. E di, se edhe më tej do të na shkatërrohen shumë gjenerata të artistëve të mirë. Nuk është e rastit që ju në Kosovë ndieni një zbrazëtirë, posaçërisht, kur është në pyetje shkrimi. Ju e keni gjeneratën më të re krijuese në Kosovë, gjeneratën time, që janë 52-vjeçar, ku i keni 25-vjeçar, 35- vjeçar, askund! Sepse ajo rini përballet me mospasje, është në një tunel pa dalje. Ky brez përballet me mospërkrahje. Sot, fati është të jesh këngëtar, të incizosh klipe, unë nuk kam asgjë kundër, mirëpo nëse ajo është kultura e shoqërisë sonë, atëherë jemi shoqëri shumë e pakulturuar.

Jemi popull që dimë t’i krijojmë tragjedi vetvetes

“Iliria Post”: Po në Maqedoni sa përkrahen artistët?

Kim Mehmeti: Shikoni, ndodhë një absurd i çuditshëm. Unë mund të them se në Maqedoni, krijuesit përkrahen shumë më shumë se në Kosovë, sepse në Maqedoni vet shteti e financon librin dhe atë në sasi të mëdha, por edhe librin në gjuhën shqipe. Mirëpo, siç duket, ne jemi populli që dimë t’i krijojmë tragjedi vetvetes. Jemi popull i vuajtjes. Nëse nuk vuajmë bile pak ndihemi keq, sepse jemi mësuar ashtu, si popull jetim në Ballkan, dhe vuajtja na është bërë pjesë e jetës.

Në Maqedoni ndodhë një tjetër lloj tragjedie. Aje vjen abdalli partiak në ministrinë e kulturës dhe krijon shkrimtarët e tij, të partisë së tij.

Nuk kemi kontinuitet. Nuk kemi ndërtim të kalasë. Kurse ju këtu, keni ndërtim të kasolleve të mjera partiake, ku edhe në krijimtari edhe në art, e fusni emblemën partiake, përkatësinë partiake, që nuk bëhet askund në botë. Kjo bëhet vetëm në mjediset primitive, kjo është bërë në kohën e pashallarëve: Nëse i shkruan poezi pashait, je krijues i oborrit, nëse nuk i shkruan t’i nuk ekziston. Tani ne i kemi pashallarët partiak, të cilët me që partitë i shndërruan në kompani të tyre private, ato kanë nevojë të kenë edhe ndonjë krijues privat, për t’u ulur në darka e në dreka. Kanë nevojë të kenë krijuesit e oborrit të vet, partisë së vet, të cilët kanë përkrahje në atë moment kur vjen përfaqësuesi i asaj ose kësaj partie. P.sh, në Maqedoni në qeverinë e të famshmit Arbër Xhaferri, ju bjen që juve të gjeni ndonjë emër që keni menduar se është ndonjë taksist, dhe ai përnjëherë del me libër! Kështu në rrethana kur rrënohen standardet, vlejnë standardet e fisit, të partisë, të grupit, atëherë ajo nuk është ajo që dëshirojmë.

“Iliria Post”: A do të thotë kjo se kemi të bëjmë me krijimin e të ashtuquajturave ‘principata letrare’?

Kim Mehmeti: Po, unë këtë shumë herë e kam përdorë, dhe po i ikja gjatë bisedës, sepse nuk dua që t’i përsëris gjërat. Ne funksionojmë në principata letrare. Neve shqiptarëve për fat të keq ka filluar të na pëlqejë që çdo njëri të ketë principatën e vet, të parin e vet të principatës. Mund të them, se shpesh herë më krijohet përshtypja se ne nuk jemi edhe të gatshëm për integrim mbarë shqiptar. Flas edhe në aspektin e letërsisë, sepse më lehtë e ka Kimi në Maqedoni, të jetë ndonjë shkrimtar, ku ta di se i cilës kategori, se kur del në rrafshin mbarë kombëtar ndoshta humbësh. Unë shpesh me tallje e them, shyqyr që jetojmë në kohëra globale kur vlejnë procese tjera, sepse ne do të duheshin të ndërtojmë aq Shqipëri, sa që kemi liderë partiakë, mbase do të kishim aq shoqata të shkrimtarëve, sa kemi liderë partiakë, dhe në fund kam frikë se e gjithë kjo do të përfundonte me shumë letërsi shqiptare, siç edhe ka tendenca kur flasin njerëzit për identitete të veçanta. Kam frikë se ndonjë ditë çdo fshat do të shpall identitetin e vet. Ndoshta është fazë që duhet ta kalojmë, ndoshta ne jemi ende në atë fazën e pubertetit, dhe fëmija në pubertet punën e parë që do ta bëjë është të ikë nga shtëpia. Mirëpo, pas ikjes i kthehet ai refleksi që të kthehet.

Frika nga ballafaqimi me vetveten

“Iliria Post”: Mos është kjo një ikje nga vetvetja?

Kim Mehmeti: Kjo më shumë do të thotë për mua, frikë të ballafaqohesh me vetveten, se të ikësh nga vetvetja, nganjëherë është edhe vlerë, sepse i guximshmi e bën atë: do ta shohë vetveten nga distanca. Unë mendoj se ne tashti jetojmë në kohën kur kemi frikë të përballemi me vetveten, kemi frikë të dalim para pasqyrës ku do të shohim portretin tonë krijues. Ne e kemi bindur vetën, se të gjithë jemi si A. Pashku, se të gjithë jemi si I. Kadare. Dhe tani as në vetëdije s’mund të gënjehet aq sa të gënjehet kur thotë se jam më i bukuri në botë. Mendoj se këtu qëndron problemi dhe jo me ikje nga vetvetja. Problemi qëndron në atë, te mos pasja forcë të përballesh me vetveten.

Ismaili është krijues, nuk është politikan

“Iliria Post”: Megjithatë, mos ekziston te ne një fenomen pak sa i çuditshëm. P.sh, kemi pasur rastin kur është zhvilluar një ‘betejë’ pro et contra për Kadarenë. Cili është mendimi juaj për të?

Kim Mehmeti: Mendimi im për Kadarenë është ky: Kur e vlerësoni artistin, duhet ta vlerësoni vlerën, jo njeriun. Ismaili është ai që na legjitimon ne dhe këtu mua ma pamundëson që të shkoj më tej dhe të jap ndonjë vlerësim negativ edhe sikur ta ketë. Mirëpo, Ismaili është njeri, mbi të gjitha të tjerat, Ismailit i di plotë gabime politike që ka bërë, mirëpo në emër të kësaj që ai mua më legjitimon në botë, këto nuk më janë të rëndësishme. Kur filloi konflikti në 2001 ai doli me një deklaratë se ata janë mafiozë e rrugaçë. Unë dola me një deklaratë se këtu do të ketë luftë, këta janë patriotët tanë, dhe mua gazetat maqedonase ma përplasnin për fytyre këtë që tha Ismaili, madje kishte tekste përbuzëse të këtij stili: Ja çka do të thotë një intelektual si Kadare, dhe ja çka do të thotë një intelektual rrugaç si Kim Mehmeti. Mirëpo, kjo nuk është pjesë e krijimtarisë, kjo nuk është pjesë e romaneve me të cilat unë mburrem. Në këtë rrafsh, mendoj se Ismaili është diçka tjetër për të cilin mund të diskutohet, mund të diskutohet edhe lidhur me qëndrimet e tij ndaj religjionit. Mirëpo, për mua Ismaili është krijues, nuk është politikan. Edhe analiza kur duhet bërë për të, duhet bërë në këtë rrafsh. Si letrar është mburrja ime. Si njeri që merret edhe me çështje të tjera, unë nuk e përfill, të jem i sinqertë, të mos them se ai është një amator i dobët dhe nën ndikim të tjerëve.

Ne jemi pak shoqëri kufomngrënëse, ne jemi pak shoqëri që fjalët e mira për njerëzit i themi vetëm kur ata vdesin. Ne nuk jemi shoqëri aq sa që të kemi guxim të gjallit t’ia ndajmë meritat nga ato që nuk i ka, dhe të themi ky qëndron këtu. Në emër të kësaj, unë bëra një orvatje që pak të ndikoj te shqiptarët, bëra në libër një ese pak më të gjatë për Ali Aliun, kur doja të kultivoj këtë vetëdije: Që ne duhet që njerëzve meritat t’ua themi deri sa janë të gjallë, dhe jo kur vdesin. Ndoshta e keni ven re, që ne njerëzit i sulmojmë të gjithë, deri sa të jenë gjallë, atë ditë kur të vdesin, ne shtyhemi kush do të thotë fjalët më të mira, që është absurde. Ne vetëm të vdekurit dimë t’i çmojmë! Nuk dimë t’i çmojmë të gjallët se ata na pengojnë. Kjo është trishtuese në shoqërinë shqiptare. Njeriut duhet t’ia themi edhe të metat, fundja nuk ka njeri pa të meta. Mirëpo kur ta vini në kandar, nëse meritat janë ato që e legjitimojnë dhe jo të metat, atëherë ai është i madh.

“Iliria Post”: Ju jeni krijues bilinguin. Sa është e vështirë kjo për Ju?

Kim Mehmeti: Shihni, nuk është ajo që e karakterizon krijuesin, sepse çdo krijuesi i mjafton gjuha e tij amtare. Bilingualizimin e krijojnë rrethanat, nuk është punë zgjedhjeje që ju e zgjidhni se tani do të jem shkrimtar më i mirë ose më i madh nëse jam bilingual. Unë jam rritur në një mjedis të tillë, kur më është imponuar bilingualizmi, ku e kam pasur detyrimisht të mbijetesës të dija edhe gjuhën maqedone, dhe më është dukur absurde që të mos ta përdori, që të mos t’i botoj librat e mi. Mirëpo, gjuha ime e parë dhe e fundit është shqipja. Bilingualizimi është gjë specifike, që nuk përshkruhet, nuk përshkruhet nganjëherë si ndjenjë. Sot më ndodhë që të kem vështirësi që ta rishkruaj në maqedonisht, sepse është sensibilitet tjetër gjuhësor, fond tjetër i fjalëve, etj.

Pashku më thoshte ku je malësori i malësisë

“Iliria Post”: Ju kanë cilësuar edhe si krijues që bënin letërsi nga provinca, jeni ju krenar për këtë?

Kim Mehmeti: Unë jam njeri i fshatit, jam një katundar i papërmirësueshëm. Mburrem që jam i tillë, siç kanë arsye të mburren të tjerët nëse janë në ndonjë metropol. Unë jam rritur në familje ku kanë vlejtur rregullat e Kanunit të Lekës, dhe jam habitur se si ata njerëz analfabet i kanë përcjell aq me përpikëri ato rregulla kanunore. Mburrem që ekzistojnë rregulla. Familja është gjë e shenjtë e po ashtu edhe fëmija, që nuk preket, nuk guxon burri të prek fëmijën, e që sot fatkeqësisht ndodh, e ajo na ndodh edhe nëpër shkolla, pedofil të ndryshëm i ngacmojnë vajzat tona fëmijë.

Mendoj se do të duhet pak të kthehet tradita familjare, mos ta quaj ajo katundaria familjare në familjen shqiptare, sepse shqiptaria ka mbijetuar pikërisht duke e ruajtur institucionin e familjes që s’ka pasur kurrë shqiptaria ndonjë institucion tjetër të qëndrueshëm. Jo rastësisht shqiptaria i ka kushtuar vëmendje të veçantë familjes, sepse ai institucion e ka mbrojtur dhe e ka mundësuar mbijetesën tonë. Në këtë kontest unë jam tradicionalist, por në atë kuptimin që di ta lexoj kohën, që di ta shfrytëzoj edhe internetin, ku në fshat internetin fëmijët e mi e kanë prej vitit 1994, që besoj që shumë qytete më vonë se ne e kanë pasur internetin.

Te ne ende vlen parimi që fëmijët nuk preken, fëmija mund të gaboj, por nuk guxon të preket. Fëmija është si gruaja në shoqërinë shqiptare Janë institucione të mbrojtura, sepse aty është thelbi i familjes. Te ne janë poshtëruar burrat, jo fëmijët dhe gratë, dhe Anton Pashku gjithnjë më thoshte ku je malësori i malësisë.

Të gjithë nisen drejt majës

“Iliria Post”: Sa njihet letërsia shqiptare në botë, thënë më konkretisht sa është e përkthyer?

Kim Mehmeti: Gjithmonë duhet të jemi objektiv. Si letërsia shqiptare ka me mijëra në botë, që pretendojnë. Bile çdo letërsi nacionale, mendon se meriton më shumë se sa është radhitur në bibliotekat mbarë botërore.

Unë dua më shumë, mirëpo mendoj, se aq sa jemi, këtu ku jemi, në pozitën që jemi ne kemi arritur maksimumin. Mos harroni, ju kemi ndoshta dhjetë krijues shqiptarë që janë vlerë e bibliotekës kombëtare, prej Ismailit, Kongolit, Luan Starova, Eqrem Basha, Dritëro Agolli, etj,.

Dhe ju tani, mos vallë, mos presim që të gjithë të bëhen shkrimtarë të njohur botëror, por këtë nuk e kanë arritur as letërsitë më të mëdha, dhe ata kanë tre katër emra. Le të m’i tregojnë mua kush janë krijuesit anglezë apo francezë, që janë bërë pjesë e letërsisë botërore. Ajo është një det i madh, posaçërisht në atë pjesën anglez folëse, ju atje të depërtoni duhet të jetë diçka e veçantë, ne atje kemi dy krijues që kanë depërtuar: F. Kongolin dhe I. Kadarenë. Unë do të doja më shumë, të jem edhe unë aty, por unë jam i vetëdijshëm, se ecja drejt majës e ka këtë kuptim: Të gjithë nisen drejt majës, por nuk arrin të gjithë, dhe shyqyr që nuk arrijnë të gjithë, se atje nuk ka vend për të gjithë.

Në maje ka vend vetëm për dy tre veta. Ai është një ligj i natyrshëm sa i përket krijimtarisë, aty bëhet filtrimi. Të arrish në maje do të thotë të kesh vetëdijen se atje të godet rrufeja.

“Iliria Post”: U tha disa here gjatë kësaj bisede se kultura shqiptare ndodhet në një tunel. Si të dilet nga kjo situatë?

Kim Mehmeti: Arti nuk është diçka që mund të del jashtë shoqërisë, jashtë rrjedhave shoqërore. Kur kemi termet të madh dhe rrënime të mëdha, aty nuk ka më sistem çfar