Back

Kufijtë e urrejtjes

 Shkruan: Kim Mehmeti

      Nuk ka dyshim se është urtësi dhe virtyt i shenjtë njerëzorë që urrejtjen e tjetrit ndaj teje, të mos e ushqesh me urrejtjen tënde ndaj tij. Njësoj siç nuk ka dyshim se kur ke fqinjë që të urrejnë, ti nuk duhet të sillesh si i dashuruar i verbëruar nga dashuria, që nuk e sheh se e dashura nuk e do, apo si mazohist i cili dashurohet në atë që e dhunon. Pa dyshim se reagimet e Tiranës zyrtare ndaj rasteve të “izoluara” të urrejtjes greke ndaj shqiptarëve, në njëfarë mënyre e pasqyrojnë edhe inferioritetin e politikave shqiptare, i cili inferioritet shkon deri aty sa ke përshtypjen se opozitën dhe pozitën e atjeshme, nuk e brengosin gjithaq këto manifestime të “izoluara” antishqiptarë, sa i hidhëron pse ato nuk janë fshehur, pse janë bërë publik. Me çka, politikanët e Tiranës, herë-herë të ngjanë në marioneta të Athinës, apo reagimet zyrtarëve të Shqipërisë më shumë i ngjajnë ankesës së gruas që është mësuar me keqtrajtimin e përhershëm të burrit dhe kënaqet vetëm nëse nuk i mbeten shenja nga dajaku.

      Sjellja greke ndaj fqinjëve të tyre, qëmoti i ngjanë asaj të fëmijës lazdran që çdo gjë ka përfituar nga fama e stërgjyshërve të vet. Ndaj kësaj sjelljeje, pjesa tjetër e Evropës, sillet si banorët e lagjes që e njohin “vesin e keq të fëmijës”, por nuk guxojnë këtë ta thonë hapur ngaqë e dinë se edhe ata vetë kanë ndikuar që ai të bëhet i tillë. Është e vërtetë se manifestimet shovene antishqiptare që ndodhin në vazhdimësi në Greqi, nuk shprehin politikën zyrtare të Athinës, por pa dyshim se ato pasqyrojnë një atmosfere përbuzëse te një pjese të shoqërisë greke ndaj të gjithëve përreth që nuk kanë përkatësinë e tyre etnike dhe religjioze, pa mëdyshje se ato janë pjellë e një sistemi arsimorë ku fëmijët grekë mësojnë për “barbaritë” e të tjerëve, por jo edhe për golgotën çame, jo edhe për konceptet asimiluese greke ndaj pakicave të atjeshme etnike. Pra, rastet e “izoluara” të urrejtjes nda të tjerëve që shprehen në vazhdimësi nëpër paradat ushtarake, edhe atë pas pesë dekadave që Greqia është anëtare e NATO-së dhe disa dekada anëtare e BE-së, tregojnë qartë se në këtë Ballkan dikush dëshiron t’i shlyej kufijtë e shteteve, por duke dashur të mos heq dorë nga ato të urrejtjes. Apo, këto raste tregojnë qartë se edhe gjatë kohë, edhe pasi të gjitha shtetet e Ballkanit të bëhen pjesë e institucioneve euroatlantike, këtu do mbeten të patejkalueshëm kufijtë e urrejtjes. Edhe atë jo pse ballkanasit së tepërmi e duan këtë ushqim, por shkaku se edhe të mëdhenjtë e kësaj bote, nuk i kanë “dashur” njësoj popujt e këtyre trojeve. Dhe jo vetëm që nuk i kanë dashur njësoj, por herë-herë, edhe kanë theksuar dallimin mes tyre, duke mos hezituar të shpalosin se cilët janë të preferuarit e tyre e cilët ata që duhet të nënshtrohen.

            Në Ballkan ka aq lloje urrejtjesh, sa edhe popuj. Por, jo të gjitha urrejtjet janë ushqyer njësoj. Mbase është mirë që urrejtjen shqiptare, ndaj cilit do popull në Ballkan, nuk e ka përkrahur ndonjë “vëlla” i madh. Por, kjo ka një të keqe: i ka çuar shqiptarët të tregohen të pakujdesshëm ndaj urrejtjes së të tjerëve ndaj tyre. Andaj, shqiptarët gabojnë nëse mendojnë se dikush tjetër do i shpëtoj nga urrejtja e të tjerëve. Tjetri mund të të ndihmojë atë ta përballësh më lehtë, por vetëm nëse nuk je inferior dhe nuk sillesh si i pafuqishmi të cilin nuk ia vlen ta mbrosh. Shikuar nga ky këndë, Tiranës zyrtare sillet aq inferiore ndajë fqinjëve të saj, sa mund t’ua ketë zili edhe politikanëve maqedonase, të cilët nuk ka rast të mos ia ndërmendin botës padrejtësitë që i bëhen pakicës maqedonase në Greqi. Nga ana tjetër, politikanët e Tiranës, as që guxojnë ta përmendin problemin çamë në Athinë, apo pavarësinë e Kosovës në Beograd. Dhe mbase Tirana zyrtare sillet kështu ngaqë është e përkushtuar të arrijë cakun e lartë të bëhet anëtare e edhe e BE-së. Por, duke harruar në ndërkohë se BE-ja dhe NATO-ja mund të të ndihmojnë në shumëçka, por nuk mund të të çlirojnë nga inferioriteti yt dhe nga konstrukti mental i vasalit. Pra, duke harruar se BE-ja dhe NATO-ja nuk qëndrojnë mbi politika që kanë bosht të thyer kurrizorë, por mbi urtësinë se vlen ta kesh në lagjen tënde vetëm atë që është i aftë ta rregullojë e ta mbrojë shtëpinë e vet. Pastaj, BE-ja dhe NATO-ja nuk mund të të çlirojnë as nga urrejtja që ke ndaj atyre që nuk i përkasin etnitetit dhe religjionit tënd. Institucionet euroatlantike mund ta lidhin ujkun me zinxhirë që të mos i hajë delet e fqinjëve, por jo edhe t’ia ndryshojnë veset që ka. Gjë që më së miri e dëshmojnë disa popuj e shtete, që me dekada janë anëtarë të institucioneve euroatlantike, por ende ushqehen me urrejtjet mesjetare.