Back

Kujtime panoramash të vjetra

Fotografitë dhe panoramat e vjetra të vendbanimeve janë si zë i largët, i cili ta rikujton se duhet ruajtur kujtimin për të kaluarën po aq sa edhe dhembshurinë ndaj kohës që rrëshqet në pakthim, sepse pasi e sotmja të bëhet e shkuar, kujtimet dhe dhembja janë gjithçka që të mbesin. Ato janë si piktura të vjetra që ruajnë pamjen të cilën qëmoti dikush e ka fshirë nga pëlhura e natyrës dhe mbi të ka pikturuar peizazh krejt ndryshe nga ai i dikurshmi. Pastaj, panoramat dhe fotografitë e vjetra të vendbanimeve të mundësojnë të shohësh ngutjen e njeriut sa më bindshëm ta ndryshojë ambientin rreth vetvetes, duke shpalosur kështu iluzionin e gjinisë njerëzore se natyra është vepër e papërfunduar e Zotit dhe se njerëzit janë ata që duhet ta përmbyllin këtë vepër madhështore.
Të gjitha fotografitë dhe panoramat e vjetra të qyteteve tona kanë diçka të përbashkët që të çon të besosh se bukuria e djeshme dhe ajo e sotmja janë aq të pakrahasueshme sa edhe vetë gjelbërimi në pamjet e dikurshme që ka regjistruar fotoaparati dhe betoni e asfalti që kanë mbuluar të sotmen. Pra, në panoramat e vjetra shihet qartë se e dikurshmja e qyteteve ka qenë pjesë e gjelbërimit, ndërsa e sotmja e tyre është ngjitje e njerëzve drejt lartësive qiellore. Dhe duke jetuar në “kutitë” e radhitura njëra mbi tjetrën dhe njëra pranë tjetrës, njerëzit sot janë më të largët mes vete e atëherë kur shtëpitë e mëhallëve ishin të ndara mes vete me kopshte dhe avlli të larta, por të cilat ndërlidheshin me njëra-tjetrën nëpërmjet degëve të lulëzuara të pemëve dhe erës së këndshme të luleve nëpër oborre.
 
Sa herë që i shikoj panoramat dhe fotografitë qindra vjet të vjetra të qyteteve tona, më mundon pyetja se cili ka qenë i pari që ka thënë: Ky do jetë vendbanimi ynë dhe i pasardhësve tanë, këtu do ndërtojmë shtëpitë ku do ta festojmë jetën dhe varrezat ku do ta vajtojmë vdekjen. Dhe përderisa merrem me këtë pyetje, më bëhet se edhe ne, njësoj si gjithë gjeneratat para nesh, duam të dimë sa më shumë për ata që dikur kanë jetuar aty ku tani jetojmë ne, e të cilët mbase njësoj si ne kanë dashur ta shijojnë sa më lezetshëm të sotmen e tyre, edhe madje duke shpresuar se asnjëherë nuk do t’i harrojë e ardhmja. Kështu që çdo lagje e një qyteti apo një vendbanim i tërë është përzierje mes së tashmes, që orvatet sa më shumë t’i ngjajë vetvetes dhe përmallimit të së sotmes për kohët e shkuara në pakthim. Apo, thënë ndryshe: qytete janë ato që shohim rreth vetes dhe atë që imagjinojmë për të kaluarën e tyre, atë me çka përballemi për çdo ditë dhe ajo që ndërmendim kur shohim ndonjë panoramë të vjetër të ndonjë ndërtese apo rrugice.
 
Dhe duke dëgjuar rrëfimet për të kaluarën e qytetit ku kemi lindur, duke u plakur së bashku me fotografitë e vjetra që i ruajmë nëpër sirtarë, e ku shihet lagjja ky kemi freskuar fëmijërinë dhe rritën tonë, neve nuk na duken ndryshe vetëm ndërtesat që sot na rrethojnë, por edhe vetë natyra, edhe vetë malet, si edhe lumi që na bëhet se tani qytetin e ndan më ndryshe se dikur, kur shtrati i tij nuk ka qenë i muruar. Madje, duke shikuar lumin e vendbanimit tonë, ne fillojmë të hamendemi se ç’mban mend ai nga qyteti i dikurshëm, çka ndërmend ai nga e shkuara e shkëmbinjve dhe maleve përreth tij, duke harruar se valët e lumit vetëm një herë mund të lagin të njëjtat brigje dhe të njëjtët gurë, se ato kurrë nuk kalojnë dy herë mbi të njëjtin shtrat, andaj valët e tij vjedhin me shikim vetëm atë që për një çast pasqyrohet në syprinën e tyre, se ato vazhdojnë rrjedhën duke shlyer pamjen e mëparshme me atë të ardhmen. Pra, pamjet mbi valët e lumit vijnë e zhduken njësoj siç shlyhet mendimi i mëparshëm me atë që vjen i paftuar në imagjinatën tonë. Valët e lumit janë si imagjinata jonë, ato e pasqyrojnë çastin, atë që është pasqyruar mbi to kur kanë kaluar pranë një peme të gjelbëruar, e pamjen e së cilës, një hap më tej, e ka fshirë hija e ndonjë ndërtese të lartë me plot dritare, pas xhamit të së cilave ndonjë sy fëmije duke përcjellë rrjedhën e lumit, duke pyetur veten, mos vallë i njëjti ujë sillet rreth e rrotull shtratit, duke iu rikthyer gjithmonë vendit, ku për herë të parë ka dalë nga barku i tokës. 
 
Ku ta dish, mbase jo vetëm valët e lumit që nuk mund dy herë të kalojnë mbi të njëjtin gur, por edhe kodrinat përreth nesh nuk i mbulon korja e njëjtë e tokës që i ka mbuluar para shumë vjetësh. Mbase edhe dheu mbi tokë lëviz i shtyrë nga rrënjët e drunjve dhe kullosës që gjatë viteve rritet dhe kalbet nga gjelbërimi që shekuj me radhë ka joshur shikimin e njerëzve, që pastaj ta plehërojë dheun me vetveten e kalbur, e ku do të mbijë kullosa e pranverës së ardhme. Pra, që pastaj të mbetet vetëm kujtimi për të, njësoj si ai për qytetet dhe njerëzit që nuk i kemi pranë, si ndërmendje e shënuar në palimpsestin e kujtesë sonë, si pëshpëritje e mbetur në muret e heshtura të ndërtesave, apo si një çast i vjedhur nga objektivi i fotoaparatit, i vulosur në fotografinë e zbetë të ndonjë albumi familjar. 
 
E kur jemi te albumet, te fotografitë e vjetra, apo te enët e bakërta që i ka mbuluar pluhuri, shpeshherë ato dinë të rrëfejnë atë që kanë harruar ta thonë njerëzit. Andaj, sa më të vjetra bëhen ato sende që kanë qenë pjesë e jetës së dikujt, aq më i zëshëm bëhet rrëfimi i tyre. Albumet, orët e vjetra të murit, makina e vjetër e shkrimit, veshmbathjet e dikurshme të punuara me dorë…, janë kronikë e saktë e së kaluarës. Fotografitë dhe sendet nga e kaluara dëshmojnë edhe lidhshmërinë e të sotmes më të shkuarën, si dhe qëndrimin e të sotmes ndaj së djeshmes. E kaluara që nuk lë gjurmë vdes dhe e sotmja që nuk ia del ta lexojë dhe me çfarëdo qoftë ta dëshmojë të kaluarën, mjegullohet. Andaj, bota e civilizuar i ruan reliktet që flasin për një kohë të shkuar, njësoj sa edhe ngrehinat e ndërtuara sot. Sepse, çdo gjë e ndërtuar tani këtu, themelet i ka atje dhe dikur, në kohët kur dikush ka thënë: këtu do jetojë të sotmen, duke ndërmendur të kaluarën dhe do të lë gjurmë që të mos më harrojnë kohët kur nuk do të jem më.