Back

Kulla si mall i ti çrrënjosorit me dhunë

 

Ali ALIU

 

Kim Mehmeti : “ Kulla dykatëshe”

Pas leximit te parë, ende dorëshkrim, të romanit ” Kulla dykatëshe” , në fletën e fundit, si refleks të parë, shënova këtë përshtypje: “romani, deri më sot, më i mire i Kim Mehmetit”. Gjatë ditëve që pasuan, provova të kërkoj mbështetjen e përshtypjes të tillë që, mbase, tërthorazi mund të dalë edhe nga ky shkrim.

Që në fillim do thënë se rrethi përmbajtjesor, lënda bruto, ngasësi kryesor i frymëzimit, edhe me këtë rast, vjen nga shtresimet e botës, frymës dhe shpirtit të fshatit, tashme emblematik në opusin letrar të këtij autori. Edhe kësaj here, Kim Mehmeti vjen të rrëmbejë atë që ka mbetur pa u thënë nga romani paraprak, atë që, në njëfarë mënyre edhe mund të jetë paralajmëruar në veprën e parafundit, mbase edhe pavetëdijshëm…Kështu, saga fabulare edhe te “Kulla dykatëshe” sjell një pleksje prejardhjeje rrënjësh e rrugësh, thurje fisesh dhe besimesh, varrezash dhe kodesh; pleksje hapësirash e pamje-dritaresh të shtresuara ndër mote që, kemi pasur rast t’i vërejmë, të shpërndara si oaza të izoluara, në tërë veprën e këtij autori, – gjithnjë dhe rishtazi si vetëdije e munguar që pret rrëfimin e radhës…

Edhe pse romani “Kulla dykatëshe” vjen si përmbyllje, megjithatë ka një veçanti dhe del si kurorë e ciklit romanor me fshatin metaforik. Në këtë roman, Kim Mehmeti sjell shtresën më ekzistenciale të fshatit, sjell kullën, kryepersonazhin, shtyllën mbështetëse drejt shpalimit të tij. Kulla rrezaton simbolikën e qenies fizike dhe shpirtërore të traditës, të historisë dhe mitit, pasqyron sfidat dhe qëndresën e shtresuar si mbamendje, si identitet. Kulla është pasqyrë e burrërisë dhe çburrërisë, e rënieve dhe ngritjeve të njeriut … Pikërisht rreth këtij personazhi bosht, do të thuren ngjarje sa të thjeshta dhe të përditshme, po aq fantastike dhe të magjishme. Raporti ekzistencial i njeriut me Kullën është ndërthurje mozaike, në sfondin e të cilit do të shquhet sidomos emocioni i mallit, që, me këtë rast, ngjizet dhe shpërthen përmasash që s’mund t’i perceptojë lehtë arsyeja normale. Në strukturën narrative të këtij romani, malli i të çrrënjosurit me dhunë, i shpërthen konvencat rrëfyese, prek lartësitë narrative si alarm dramatik, fizik dhe shpirtëror. A shuhet malli për Kullën duke e marë atë përmes syrit të kamerës me vete, në arratisjen pa kthim, dhe, për më shumë, a mund të arrihet kjo përmes  bartjes së vërtetë e konkrete të mureve, skutave masive dhe të gdhendura, – kështu i vë të gjitha sfidat e mundshme në sprovë, rrëfimi më i ri i Kim Mehmetit.

Identifikimi me traditën, me kullën, kësaj here shtrihet si kohë në rrjedhën pafund -është koha universale, – e kaluara, e tanishmja, e nesërmja; është kujtimi, gëzimi, lindja, pikëllimi, vdekja, është kuptimi i qenies, i botës, i jetës, i njeriut… Kulla është udhërrëfyese jetësore, është vatra e lindjes, rrjedha e lumit, maja e malit, janë zogjtë dhe bagëtia, është gjarpri i shtëpisë, dashuria e parë, hëna dhe retë, është konceptim i njeriut mbi gjithësinë; Kulla ka hijen e tempullit të shenjtë: braktisja nga hija e saj është blasfemi, mallkim i përjetshëm. Është fshati, bota e vizionit romanor e nisur për diku por e pambërijtur, e paplotë, e pambaruar. Janë fragmente të mozaikut të shprishur që gjakojnë përplotësinë (mitike) të tij. Pikërisht këtë botë, përfshirë edhe Kullën në të, Kim Mehmeti e ka ngritur në shkallë personazhesh universale, në personalitete me identitet të fuqishëm artistik…

Në krahët e këtij raporti jetik të njeriut me kullën, Kim Mehmeti e depërton shikimin përtej së dukshmes. E arrin këtë depërtim shtresimeve të mjegullta falë imagjinatës dhe intuitës që nuk insiston në të vërteta definitive, reale. Duke e vendosur rrëfimin brenda hapësirës që i ngjan pragut mes dritës dhe territ, hapësirës as ditë as natë, narratori i krijon mundësi të pakufizuara rrëfimit të vet. Më parë se në veprim lëvizës, struktura narrative mbështetet mbi pleksje ndjesish njerëzore, perceptime e hamendësim real dhe virtual. Asgjë nuk del përfundimisht e sigurt… Copëzat e rrëfyera brenda të cilave ndërfuten dhe pleksen e shkuara dhe e tanishmja pa ndërprerë, shfaqen si ngjarje dhe bëma të shënuara nga historia e etnisë që shndërrohen në pirgje, përkatësisht fanarë orientues narrativë… Edhe renditja, sistemimi i brendshëm i kullës, -odat, çardakët, frëngjitë-çdo kënd dhe skutë funksionon  si një kanun i gjallë dhe origjinal… Duke ecur tej në hapësirë dhe thellësi, duke prekur shtresime të reja, lënda bruto zgjohet dhe buis nga më shumë vatra. Në prozën e Kim Mehmetit kryesisht ajo vjen si shpalim kallëzimesh të lashta, ose si lexim tekstesh të gjetura e të shënuara palimpsest. Është natyrë që para se gjithash priret nga intuita krijuese, e cila pagabueshëm ia gjen shtegun e daljes, edhe kur duket se s’ka dalje. Natyrë krijuese që ka ngasjen dramatike për ta sqaruar botën e vet, atë të gatuar në rreth e me rrethin, me të kaluarën, me rrënjët, kuptimin e fillimit…

2.

Struktura narrative në romanin më të ri të Kim Mehmetit akomodohet nga perspektiva e më shumë dritareve, e më shumë këndvështrimeve, të kodifikuara në hapësirë dhe kohë. Kim Mehmeti tashmë i njohur dhe tejet i veçantë në zotërimin mjeshtëror të këtyre dy kategorive të poetikës rrëfimtare, sidomos të faktorit kohë, që e ripushton me secilin roman të radhës, në veprën “Kulla dykatëshe” arrin përsosmëri: në hapësirën kohë ky autor noton si zog në qiellin e hapur pafund. Duke i alternuar kategoritë e saj, duke i ndërfutur brenda njëra-tjetrës, ai arrin që të shmangë narracionin kronologjik dhe , të tanishmen, bie fjala, ta zbardhë përmes një pamjeje, një ishulli-fanar nga e kaluara, përkatësisht këtë të fundit nga një fanar-ishull akoma më i thellë. Fjala është për një pleksje të perspektivave-dritareve kohore nga më të përkryerat në prozën shqipe. Dritaret drejt thellësive të mjegulluara, perspektivat e shtresuara brenda kësaj pleksjeje kohore, detyrimisht kërkojnë përqendrim maksimal të lexuesit, me që ato rrëshqasin lehtë nëpër shekuj edhe brenda një fjalie. Në kornizën e kësaj hapësire shpesh gjysmëdritë-e-gjysmëterr, përplasen, ballafaqohen dhe sfidohen me njëra-tjetrën pamje, fakte të kundërta, përjashtuese mes vete, dëshmi që qëndrojnë natyrshëm si të mundshme apo të pamundshme. Prirja e tillë narrative në romanin më të ri të Kim Mehmetit sjell mozaikun narrativ të fantastikes dhe magjikes, të anekdotikes dhe mitit, të kodeve kanunore dhe përrallës, që, si natyrë po ashtu karakteristike për këtë autor, si objektiv të parë bart mbi vete misionin për ta bërë të besueshme edhe më të pabesueshmen e nganjëherë edhe të skajshmen, imagjinatën. Strukturë narrative kjo që, në rastin e romanit në fjalë, fuqinë shprehëse e mbështet edhe në lëvizjen brenda hapësirës së mjegullt, e madje edhe në të fshehurën fare. Miti, i aromës totemike sidomos, te romani Kulla dykatëshe është ndërmjetësues me këtë mision, – të ndërhyjë mes së njohurës dhe të panjohurës, duke u shfaqur si mister dhe imagjinatë. Narratori (autori), në të shumtën e rasteve, qëndron në një kufi- perspektivë nga ku asgjë, ose pothuajse asgjë nuk  shihet me sy kompetent, por me sy që prore dyshojnë dhe pyesin. Shpesh ky kënd perspektiv njësohet me atë të vetëdijes kolektive apo edhe të personazheve të romanit. Ai, me saktësi të plotë nuk i di të gjitha të fshehtat dhe misteret e Kullës, as fanitjen e shpirtrave apo të gjarprit, as për Metajt e Demën, as për Cenin dhe Elbasanasin, për fanitjen e Vashës gjysmë zanë e gjysmë imazh… Hamendësitë, dyshimet mbi të kaluarën, mbi fatet e njerëzve ndër shekujt që shtrihet ai i ndan me dyshimet e një zëri kolektiv, me një vetëdije dhe perceptim të ambientit, identifikohet me atë identitet kolektiv të shtresuar dhe i krijon hapësirë të pakufishme besueshmërisë së rrëfimit të vet. Me të i ndan përgjegjësitë dhe pyetjet e shtruara… Është një frymë e pranishme që shfaqet si puhi e cila sjell pëshpërimë nga thellësitë kohore dhe shtrirjes hapësinore, një frymë pa emër e pa trajtë, fluide por fuqimisht e pranishme. Tërë teknika e rrëfimit në prozën e Kimit lëviz brenda një hapësire  mbi të cilën ka muzg të përhershëm ku janë të pranishme të gjitha pjesët e tërësisë së fokusuar në rrëfim, por gati asnjëra në dritë të plotë… Prandaj janë më se komplekse fijet e së vërtetës në romanin dhe në prozën e Kim Mehmetit, me që asnjëherë nuk shfaqen qartë.. Ato pjesërisht mbeten prore përtej së dukshmes, përtej hapësirës së ndriçuar, e që, në instancën e fundit, për objektiv kanë besueshmërinë e  ekzistencës, e së mundshmes. Në këtë galimatias të konceptuar dhe sistemuar filigranisht, narratori jo njëherë, shfaqet edhe si zë që komenton, që sqaron, shpesh duke i relativizuar të vërtetat e veta të shqiptuara. Përmes këtij auto-referencialiteti narrativ, që e bën prozën romanore të Kimit me prirje drejt trendeve bashkëkohore të prozës përgjithësisht, ai u referohet aluzioneve të veta, komenton kode narrative duke e lënë lexuesin, përkatësisht duke “e detyruar” atë të lirë drejt hamendësive dhe imagjinatës, drejt zgjidhjeve të mundshme… Në fakt, natyra krijuese e Kimit, duke mos insistuar në të vërteta të plota, definitive, matematikore, në fakt arrin besueshmëri spontane, të natyrshme, besueshmëri në heshtje edhe përpara situatave të shpeshta fantastike dhe magjike.

Janë po ashtu të shpeshta dëshmitë e kohës së shpaluar që vijnë si monologë kolektivë, si ligjërim i gjallë dhe virtual njëherësh, si bëma dhe pamje të pranishme, të shtresuara palimpsest në dijen dhe ndërdijen e mjedisit, të ambientit, si pamje dhe bindje totemike, dhe që po ashtu kanë aromën e postmodernizmit. Në krahët e kësaj pleksjeje narrative, Kim Mehmeti e shtrin të besueshëm familiarizimin e kullës me gjarprin e shtëpisë, me fanitjen e frymës, e hijes së shpirtrave… Thjesht kemi të bëjmë me një kënd-kulle të brendshme të Kim Mehmetit, me një dhomë të mbyllur terr e tulatur në heshtje, ngjeshur shtresimesh kohore, tek të cilat nuk pushon së rrahuri një nerv i gjallë i cili, kur vendos të shfaqet zëshëm, e gjen shtegun e mundshëm drejt ndërgjegjësimit kreativ të autorit që, nga ky çast, i merr në dorëzim dhe e fisnikëron brenda rrëfimit artistik … Edhe në çastet kur kjo zgafellë e brendshme tërhiqet në heshtje të plotë, dhe, mbase kur autori kujton se është boshatisur, që andej vazhdon të rrahë një shenjë. Pikërisht kjo shenjë, e përvjedhur pavetëdijshëm brenda një fjalie a një fjale në roman, dikur shndërrohet në fanar që ndriçon-paralajmëron romanin e radhës, si paraqitja e lypsarit në romanin më të ri, e cila mund të jetë paralajmërim i romanit që mund ta presim… Janë përshkrimet që vijnë si jehonë, si zëra impersonal, të brendshëm dhe të jashtëm, të sendeve , pamjeve dhe natyrës, objekte dhe fenomene përreth e që me këtë rast vijnë me mision konkret në artin narrativ të Kimit. Përshkrimi i tillë, sa real, fantastik e magjik, është dinamik, lëvizës drejt shpalimit përfundimtar dhe jo si konvencë, çlodhje apo digresion në tekst. Në moment kemi bindjen se natyra krijuese e Kimit, njësoj siç nuk këmbëngul në të vërtetat dhe dëshmitë e veta,  nuk e vë në krye – ose jo domosdoshmërisht e vë në krye vargun fabular, aq më pak intrigën fabulare, sidomos atë të ndërlikuarën:  fabula është, përkatësisht mund të jetë, me këtë rast, ngasës për zgjimin, gjallërimin dhe grumbullimin e pamjeve të shpërndara në kohë dhe në hapësirë…

Bota e rrëfimit romanor me këtë rast vendoset qartë brenda kontekstesh historike të etnisë – kryesisht kthesash dramatike dhe vendimtare, të cilat përftojnë si shkrepje dritash të befta vetëm sa për të përkujtuar koordinatat e perspektivës narrative kohore. Në këtë frymë, dhe me këtë lehtësi magjike narratori lëviz shkallëve ngjitëse të kullës, përkatësisht atyre që depërtojnë në thellësi kujtimesh. I akomoduar në këtë hapësirë të pleksur, Kimi çdo gjë e lë të rrjedhë lirshëm, duke i lënë të gjithë në dorën e sovranit kohë. Pikërisht ajo, koha, u jep formë dhe i modelon, i vendos në varg-lidhjeje, si vazhdimësi dhe ndërprerje, si nxitje, frymëzim dhe përjashtim të njëra-tjetrës. Një shtrat të tillë- kohë-hapësirë, gjakon ta zërë, ta nënshtrojë, përkatësisht ta shpërndajë mjegullën drejt mistereve… Në gjirin e këtyre dy koordinatave të rrëfimit romanor – kohë-hapësirë, Kim Mehmeti lëviz lehtë, përmes një ritmi krijues, të programuar përmes intuitës së pagabueshme, e cila ia gjen shtegun e daljes në çastin e fundit, kur duket se ai nuk ekziston, arrin ta ndjejë, ta harmonizojë zërin e vet të heshtur, mbase ende të pangjizur me vetëdijen, intelektin me imagjinatën, arrin tri-harmoninë: lehtësinë e kalimit nga një shkallë kohore tek tjetra, harmoninë maestrale në ndërthurjen e reales me fantastiken dhe magjiken, dhe, harmoninë narrative mes së vetëdijshmes dhe intuitës, përkatësisht së pavetëdijshmes. Është shkrimtar që për të gjetur dhe rigjetur botën, në thellësi apo në sipërfaqe, gjakon ta gjejë të plotë në vete, sa përmes narratorit impersonal, sa përmes personazheve, pamjeve, gjësendeve, relikteve, natyrës…    
 
Gazeta Lajm

http://lajmpress.com/lajme/kulture/457.html