Back

Tirana duhet ta disiplinojë Shkupin

Tirana zyrtare duhet të marrë shembull nga Sofia zyrtare dhe të disiplinojë Maqedoninë në respektimin e të drejtave të shqiptarëve.Nëse Maqedonia dëshiron të bëhet pjesë e NATO-s, dhe nuk i plotëson kërkesat elementare të shqiptarëve, ajo mund të bllokohet nga anëtarja me e re e NATO-s -Shqipëria. Duke pasur parasysh gjendjen aktuale, analistët vlerësojnë se është momenti i fundit  që Tirana hesht. “Përfundimisht mendoj se Tirana zyrtare duhet ta marr si shembull Sofjen zyrtare. Ditë më parë kishim një reagim shumë të ashpër të Bullgarisë  për një shtetasi të tij. Në Maqedoni një e treta e popullatës janë shqiptarë dhe më habit fakti se si Tirana  nuk e ka parë të arsyeshme të dërgojë së paku një notë proteste për zhvillimet që kanë ndodh deri më sot”, tha për “Lajm” analisti Ismail Sinani. Sipas tij Tirana më së shumti ka arsye që të merret me çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në strukturat e armatës. “Nëse flasim, për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, Tirana ka me bollëk vërejtje që t’ia parashtrojë Maqedonisë”, theksoi Sinani. Analisti Kim Mehmeti vlerëson se Shqipëria ka më shumë arsye për ta kushtëzuar Maqedoninë se të gjitha shtetet e tjera të rajonit, pasi këtu jetojnë 30 për qind, edhe pse siç shprehet ai, kushtet Maqedonisë mund t’ia vënë vetë shqiptarët që jetojnë këtu. “Është absurde se një shtet që ekziston për hir të shqiptarëve të sillet thuajse ata janë popull që gjithnjë të kërkojë e kërkojë. Nga ky këndvështrim nuk ka nevojë që Maqedoninë ta kushtëzojë Shqipëria, por vetë shqiptarët e këtushëm, mirëpo nëse dinë dhe munden”, tha Mehmeti për “Lajm, duke shtuar se pa shqiptarët këtij shteti nuk i mbetet as shkronja M. Me veprimet që bën Maqedonia shteti shkon drejt një izolimi të plotë. “Rrugët nga ec ky shtet sa vijnë dhe ngushtohen dhe një ditë ky shtet do të  përballet me vetveten. Atëherë do të shohim se ky është një shtet i imagjinuar”, thotë Mehmeti duke shtuar se nëse  njeriu gërvisht atë që është në sipërfaqe, do të vëreje se Maqedoninë askush nuk e kushtëzon po ajo e kushtëzon vetveten me sjelljen e saj. Ndërsa analisti Ismail Sinani thotë se i vetmi vend në Evropë që nuk shkon përpara por kthehet pas është Maqedonia.

Kim Mehmeti: Maqedonia si pazar grash

Nuk ka shumë teori që Maqedonia të mbijetojë kështu siç e projektojnë, por mund të mbijetojë si një zonë neutrale në Ballkan. “D.m.th do të funksionojë si një treg grash në këtë rajon. Do të ndërtohet një shtet shumë standardesh, ku do të ketë jo ndarje faktike, por ndarje në realitetin e të jetuarit të qytetarëve”, thotë Mehmeti duke shtuar se funksionojnë edhe ato shtete që quhen me emrin simpatik banane shtet.

 

Gazeta LAJM

http://lajmpress.com/lajme/maqedoni/463.html