Back

Kullat

Shkrian: Kim MEHMETI

Çdo vendbanim, çdo pjesë e këtij rruzulli tokësor, është përplot ngrehina që janë si brigjet e përroit nga rrjedhin dëshirat dhe synimet njerëzore për t’ia përshtatur vetvetes sa më shumë ambientin ku jeton. Ky përrua që derdhet në gjithësinë e kësaj bote, bart më vete rrëfimin për ndryshimin në ne dhe ambiciet tona për ta bërë sa më të dukshme ngrehinën – shtëpinë – tonë ku kremtojmë lavdinë e jetës. Pra, ky përrua  ndryshon rrjedhën e vet, shtrati i tij i dikurshëm i përcaktuar nga mijëra jetë të përfunduara e që i kanë dhuruar natyrës ngrehina nga më të ndryshmet, me asgjë nuk i ngjan atij të ardhshmit, të përcaktuar nga qindra mijëra jetë të ardhura më vonë, me çka ai gjithnjë e më shumë dallgëzohet nga orvatjet e pafundme për ta ndryshuar dhe për ta rifilluar nga e para komunikim mes njeriut dhe natyrës, komunikim që do ketë shenjë njohëse ngrehinat që ne sot ndërtojmë mbi ato të dikurshmet, siç do ndërtohen në të ardhmen ngrehina tjera mbi këto të sotmet, e që të gjitha së bashku, do bëhen brumë nga i cili do të marrë kuptim e shkuara dhe do të ushqehet e ardhmja.

Të ndërtosh, do të thotë të bashkëpunosh me natyrën, do të thotë asaj t’ia dhurosh më të bukurën që ke, pa kërkuar asgjë si kundërvlerë, njësoj siç na jep natyra falas të gjitha bukuritë e veta. Pa dyshim se shqiptarët këtë e kanë kuptuar që nga lashtësia, andaj  shtëpitë e veta ata i ndërtonin duke ia marrë natyrës gurët, atë material ndërtues që kurrë nuk harxhohet, që nuk e ndot natyrën, të cilin natyra e pranon t’ia kthesh edhe pasi ta kesh gdhendur, apo pasi me vite të tëra të ketë qenë pjesë e ndonjë muri. Pra, shqiptarët kanë muruar kullat e tyre me gurë, duke e ditur se nuk ka gurë të bukur apo të shëmtuar, po ka dorë njeriu që di apo nuk di ku ta vendosë atë, duke e ditur se e ndërtuara një ditë mund edhe të rrënohet dhe rrënojat duhet të bëhen pjesë e tërësisë nga e cila janë marrë, por duke mos e dëmtuar atë. Me gurë ata ndërtuan kullat e tyre të cilat edhe sot kanë një bukuri të magjishme, të cilat edhe sot janë më të bukura se gjitha ngrehinat tjera të muruara me materialet e kohës sonë, bukuri që mbase ka të bëjë me  “natyrshmërinë” e tyre, e që i bën të jenë rrëfimi më domethënës për ndërtuesit dhe banorët e vet. 
Vendbanimet shqiptare dikur dallonin për nga kullat shumëkatëshe të muruara me gurë, kulla që ende rrëfejnë për forcën e mureve dhe për madhështinë e tyre të kushtëzuar nga nderi dhe bujaria e shtëpiarëve që kanë jetuar në brendinë e kullave. Andaj, vendbanimet e dikurshme shqiptare nuk kishin vetëm emër, por edhe mbiemër: atë të familjes së kullës më të lavdishme, e cila nuk është përcaktuar si e tillë për nga madhësia, por për nga virtytet njerëzore të banorëve të saj. Kuptohet, duke qenë shenjë njohëse e një vendbanimi, kullat ishin dhe kanë mbetur rrëfimi më mahnitës për kohët kur shqiptarët nuk kishin nevojë vetëm për kulm mbi kokë, por edhe për fortesë që do t’u mundësonte të mbroheshin nga ata që donin t’ua merrnin pronën, apo t’i çnderonin. Pra, kullat ishin dhe mbetën shtëpi-kala, strehimore ku festohej lindja dhe jetohej me frikë se mund të mos e meritosh vdekjen dhe t’i njollosësh me shenjën e turpit muret e trasha prej guri.

Për sa i përket entuziazmit ndërtues, shqiptarët edhe sot kanë mbetur të njëjtë si paraardhësit e tyre: i besojnë vetëm pasurisë së shndërruar në mure. Andaj ata ndërtojnë shtëpi të mëdha e të larta, shtëpi që janë në proporcion me iluzionin se pamja e shtëpisë dhe luksi në to janë përcaktuese për portretin njerëzor të pronarëve të tyre. Dhe duke u orvatur që nëpërmjet shtëpive të rrëfejnë për vetveten, shqiptarët ndërtuan shtëpi të stileve të ndryshme, me çka vendbanimet e tyre filluan t’u ngjajnë hapësirave eksperimentale për arkitektët fillestarë. Me çka pra, ata nuk dëshmuan asgjë më shumë përpos dëshirës që ngutazi dhe sa më shumë t’i ikin vetvetes e të bëhen sa më të ngjashëm me të tjerët.

Duke shëtitur sot nëpër “shqipëritë” tona, e nëpër të cilat shtëpitë mbijnë më shpejt se kërpudhat, njeriu saktësisht mund ta përcaktojë se malli i atyre që i janë kthyer vendlindjes ka mbetur peng i zilisë ndaj vendit nga ka ardhur kurbetçiu. Pra, duke shëtitur nëpër vendbanimet tona, në mes të ndonjë fushe, mund të shohësh shtëpi me kulm të pjerrët të stilit alpin, apo ndonjë kështjellë si e dalë nga fushëgropat e lagështa  të Anglisë, e me çka e kupton se vendbanimet shqiptare mbahen gjallë nga malli për tokën e lindjes, por ato bëhen viktimë e ngrehinave “moderne” të huazuara nga arkitekturat me traditë të largët nga ajo e kullës. E sheh pra lehtësinë me të cilën shqiptari e pranon të huajën dhe e harron të vetën.

Sido që të jetë, vendbanimet shqiptare edhe më tej do mbeten pasqyrë  e orvatjes sonë ta bëjmë sa më të përshtatshëm për vetveten ambientin ku jetojmë. Njësoj siç kuptohet se shqiptarët nuk kanë nevojë sot të ndërtojnë kulla me frëngji dhe dritare të ngushta. Por, edhe sot, njësoj si dikur, asnjë objekt nuk është më i bukur se “kullat e stilizuara” shqiptare, që mahnitin me thjeshtësinë e tyre. Andaj, është e pakuptimtë kur sheh ndërtesa “prej xhami” të rrethuara nga shkrepat malore, apo kur të del përpara ndonjë kështjellë mesjetare, e ndërtuar pranë ndonjë pompe karburanti.  Pra, është e pakuptimtë  kur sheh se përroi i ambicieve tona për ta bërë sa më të dukshme ngrehinën – shtëpinë – ku do jetojmë, gjithnjë e më shumë dallgëzohet nga nevoja me asgjë të mos i ngjajmë vetvetes. Me çka, shtratin e përroit të përcaktuar nga ambiciet e mijëra jetë të përfunduara e që i dhuruan natyrës kulla shqiptare nga më të bukurat, me asgjë nuk e mbindërtuam, me asgjë nuk e bëmë t’i ngjajë një rrite që rrëfen për vetëdijen se  komunikim mes njeriut dhe natyrës nuk mund të fillojë gjithmonë nga e para, se ky komunikim që do ketë shenjë njohëse ngrehinat që ne sot ndërtojmë, duhet t’i ketë themelet në ato të dikurshmet, siç do ndërtohen në të ardhmen ngrehina tjera mbi themelet e këtyre të sotmet, e që gjitha së bashku, do të rrëfejnë për të shkuarën, duke e ushqyer kështu pamjen e ardhme të vendbanimeve tona.