Back

Kush do mbaj përgjegjësi për vrasjen e Harun Aliut me shokë?!

Edhe pas tre vjetësh akoma nuk është zbardhur enigma e vrasjes së komandant Kushtrimit, Harun Aliut, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe tre ish pjesëtarëve të UÇK-së Shaban Zenuni, Qemajl Fejzullahu dhe Xhafer Shala. 

Analisti Kim Mehmeti fill pas ekzekutimit të Komandant Kushtrimit me shokë, shkroi një kolumnë me titull “Atdheu që të ekzekuton”.

Kështu Mehmeti ndër të tjera në këtë kolumnë pati shkruar se: “Dy ditë pas protestave, në afërsi të fshatit Radushë, pra në hyrje të Shkupit, policia maqedonase kapi në pritë katër shqiptarë të dyshuar për kontrabandë armësh dhe i ekzekutoi në vendin e ngjarjes. Apo, mbase edhe i solli të vrarë aty ku ishte paracaktuar vendi i ekzekutimit?! E në mesin e tyre ishte edhe Harun Aliu, ish-komandant i njohur i UÇK-së, drejtues i Partisë Alternativa Kombëtare. Sipas asaj që tha ministrja e Policisë, aksioni ishte ndërmarrë në bazë të informatave të sigurta, andaj shtrohet pyetja e logjikshme: pse policët maqedonas nuk i përcollën të dyshuarit deri në vendin ku duhej ta dorëzonin armatimin, e kështu ta mbyllte tërë zinxhirin e të inkriminuarve, por u organizoi pritë si në kohët e mesjetës. Dhe kaluan ditë të tëra nga kjo ngjarje, e pushtetarët e BDI-së nuk dhanë asnjë shpjegim. Nuk treguan se a kanë qenë të informuar për këto aksione policore dhe nëse po, atëherë vallë pajtohen me këtë veprim të policisë që ka pasur informata të sakta për rrugëtimin e “shitblerësve” të armëve? Ku ta dish, mbase edhe nuk ka nevojë të shpjegohet ajo që e dinë të gjithë shqiptarët e Maqedonisë: nga viti 2001 e këndej, asnjë aksion policor nuk ndërmerret pa u informuar krerët e partisë shqiptare në qeveri”.

Ndërkaq Nebi Murseli në shkrimin e tij të titulluar “Lufta e papërfunduar e komandant Kushtrimit” shkroi: Kushtrimi e la luftën të papërfunduar. Ai ishte luftëtar. E luftëtari kurrë nuk kthehet në shtëpi – ai e bën lirinë!  

Kështu filloi në vitin 2001. Atëherë kushtrimin për luftë e kishte dhënë Ali Ahmeti. Afër e kishte komandant Kushtrimin.

 E kishin dhënë kushtrimin për të luftuar me maqedonasit. U bënë luftë Nikola Gruevskit dhe Menduh Thaçit. Dhjetë vjet më pas, Kushtrimi u vra. U vra në pabesi. E tradhtuan shokët e idealit, të cilët e nxitën si i ri t’i bashkohej luftës së shqiptarëve. Për këtë luftë, ai u mbajt tre vjet në “Bondsteel” dhe kur u kthye në Shkup, e gjeti Ali Ahmetin në pushtet. I zhgënjyer nga bashkëluftëtarët që përnjëherë u shndërruan në demokratë dhe i grahën Marrëveshjes së Ohrit, duke mos realizuar hiç më shumë sesa politika maratonike e Arbën Xhaferit dhe e Lubço Georgievskit.”

Në emisonin “Debat” të RTK-së të transmetuar pas vrasjes makabre të Harun Aliut me shokë të ftuar ishin: Bajram Rexhepi, Ministër i Punëve të Brendshme në Kosovë, Talat Xhaferi Ministër i Mbrojtjes, si dhe Kim Mehmeti ku u realizua një debat i ashpër për sa i përket kësaj çështje. Videon e plotë të këtij debati mund ta shikoni më poshtë.

Sot në Teatrin Shqiptar të Shkupit organizohet akademi përkujtimore në nder të Komandant Kushtrimit dhe tre shokëve të tij.

Organizatorë të kësaj Akademie janë ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjarët. Po ashtu të dielën do të ketë edhe homazhe në varrezat ku ata prehen të qetë.