Back

Lartësia e përmendoreve dhe shkurtpamësia politike

 Flitet se së shpejti, në qendër të Shkupit, do vendoset një shtatore e Aleksandërit të Madh, e lartë 30 metra. Thuhet se për këtë monument ekziston një planë i fshehtë qeveritarë dhe se shtatorja e heroit antik, të hipur mbi kalë, është në përfundim e sipër. Sipas disa burimeve jozyrtare, kjo përmendore do jetë më e lartë se gjitha godinat përreth dhe më madhështore se gjitha të ngjashmet në Ballkan. Me çka më në fund do dëshmohet se sa më i vogël është populli, aq më të larta i ka përmendoret e vetëgënjimit. Pesha dhe lartësia e kësaj përmendoreje i ka shtyrë sizmologët te merren me analiza se a do mundet atë ta bartë toka jostabile e qendrës së Shkupit. Por, ata mbase mëkot brengosen dhe harrojnë se kjo Maqedoni ka bartë mbi shpinë  aq budallallëqe të rënda politike, sa do durojë edhe peshën e ëndrrës gënjeshtare të disa elitave të këtushme të etnitetit maqedonas se janë nipërit e Aleksandërit të Madh.

       Zërat për përmendoren e ardhshme të kryetrimit legjendarë antik, duhet shikuar në tërësinë e verbërisë politike që ka kapluar Maqedoninë e viteve të fundit. Verbëri e cila dalë-dalë përhapet mes të rinjve maqedonas dhe ata i bënë të besojnë se popullit i tyre ka rrënjë aq të thella sa edhe imagjinata e atyre që mbollën këtë farë të populizmit primitiv. Andaj edhe askush nuk e ka të qartë se nga doli përnjëherë e gjithë kjo e kaluar e begatë e këtij populli dhe kush atë e kishte fshehur deri më tani. Apo si do ia dalin historianët e “rikomponuar” të sotëm të pastrojnë historinë e deritanishme për vetveten, e cila thotë se maqedonasit e sotëm janë fara e mbjellë nga sllavët e jugut të ardhur në këto troje në shekullin e gjashtë .

       Në të vërtetë, sa herë që vjen në pushtet VMRO-DPMNE-ja, fillon edhe lëvrimi i Maqedonisë. Por jo për ta bërë gati për mbjelljen e specave dhe domateve, por për të zhvarrosur nga nënshtresat e saj sa më shumë eshtra dhe shtatore të lashta, që do dëshmojnë prejardhjen antike të atyre që sot e quajnë veten maqedonas. Me çka, Maqedonia gjithnjë e më shumë shndërrohet në një gropë nga e cila nxirren dëshmi për të kaluarën e maqedonasve dhe ku kalbet e sotmja e këtij shtetit. Pra, Maqedonia bëhet një gropë e thellë nga e cila Pasko Kuzmani (drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore) nxjerrë artefakte nga të cilat do të mund të kompletohet maketi i së ardhmes së Maqedonisë, e që do i ngjante një skeleti të mbetur pa muskuj.  

      Maqedonia e sotme e VMRO-DPMNE-së, ka ndryshuar emrat e shumë objekteve publike, rrugëve dhe vendbanimeve të këtij shteti. Nga ardhja në pushtet e kësaj partie, Maqedonia korrë suksese vetëm në korrigjimin e adresarit që përcakton reliefin e saj hapësinorë. Si dhe në korrigjimin e kalendarit nga e kaluara e atyre që vetveten e quajnë maqedonas. Shkurt, Maqedonia e Gruevskit ka përqendruar shikim e saj nga lashtësia, me çka gjithë popujt që jetojnë në këtë shtet i ka bërë pengë të ironisë së fatit të bashkëqytetarëve të tyre të etnitetit maqedonas, të cilët, me vite jetonin si fëmijë të birësuar në familjen e Jugosllavisë së dikurshme të Titos, e që tani, nguten t’i gjejnë e t’i njohin prindërit e tyre të natyrshëm. Andaj edhe kanë ngulur shikimin kah hendeqet ku arkeologët gërryejnë nëntokën, me shpresë se do dëshmojnë se janë pjellë e çasteve kur, të lodhur nga betejat e përgjakura, ushtarët e Aleksandërit të Madh kanë pasur kohë të zbrazin epshet burrërore.

      Maqedonia e sotme bëhet gjithnjë e më e pasur me shtatore të larta antike ngaqë politikanët shqiptarë nuk i thonë kryeministrit Gruevski se lartësia e përmendoreve që ai ngre, është proporcionale me shkurtpamësinë e tij politike. Pra, nuk u tregojnë patriotëve të vonuar të VMRO-DPMNE-së se gërmimet e tokës për të nxjerr nga aty dëshmi se kush cilin ka pasur gjysh, kanë marr fund qysh në shekullin e 19. 

      Se Gruevski është një politikan i vonuar që vepron sipas “turbo-folkut” politik serb tanimë të harxhuar nga Millosheviqi, e dëshmoi edhe këmbëngulja e tij që Gjeorgji Ivanovi të zgjidhet me çdo kusht president i Maqedonisë. Qëllim të cilin e arriti me ndihmën e aktivistëve të BDI-së, të cilët, në ditën e zgjedhjeve, dy orë para se të mbylleshin vendvotimet, i angazhuan të gjithë taksi vozitësit që të bartnin votues sa të përmbushej censusi i nevojshëm prej 40 për qind votuesish. Me çka dhanë kontribut të pamohueshëm për realizimin e konceptit të Gruevskit për një shtet, një popull, një parti, një histori dhe një pus në të cilin mbytja do jetë multietnike. Kuptohet, kësaj mbytjeje nuk do t’i shpëtojë as presidenti i tanishëm i maqedonasve dhe i kryesuesve të BDI-së, Gjeorgji Ivanovi për të cilin thuhet se është një ndër ideologët më të flaktë të teorisë se maqedonasit janë pasardhës të Aleksandërit të Madh. Dhe thonë se këtë teori, Ivanovi e ka mbrojtur duke pohuar se emri i Pakistanit paska rrënjët që nga kohët e Aleksandërit të Madh, i cili i befasuar nga sulmi i papritur i armikut, i paska zgjuar ushtarët e vet duke i thirrur në gjuhë të pastër maqedonase: “paki-stani” (paki-çohu).

      Pa marrë parasysh se ç’mendon Ivanovi për lashtësinë e gjuhëve dhe popujve, mbetet e vërteta se Gruevski u shkon deri në fund premtimeve të veta. Ai premtoi dhe e zhvendosi shtëpinë e shenjtores shqiptare Nënë Tereza, vetëm që mbi themelet e saj të ndërtojë një kishë ortodokse që do mbetet shenjë e kohës së sundimit të tij. Ai premtoi dhe është duke i mbushur sheshet e Shkupit me skulptura nga më të ndryshmet. Kështu që shqiptarëve të Maqedonisë u mbetet të shpresojnë se Gruevskit nuk do t’i kujtohet të ndërtojë ndonjë kishë edhe te parkingu përballë përmendores së Skënderbeut në Shkup. Edhe atë jo vetëm që të mos shëmtojë përmendoren e kryetrimit tonë legjendarë, por që të mos e zërë vendin ku do mund shqiptarët t’u ngritin përmendore politikanëve të sotëm të tyre, të cilëve nuk u kujtohet të mbështesin teorinë e Gjergji Ivanovit dhe t’i thonë se sipas logjikës së tij, edhe emri i Kurdistanit është ndërthurje trifjalëshe që dëshmon lashtësinë e gjuhës maqedonase. Me çka do e thellonin gropën në të cilën  ndodhet Maqedonia, nga e cila gropë nuk mund të dalin as shqiptarët, sepse në vend të shkallëve, edhe politikanëve shqiptarë, Gruevski u ka dhënë lopata që të gërryejnë sa më thellë në puset e  lashtësisë.

 

Kolumnat e publikuara në këtë faqe janë botime ekskluzive të gazetës "Koha Ditore", Prishtinë