Nga: Lajm, gazetë ditore
Presidentit të Shqipërisë, Zotit Bamir Topi
Kryeministrit të Shqipërisë, Zotit Sali Berisha
Institucioneve shtetërore të Shqipërisë si dhe
Gjithë mediave dhe shoqatave të gazetarëve në Shqipëri
LETËR E HAPUR
Gazeta e përditshme në gjuhën shqipe “Lajm” nga Shkupi, prej para dy javësh ka ndërprerë botimin e çdo lloj shpalljeje dhe reklame, që vjen nga Qeveria e Maqedonisë dhe institucioneve tjera, të cilat janë nën kontroll të drejtpërdrejtë të Qeverisë aktuale. “Lajm”, është detyruar të ndërmarrë një hap të këtillë si përgjigje ndaj injorimit të plotë të gazetës sonë nga ana e Qeverisë, ministrive dhe institucioneve tjera shtetërore, që janë nën kontroll të Qeverisë. Gati një vit e gjysmë Qeveria maqedone dhe ministritë, nuk kanë publikuar thuajse asnjë shpallje apo reklamë në gazetën “Lajm”. Kur janë në pyetje mediat e shkruara në gjuhën shqipe në Maqedoni, reklamat dhe shpalljet e Qeverisë dhe të gjitha institucioneve tjera që janë nën kontroll të Qeverisë, botohen ekskluzivisht në një gazetë të njëjtë. Në këtë mënyrë bëhet presion ndaj fjalës së lirë në gjuhën shqipe, duke u favorizuar dhe stimuluar vetëm fjalën shqipe e cila përkrahë politikën e kësaj qeverie antishqiptare. Të kota kanë qenë të gjitha kontaktet dhe takimet që i kemi realizuar deri tani me përfaqësues të Qeverisë, me qëllim të përmirësimit të kësaj dukurie negative. Sinjale përmirësimi nuk kanë ardhur edhe pse tani dy javë të plota për dukurinë e këtillë negative kemi sensibilizuar mbarë opinionin në Maqedoni.
Duke u nisur nga e vërteta se prapavija e sjelljes së këtillë të qeverisë maqedone është burgosja e fjalës së lirë shqipe në Maqedoni;
Duke e pasur para sysh të vërtetën se deri tani Qeveria maqedone nuk ka treguar kurrfarë shenja përmirësimi të kësaj dukurie negative;
Duke e ditur se në këtë mënyrë, në formën më të drejtpërdrejtë, preket fjala e lirë shqipe në Maqedoni, si një ndër lëmit më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare këtu, ne gazetarët e të përditshmes “Lajmi”, të përkrahur nga akademik Ali Aliu dhe shkrimtari Kim Mehmeti, jemi të detyruar t’u drejtohemi institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë, si shtet amë i gjithë shqiptarëve në botë, që t’i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat dhe mundësitë që i kanë në disponim, për t’ua tërhequr vëmendjen qeveritarëve maqedonas për tendencën e këtillë qëllimkeqe ndaj fjalës së lirë shqipe në Maqedoni. Gjithashtu ne presim edhe përkrahjen e kolegëve tanë nga Shqipëria si dhe të gjithë atyre që e ndjejnë të nevojshme të vihen në mbrojtje të më të shenjtës që kemi: gjuhës dhe mendimit të lirë.
Andaj apelojmë tek kryeministri shqiptarë Sali Berisha, që gjatë takimit të paralajmëruar për në muajin shkurt me Gruevskin, t’ia parashtrojë kryeministrit maqedonas edhe këtë problem që ka të bëjë me respektimin e fjalës dhe mendimit të lirë të shqiptarëve të Maqedonisë.
Gjithashtu apelojmë që qasje të njëjtë ndaj vizitës së paralajmëruar të Gruevskit në Tiranë të kenë edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bamir Topi dhe kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli.
Apelojmë edhe deri te anëtarët e kabinetit qeveritar të Shqipërisë, dhe gjithë përfaqësuesit tjerë të institucioneve, apo subjekteve tjera, të cilët do të kenë ofertë eventuale për takim me Gruevskin, ose shoqëruesit e tij gjatë vizitës në Tiranë.
Njëkohësisht apelojmë tek përfaqësuesit e institucioneve shqiptare, që takimet me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare mes tjerash ta shfrytëzojnë edhe për ta denoncuar sjelljen e këtillë diskriminuese të qeverisë maqedone ndaj mediave të pavarura shqiptare, sjellje e cila përmban elemente diktatoriale.
Në fund, apelojmë deri tek të gjitha mediat në Shqipëri, të shkruara dhe elektronike, që ta bojkotojnë vizitën e paralajmëruar të kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski në Shqipëri, në shenjë solidarizimi me pjesën më të madhe të kolegëve të tyre shqiptarë në Maqedoni, të cilët janë të prekur nga tendenca e Qeverisë maqedone për të burgosur fjalën e lirë në gjuhën shqipe. Në rast se për shkaqe objektive ky bojkot nuk mund të realizohet, atëherë apelojmë që përmes pyetjeve eventuale që do t’ia parashtrojnë Gruevskit, ta prekin edhe tendencën e Qeverisë maqedone për të future nën kontroll të vetin fjalën e lirë në gjuhën shqipe. Njëkohësisht apelojmë tek mediat shqiptare, që për këtë problem me të cilin ballafaqohemi ne pjesa më e madhe e gazetarëve shqiptarë në Maqedoni, në kuadër të mundësive të bëjnë të mundurën për ta informuar dhe sensibilizuar mbarë opinionin shqiptarë.
Jemi të bindur se kontributi juaj në këtë drejtim do të japë rezultate pozitive
Këtë apel publik të redaksisë së gazetës ditore “Lajm” e përkrahin edhe Akademik Ali Aliu dhe shkrimtari Kim Mehmeti
Me nderime, Lajm-Maqedoni