Back

Libri ne Maqedoni

Shkruan: Kim MEHMETI

Shqiptarët e Maqedonisë mbase edhe  kanë filluar t’i harrojnë vitet kur libri i ardhur nga Tirana ishte mall më i rrezikshëm që mund të kontrabandohej në vendkalimin kufitarë te Qafa e Thanës. Ato kohë ua kujtojnë vetëm raftet e bibliotekave të tyre ku dominojnë librat në gjuhët sllave,  kopertinat e të cilëve nuk mbulojnë vetëm atë që ka shkruar autori, por edhe rrëfimi për një të djeshme kur shqiptari i këtushëm ëndërronte shqip e lexonte maqedonisht apo serbisht. Shqiptarët  e Maqedonisë i kanë lënë pas vetes edhe vitet kur nga letërsia mbarëkombëtare u jepej vetëm aq sa lejonin rojtarët ideologjik të komunizmit, e të cilët kujdeseshin që shkollarët e këtushëm të mos “helmoheshin” me libra që nxisnin “nacionalizmin dhe irredentizmin” shqiptar. Pas rënies së murit ideologjik mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, shqiptarët këtej kufirit nuk kanë më frikën e dikurshme  se doganieri do ua zbulojë librin e ndonjë autori shqiptarë të fshehur nën sqetull. Më në fund, ata as që kanë nevojë t’i fshehin librat në gjuhën shqipe si dikur, sepse botimet nga Tirana dhe Prishtina, tani lirshëm shiten nëpër libraritë e pakta në vendbanimet e këtushme shqiptare. Libri në gjuhën shqipe për çdo vit ekspozohet edhe në panairin pranveror ndërkombëtarë në Shkup, si edhe në atë të botuesve mbarëshqiptarë që mbahet çdo vjeshtës në Tetovë. Gjatë stinëve tjera, shqiptarët  e këtushëm merren me shpjegimet se pse në panairin e Shkupit ka më shumë stende me botues të librit në gjuhën shqipe, se sa vizitorë shqiptarë. Dhe pse gjatë hapjes së panairit të Tetovës ka më shumë politikanë se sa krijues. Ata pyesin veten pse në shoqëritë shqiptare rritet numri i adhuruesve të “turbo-folkut” dhe zvogëlohet ai i lexuesve edhe ashtu në numër të paktë, dhe mos vallë socializmit kishte nevojë për “azilant” në botën krijuese, e kapitalizmi për shtegtarë që braktisin atdheun. Shumë pyetje shtrojnë dashamirët e paktë të librit në Maqedoni, duke shpresuar se përgjigjet do i marrin nga ministritë tona të kulturës, nga ata që hartojnë politikat kulturore, e të cilët gjatë hapjes së panaireve të librit i ngjajnë sharrëxhiut që i ka ra në hise të hapë panairin e mobilieve. Shqiptarët e këtushëm, pyesin shumë çka, duke dëshmuar se sa i përket kureshtjes, janë shqiptarë të dorës së parë, por sa i përket leximit, janë në paradhomën e shqiptarisë.  E deri sa ata pyesin se pse libri në Maqedoni shitet në numër më të vogël se ai i veturave të kontrabanduara nga shtet e perëndimit, vazhdon të shtohet numri i botuesve dhe i panaireve të librit. Mbase edhe shkaku se çdo krijues donë të ketë shtëpinë e vet botuese, e çdo ministër, apo sekretarë shtetërorë në ministritë e kulturës të “shqipërive” tona,  donë të ketë panairin e vet që do e hap e do e mbyll. Kështu që edhe pas hapjes edhe pas mbylljes do rilexoj librin e vet më të preferuar: menynë e ndonjë restoranti të shtrenjtë, ku do shpalosë meritat e veta për të arrirat në afirmimin e librit. 

   Shqiptarët e Maqedonisë – mbase si gjithë bashkëkombësit e tyre –  tani jetojnë stinën e ballafaqimit të vet me zhurmën politike, nga e cila zhurmë nuk dëgjohet zëri i atyre që flasin për librin, që rrëfejnë tregimin e pashkruar për një shoqëri që në çdo lagje ka kafene –  e madje edhe “shtëpi publike” –  por jo edhe librari, që kërkojnë shpjegim për mungesën e lexuesve, që duan të shtjellojnë  se si është e mundur që shqiptarët e këtushëm të kenë më shumë shkrimtarë se sa lexues të librit. Pa dyshim se shqiptarët e këtushëm, të ngulfatur nga grindjet ndërpartiake, edhe nuk arrijnë të shohin se duke dalë me nxitim nga njëmendësia komuniste që ua përcaktonte radhitjen e veprave letrare nëpër raftet e  bibliotekave, ata u zhytën në  “bajraktarokracinë” shumëpartiake që nuk ua prek librat, por ua rirreshton krijuesit. Kështu që në bibliotekat e tyre mbeti bosh rafti i letërsisë së sotme dhe dikush nga aty ua morri librin ku ishin përmbledhur të gjitha shpjegimet se në shoqëritë ku nuk çmohet libri, u rritet nami kafeneve. Se në ato shoqëri rrallëkush ka dëgjuar për urtësinë egjiptase se “libri është përmendorja më e rëndësishme se gjitha të tjerat, se libri i mirë ndërton përmendore në shpirtin e atyre që e lexojnë”.  

 

            Në tërësinë mbarëkombëtare, shqiptarët e Maqedonisë ishin, dhe ende janë, pjesa më e paarsimuar e popullit. Ajo ishte dhe mbeti edhe pjesa e shoqërisë shqiptare ku ka më pak lexues. Për këtë ka shpjegime, por jo çdo gjë që shpjegohet mund edhe të  arsyetohet. Posaçërisht jo sot kur shqiptarët e këtushëm kanë dy universitet, një shoqatë shkrimtarësh ku bënë pjesë kallaballëku i qindra krijuesve, një manifestim poetik me ambicie ndërkombëtare, por i shndërruar në “klub” privat poetik i udhëheqësve të tij, e që mban emrin e rilindësit tonë më të çmuar ( “Ditët e Naimit”). Dhe përderisa nuk është e vështirë të zbulohen arsye pse bibliotekat personale të shqiptarëve të këtushëm ende janë përplot me libra në gjuhët e sllavëve të jugut, mbetet diçka që nuk mund të shpjegohet lehtë: e vërteta se numri i lexuesve të këtushëm nuk arrin as atë të krijuesve që rregullisht promovojnë librat e tyre të posabotuar nëpër dhjetra shtëpitë e këtushme botuese. Mbase kjo ndodh për arsye se pjesa më e madhe e shkrimtarëve të këtushëm janë të ngjashëm me kolegun e tyre, të cilin kur e kanë pyetur se çka është duke lexuar, i habitur nga pyetja, është përgjigjur: “Unë nuk jam për të lexuar, por shkruaj për ata që lexojnë!” Andaj edhe mund të ndodhë që një pjesë e krijuesve shqiptarë nga Maqedoni të dëshmojnë të pamundshmen: se më lehtë është të shkruash, se sa të lexosh.  Me çka ndoshta do arrijnë që artin e leximin ta ngrenë një shkallë më lart se atë të krijimtarisë letrare.

          

         Nuk ka dyshim se është e lehtë të paragjykohen gjërat, të bëhen vlerësime, por është e vështirë të ofrosh zgjidhje, të gjesh rrugë që do e çojë librin deri te lexuesi i këtushëm. Këtë zgjidhje e bënë të pamundur edhe e vërteta se ne sot jetojmë në kohë kur të gjithë dinë të bëjnë çdo gjë, e të paktë janë ata që bëjnë atë që dinë. Jetojmë në kohë me shumë ministri të kulturës shqiptare, por me pakë ministra që e dinë se rruga lexues-libër “asfaltohet” ngadalë, se lexuesi kultivohen njësoj si edhe krijuesi: që nga vitet e hershme të jetës së tij, që në bankat e tetëvjeçareve . Sikur ta dinin këtë, përfaqësuesit shqiptarë në Ministrinë e Kulturës të Maqedonisë, qëmoti do e shihnin se nxënësit e këtushëm janë pa lektura shkollore, se shkollat janë bë “librari” ku nxënësve u imponohet të blejnë titujt e autorëve të “mëhallës” së tyre, e që me siguri ndikon që qysh të njom të binden se libri është hija e zymtë e jetës, fytyra e mërzitshme e “turbo-folkut”, se libra shkruajnë edhe ata që kanë dështuar si këngëtarë, apo nuk kanë arritur të realizohen si politikanë.

          

       Shqiptarët e Maqedonisë jo se nuk kanë botues serioz siç janë për shembull SHB “Logos-A”, “Serembe” ,  jo se nuk kanë krijues që zënë vend të lakmueshëm në rrafshin e letërsisë mbarëkombëtare, por atyre mbase u mungon diçka më shumë se kaq: mjeshtëria të dalin nga vetëgënjimi se mund të ketë ardhmëri për librin aty ku nuk ka lexues. Pra, atyre ndoshta u mungon guxim të përballen me realitetin se kallaballëku krijues, se vetëgënjimi i ushqyer nga manifestimet dhe promovimet paradeske, nuk mund ta mbulojnë realitetin e një “shkretëtire” në të cilën libër më i lexuar është ai që ende nuk është shkruar, e që ka përmbajtjen e trisht për shkollat pa biblioteka, për përurimet e veprave lokale të cilat mbase nuk i lexojnë as familjarët dhe miqtë e autorëve. Të një realiteti ku as profesorët e letërsisë nuk i lexojnë botimet më të reja të letërsisë sonë, e lere më vlerat e përkthyera botërore.

           

       Libri në Maqedoni ka një fat të rrallë: botimin e tij  e ndihmon materialisht  Ministria e Maqedonisë për Kulturë. Dhe duhet pranuar se viteve të fundit kjo ministri nuk e ka lënë anësh as librin në gjuhën shqipe. Kështu që u shtua numri i autorëve partiak, e u zvogëlua numri i botimeve të krijuesve të afirmuar nga Tirana apo Prishtina. Shumë nga shtëpitë e këtushme botuesi janë përqendruar në emrat e përkrahur nga partia shqiptare në pushtet, botojnë librat e atyre të cilët lere që nuk kërkojnë honorar, por janë në gjendje edhe të paguajnë për t’u bërë shkrimtarë, kështu që u shtua numri i librave që kanë rëndësi veç për autorin, e u rralluan botimet që nxisin dashurinë ndaj leximit. Me çka u dëshmua ajo që dihet: ka ministri që mundë të trillojnë krijues, por nuk ka libër që mund t’i mbulojë paaftësitë e autorit. Se raftet e bibliotekave kombëtarë nuk mbushen vetëm me vepra kulmore, por kur piramida kthehet mbrapshtë, atëherë kulmin e saj e pshurrin bishat e shkretëtirës, e bazamentin ia mbulojnë glasat e shpendëve. Apo shërben vetëm për t’u bërë hije rojtarëve të shkretëtirave, e të cilët nuk e shohin se hija e saj bëhet si ajo e arrës: nuk lejon asnjë bimë tjetër të rritet pranë saj 

Pas vitit 2001, shqiptarët e Maqedonisë realizuan shumë ëndrra të tyre të kahmoçme. Veçanërisht ato që kanë të bëjnë me arsimimin e tyre në gjuhën amtare. Mbase tani ata do duhet të dalin nga bota e  ëndrrave e të përballen me realitetin, të shohin se kryeqendra e iluzioneve të tyre – Tetova – është me dy universitete, por pa bibliotekë universitare, se bodrumet e shumë  bibliotekave të Shkupit ende janë përplot me veprat e autorëve tanë nga Tirana e Prishtina, të ndaluara gjatë viteve të luftës kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit” shqiptarë. Vetëm kështu ata do arrijnë të kuptojnë se rruga libër-lexues është e gjatë shumë gjenerata, se ajo “asfaltohet” me librari e biblioteka e jo me kafene, dhe se ajo rrugë nuk hapet as me shpirtngushtësinë partiake e lokale, as me standarde mahalleske. Aq më pakë ajo rrugë shtrohet me vetëgënjimin se libri i dobët mund të kultivojë lexues të mirë. Kur ta kuptojnë këtë, ata do e shohin se një ndër arsyet pse ka pak lexues mes shqiptarëve të Maqedonisë, mund të jetë edhe ajo se shkollari i sotëm është humbur mes faqeve të librave me vlerë mahalleske, mes librave të cilat nuk kultivojnë as lexues gazetash, e lere më të veprave të Shekspirit. Mbase edhe do e shohin se në vend që të financojë librat e autorëve të këtushëm  me certifikata krijuese partiake, ndoshta do ishte më mirë që Ministria e Kulturës e Maqedonisë një pjesë të fondeve t’i ndante për blerjen e titujve të krijuesve tanë të mirëfilltë nga Tirana e Prishtina. Dhe me ato libra të pasuroheshin bibliotekave shkollore. Ndoshta kështu do fillonte edhe kultivimi i lexuesve të ardhshëm, të atyre që do e dinë se shtëpia ku nuk hyn libri, nuk dallon shumë nga ajo që nuk ka drita.