Back

Lindjevdekje

Si i ri, doja të takoja e të njihja një krijues tonin që do ishte i tillë siç e kisha paramenduar në vitet kur ëndërroja të bëhesha shkrimtar: të rrezatonte urtësinë se jeta s’është gjë tjetër përpos se orvatje e pandërprerë dhe e palodhshme që iluzionet për atë që do të të ndodhë e ta arrish, t’i mbështesësh mbi atë që të është bërë përmbajtje jetësore dhe mbi të mundshmen që mund ta realizosh. Në vitet kur posa kisha filluar ta jetoja ëndrrën time krijuese, doja të takoja një shkrimtar tonin, që do ma arsyetonte bindjen se vepra të mira letrare mund të shkruajnë edhe njerëzit e këqij, por vetëm krijuesit që dinë kur t’i thonë lamtumirë penës, janë ata që kanë arritur të baraspeshojnë të mundshmen me atë që synojnë ta arrijnë, se vetëm ata ia dalin të kënaqen me atë që janë dhe veprën që kanë lënë pas vetes, pa mos ua pasur zili të tjerëve. Mbase edhe fillova të besoj se krijues të tillë, o nuk ka fare, o janë aq të rrallë sa është e kotë një të tillë ta kërkoje në hapësirat shqiptare, ku çdo lagje ka nga tre shkrimtarë që pretendojnë se do marrin çmimin “Nobel” dhe, mbase do ta harxhoja rininë pa e parë si duket një krijues siç e paramendoja në vitet kur isha vetëm lexues, sikur të mos e takoja shkrimtarin tonë të ndier, Anton Pashkun. Dhe, nga ai rrezatonte urtësia që i dallon mirëmbajtësit e lulishtes së kësaj bote: ajo e njeriut që ia shtrinë dorën çdo ëndërruesi të ri, duke e ditur se vetëm kështu bëhet jetëgjatë edhe ëndrra e tij. Andaj, ai mbeti në mbamendjen time si krijues që më ngjante në shumë të tjerë, por, posa doja ta krahasoja me cilindo, ai mbetej vetvetja – ishte i pakrahasueshëm. Me çka edhe e kuptova se si letrat dhe si njeri, atë mund ta zbërthesh vetëm nëse ia del ta shpalosësh se çka fshihet pas qetësisë dhe heshtjes me të cilat krijonte dhe i përballte të gjitha të mirat dhe të këqijat që ia solli jeta. Pastaj, ai më quajti dhe e quajta mik, por gjithmonë kisha ndjenjën se edhe në miqësi ishte i rëndë: të jepte më shumë seç e meritoje.

Në vitet kur kisha filluar të pushtoja territorin tim në botën gazetareske, doja të takoja një veprimtar shqiptar, një intelektual apo politikanë tonin, që nuk merrej me politikë për të mirën e vetvetes, por për mirëqenien e popullit të tij. Pra, në vitet kur vrullin tim rinor e kishin zëvendësuar ambiciet të bëhesha zë që dikush do donte ta dëgjonte, doja të dëgjoja zërin e një njeriu që nuk flet për të dëshmuar mençurinë vet, por për të ta rikujtuar sa shumë gjëra duhet t’i mësosh para se të marrësh guximin t’u drejtohesh të tjerëve dhe të vendosësh për fatin e tyre. Në vitet kur kujdesshëm hapëroja në stinën e pjekurisë jetësore, e kur filluam t’u duartrokasim prijësve tanë që na shpinin drejt ardhmërisë, doja të takoja një politikan apo intelektual tonin, të tillë siç i kisha paramenduar se duhet të jenë ata që dalin në krye të kolonave kolektive: të gatshëm që popullit t’ia dhurojnë më të vlefshmen dhe më të bukurën që kanë, por duke mos kërkuar asgjë si kundërvlerë. Posa fillova të mendoj se intelektualë dhe politikanë të tillë mbase edhe nuk ekzistojnë, posa i thashë vetes se ata janë aq të rrallë sa është e pamundur të mbijnë në arën e vogël politike shqiptare, pata fatin të njoftohesha me prof. Fehmi Aganin. Dhe shpesh, kur takoheshin me Ali Aliun në Shkup, ulesha pranë tyre dhe gjithmonë më mrekullonte ajo qeshje e heshtur në sytë e Fehmi Aganit, ai shkëlqim i syve të tij, që nuk u shua as në ditët më të errëta që i përjetoi, e kur i printe ëndrrës sonë kolektive për lirinë e Kosovës. Edhe tani, kur kanë kaluar shumë vite nga ato biseda, edhe tani kur Kosova është e lirë, por pa pasur mundësi ta sundojë vetveten, shpesh më kujtohet Fehmi Agani dhe, pasi nuk munda ta shpjegoj ndryshe atë qeshje në sytë e tij, e quajta ylber që i stolis njerëzit që i besojnë ëndrrës së tyre edhe atëherë kur e dinë se kurrë nuk do mund ta jetojnë.

Në vitet kur posa nisën të më zbardhen flokët dhe kur ngutshëm e jetoja ëndrrën time, pra në dekadat e para kur filluam të komunikonim lirshëm dhe të njiheshim mes veti ne shqiptarët, në ditët kur lexonim emrat e kapitalistëve tanë të parë, e që ngutshëm u bënë pronarë mediash, doja të takoja një “bos” shqiptar që e kishte kuptuar se nuk është aspak e turpshme të bëhesh i pasur, se gjatë jetës duhet të ëndërrosh sa më shumë, por vetëm nëse e ke kuptuar se jeta është e shkurtër e ëndrrat janë të panumërta, vetëm nëse di t’i herrësh mirë ëndrrat, e t’i veçosh anësh ato që mund t’i bësh jetë. Pra, doja të takoja një të ri që e kishte kuptuar se ëndrra jetëgjata janë ato që pasi i jetëson, fillojnë t’i ngjajnë pemës që bën fllad për shumë veta dhe në degët e së cilës do mund të thurin fole sa më shumë ëndrra rinore. Ishin vitet kur ne shqiptarët e Maqedonisë donim të mos na harrojë mëmë Shqipëria e atdhe Kosova, e kur unë doja të takoja një pronar shqiptar mediash që nuk i mësonte të tjerët çka duhet bërë, por që kishte hapur derën e ëndrrës së vet që brenda të hynin ëndërrues të ngjashëm si pronari i saj. Dhe, posa fillova të bindem se ende ishte herët për shoqërinë shqiptare që të kishte një pronar të tillë mediash, posa fillova ta bind veten se do duhej të prisnim të kalonte periudha kur çdo pasanik yni donte të kishte median dhe partinë e vet, takova Dritan Hoxhën. Në takimin e parë të dy kishim flokë të gjata, në takimin e fundit ishim të dy me flokë të shkurtra, por të sigurt në vetvete se jetonim ëndrrat tona. Gjatë atyre pak takimeve që pata me të, gjithmonë përballesha me të njëjtën habi: me çka e ushqente atë energji që ta mbindërtonte ëndrrën e vet mbi një truall që nuk ishte tokë pjellore për farën e bimës së mirë, në një vend ku të gjithë nguteshin, që të mos arrinin askund. Dhe kurrë nuk ia dola ta kuptoja nga ai vetëbesim i tij, mbase shkaku se ai më shumë i ngjante një misionari dhe asketi, por i cili donte ngutshëm ta shijojë jetën. Pra, Dritan Hoxha më ngjante një njeri që e ka kuptuar se jeta nuk matet me vite e dekada, por me atë që ke bërë deri sa ke qenë gjallë. Dhe mbase edhe Zoti ka nevojë për njerëz të tillë dhe ata i merr pranë vetes në moshë të re, e që atje ta mirëmbajnë parajsën e asaj bote.

Kuptohet, njeriu jeton duke dashur t’i takojë ata që do, por përditshmërinë e mbush duke u takuar edhe me të paftuar, e në mesin e të cilëve nuk janë të paktë ata që shkruajnë dhe u ndërtojnë përmendore të famshmëve jo gjithaq për të treguar respekt ndaj tyre, por duke shpresuar se ashtu do ta madhërojnë vetveten. Të lartpërmendurit i ndërmend shpesh. Por, që të bëj këtë shkrim më nxiti një rastësi: të njëjtën ditë kur më erdhi ftesa elektronike për të marrë pjesë në një takim letrar ku do rikujtohej edhe jeta dhe vepra e Anton Pashkut, më erdhi edhe ajo për pjesëmarrjen në shënimin e ditëlindjes së Dritan Hoxhës. Dhe po atë ditë, nëpërmjet postës elektronike, një redaktor, ma kërkonte shkrimin që e kisha botuar pas vrasjes së Fehmi Aganit. Gjë që më rikujtoi se këto tre personalitete që i njoha në stinë të ndryshme të jetës sime, ishin të vetmit për të cilët kisha shkruar pasi ishin larguar nga kjo botë. Andaj mora dhe i rilexova ato shkrime. Me çka e pashë se në të tre ato artikuj, isha munduar të them atë për çka mbase nuk ka fjalë të përshtatshme në gjuhën tonë – apo unë nuk e di atë, siç janë për shembull fjalët lindje e vdekje, e që njëra përmban në vetvete solemnitetin e ardhjes në jetë, e tjetra trishtimin e largimit nga kjo botë. Pra, isha munduar të gjeja një fjalë të vetme për të shpjeguar sa të paktë janë njerëzit që e arsyetojnë lindjen, sa të rrallë janë ata që jetojnë me bindjen se pronë e vetme e sigurt e njeriut është LINDJEVDEKJA, sa pak njerëz e kuptojnë se hapësira që ndan lindjen e vdekjen, mbushet vetëm me një ëndërr, e vlera e së cilës matet me jetëgjatësinë e saj edhe pasi të ketë vdekur ëndërruesi.