Shkruan: Kim Mehmeti
Çdonjëri që ka ambicie politike, karrierën e vet e fillon duke iu përkulur popullit, por suksesin vet e matë nëpërmjet rritjes së numrit të atyre që më vonë do i përkulen. Meqenëse numri i atyre që mendojnë s e i do populli është i madh, e popujt asnjëherë nuk janë në numër aq shumë sa t’i votonin të gjithë që duan të jenë të zgjedhurit e tij, nuk është e çuditshme pse në këtë botë ka më shumë njerëz që ecin të përkulur, se sa me shpinën drejtë. Mbase këtë e dinë kryesuesit e partive politike në Maqedoni, e të cilët këto ditë i shpalosën listat e kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do mbahen me një qershor të këtij viti. Këtë me siguri e dinë edhe kandidatët e partive më të mëdha të këtushme, që qëndrojnë në krye të listave, si të sigurt se do jenë të zgjedhurit e popullit. Pa dyshim se këtë e dine edhe ata nga fundi i listave, e që gabimisht dikush mund të mendojë se janë përkulur përpara selive partiake vetëm sa për ta shtuar numrin e atyre që kurrë më nuk do mësohen të ecin drejtë: ata nuk janë përkulur sa të ushtrojnë boshtin kurrizor, por pse nga larg e kanë ndje erën dehësi të pijes politike dhe ajo aq i ka trullosur, sa shpresojnë se ndonjë nga ata në krye të listës, do thyejë qafën para kohe, e do ua lirojë vendin.
Si do që të jetë, partitë politike në Maqedoni, janë të gatshme të fillojnë garën parazgjedhore. Populli tani mund t’i dijë emrat e atyre që do mund t’i votojë. E siç është demokracia e Maqedonisë, nuk është e çuditshme, nëse edhe disa nga kandidatët e partive të këtushme, i dinë emrat e votuesve të vet dhe i kanë kompletuar listat me emrat e atyre që doemos do duhet t’ua japin votën. Sepse, në zgjedhjet “demokratike”, të “lira” e të “ndershme” që deri tani janë organizuar në Maqedoni, shpeshherë ka ndodh që populli me “vetëdëshirë” t’i votojë ata, të cilëve doemos është dashur t’ua jep votën. Dhe kështu është arritur baraspesha mes votuesit që ka pranuar të jetë vetëm një fletëvotim i vlefshëm në kutinë e votimit dhe kandidatëve me ambicie politike, e të cilët i janë nënshtruar bindjes se, për të jetuar katër vite si luan i gjithëfuqishëm, ia vlen tridhjetë ditë të zvarritesh përpara popullit si mace e butë. Kjo baraspeshë është arritur edhe nga disa parti të këtushme shqiptare, të cilat, përpos kandidatëve të njëjtë që u plakën si deputet, popullit i ofrojnë edhe premtime për të cilat edhe vetë e pranojnë, se janë të vjetra plotë shtatëmbëdhjetë vite. Pra, aq sa ekzistonë edhe Maqedoni, aq sa janë të vjetra shpresat e këtij populli se do vijë dita kur partitë e tij nuk do përtypin parulla patriotike, e të vjellin grindje mes shqiptarëve, por do maten mes veti me të arrira konkrete që mund t’i sheh e t’i prekë çdo shqiptar i këtushëm.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit, votuesit e popullatës maqedonase do mundë të votojnë për dy blloqe të mëdha partiak dhe për disa parti minore, që as që mund të llogarisin se do kenë përfaqësues të tyre në parlament. Pra, këto dy koalicione parazgjedhore të partive maqedonase, dëshmojnë se kryesuesit e tyre e kanë kuptuar se për një popull në numër aq sa ka banorë një lagje e Stambollit, do ishte e pakuptimtë të shkonte në zgjedhje parlamentare me aq parti sa ka edhe e tërë Turqia. E nga ana tjetër, në bllokun politik shqiptarë, për vende në parlament, do garojnë pesë parti politike. Dhe kur njeriu i sheh këto formacione etnike që do fillojnë garën parazgjedhore në Maqedoni, ka përshtypjen se këto janë zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, për kur, disa llogaritës të saktë të përqindjeve të ardhshme etnike në këto hapësira, parashikojnë se Maqedoni do ketë 60% shqiptarë, e diku rreh 40% përqindë të tjerë.
Dy koalicionet parazgjedhore nga kampi politikë maqedonas, janë ai i udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, e ku janë përfshi edhe 7 parti tjera kryesisht majtiste. Koalicionin parazgjedhorë të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, e përbëjnë 20 parti dhe ky formacion i ngjanë një “sallate politike maqedonase” të përzier nga majtistë që nuk pinë asgjë përpos votkës ruse dhe djathtistë të cilët demokracinë e kanë kuptuar si diktaturë shumëpartiake. Përpos kësaj,në koalicionin parazgjedhorë të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, dominojnë parti minore të etniteteve jomaqedonase, duke filluar nga disa parti rome, një turke, serbe, vllahe… , e me të cilat Gruevski ka për qëllim të fitojë së paku 61 deputetë. Aq sa të mos mund ta kushtëzojë askush gjatë formimit të qeverisë së ardhshme, siç deklaroi para pak kohe, duke menduar se shqiptarët e këtushëm nuk e kuptojnë se “askushët” që nuk duhet ta kushtëzojnë, janë votuesit shqiptarë. Pra, duke dashur ta rritë numrin e deputetëve jomaqedonas që i nevojiten për ta plotësuar parimin e Badinterit (votimin e dyfishtë për ligjet që duhet mbështetur edhe nga shumica e parlamentarëve jomaqedonas) , ai ka për qëllim t’i defaktorizojë partitë e këtushme shqiptare, e në të njëjtën kohë të tregohet i kujdesshëm ndaj “pakicave etnike”. Duke harruar në ndërkohë se listat e veta mundë t’i mbush vetëm me romë, serbë, vlleh, turq…, e kjo fare mos ndikojë në realitetin, se fatin e këtij shteti, do e përcaktojnë vetëm ata që mund ta zhbëjnë Maqedoninë kur të duan: maqedonasit dhe shqiptarët.
Përderisa koalicioni parazgjedhorë i udhëhequr nga LSDM-ja ka për qëllim të shpëtojë atë çka mundet të shpëtohet përballë rejtingut të lartë të partisë rivale, VMRO-DPMNE-së së Gruevskit, partitë shqiptare luajnë një valle krejt tjetër. Ato nuk kanë vetëm halli n se si ta konkurrojnë njëra tjetrën, por mbi të gjitha, si ta bindin popullin që të del në votime. Sepse, që nga zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990, e deri në ato të fundit të vitit 2006, shtohet numri i shqiptarëve dhe i partive shqiptare, por zvogëlohet përqindja e votuesve. Pra, sa më shumë rritet numri i atyre që janë të gatshëm për disa ditë t’i përkulen popullit, aq më i vogël bëhet numri i votuesve që u besojnë të përkulurve.
Bashkimi Demokratik për Integrim , Bashkimi Demokratik Shqiptar, Partia Demokratike Shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik dhe Bashkimi Demokratik Kombëtare, janë pesë partitë shqiptare që kanë shpallur listat e tyre të kandidatëve për deputet. Tri nga këto pesë parti me siguri do kenë përfaqësues të vetë në përbërjen e ardhshme parlamentare. Dy të tjerat, mbase do mbeten si “shoqëri” të atyre që do ngushëllohen se edhe populli di të gabojë. Nuk ka dyshim se BDI-ja e Ali Ahmetit do i fitojë edhe këto zgjedhje. Në këto zgjedhje, BDSH-ja e Bardhyl Mahmutit paralajmëron ardhjen e suksesshme si formacioni i ri politik, që ngadalë, por bindshëm, do e pushtojë hapësirën politike të cilën deri tani e sundonte PDSH-ja. Andaj edhe mund të pritet që PDSH-ja në këto zgjedhje të fitojë vetëm aq deputet sa të mos mbeten të papunësuar dy-tre aktivistë të spikatur të saj, si dhe kryesuesit e partisë. Por, pa marrë parasysh se cila nga këto parti sa deputet do fitojë, lehtë do mund të ndodh që këto zgjedhje të jenë humbje e madhe për shqiptarët e këtushëm. Posaçërisht nëse ata nuk dalin masovikisht që të japin votën e tyre për konceptet politike që mbështesin. Pra nëse nuk e kanë kuptuar se me mosdaljen në zgjedhje, ata kësaj radhe do e forcojnë Gruevskin. Sepse në këto zgjedhje përballen dy koncepte politike të shqiptarëve të Maqedonisë: a i BDI-së dhe i gjitha partive tjera, e të cilat mbështesin qëndrimit se vota e shqiptarëve duhet të përcaktojë partinë shqiptare që do bëhet pjesë e koalicionit qeveritarë dhe nga ana tjetër, koncepti i praktikuar i PDSH-së, që mandatari të përcaktojë se cila parti shqiptare do jetë pjesë e qeverisë së Maqedonisë. Pra, nëse shqiptarët kësaj radhe nuk e thonë qartë dhe masovikisht, se cilin koncept mbështesin, atëherë nuk do kenë pse të habiten nëse në qeverinë e ardhshme, Gruevski do përfshijë ndonjë parti shqiptare që ka vetëm aq deputet sa do mjaftonin të mbushnin një veturë për të udhëtuar së bashku nga Tetova deri në Shkup. Me çka shqiptarët më në fund do e kuptonin se ndoshta Gruevski nuk e ka gjithaq hallin si të formojë qeveri shumetnike, por si t’ua kumtojë shqiptarëve se ai e ndjenë mungesën e një parlament të veçantë për deputetët shqiptarë, mungesën e parlamentit që do e kompletonte mozaikun parlamentar të Federatës së Maqedonisë së Re.