Karvani i gazetës “Lajm” dhe shtëpisë botuese “Logos” për promovimin e monografisë “Shkupi” dhe romanit “Lypsiqarët e Shkupit” të autorit Kim Mehmeti, të mërkurën është ndalur në qytetin historik të Manastirit. Ky promovim ishte një rast i mirë për të mbledhur me një vend intelektualët dhe dashamirët e letrave brit shqipe nga këto anë.
Edhe pse promovimi kryesisht kishte të bëjë me Shkupin, kjo nuk ishte pengesë që autori Kim Mehmeti të flasë për rëndësinë e Manastirit
“Rëndësia historike e Manastirit për shqiptarët është e jashtëzakonshme. Vetëm një elitë politike si; është e jona mund të tregohet e painteresuar dhe të anashkalojë një qytet kaq të rëndësishëm. Nëse vazhdon kjo neglizhencë e poltiikës, së shpejti fatin e manastirasve mund ta pësojnë edhe shqiptarët e Shkupit”, tha Mehmeti.
Në promovim mori pjesë edhe kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Skënder Hasani. Ai foli për vlerën historike të monografisë “Shkupi”, duke e cilësuar si veprën më serioze deri tani për të përmbledhur me një vend të gjitha elementet që tregojnë për të kaluarën e largët dhe të afërt të Shkupit shqiptar.
Në debatin që pësoi pas promovimit, manastirasit parashtruan pyetje, por edhe shprehën revoltën e tyre nga mospërkujdesja institucionale për shqiptarët e harruar të këtyre trevave. Ata poashtu kërkuan që një monografi e tillë sa më shpejtë që është e mundshme të përgatitet edhe për të kaluarën dhe të tanishmen shqiptare të qytetit të Manastirit.
Promovimi në Manastir u organizua me ndihmën e palodhshme të aktivistit të njohur të shoqërisë civile shqiptare në këtë qytet, Fillor Mersini.