Back

Marrëveshja për të mos u marr vesh

Kim MEHMETI

                 

                      Shqiptarët e Maqedonisë arritën deri më tani shumë marrëveshje me palën maqedonase. Aq shumë marrëveshje nënshkruan përfaqësuesit shqiptarë me pushtetarët maqedonas, sa tani është e paqartë për çka ata janë marr vesh mes veti dhe cila nga ato marrëveshje duhet të zbatohet. Pas konfliktit të 2001, shqiptarët me maqedonasit nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit. Pastaj u arrit marrëveshja e majit e vitit 2007 mes Ahmetit dhe Gruevskit, si edhe ajo e marsit në vitin 2008 mes PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së. Me çka u pa se shqiptarët dhe maqedonasit lehtë i nënshkruajnë marrëveshjet, por mbase duke u nisur nga bindje se ato askënd nuk obligojnë dhe askush nuk pret që ato të realizohen. Apo i nënshkruajnë ngaqë janë të detyruar nga faktori ndërkombëtarë, prandaj këto marrëveshje ngjajnë sikur macet të ishin marr vesh me minjtë për paqe vetëm pse këtë e ka kërkuar skifteri që fluturon mbi kokat e tyre. Andaj pra, këto marrëveshjet edhe vlenin vetëm aq kohë sa u duhej garantëve perëndimorë të ngjiteshin nëpër avionët e tyre dhe të largoheshin nga Shkupi. E që pastaj të vazhdojë loja dydekadashe ndëretnike, e cila funksionon sipas formulës: pala maqedonase blen kohë dhe bënte çmos që ato të humbin kuptimin, e pala shqiptare ushqen durimin e paskajshëm se do vijë dita kur do realizohen marrëveshjet e arritura. Formulë e cila nuk ka elemente të panjohura, e as kërkon shkathtësi për ta zgjidhur dhe që u tregua shumë frytdhënëse për palën maqedonase. Edhe atë vetëm pse partitë shqiptare u treguan si ai nxënësi, i cili jo vetëm që nuk dinë, por edhe ndjehet inferior dhe jeton me kompleksin e fëmijës se do e akuzojnë që, në vend se me libra, çantën e ka të mbushur me armë. Andaj, kur flitet për marrëveshjet shqiptaro-maqedonase, duhet të thuhet një e vërtetë: ato janë asgjësuar dhe kanë humbur kuptimin e tyre jo pse pala maqedonase ishte aq e guximshme sa të mos i përfillë ato, por pse pala shqiptare ishte aq inferiore dhe aq e pa shkathët, sa nuk dinte si ato t’i zbatojë. Më saktë thënë, kur bëhet fjalë për marrëveshjen më të rëndësishme që shqiptarët kanë arritur me pushtetarët maqedonas, pra kur vlerësohet realizimi i Marrëveshjes së Ohrit, duhet thënë se ajo u zbehë dhe thuajse u asgjësua ngaqë vetë shqiptarët e lejuan shfytyrimin e saj. Pra kjo marrëveshje u asgjësua ngaqë pala maqedonase ia doli të aktrojë se është humbur në përkthimin e saj, e pala shqiptare nuk e kuptoi se jo që politikanët maqedonas nuk e dinin mirë anglishten, por donin të blinin kohë, duke pritur që partitë shqiptarë të ngatërroheshin në zënkat dhe akuzat e tyre të ndërsjella, të thënë në shqipe të pastër. Pala maqedonase pra e dinte se partitë shqiptare prej moti kishin pranuar rolin e vasalit në koalicionet qeveritare, se ato kënaqen me disa privilegje të vogla për një grusht partiakësh dhe, duke qenë të tilla, ato vetë do e zbehin edhe lavdinë e luftës së 2001 si edhe Marrëveshjen e Ohrit. Gjë që ndodhi dhe arriti deri aty sa dolën kryepartiakë shqiptarë e thanë “se shqiptarët e këtushëm duhet t’u kërkojnë falje maqedonasve etnik për konfliktin e 2001”.               

 

           Kur flitet për Marrëveshjen e Ohrit, duhet thënë gjithashtu hapur se partitë shqiptare kurrë nuk e lexuan drejtë përmbajtjen e saj, por e atë e zbërthyen si një “deklaratë” për punësimin e aktivistëve të tyre partiak. Pra, këtë Marrëveshje ata e zbritën në rrafshin e një dokumenti që u sillte pikë gjatë fushatave parazgjedhore, që u mundësonte të dëgjueshmëve partiak të bëhen ministra, e jo si një platformë demokratike, e cila, tërthorazi, Maqedoninë e bënte shtet me demokraci koncensuale dyetnike shqiptaro-maqedonas. Duke mos e kuptuar drejtë frymën e kësaj Marrëveshje, ata u lejuan pushtetarëve maqedonas ta asgjësojnë atë qysh në vitin 2006, kur VMRO-DPMNE-ja e mori në qeveri PDSH-në që nuk kishte mbështetjen politike shumicë të shqiptarëve të këtushëm. Që më vonë, me ardhjen e BDI-së në pushtet, të shihet se prej kësaj Marrëveshje kishte mbetur vetëm Ohri ku shkonin e drekonin politikanët, se ajo qëmoti ishte e vdekur dhe mbase varrimi i sajë do bëhet te themelet e kishës së Gruevskit që pritet të ndërtohet në qendër të Shkupit. Pra, kur flitet për Marrëveshjen e Ohrit, duhet thënë se vrasës të saj ishin pushtetarët aktual maqedonas, por krimi u bë me armën që Gruevskit ia dhanë partitë shqiptare.
Pas gjitha marrëveshjeve të deritanishme, këto ditë, PDSH-ja paralajmëroi se ka grumbulluar ekspertët e saj partiak për të përgatitur edhe një propozim-marrëveshje të re shqiptaro-maqedonase. Pra, këto ditë është duke ndodhur ajo që përsëritet me vite: partive shqiptare u kujtohet interesi i popullit posa janë të detyruara ta braktisin qeverinë. Vetëm atëherë ato e shohin se popullin e kanë shndërruar në një turmë të hutuar, turmë e cila nuk e ka të qartë se kush dhe çka nënshkruan në emër të saj. Këto ditë pra, partia opozitare shqiptare, e cila nga radhët e veta humbë për çdo muaj nga një deputet, ngutet të përpilojë një marrëveshje shpëtimtare për shtetin dhe shqiptarët. Tani për tani, askush nuk e dinë kur ajo marrëveshje do publikohet, andaj edhe nuk është mirë të paragjykohet përmbajtja dhe efekti i saj. Dhe mbetet shpresa se kjo marrëveshje e paralajmëruar nuk e do ketë fatin e “Librit të bardhë” për konfliktin e 2001, e që kryesuesit e PDSH-së kanë filluar ta shkruajnë qysh në vitin 2002, e assesi ta përfundojnë. Por, pa marrë parasysh cili do jetë fati i kësaj marrëveshje, mbetet e vërteta se, të mbetura larg grazhdit pushtetar, partitë shqiptare fillojnë t’i ngjajnë pijanecit që e kanë dëbuar nga kafeneja: nuk shkon në shtëpi, por bënë çmos që të kthehet pranë banakut ku e presin pijet.

 

           Dhe kjo u ndodh sepse ato nuk kanë as vullnet as moral politik që të pranojnë se edhe ato vetë ia harxhuan Maqedonisë kohën e marrëveshjeve dhe tani e prunë në prag të kohës së referendumeve, kur shqiptarët vetë do duhet të tregojnë çka dhe si e duan. Ato pra nuk kanë as vullnet as moral politik të dalin e t’i thonë hapur këtij populli se marrëveshjet shqiptaro–maqedonase nuk realizohen edhe shkaku i mosmarrëveshjeve shqiptaro-shqiptare. Nëse partitë e këtushme shqiptare do e pranonin këtë të vërtetë, ato do ua mundësonin shqiptarëve të Maqedonisë më lehtë ta kuptonin se nuk ka faj Gjorgjia pse donte ta pranonte Sejdiun në ndonjë nga zyrat e doganës në Bllacë – që të mos e shihnin vëllezërit pushtetarë serb me kënd është takuar – por do e dinin se fajtorë për këtë sjellje përbuzëse të Gjorgjisë ndaj Sejdiut janë të gjithë ata shqiptarë të BDI-së që vraponin t’ia sigurojnë censusin e duhur që ai të zgjidhej president. Pra, nëse partitë e këtushme shqiptare do kishin minimum moral sa të pranonin se grindjet e tyre të ndërsjella janë pengesë për mosrealizimin e marrëveshjeve shqiptaro-maqedonase, atëherë shqiptarët e Maqedonisë më lehtë do e kuptonin se sjellja e Gjorgjisë ndaj presidentit të Kosovës shpjegon qëndrimin përbuzës të presidentit të maqedonasve ndaj shqiptarëve të këtushëm. Dhe se sjellja e tij mbështet mbi bindjen se ka politikanë shqiptarë që do mundohen ta zbusin veprimin antishqiptarë të Gjorgjisë me thënien: “Po edhe Sejdiu e tepron, çka i duhet t’i kushtojë rëndësi formës e jo përmbajtjes!”. Duke harruar se forma e përcakton vlerën e përmbajtjes dhe nga forma lexohen porositë e fshehura. Por ku ta dish, për një president si Sejdiu, i cili bie viktimë i grackave të një Gjorgjie, i cili nuk e lexoi porosinë e mosftuarjes në ceremoninë inauguruese dhe pranoi ftesën “ngushëlluese”, ndoshta edhe nuk duhet të të vijë gjithaq keq pse nuk e presin me eskorta të rreshtuara ushtarësh dhe me flamuj të ngritur lartë në shtiza.

 

Kolumnat e publikuara në këtë faqe janë botime ekskluzive të gazetës "Koha Ditore", Prishtinë