Shkruan : Kim MEHMETI
Shqiptarëve të Maqedonisë u mungon shumëçka, por jo edhe jeta e begatë politike. Ata kanë fatin të përjetojnë furishëm më shumë fushata parazgjedhore dhe zgjedhje sesa bashkëkombësit e tyre në Kosovë e Shqipëri. Apo thënë ndryshe, cirqet e mitingjeve partiake për shqiptarët e Maqedonisë janë më të shpeshta: posa përfundojnë fushatat parazgjedhore të këtushme ku ata ushqehen me premtimet e kryesuesve të vet partiak, u vjen radha atyre në Shqipëri dhe Kosovë. Madje, mund të thuhet, se zgjedhjet në Prishtinë e Tiranë, për shqiptarët e këtushëm kanë po të njëjtën peshë sa edhe ato që mbahen në shtetin ku ata jetojnë. Nëse për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se ata qëmoti e kanë kuptuar se çdo parti e këtushme shqiptare ka motrën e vetë binjake në Tiranë dhe Prishtinë, se çdo lider i këtushëm shqiptar ka të fortin e vet në Shqipëri e Kosovë, me të cilin, nëse jo ideologjia, e lidh biznesi dhe nga i cili mund të kërkojë ndihmë sa here që këtu t’i hasë sharra në gozhdë. Pra, shqiptarët e këtushëm, që moti e kanë kuptuar ç’është ajo që i lidh mes veti “vëllazëritë e motrave partiake” të shqiptarisë dhe pse shpesh herë, politikanët e këtushëm që nuk i përkrahë populli, ndonjë kryepartiak nga Tiranë do i kandidonte për president të Shqipërisë, e në Prishtinë i shpallin anëtarë nderi të kryesive të atjeshme partiake dhe, pse ata që donë t’i heq qafe Tirana, shqiptarët jashtë mëmëdheut do i votonin me shumicë absolute votash. Pra, e kanë kuptuara se politikanët shqiptarë kudo që janë, kanë një përparësi që u mundëson të kenë portet të dyfishtë: treg të veçantë ku shesin gënjeshtra e ku realizojnë përfitime personale – vendin ku veprojnë politikisht, dhe tregun ku shesin atdhetari e patriotizëm – atë në hapësirat shqiptare jashtë shtetit ku veprojnë.
Duke shfrytëzuar përparësitë që i ka sjell koha e satelitëve që i shpërndajnë valët partiake shqiptare nëpër të gjithë planetin, shqiptarët e Maqedonisë, si asnjë herë më parë, patën mundësinë të ndjekin fushatën parazgjedhore dhe zgjedhjet në Shqipëri. Dhe nuk e kishin vështirë të shihnin se në shtetin e tyre amë çdo gjë është dyngjyrëshe, çdo gjë është e ndarë në “rozë” dhe “blu, duke filluar nga biznesi e deri te mediat dhe shumica e mendimtarëve që veten e quajnë të pavarur dhe jopartiak. Dhe si i tillë, mbase mëmëdheu u la përshtypjen se është shoqëri e cila, sa i përket organizimit partiak, me asgjë nuk dallon nga hapësirat tjera shqiptare. Pra e karakterizon ajo që shkurtimisht mund të shpjegohet nëpërmjet thënies: kundërshtari im politik nuk është armik imi, por edhe i shtetit dhe popullit. Dhe për fat të keq, kjo vetëdije dominonte edhe nëpër debatet televizive “jopartiake”, në ato ku merrnin pjesë disa mendimtarët dhe analist “të pavarur”, të cilëve mbase askush nuk u kishte treguar se, rrëfimin për politikanët e sotëm të brengosur për fatin e popullit e kanë trilluar gjyshet demokratike shqiptare, të cilat nuk janë si ato të dikurshmet që në kohën e lirë uleshin përpara portave të shtëpive të tyre dhe tjerrshin lesh, por shkojnë në mitingje partiake dhe shikojnë TV novela. Apo panë debatues të cilët ende nuk e kanë kuptuar se çdo elitë partiake vjen në pushtet me votat e të pashpresëve dhe të pambrojturve, por posa e merr në duar timonin e shtetit, bëhet mbrojtëse i të fortëve dhe të pasurve.
Sa u përket mitingjeve parazgjedhore partiake, ato kishin dekor perëndimori i cili i përshtatej një realiteti demokratikë, por që i ngjante maskës shumëngjyrëshe të vënë mbi fytyrën dyngjyrëshe të Shqipërisë. Dhe në atë dekor perëndimorë ku ishte vendosur folklori politik shqiptarë, mbeti i padukshëm, por prezent, mendimi i “lirë dhe jopartiak” i atyre që shpjegonin shumëçka që në fund të tregonin se Shqipëria e tyre mund të jetë o “blu”, o “rozë“, duke harrura se mbi të gjitha ajo duhet të jetë e kuqe dhe e zezë. Me çka linin përshtypje se kishin po të njëjtin qëllim si edhe politikanët: ta gënjejnë popullin se jashtë këtyre dy ngjyrave çdo gjë është vetëm e gënjeshtare dhe e pashpresë. Me çka doli se Shqipëria e sotme, njësoj si edhe viset tjera shqiptare, vuan nga “dymendësia” demokratike, se ajo të donë vetëm nëse je i përcaktuar mes dy ngjyrave të partive dominuese, se sikur të mundeshin, disa mendimtarë të atjeshëm, edhe ylberit do ia fshinin ngjyrat tjera, se edhe kutitë me lapsa shumëngjyrësh për shkollarët do i mbushnin vetëm me lapsa që kanë këto dy ngjyra. Apo doli se politikanët bënin atë që u takonte – në momentin e duhur të shpalosnin gënjeshtrën që populli mund ta pranonte si të vërtetë, e disa mendimtarë dhe analistë të “pavarur” bënin çmos që të ngjiteshin një shkallë më lartë – gënjeshtrën politike ta shpallin si të vërtetë të pamohueshme.
Gjatë zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, politikanët i treguan popullit pse duhej të votonte për ta, e disa mendimtarë dhe analistë të “pavarur” nuk bënë asgjë më shumë përpos që dhanë kontribut që politika shqiptare atje, dhe kudo në hapësirat shqiptare, të mbetet edhe më tej ajo që është: përjashtuese, grindavece dhe biznesi më fitimprurës që të pasuron brenda natës. Pra disa nga këta mendimtarë të “lirë e të pavarur” linin përshtypje se janë të gatshëm të shkojnë edhe përtej pakënaqësisë, përtej pezmit ndaj partisë që urrenin: të ndjehen keq pse në zgjedhjet nuk kishte trazira më të mëdha se ato që ndodhën, t’i nënshtroheshin bindjes se “nëse nuk fiton imi, nuk vlen gjë Shqipëria!”.
Shqiptarëve të Maqedonisë u mungon shumëçka, por jo edhe cirqet parazgjedhore dhe zgjedhore. Sepse me të njëjtën zjarrmi ata i përcjellin dhe i përjetojnë edhe zgjedhjet në Kosovë e Shqipëri. Andaj, ata ndoshta më mirë e kuptuan se cilat ishin problemet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri, e që disa mendimtarë dhe analistë të “pavarur” të atjeshëm shtireshin se nuk i shohin. Thjeshtë, gjatë përcjelljes së procesit zgjedhor në Shqipëri, shqiptarët e këtushëm kishin përshtypje se janë duke rishikuar një film nga e kaluare e tyre politike, i cili përafërsisht ka këtë përmbajtje: në shtetet pseudodemokratike, fatin e partive nuk e vendosin votuesit, por numëruesit e votave. Dhe se partitë e mëdha lehtë merren vesh mes veti si t’i ndajnë vëllazërisht votat e partive më të vogla, por kacafyten atëherë kure shohin se kjo vjedhje nuk u mjafton për t’i fituar zgjedhjet dhe duhet të shkojnë më tej – ta vjedhin njëra tjetrën. Ajo që nuk e kuptojnë shqiptarët e Maqedonisë nuk ka të bëjë me kodin e atjeshëm të çuditshëm zgjedhorë, por me atë si është e mundur që në një Shqipëri tani më anëtare të NATO-së, numëruesit e votave të jenë vetëm partizanët e të dy partive më të mëdha dhe si mundë të ndodh që në një Maqedoni që ka halle me emrin dhe mbiemrin e saj, rezultati paraprak të dihen tre-katër orë pas mbylljes së vendvotimeve, e në shtetin amë duhet të kalojnë muaj që të përfundojë numërimi i votave!? Shqiptarët e këtushëm i huton edhe ajo si në një Maqedoni me barrën e shumë problemeve ndëretnike, humbësi del dhe ia uron fitoren kundërshtarit të vet politik disa orë pasi mbyllen vendvotimet, e në një Shqipëri me det e peshkatarë, humbësi sillet krejt ndryshe: bënë llogari a t’i pranojë zgjedhjet pasi ta lodh popullin duke e nxjerr në protesta, apo pas ndonjë viti, pasi ta bindin të huajt se cili është interesi i Shqipërisë.
(Marr nga “Koha Ditore”, Prishtinë)