Back

Mbledhësit e luleve të vyshkura

Shkruan:Kim MEHMETI

Në ambientin politik të Maqedonisë ka dy mënyra se si mund të bashkëpunosh me atë, që një herë e ke shpallur armik politik: ose t‘ia vësh gjunjët në fyt dhe mos ta lësh të ketë zgjidhje tjetër përpos të të pranojë si partner të barabartë, ose ai të të bëjë të njëjtën, e të të detyrojë t‘i nënshtrohesh e të bëhesh i dëgjueshmi i tij. Rrugë të mesme nuk ka. Ndoshta edhe ka, por ajo rrugë me siguri nuk të çon më larg se deri te ngatërresat edhe më të mëdha me armikun politik dhe në humnerën e degradimin e të gjitha parimeve që ke.

Mbase BDI-ja e Ali Ahmetit u bë pjesë e koalicionit qeveritar me VMRO-DPMNE-në, duke besuar se do të gjejë ndonjë rrugë të mesme, në të cilën dy armiqtë e dikurshëm politikë do t‘i bëjë bashkudhëtarë që do t‘i prijnë Maqedonisë gjatë rrugëtimit të saj drejt një ardhmërie më të mirë. BDI dëshmoi se nuk e njeh armikun e saj politik, se ajo ende nuk e ka kuptuar se Gruevski mund ta paramendojë Maqedoninë edhe si republikë të cilësdo federate sllave, por kurrsesi jo edhe si shtet të përbashkët me shqiptarët. Pra, BDI-ja e Ali Ahmetit nuk e kuptoi se antishqiptarizmi, populizmi dhe ortodoksizmi fanatik i Gruevskit nuk janë koncept i politikës ditore, por çështje "gjenetike", kod i një mendësie dominuese te kryesuesit e VMRO-DPMNE-së, mendësi që thotë: më mirë të mos ketë Maqedoni, se sa ata që veten e quajnë maqedonas etnikë, këtë shtet ta bashkëqeverisin me shqiptarët. Dhe nëse BDI nuk arriti ta kuptojë këtë gjatë bashkëqeverisjes dyvjeçare të VMRO-DPMNE-së me PDSH-në, ajo nuk do arrijë ta kuptojë kurrë. Posaçërisht jo tani, kur Gruevski siç duket ia ka vënë të dyja gjunjët në fyt BDI-së dhe nuk e lë të shikojë, se ajo ka legjitimitet t‘i përfaqësojë shqiptarët në të gjitha institucionet më të larta shtetërore (gjë që i mungonte PDSH-së në qeverinë e mëparshme të Gruevskit), por nuk ka legjitimitet të përbuzë vullnetin politik shqiptar. Pra, BDI ka legjitimitet të bëjë kontrata politike në emër të shqiptarëve me cilëndo parti politike maqedonase, por jo edhe me ato që hapur manifestojnë antishqiptarizëm, jo edhe me kusht që "çmimi" i pjesëmarrjes në qeveri të jetë aq i pavlerë, sa shqiptarët e këtushëm të kenë përshtypjen se Gruevski tallet me ndjenjat dhe kërkesat e tyre. Apo thënë edhe më saktë: BDI është përfaqësuese legjitime politike e shqiptarëve të Maqedonisë, por ajo nuk ka legjitimitet që punësimin e disa shqiptarëve si ministra, zëvendësministra, drejtorë dhe zëvendësdrejtorë, ta paguajë me ndjenjën e shqiptarëve e se ata nuk janë kurrfarë faktori në këtë shtet.

Ka shumë mënyra se si mund të bëhesh bashkëpronar i asaj që të takon, por kjo asesi nuk arrihet nëse nuk e ke të qartë ç‘është e jotja dhe se askush atë nuk ta kthen kur je lypës i pafuqishëm, kur nuk gjen mënyrë që ta marrësh tënden, ashtu siç i ka hije pronarit. Duke u bërë pjesë e koalicionit qeveritar, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, BDI mbase shpreson se pronari mund të arrijë ta marrë të vetën edhe duke qenë i durueshëm, duke i dhënë mundësi vjedhësit të pronës tënde, ta kuptojë se e huaja kurrë nuk bëhet e jotja. Mirëpo, edhe me këtë, Ali Ahmeti dëshmoi se nuk e njeh mirë kundërshtarin e tij politik, se ende nuk e ka kuptuar që Gruevski jo se nuk e di që është shpallur pronar edhe i pjesës që u takon shqiptarëve, por ai bën çmos që atë ta kthejë sa më vonë, ta shfrytëzojë sa kohë që nuk ia vë dy gjunjët mbi fyt. E, BDI-ja e Ali Ahmetit kishte mundësi këtë t‘ia bëjë Gruevskit, por nuk e bëri, sepse nuk kishte as vullnet, as koncept të qartë politik që ta vazhdojë deri në fund luftën e filluar në vitin 2006.

Pas zgjedhjeve të sivjetme të parakohshme parlamentare, BDI kishte dy mundësi: o të flijojë interesin e ngushtë të disa qarqeve partiake që mezi prisnin të bëheshin ministra, o të flijojë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Pra, të rrezikojë edhe moshyrjen në qeveri, duke e kushtëzuar Gruevskin me dy zgjedhjet e mundshme e të pranueshme për shqiptarët e këtushëm: ose realizimin e kërkesave të arsyeshme shqiptare, ose federalizmin e shtetit. Por, Ali Ahmeti mbase përsëri zgjodhi rrugën më të rrezikshme, atë të mesmen, atë të shtruar nga shpresat se, pasi të hyjë në qeveri, do të arrijë që ujkut t‘ia ndërrojë edhe qimen, edhe veset, një eksperiment i pamundur deri tani. Pra, Ali Ahmeti nuk i flijoi ata që mendojnë se partia ekziston vetëm për të realizuar ëndrrën e tyre për t‘u bërë ministra, por rrezikoi ardhmërinë e partisë dhe interesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Ku ta dish, mbase edhe kësaj radhe, do të ngadhënjejë durimi i tij, se do arrijë ta vetëdijësojë Gruevskin, duke ia përsëritur pandërprerë të vërtetën: një populli i takon aq fat dhe ardhmëri, sa ai është i gatshëm t‘ia pranojë popullit tjetër. Këtë, vite me radhë, ia përsërisnin shumë veta edhe Millosheviqit, por ai shkoi në varr pa e kuptuar domethënien e kësaj urtësie.

Duke mos pasur vullnet dhe guxim politik ta vazhdojë betejën me VMRO-DPMNE-në, tani kur ishte më i fortë se pas zgjedhjeve parlamentare të 2006, BDI-ja u kthye në atë që shikohet në seancat e deritanishme të Parlamentit republikan: zë i dëgjueshëm i Gruevskit. Kjo mund ta çojë BDI-në drejt defaktorizimit të saj politik (siç i ndodhi edhe PDSH-së), e shqiptarët e këtushëm prapë të mbeten në udhëkryqin ku do presin alternativën e tretë politike, kalorësin e ardhshëm, i cili, doemos, do duhet të ofrojë formulat e paprovuara deri tani: federalizmin apo kantonizimin e Maqedonisë.

Mbase edhe shqiptarëve të Maqedonisë, Gruevski nuk u ka lënë rrugëdalje tjetër, përpos të fillojnë me ndërtimin e institucioneve paralele, me insistimin për rishqyrtimin e rendit kushtetues të Maqedonisë dhe me padëgjueshmëri qytetare, e cila do të çojë drejt definimit të qartë të një shoqërie të ndërtuar mbi baza dyetnike. Nëse nuk ndodh kjo, lehtë mund të ndodhë që edhe katër vitet e ardhshme të bashkëqeverisjes mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, të jenë periudhë e humbur për shqiptarët e Maqedonisë, të mbeten vite që shqiptarëve të këtushëm do t‘u sjellin vetëm frustracione dhe pakënaqësi nga partitë e tyre politike. Pa marrë parasysh frustracionet e sotme dhe ato të ardhshmet e shqiptarëve të Maqedonisë, Parlamenti i këtij shteti më në fund u bë i tillë siç e dëshironte kryetari i VMRO-DPMNE-së: efikas dhe në shërbim të partisë së Gruevskit. Parlamenti i Maqedonisë u bë aq efikas, sa ligjet dhe rregulloret aprovohen për aq kohë sa i nevojitet kryeparlamentarit të lexojë titullin e tyre dhe emrin e propozuesit. Pra, vetëm për disa minuta, për aq kohë sa zgjati edhe shtypja e butonave për miratimin e Rregullores së re të Parlamentit, e që BDI, në përbërjen e kaluar parlamentare, e kontestonte si të papranueshme për shqiptarët dhe e bllokoi miratimin e saj me më shumë se dymijë amendamente.

Ç‘ndodhi ndërkohë që e çoi BDI-në të votonte për Rregulloren, që para disa muajve e konsideronte si të papranueshme për shqiptarët e Maqedonisë? Cila është BDI-ja e vërtetë: ajo e atëhershmja që me të drejtë e sulmonte PDSH-në për sjellje mospërfillëse ndaj të drejtave shqiptare, apo kjo e tanishmja, e cila i përkrah propozimet e Gruevskit, thuajse sikur janë hartuar në selinë e BDI-së? Këto janë pyetjet që i shtrojnë ata, të cilët nuk e kanë kuptuar atë që dihet prej moti: BDI-ja nuk është as ajo e djeshmja, as kjo e sotmja. Është ajo që prej moti kanë bërë dy partitë më të mëdha shqiptare në Maqedoni – ente për punësimin e shqiptarëve të papunë.

Dhe të zëna peng nga kërkesa e anëtarëve, që aktivitetin partiak e konsiderojnë si mundësi për të ardhur në poste që kurrë nuk do t‘i çonin aftësitë personale, ato kanë koncept politik kur janë në opozitë, por s‘kanë asnjë standard politik kur bëhen pjesë e qeverisë. Të tilla siç janë, ato nuk i bëri askush tjetër, përpos dëshira e krerëve partiakë, që duke kontrolluar edhe punësimet e pastruesve të shkollave, të mbanin nën kontroll çdo votues shqiptar.

Që partitë shqiptare nuk kanë koncepte politike, por lista për punësim, më së miri e lexoi Gruevski. Dhe e përdori me mençuri: e mori BDI-në në koalicionin qeveritar, duke e ditur se PDSH-ja pret pas derës së kabinetit të tij, e gatshme që në çdo çast të bëhet pjesë e qeverisë. Andaj, edhe partitë shqiptare ai nuk i ndjen si partnerë politikë, por si dy rrota rezervë të karrocës së tij qeveritare, që mund t‘i ndërrojë gjatë udhëtimit të mëtejmë në krye të qeverisë së Maqedonisë. Dhe me këtë u dëshmua përsëri ajo që nuk mund ta shohin vetëm analfabetët politikë: Gruevski nuk është i fortë sepse ka 63 parlamentarë të tij në Parlament, por sepse shqiptarët nuk kanë asnjë parti të tyren parlamentare me koncept të qartë politik. Pra, Gruevski është i fortë për shkak se partitë shqiptare, atij i lejuan të ndjehet pronar i vetëm i lulishtes multietnike të quajtur Maqedoni, lulishte të ujitur edhe nga djersa shqiptare. Por ku për shtatëmbëdhjetë vite me radhë, shqiptarët nuk u arritën të bëhen bashkëpronarë të saj, por mbetën vetëm mbledhës të luleve të vyshkura.