Back

Mehmeti: Fajin për këtë trillim duhet ta marrin edhe ministrat shqiptarë

Pas disa ditë replikash dhe deklaratash kundër botimit të Enciklopedisë së Akademisë maqedonase që i përcakton shqiptarët një popull ardhacakësh, Kim Mehmeti, një njohës i mirë i opinionit publik atje deklaron se fajin për këtë trillim të pashoq duhet ta marrin edhe ministrat shqiptarë në qeverinë e Gruevskit.
“Ajo që mua më shqetëson është normalisht idiotizmat që janë shkruar në atë enciklopedi, por ka diçka edhe më të dhimbshme se kaq që mua më dhemb si shqiptar i Maqedonisë. Ne kemi 5 ministra në qeveri. Ky është një projekt qeveritar, e ka financuar Ministria për Kulturë. Unë në një tekst timin e kam shkruar se Gruevski mund të bëjë përgatitje për të sulmuar shqiptarët dhe ministrat shqiptarë ta marrin vesh, ta dinë se kur do ua bombardojë shtëpitë. Ky është realiteti i shqiptarëve të Maqedonisë”, shprehet Mehmeti.
Sipas tij shqiptarët ndonëse janë në qeveri interesat e tyre nuk mbrohen nga askush dhe ata nuk marrin pjese në vendimmarrje. “Nuk mund të ketë fat një popull i cili para 3 muajsh botoi Historinë e popullit maqedonas ku thuhet se janë me origjinë antike greke dhe tani kemi një enciklopedi ku shkruhet se janë me origjinë sllave. Ju e keni një Ministri të Kulturës e cila ndërton kisha, financon përmendore, nga ana tjetër në atë ministri nuk keni asnjë shqiptar që merr pjesë në vendimmarrje, që të dijë çfarë financohet. Në fund del se për kulturën shqiptare atje financohet më pak se për kopshtin zoologjik në Shkup”, thotë Mehmeti.
Kështu ka ndodhur sipas tij edhe me Enciklopedinë e cila për fat të keq është financuar edhe nga taksat e shqiptarëve.

Mira Tuci

http://alsat-m.tv/index.php/lajme/vendi/18894.html