Back

Mehmeti: M.O. është definitivisht dokument që nuk ekziston (VIDEO)

Marrëveshja e Ohrit ka vdekur. Ka ardhur koha që shqiptarët dhe maqedonasit të bëjnë një Marrëveshje të re, ndërsa Maqedonia të bëhet shtet i dyetnik. Dhjetë vite pas nënshkrimit, nuk dihet se sa ky dokument është implementuar, thonë analistët politik, Veton Surroi dhe Kim Mehmeti, të cilët morën pjesë në një tribunë ku u debatua për gjendjen e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, disa vite pas shënimit të disa datave të rëndësishme si hyrja e Shqipërisë në NATO, Pavarësia e Kosovës dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

“Sot kur festohet 10 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, nuk kemi një klasë politike e cila do të bëjë një llogari të thjeshtë se ku është mbërritur me zbatimin e Marrëveshjes, sa duhet të bëhet më tutje dhe çka ende duhet që ky shtet të bëjë kapërcimin kualitativ. Maqedonia nuk do të ec përpara në integrimin e vet në BE nëse përparësia themeltare e këtij shteti është ndërtimi i shtatoreve të antikuitetit. Nuk është e përputhshme vizioni përpara me vizionin e prapakthimit, me projektimin e ardhmërisë në prapakthim. Kjo është e pamundshme edhe si konstrukt mendor”, tha Veton Surroi, analist politik.

“Unë personalisht mendoj se Maqedonia i humbi shanset që të ndërtohet sipas frymës të Marrëveshjes së Ohrit dhe mendoj, unë nuk shpreh dëshirat e mija, shpreh atë që e konstatoj e konstatoj se Maqedonia gjithnjë e më afër i afrohet kufirit ku o do të bëjë një marrëveshje të re shqiptaro-maqedonase o ne gjithmonë do të merremi me problemet e njëjta. Mua nuk më pengon gjithaq, tani ta parafrazoj Vetonin, ajo pse partitë tona duan këtë marrëveshje ta përdorin, por ajo se si ki popull pranon që ende të gënjehet me atë Marrëveshje të Ohrit. Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni as që iu dha shansë të funksionojë dhe të shihet ç’është ajo.MO është definitivisht dokument që nuk ekziston, është koncept që u tregua se nuk është frymëzues për elitat e këtushme politike, përfshi edhe ato shqiptare. Edhe tani unë mendoj që Maqedonia gjithnjë e më shumë i afrohet kufirit ku ajo do të duhet ta definojë veten si një shtet dyetnik”, tha Kim Mehmeti, analist politik. “Sot Marrëveshja e Ohrit, nuk e shfrytëzojnë si dokument thelbësor që duhet ta përparojë sistemin politik në vend, por e shfrytëzojnë si broshurë ku në faktori shqiptarë trajtohen në mënyrë statistikore. Kjo Qeveri e VMRO-së ka një qasje ndryshe nga ajo e Lubço Georgievskit. Nuk i urrejnë, por i ofendojnë shqiptarët. Sa dëshironi ju? 7 për qind. Ja tetë dhe mbylleni gojën. Kështu vepron kjo Qeveri me shqiptarët”, tha Sasho Ordanovski, analist politik. Surroi, Mehmeti dhe Ordanovski folën edhe mbi kontestin e emrit që ka vendi me Greqinë. Partitë shqiptare, sipas analistit nga Kosova, Veton Surroi, duhet të jenë të kyçura drejtpërsëdrejti në procesin e negociatave dhe zgjidhjen e këtij kontesti.

Teksti u shkeput nga ueb faqja: http://www.tv-alb.com/?pid=2&id=3010