Gjatësia e kohës nuk matet me ditët, javët, muajt e vitet që kalojnë, por ajo matet nëpërmjet veprave që lëmë pas vetes, nëpërmjet gjurmëve që identifikojnë portretin tonë individual dhe atë grupor. Dhe vitet e muajt nuk kanë shenjë njohëse vetëm numrat me të cilët ato shënohen, por ndodhitë që bëhen shenjë njohëse e një periudhe kohore. Kështu që, njëvjetori i gazetës suaj, nuk do ketë shenjë njohëse vetëm profesionalizmin tuaj, as vetëm atë që botuat në faqet e saj, por edhe ngjarjet që kishin të bëjnë me mjerimin politikë në Maqedoni, si edhe me ne shqiptarët e këtij shteti, ku kemi pushtetarët tanë, por pa pasur shtet.
Andaj, ajo që ndodh me gazetën tuaj, tregon se nuk mund të flitet për liri shtypi e liri të të menduarit në një shtet ku natën ndërtohen kisha e ditën burgosen ata që nuk i nënshtrohen diktaturës së Gruevskit. Diktaturë e cila nuk do mund të ishte aq e suksesshme, po të mos kishte mbulesë jorganin e partnerit qeveritarë shqiptarë. Andaj, njëvjetori i gazetës suaj shënon qëndrueshmërinë e mendimit të lirë dhe të profesionalizmit gazetaresk, por gjithashtu, shpalos të vërtetën se ne shqiptarët, ende nuk kemi tejkaluar periudhën e vasalitetit ndaj pushtetarëve maqedonas, se ne jemi statistë që vrapojmë pas koncepteve e projekteve të Gruevskit, ngaqë nuk kemi projekt tonin për këtë shtet dhe për ndërtimin e demokracisë në një Maqedoni shumetnike.
Dhe përderisa është kështu, mua më dhimbseni ju, po aq sa edhe të gjithë gazetarët shqiptarë në këtë shtet, ngaqë e di se duhet të paguani “haraç” të dyfishtë për të mbijetuar: njërin Gruevskit e tjetrin partisë shqiptare në pushtet. Mbase vetëm ky mund të jetë fati i atyre që luftojnë për pushtet, duke mos pasur shtet, që nuk prodhojnë politika e projekte shtetbërëse, por vrapojnë pas politikave dhe projekteve të Gruevskit. Si do që të jetë, dëshirojë që njëvjetori i gazetës suaj të bartë në vetvete edhe dëshminë se ne do dimë e do ia dalim të ndërtojmë “shqipëprinë“ e Maqedonisë dhe gazetarinë shqiptare në të. Pa “shqipërinë” e vet në të, Maqedonia do mund mbetet vetëm e kaluar e hidhur, kujtim për një kohë kur të gjithë ne jemi vetgënjyer se ky vend mund të bëhet arë pjellore e demokracisë dhe multietnicitetit.
Teksti u shkeput nga ueb-faqja: http://kohaere.eu/index.php/lajme/maqedoni/12310.html