Back

Mes nostalgjisë dhe vrullit

 Prishtina e pas zgjedhjeve vendore është po ajo e përhershmja që i ngjanë një barku tej mase të fryrë, i cili i bluan të gjitha ambiciet e Kosovës. E shikuar ditën nga lartësitë e Çagllavicës, ajo të duket edhe si një zemër e zhurmshme të cilës nga dita në ditë, Fatmir Lima ia shton dhe ia zgjeron arteriet, bënë “bay-pase” nga më të pamundshme, vetëm që damarët e këtij qyteti sa më lirshëm të lidhen me vendbanimet tjera të shtetit më të ri të Ballkanit. Nëse arrini natën dhe kryeqendrën kosovare e shikon po nga e njëjta lartësi e Çagllavicës, ajo të ngjanë në një gropë ku janë grumbulluar xixëllonja gjigante që e kanë humbur malin e vet dhe mundimshëm nguten të ngjiten nëpër lartësitë përreth, që të vazhdojnë fluturimin nëpër rrafshnaltat përtej asaj grope. Dhe posa të zbresësh poshtë në atë gropë e të bëhesh pjesë e kolonave të makinave të drejtuara nga vozitësit nevrik, posa të të rrëmbejë tollovia e bulevardit “Bil Klinton”, nuk ka si mos të të bjerë në sy se Prishtina e ditëve pas votimit ndryshon nga qendrat tjera shqiptare, se ajo nuk e ka egërsinë e paszgjedhjeve të Tiranës ku me muaj priten rezultatet e votimet, e që pastaj askush të mos e pranojë humbjen dhe euforinë e Shkupit ku partitë shqiptare thuajse paraprakisht e dinë rezultatin që ua kanë premtuar mbushësit e kutive të votimit.

      Kur del të shëtisësh në këmbë nëpër rrugët e Prishtinës së pas zgjedhjeve vendore, nuk ke si mos e ndjesh se ky qytet jeton mes vrullit rinorë dhe nostalgjisë së të moshuarve për vitet e tyre studentore. Pra, nuk ke si mos e vëresh se ky qytet jeton mes dëshirës së gjeneratave të reja që duan ndryshime këtu dhe menjëherë dhe orvatjeve të “pensionistëve” politik të ardhur nga e djeshmja, që të lejojnë ta ndërrosh gotën, por jo edhe pijen në të. Andaj edhe fillon ta kuptosh  pse ky qytetet mbetet bastion i LDK-së dhe pse PDK-ja në këto zgjedhje vendore e humbi betejën përballë konformistëve të Fatmir Sejdiut: sepse kandidati i PDK-së nuk e përfaqësonte as vrullin rinorë, as nostalgjinë e pleqve të këtij qyteti për vitet e tyre studentore, sepse ai nuk simbolizon as të kaluarën, as të sotmen e Prishtinës, se ai nuk të rikujton as stinët e dikurshme të Prishtinës kur disa shkrimtarët bëheshin politikan dhe e stërvitnin popullin t’i sforcojë muskujt e durimit, as atë të viteve kur studentët e provincës, të lodhur nga pritja që dikush t’ua sillte lirinë, braktisnin studimet dhe ngutshëm mësonin si përdorej kallashniku, me çka suksesshëm dhanë provimin më të rëndë të atdhetarisë. Andaj kandidati i PDK-së i erdhi LDK-së si tabletë vitaminoze e llojit të “Bedoksinit” që njëherazi të qetëson, ta shtonë apetitin e humbur dhe ta ripërtërinë motoriken e të menduarit. Me çka “pleqtë e urtë“ të LDK-së s’kishte si mos e besonin se ka shumë të vërtetë në thënien se lejlekut të verbër, vetë Zoti i ndërton folenë. Pra, s’kishin si mos shfrytëzonin “folenë” e fitores që me dorë të vet ua ndërtoi PDK-ja, e cila doli me kandidat që me të vërtet kishte zë të lartë, aq të nevojshëm për mitingje dhe i dinte gjitha dështimet e kundërshtarit të vet, por të cilit askush nuk i kishte treguar me kohë se politika të lejon që kundërshtarin ta shohësh me syrin e keq dhe nënçmues, por vetëm nëse vetveten nuk e merr mësysh duke e shikuar me syrin e vetëpëlqimit dhe të mbivlerësimit.

      Prishtina e pas zgjedhjeve vendore nuk është gjithaq e ngarkuar me analizat e humbjeve dhe fitoreve partiake. Dhe nëse hasni në analistë të tillë, do vëreni se analizat e tyre i përshkon një qetësi dhe humor i cili mbase shprehë atë më të rëndësishmen: urtësinë e  njerëzve që kanë kaluar shumë beteja që të vijë dita kur vetë do zgjedhin dhe do vendosin për fatin e tyre. Pra, këto analiza nuk kanë egërsinë e Tiranës dhe euforinë e Shkupit shqiptarë, ku gjithmonë fajtori kërkohet larg vetvetes. Pastaj, Prishtina e paszgjedhjeve u lejon edhe të ardhurve nga trojet tjera shqiptare ta thonë të veten. Mbase shkaku se ajo e ka ruajtur atë shpirtgjerësinë shqiptare që e kanë humbur disa vise tjera tona. Apo mbase shkaku se aty ende vlen parimi: Partinë mund të ma shash e njollosësh, por burrërinë nuk guxon të ma prekësh e të ma përbuzësh. Dhe duke iu përmbajtur këtij parimi, jo vetëm Prishtina, por e tërë Kosova, votoi më qetë se në cilën do hapësirë tjetër shqiptare. Madje edhe kur atyre ua përmend incizimet nga Gjakova ku shihen votuese të cilave nuk u mjafton vetëm një fletëvotim, kur u thua se mijëra gjakovarë kanë protestuar në shenjë revolte për manipulimin e zgjedhjeve, prishtinasit mbase e kuptojnë dëshirën e të ardhurit që edhe zgjedhjeve kosovare t’ua vish petkun e atyre të “shqipërive” tjera,  andaj përgjigjen: Po, ndoshta edhe ka pasur raste të tilla në Gjakovë, por nga filmimet e fshehta  shihet qartë se edhe gjakovarët nuk lejuan ta njollosin burrërinë kosovare dhe Mimozës votat nuk ia vidhnin burrat e partisë, por gratë e burrave të partisë kundërshtare. E kur bëhet fjalë për Gjakovën, thuajse të gjithë pajtohen se atë e gjunjëzoi LDK-ja, e cila gjatë dy mandateve sa drejtonte këtë komunë, mbase veproi sipas bindjes se kur udhëheqësit hanë mish e populli lakër të tharët turshi, mesatarja del se të gjithë ushqehen me sarma.

      Se Prishtina jeton mes vrullit rinorë dhe nostalgjisë së  të moshuarve, mund ta vëreni edhe nëse i vizitoni kabinetet qeveritare të Kosovës. Në ato kabinete do shihni plotë të rinj të shkolluar që u asistojnë ministrave të PDK-së dhe plotë të ardhur nga e djeshmja që i këshillojnë ata të LDK-së. Dhe pasi ta vëreni këtë, nuk ka si mos e pyetni veten se si ia del Kryeministri i Kosovës t’i harmonizojë vrullin dhe nostalgjinë. Apo, si i ardhur nga Maqedoni, nuk ke si mos thuash: pse Ali Ahmeti nuk i viziton ish bashkëluftëtarët e vet, që ta kuptojë se ku qëndron dallim mes PDK-së të dalë nga lufta e 1999 dhe BDI-së që e polli konflikti i 2001. Pra të sheh se duke i hapur dyert për vrullin rinorë, udhëheqësit e PDK-së dëshmuan se bëjnë parti për gjithë kosovarët e jo vetëm për ish komandantët e luftës, përkundër Ali Ahmetit i cili e bëri të kundërtën: partinë e shndërroi në pronë të atyre cilëve askush nuk mund t’ua mohojë trimërinë, por që u mungon mençuria politike.

        Është mirë që Prishtinën e pas zgjedhjeve vendore ta vizitojnë të gjithë ata që duan ta kuptojnë se kur çiftohet vrulli rinorë me nostalgjinë e të moshuarve, lind një racionalitet politik që të çon të kuptosh se ka diçka që qëndron mbi interesin dhe përfitimin partiak: interesi i shtetit dhe ai i gjithë qytetarëve. Mbase këtë Kosova e ka kuptuar më mirë se të gjitha “shqipëritë” tjera, gjë të cilën do e dëshmojë vetëm nëse edhe në rrethin e dytë zgjedhorë çdo gjë do kalojë ashtu siç i ka hije një populli të civilizuar. Dhe pasi ta kalojë edhe këtë sprovë, Prishtinës zyrtare do i mbetet edhe detyra ta lajë borxhin ndaj atyre qindra mijë mërgimtarëve kosovarë që e mbajtën gjallë Kosovën deri sa ajo ëndërronte të votojë për vetvete. Pra t’ua mundësojë votimin edhe atyre që me dekada investuan djersën e vet dhe e ushqyen shpresën pa të cilën Kosova nuk do mund ta ecte rrugën e gjatë që e solli këtu ku ndodhet sot.

Kim Mehmeti
https://kmehmeti.com