Fatmira Nikolli
07/11/2009 – Gazeta Shqiptare
Ju promovuat dje në Tiranë librin "Fara e bimës së keqe". Cila është domethënia e këtij libri për ju?
Kam qenë në Berat dhe u befasova sepse unë nuk e besoja se atje njerëzit më lexonin aq shumë, e se më njihnin aq shumë. E njëjta gjë ndodhi në Tiranë. Ne andej themi shpesh se, nëse ta jep certifikatën Tirana se je dikush, ajo do të thotë se je, sepse në fund të fundit nuk mund të gënjej veten se jam dikush pa qenë. Tirana është piemonti ynë kulturor, edhe Prishtina, janë piemontet tona të intelektit, gazetarisë, të publicistikës dhe kur të pranojnë këto dy qendra, në një farë mënyre do të thotë se ke arritur diçka. Ne gjithë jetën punojmë që të arrijmë diçka, të realizohemi në jetën tonë. Libri që u promovua në Tiranë, "Fara e bimës së keqe", është një libër ku përmblidhet publicistika ime që është botuar në media të ndryshme. Gëzohem kur kam disa dëshmi të vogla që ia kam arritur të komunikoj me ato tekste edhe me lexuesin shqiptar në Shqipëri. Në 80 për qind të atyre teksteve trajtohen problemet e shqiptarëve në Maqedoni, por kjo do të thotë se ato probleme janë bërë të kuptueshme për shqiptarët këtu në Shqipëri. Pozitivitetin e atij libri unë e shoh nga ky këndvështrim. Ne kemi filluar t’i kuptojmë problemet tona shqiptare kudo që janë. Unë kam hasur njerëz që nuk e dinin se ka shqiptarë në Maqedoni. Pra ne, fazën e vetënjohjes e kemi kaluar, tashmë po e tejkalojmë, e tani vjen faza e komunikimit tonë normal. Ne mund të jetojmë në pesë shtete të Ballkanit, mirëpo ne duhet ta ndjejmë më mirë shqiptarinë, duhet të jetojmë në kufirin tonë etnik që kemi, pa marrë parasysh se unë si qytetar jam qytetar i Maqedonisë. Derisa nuk forcohet Shqipëria, e derisa Kosova nuk etablohet mirë si shtet, unë nuk mund ta kem mirë. Duhet të dimë se në Ballkan, ne mund ta kemi mirë nëse të tjerët e kanë keq, sepse ne do ta kemi ose të gjithë mirë, ose të gjithë keq. Kjo vlen për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Është iluzioni se Shqipëria mund të ndërtohet e të stabilizohet si shtet, edhe nëse ne shqiptarët e Maqedonisë nuk i arrijmë qëllimet tona në Maqedoni.
Kur thoni se duhet të jetojmë në kufijtë etnikë, çfarë nënkuptoni?
Në kufijtë etnikë, në vetëdijen etnike se Shqipëri është deri aty ku ka shqiptarë, por jo në kuptimin e rrënimit të shteteve, në kuptimin e vetëdijes kombëtare. Politikanët tanë gjithë kohës flasin për anëtarësimin në BE. Në BE, e para që bëhet është se hiqen kufijtë mentalë, ato që i kemi në mendjen tonë, ngarkesa që na i la pas nesh sistemi socialist. Ne shqiptarët kudo që jemi njëherë duhet të fshijmë këta kufij mentalë, duhet të kuptojmë se shqiptari është shqiptar edhe në Maqedoni, edhe në Luginën e Preshevës, edhe në Shqipëri. Pas fshirjes së këtyre kufijve, ne do e lehtësojmë komunikimin mes nesh, por edhe me të tjerët. Ne shqiptarët e Maqedonisë, me maqedonasit etnikë, shqiptarët e tjerë, me ata me të cilët bashkëjetojnë. Ky është parakusht. Ndaj ky nuk është kundër idesë europiane. Ne duhet të ribëjmë vetëdijen, jo të ribëjmë shtetet.
Nënkryetari i BDI-së, Rafiz Haliti ka deklaruar para pak ditësh se shqiptarët do të integrohen "me ose pa" maqedonasit në NATO e BE. Ju si e komentoni këtë deklaratë të tij?
Ajo është në radhën e deklaratave absurde. Unë nuk e di se si mundet një njeri nga një tren të quajtur Maqedoni, të mund të ndajë vetëm vagonin e shqiptarëve dhe atë, me të shtyrë ta çojë deri në Bruksel. Kjo mundet nëse i ndan shqiptarët e bën një shtet tjetër. Mirëpo nuk mundet për aq kohë sa qëndrimet e përfaqësuesve të ndryshëm të BDI-së janë të ndryshme. Ata thonë se përkrahim konceptin unikal të Maqedonisë, mirëpo nga ana tjetër mund të shkojmë në BE edhe pa maqedonasit. Do doja të më shpjegonin si? Kur lokomotiva që duhet të shkojë atje është Maqedonia e tillë siç është, si shtet multietnik, e jo si shoqëri multietnike, sepse dy konceptet kanë dallim. Të gjitha shoqëritë janë multietnike, mirëpo që një shtet të ndërtohet si multietnik, duhet të ketë institucionet multietnike. Unë mendoj se kjo është në frymën e shumë parullave populiste, me të cilat duan të arrijnë efekt. Them se BDI-ja tani është e kapur në rrjetën e antishqiptarisë dhe antiperëndimizmit së Gruevskit, e do që ta shpërndajë disi këtë mëkat, por ai nuk shpërndahet. BDI-ja ka shumë mëkate.
Është një lloj ngjashmërie me Poncin Pilat, po lan duart, doni të thoni ju?
Them se ata përballen me mëkatet e gabimet e veta. BDI është tashmë në rrjedhën e gabimeve të veta, sepse ajo bëri koalicion me një parti antishqiptare, që në gen e ka antishqiptarizmin e të cilin e fsheh dhe pret rastin kur mund ta manifestojë. Nga ky këndvështrim, realizohet vetëm antiperëndimizmi e asgjë tjetër në Maqedoni. Ky shtet mbeti peng i një politike proserbe, sepse ajo është një republikë e dytë proserbe në Ballkan, sepse është një filial i mirë i politikës serbe e këtë e dëshmon edhe Akademia e Shkencave. Nga ana tjetër, është shoqëria shqiptare që sinqerisht angazhohet që të jetë pjesë e BE-së dhe e NATO-s. Pjesa maqedonase ka edhe krizë të identitetit e ky është problem i madh. Njëherë thonë se kanë prejardhje sllave e njëherë tjetër se janë pasardhës të maqedonasve etnikë. Për fat të mirë, ne nuk i kemi këto dilema. Unë si qytetar i Maqedonisë jam i gatshëm t’iu jap kohë që ta zgjidhin këtë krizë identiteti, por nuk iu jap kohë pafundësisht, se unë nuk dua të mbetem peng i dilemave të tjetrit. Veçanërisht jo në rrethana kur lumi global është i qartë se nga rrjedh, sepse ai e ka ndërtuar shtratin e vet dhe nuk mund të ndryshohet, e sidomos prej nesh, popujve të vegjël. Kemi dy zgjidhje, ose të mësojmë të notojmë nëpër atë lumë, ose të mbytemi, e unë nuk dua të mbytem, sepse këtë nuk ia uroj asnjë kombi.
Në librin "Farë e bimës së keqe" është botuar publicistika juaj. Kjo publicistikë, a ka një linjë kryesore, apo trajton tema të ndryshme?
Temat janë ato të ditës, mirëpo unë mundohem që në tekstet e mia të merrem rrallë me njerëz të veçantë, sepse më interesojnë fenomenet. Më ndihmon intuita e shkrimtarit dhe nuk dua të merrem me komentimin e asaj që ndodh. Dua të paralajmëroj atë që do të ndodhë. Nuk jam për art të angazhuar, por jam për krijues që mund të angazhohen në rrethana të atilla kur nuk duhet lënë çdo gjë në duar të politikanëve. Duhet të marrim përgjegjësinë tonë, në mos më shumë, përgjegjësinë e njerëzve të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm për fjalën publike që themi. Unë nuk e kam qëllim dhe target timin, por kam lexuesin dhe nuk pres ndonjë efekt tjetër përpos, të nxiturit pyetje e dilema. Duhet të kundërshtojmë në atë mënyrë që të mos bëhet zhurmë, ku të gjithë flasin e asnjë nuk dëgjon. Ne jetojmë në fazën kur të gjithë flasim e asnjë nuk dëgjon. Fjala e fortë vret, shkatërron njerëz, kafshon më shumë se gjarpri dhe kafshimi është më i dhimbshëm se çdo kafshim tjetër. Kjo është filozofia mbi të cilën qëndron publicistika ime.
A mund të quhet ky libër, një përmbledhje e profecive tuaja, përderisa ju thoni se paralajmëroni për ato që do ndodhin?
Nuk mund të përdor atë fjalë, se është shumë e madhe dhe më trishton. Nuk dua të jetë publicistikë që paralajmëron, por unë paralajmëroj bindjen time, për shembull, se si e shoh unë rrugëtimin e shqiptarëve. Mburrem që ngandonjëherë ia qëlloj. Unë ndjehem keq kur ndodhin gjërat e këqija që paralajmëroj. Ne shqiptarët e Maqedonisë nëse vazhdojmë me fragmentarizimin tonë për shkak të partive politike, ne do kemi parti politike për çdo qytet maqedonas ku ka shqiptarë. Ky është qëllimi i disa subjekteve antishqiptare në Maqedoni, se ai të bën të vogël, që grindja të jetë më e madhe, sepse sa më të vegjël të jemi, zhurma është më e madhe, dhe manipulimi bëhet më i lehtë.
Par pak kohësh u botua Enciklopedia maqedonase, e cila ngjalli debat për shkak të termave që përdori për shqiptarët. Ndërkohë, vetëm para pak ditësh botohet "Enciklopedia filmike", ku thuhet se aktori Bekim Fehmiu është aktor serb. Një enciklopedi pas një tjetre, pas gjithë debatit që u ngjall. Si e shihni këtë problem?
Qarqet politike antishqiptare në Maqedoni veprojnë sipas parimit "mirupafshim deri në provokimin e radhës". Madje kjo funksionon si valët e lumit, kur mbulojnë njëra-tjetrën dhe ne rendim pas tyre. Jam dhe do të mbetem ithtar i idesë që këtë mund të ta bëjnë kur e shohin se nuk ke koncept të qartë për vetveten. Ku e kanë shqiptarët enciklopedinë e artistëve të vet? Ne nuk duhet vetëm të shohim se çfarë bëjnë të tjerët, por duhet të shohim se çfarë bëjmë ne. Shumë herë bashkohemi me njëri-tjetrin kur dikush na vihet kundër, e më vjen keq që bashkohemi vetëm në të tilla raste, pra që ne na "bashkoi" enciklopedia maqedonase. Është edhe tragjike që ju të shtroni pyetjen se ku qëndrojmë ne në sferën e enciklopedisë e të historisë. Pse ne duhet të na e shkruajnë të huajt historinë? Dikush mund të më quajë mua edhe pjatë, por unë jam ai që jam dhe unë e di se kush është Bekim Fehmiu. Unë qëndroj mirë dhe nuk kam dilema. Por vlen edhe parimi se, njeriut të famshëm të gjithë i bëhen dajallarë. Jo rastësisht në Ballkan çdo hero "ka" tri origjina, ka dajallarë në çdo fshat, madje fshatrat pretendojnë se këtu ka pas dashnore, këtu ka fjet etj. Kjo është sëmundje e gadishullit, ndaj s’duhet të merremi me këtë. Enciklopedia nuk ishte fare projekt shkencor, ishte ofendim e shovinizëm. Këtij të fundit s’mund t’i përgjigjesh me shkencë, por me instrumente politike. Pse politikanët nuk kërkuan dorëheqje të ministres së Kulturës, pse nuk i kërkojnë llogari kryeministrit, pse rrinë në një qeveri që financon projekte antishqiptare? Maqedonia funksionon si shteti i dytë serb, është një Serbi e vonuar. Por nëse serbët janë të zgjuar, këta janë budallenj. Akademikët serbë janë shovenë, por të mençur, ndërsa këta janë budallenj e ua merr vesh lojën përnjëherësh. Serbëve jo, sepse ata i paketojnë gjërat në një mënyrë që të jetë e vështirë t’i zhveshësh. Atë që shkruhet për Bekim Fehmiun mund ta komentosh me një nënqeshje. Ai popull që përvetëson, është i mjerë sepse dëshmon se nuk ka asgjë.
A nuk vlejtën asgjë kritikat dhe debati ndaj enciklopedisë së parë?
Kam bindjen se populli maqedonas do të formohet si popull vetëm për inat të shqiptarëve. Asnjë nuk pasurohet me vjedhje, e historia nuk arnohet me vjedhje. Nuk jemi më në kohën kur shpejtësia e informacionit është e barabartë me atë të gomarit të ngarkuar. Jemi në kohën e internetit. Nëse hapim internetin e kërkojmë informacione për Bekim Fehmiun, na dalin shkrime anglisht për origjinën e tij. Të tilla ka pasur edhe për mua. Ka pasur pyetje nëse shkrimtarët që shkruajnë në gjuhën maqedonase, cilës letërsi i takojnë, asaj maqedonase, apo shqiptare? Unë kam qenë i qartë dhe kam thënë se unë shkruaj edhe shqip, edhe maqedonisht. Është e vërtetë që krijuesin e përcakton se cilës letërsi i takon gjuha. Unë i takoj letërsisë sime shqiptare sepse shkruaj në të, por nuk kam përse ndihem keq se e përvetësoj edhe një gjuhë tjetër.