Back

Mos e lagni shiun?!

Kim MEHMETI

Shqiptarëve të Maqedonisë do të duhet dikush njëherë t’ua thotë të vërtetën e madhe se për pozitën në të cilën janë nuk kanë faj as vetëm partitë e tyre, as vetëm liderët partiak që vijnë e shkojnë, as vetëm pala maqedonase, as vetëm Prishtina e Tirana zyrtare me inferioritetin e tyre që të mos i kundërvihen Shkupit zyrtarë edhe atëherë kur përbuzë çdo gjë shqiptare në këtë shtet. Pra shqiptarëve të Maqedonisë duhet dikush hapur t’u thotë se edhe gjatë kohë do jenë në këtë pozitë në të cilën janë, sepse ata ende jetojnë periudhën e demokratizimit të tyre të varur në dy telat e çiftelisë. Pra, shqiptarëve të Maqedonisë dikush duhet t’u thotë hapur se ata nuk gabojnë pse ujit ende i thonë ujë, e bukës bukë, por pse prijësit politik i thonë babë dhe ia lejojnë të gjitha që babai t’i bënë pa të pyetur. Shqiptarëve të Maqedonisë duhet t’u thuhet hapur se janë popull që e ka të dobët boshtin kurrizor që e përbëjnë elitat me guximin qytetar që të pavlefshmen ta quajnë me emrin e vërtetë dhe të vlefshmes t’ia thonë mbiemrin që bartë. Pra, shqiptarëve të Maqedonisë duhet dikush t’u thotë hapur se janë këtu ku janë ngaqë kanë shumë trima që meritojnë t’u thurësh këngë popullore, por nuk kanë as dhjetëra profesor, e as qindra studentë të guximshëm, të cilët, do dalin rrugëve të qytetit me dy universiteteve dhe, të qetë, në mënyrë të civilizuar, në ditën e inaugurimit të Gjorgjisë, do i thonë presidentit shqiptarë Bamir Topit, se në çastin kur do të shkel mbi qilimin e kuq që e çon drejtë parlamentit të Maqedonisë, ai në të vërtet ka shkelur mbi vullnetin politik të shqiptarëve të këtushëm, e të cilët e bojkotuan zgjedhjen e Ivanovit për president të shtetit.


         Se shqiptarët e Maqedonisë ende nuk kanë bërthamën minimale të opinionit kritik, u pa shumë qartë gjatë ngjarjeve që ndodhën viteve të fundit, siç ishte rrahja e studentëve nga truprojat e prijësve partiak të PDSH-së, e kur nuk reaguan as studentët as profesorët. Apo siç ishte kërkesa e para ca ditëve e liderit të BDI-së drejtuar gazetarëve të këtushëm shqiptarë që të mos “ e politizojnë” mosftuarjen e Sejdiut në ceremoninë inauguruese të Ivanovit, e kur askush nga gazetarët nuk i tha se, sikur mos ishin lojnat politike që BDI-ja i bëri me VMRO-DPMNE-në askush nga ne nuk do e dinte se në Maqedoni jetuaka edhe ndonjë Gjeorgji, që tani është bërë president. Pra askush nuk i tha liderit të BDI-së se kërkesa e tij të mos politizohet diçka që është fryt i politikës, është njësoj sikur të kërkosh që dikush të mos e lag shiun.

 

          Është e vërtetë se politikanët me vizion ngandonjëherë duhet të veprojnë ndryshe nga ajo që u thotë populli. Pra, është vërtetë se politikani me vizion shpeshherë bëjnë lëshime sot për një të ardhme më të mirë për popullin e vet. Por, pa dyshim se asnjë politikan i përgjegjshëm nuk guxon të flijojë as të sotmen, as të ardhmen e popullit të vet, në emër të së mirës personale të një grusht profiterësh partiak. Andaj dhe duhet dikush t’u thotë hapur shqiptarëve të Maqedonisë se e ardhmja e tyre e është e rrezikuar ngaqë të sotmen e ndërtojnë vetëm sektet partiake, të pa rrezikuara nga mendimi kritik që lëvizë popullin. Mendim që i ndihmon popullit të kuptojë se një kolektivitet që nuk ka guxim të mirës t’ia thotë emrin që ka e të keqes mbiemrin që bartë, ai popull një ditë humbë besimin në vetvete.

    

          Nuk ka dyshim se ka ardhur koha kur dikush hapur duhet t’u thotë shqiptarëve të Maqedonisë të mos presin shumë nga Tirana dhe Prishtina zyrtare. Sepse Prishtina për fat të keq është në pozitën e protektoratit klasik, e Tirana është zënë keq nga lidhjet “biznes-demokratike” të disa demokratëve të atjeshëm me disa atdhetarë të këtushëm. Andaj shqiptarët e këtushëm nuk duhet të habiten pse Bamir Topi nuk përfillë vullnetin e tyre dhe pranoi ftesën e Ivanovit të merr pjesë në ceremoni e inaugurimit të tij. Topi nuk e përfill vullnetin e shqiptarëve të këtushëm sepse ai nuk e ndjen peshën e të qenurit president i shtetit që në njëfarë mënyre përfaqëson edhe shqiptarët e këtushëm, sepse Topi është aq“properëndimor” dhe i angazhuar për “stabilitetin” e rajonit, sa do pranonte të merrte pjesë edhe në ceremoninë në të cilën Ivanovi hapur do thoshte se Maqedonia nuk ka nevojë për shqiptarinë pro NATO-së dhe pro BE-së, por për Serbin pansllaviste.

 

            Shqiptarëve të Maqedonisë duhet dikush t’u tregoj hapur se ata janë edhe viktimë e “proprendimizmit” të tepërt të politikanëve shqiptarë. Se politikanët shqiptarë kanë kompleksin e fëmijës që dikush mund ta fajësoj se i pari është grindur me shokët e vet. Dhe mos e bëftë Zoti ata të bëhen populistë si politikanët e popullit serb dhe atij maqedonas. Mos e bëftë Zoti që edhe te politikanët shqiptarë të mbisundojë mendësi e shekullit të 19 e “varreve, gjakut dhe tokës” së të parëve. Por, dhëntë Zoti që politikanët e mëmëdheut të mësojnë nga pak nga liderët e shteteve përreth, që e respektojnë zërin e popullit që jeton jashtë kufijve të shtetit amë. Dhëntë Zoti që Topi një ditë e më parë e kupton pse ishte i ftuar në inaugurimin e një presidenti, i cili në programin e tij për tu bërë kryetar i gjithë qytetarëve të Maqedonisë, nuk ka përmendur as shkronjën e parë të popullit të këtushëm shqiptarë. Pra dhëntë Zoti që Topi e Sejdiu një ditë e më parë e kuptojnë se sikur mos ishin këta shqiptarë që janë në Maqedoni, Gjeorgjia ata do i ftonte në festën e vet inauguruese aq sa do ta ftonte Mbretëresha e Anglisë në festimin e ditëlindjes së saj autorin e këtij teksti. Por, mos të të ftojë në festat e veta Mbretëresha e Anglisë është nderë, e të të ftojë Gjeorgjia të cilin nuk e do populli yt, është përbuzje.
Shqiptarëve të Maqedonisë shumëçka duhet thënë hapur. E mbi të gjitha duhet t’u kumtohet se janë shumë larg të faktorizimit të duhur aty ku jetojnë. Duhet t’u thuhet hapur shqiptarëve të Maqedonisë se edhe gjatë kohë ata do të mbeten këtu ku janë ngaqë demokracisë së tyre të çiftelive me dy tela, i mungon solo këndimi i atyre që i dallon guximi qytetarë. Dhe duke qenë këtu ku janë, ata edhe shumë vite do dëgjojnë politikanë që do kërkojnë nga populli të mos e lagë shiun. E çka më së qarti dëshmon se shqiptarët e këtushëm ende nuk e kanë kuptuar se kur bie shi nuk duhet të pyesësh cilin ai lagë, por duhet të hapësh kanale që ujin të shkojë drejtë mullirit tënd.