Back

Në mes të populizmit dhe paaftësisë

Populizmi është emërtim i lëvizjes letrare franceze, e cila frymëzohej nga dashuria ndaj popullit, e që kishte për qëllim të shpaloste jetën e popullatës dhe kuptimin e asaj jete. Këtë lëvizje e kanë përfaqësuar krijues me shpirt revolucionarë, të gatshëm t’i flijojnë dhuntitë e veta në tempullin ku vlerat personale viktimizohen për të mirën kolektive. Pra, kjo lëvizje është udhëhequr nga gatishmëria e krijuesve, që aftësitë krijuese t’i vënë në shërbim të shpalosjes së të vërtetave jetësore të popullit të tyre. Por, në politikë, ky emërtim ka kuptim krejt tjetër: ka të bëjë me politikanë që vuajnë të jenë të dashurit e popullit dhe të verbëruar nga kjo vuajtje, ata janë të gatshëm ta flijojnë popullin në emër të famës së tyre politike dhe për të mbetur përjetë në pushtet.

Andaj, nëse krijuesit populistë kanë pasur për qëllim shpalosjen e të vërtetave jetësore të popullit të tyre, politikanët populistë kanë qëllime krejt të kundërta: të vërtetën për jetën mjerane të njeriut të rëndomtë dhe pasionin e vet për të mbetur përjetë në pushtet, ta mbulojnë me mjegullën e iluzioneve të rrejshme. Kështu që, dallimi mes të parëve e të dytëve, është aq i madh e aq i thellë, sa janë të largëta mes vete mburrja dhe turpi, saqë është e largët krenaria e atyre që dikur janë quajtur krijues populistë dhe turpi që duhet ta ndiejnë ata që sot emërtohen si politikanë populistë. 
Gjatë historisë më të re të këtyre hapësirave, shumë herë është treguar se mjegull më e dendur e populizmit politik, se mbulesa më e mirë e të gjitha paaftësive dhe papërgjegjësive politike, është nacionalromantizmi.

Por, gjithashtu, është dëshmuar se nacionalromantizmi është kalë i ngutshëm, i cili të ngjit shumë shpejt në lartësitë marramendëse të suksesit të përkohshëm politik, por ai kalë assesi nuk di të të zbresë nga ato lartësi dhe në të shpeshtën e rasteve, rrokulliset teposhtë së bashku me kalorësinë e vet. Kjo u pa në mënyrë shkollareske me nacionalromantikët e vonuar të Ballkanit të para disa viteve, si për shembull me populizmin që e promovoi Millosheviçi famëkeq, i cili ia doli të fusë në mjegullën e mitomanisë pjesën dërrmuese të popullit serb, të grumbullojë nëpër mitingje me qindra mijëra mbështetës që kërkonin t’u shpërndanin armë për të realizuar të pamundurën – iluzionin nacionalromantik, që arriti një dekadë me radhë t’i fitojë zgjedhjet kundër të gjithë kundërshtarëve të vet politik dhe që ia doli t’i çonte të gjitha mediat t’i këndonin këngë adhurimi e trimërie, por që përfundoi i vetmuar në qelinë e Burgut të Hagës. 
Por, Ballkani kurrë nuk ka qenë mësues i mirë nga lënda e historisë dhe e politikës.

Apo mbase fajtorë janë nxënësit e shkollave të këtushme politike, të cilët çdo gjë e kuptojnë mbrapsht, andaj, posa fillojnë të merren me politikë, ia nisin ndërtimin e përmendores së lavdisë së tyre, duke harruar se ajo duhet të qëndrojë mbi bazamentin e fortë të veprave që lënë pas vetes, e që kanë të bëjnë me shtetin që drejtojnë. Një ndër këta nxënës të shkollave politike ballkanase, është edhe Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, të cilit nuk i rri aq mirë petku populist e nacionalist. Edhe atë jo vetëm pse është shumë i vonuar, jo edhe pse pas vetes ka popull që numerikisht nuk e tejkalon numrin e prostitutave që kanë metropolet e Europës, por ngaqë shteti shumetnik që ai drejton, natyrshëm e aborton çdo projekt një etnik. Por, edhe si i tillë, Gruevskit nuk duhet t’i mohohet një e arrirë: ia doli që edhe partitë shqiptare t’i bëjë pjesë të projekteve të VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe t’i përfshijë edhe ato në politikëbërjen e mbështetur mbi ndërtimin e shesheve dhe ngritjen e përmendoreve, edhe atë në kohë kur qytetarët e Maqedonisë e ndërtojnë përmendoren e varfërisë dhe mjerimit të vet ekonomik. 
Kur bëhet fjalë për populizmin dhe nacionalromantizmin maqedonas, të cilin e ushqejnë dhe i prijnë pushtetarët e sotëm maqedonas, duhet pasur parasysh se farën e kësaj bime ata e mbjellin në arë pjellore: mes popullit që në librin amzë të të lindurve është regjistruar që nga vitet e pas Luftës së Dytë Botërore.

Por, atyre nuk u përshtatet vetëm ara, për këtë u ndihmon edhe klima politike: mospasje pandan politik shqiptar që do t’i pengonte të mbillnin farën e bimës populiste në fillim të shekullit të njëzetenjë dhe në një shtet me përbërje shumetnike e shumëreligjioze. Arën populiste të Gruevskit e bën të jetë pjellore edhe bindja e tij e saktë, se bashkësisë ndërkombëtare nuk do t’i lejojë të dështojë projekti i saj i quajtur Maqedoni shumetnike. Andaj, kur e shumëzon përshtypjen se liderët e partive të këtushme shqiptare ia kanë zili heroit të ardhur nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, me mosngutjen e bashkësisë ndërkombëtare që ta disiplinojë miun që ëndërron të bëhet luan, e fiton numrin e shqiptarëve të dëshpëruar, të cilët e kanë humbur besimin në partitë e tyre politike dhe që vështirë se do gjejnë ndonjë motiv t’u drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Dhe mbase ky motiv do t’u mungojë atyre edhe sikur Brukseli ta shpallë Ali Ahmetin hero të pashoq sa i përket durimit e pritjes dhe si prototip të liderit modern partiak që ka arritur të pamundurën, e që mbase mund të arrihet vetëm në botën shqiptare: të ndërtosh karrierë politike duke përsëritur vetëm një frazë – atë për përkushtimin e partisë së tij, që Maqedonia sa më shpejt të anëtarësohet në NATO dhe në BE. Me çfarë ke përshtypjen se kryesuesit e BDI-së nuk janë përfaqësues të shqiptarëve të këtushëm, por të deleguar të NATO-së për zgjerimin e saj në Ballkan dhe euroambasadorë që kanë për detyrë ta regjistrojnë e të raportojnë drejt për situatën politike në Maqedoni. 
Duke qenë Gruevski Kryemjeshtri i lojës populiste, e BDI-ja vëzhguese pasive e lojës së tij, shqiptarët e këtushëm erdhën në pozitë të ndihen si të ngulfatur nga kthetrat e nacionalromantizmit të VMRO-DPMNE-së.

Dhe duke u ndier ashtu, ata as që vërejnë se edhe parimi i Badenterit është zbehur po aq sa e tërë Marrëveshja e Ohrit. Andaj edhe nuk e pyesin BDI-në pse miratimi i buxhetit të shtetit, apo rebalanci i tij, nuk votohet sipas këtij parimi – edhe me votat shumicë të parlamentarëve shqiptarë? Pra, ata nuk e pyesin Ali Ahmetin se cili ligj është më i rëndësishëm për mbrojtjen e qenies kombëtare, se ai që ka të bëjë me ndarjen e buxhetit të shtetit? Dhe duke mos shtruar këtë pyetje, shqiptarët e këtushëm nuk ia dalin të shohin pse Gruevski ka filluar të bëhet më dorëlirë në ndarjen e mjeteve për sheshet “shqiptare” në formë të garazheve nëntokësore dhe për përmendoret e BDI-së. Pra, ata nuk ia dalin të shohin se dorëlirësia e tij ndaj shesheve “shqiptare” ka të bëjë me mbulimin e harxhimeve anormale për ngritjen e përmendoreve të veta dhe për teleferikun që do t’i çojë shqiptarët shkupjanë deri te kryqi në Vodno. Dhe duke mos e parë këtë, shqiptarët e këtushëm nuk e hetojnë qëllimin pervers të Gruevskit: ai do të arrijë të pamundurën – që populizmit të vet t’i japë ngjyra shumetnike. Këtë do ta arrijë duke e ndarë atë me BDI-në dhe duke paguar një çmim aq sa kushton një çarçaf në dhomën e kompletuar të fjetjes.