Back

Në pritje që të pjellë mushka

Shkruan: Kim Mehmeti

Maqedonia është një shtet, por që ka tri histori: atë që ia shkruajnë shqiptarët, historinë që e përpilojnë maqedonasit etnik që besojnë se kanë origjinë sllave dhe historinë e para disa viteve, të shkruar nga bashkëmendimtarët e Gruevskit, që duan të dëshmojnë se ata që veten sot e quajnë maqedonas, janë nipërit e Aleksandërit të Madh. Nga këto tri histori, shkollarët e Maqedonisë, qofshin maqedonas apo shqiptarë, e mësojnë vetëm atë të VMRO-DPMNE-së, të ndërthurur nga kaptinat e nacionalizmit maqedonas dhe të shkruara nga autorë që shkencëtarisht duan të dëshmojnë se maqedonasit e sotëm kanë mbirë në këto troje që ditën kur edhe kullosa e këtyre maleve dhe fushave. Pra, që duan të dëshmojnë se gjithë popujt tjerë që jetojnë në këtë shtet, janë pasardhësi të ardhacakëve që kanë punuar si shërbëtorë në mirëmbajtjen e livadheve ku kanë kullotur kuajt e të parëve të lavdishëm të popullit të sotëm maqedonas, i cli popull, duke udhëtuar drejtë të sotmes, diku e ka humbur letërnjoftimin e vet dhe sot nuk e dinë se cilët i ka gjyshër e cilët kushërinj.      

Maqedonia është shtet shumëreligjioz, por në të gjitha ceremonitë shtetërore, në të gjitha përurimet e objekteve publike, priftërinjtë ortodoksë janë ata që i qëndrojnë pranë kryeministrit Gruevskit dhe e bëjnë bekimin e objekteve që jepen në përdorim, e që janë ndërtuar edhe me paratë e myslimanëve. Maqedonia është edhe shet shumëkulturorë, por shenjë njohëse ka vetëm vlerat kulturore të etnitetit maqedonas dhe ka Ministre të kulturës, e cila ndaj vlerave shqiptare sillet siç i ka hije njeriut që e ka kuptuar se potenca e intelektualëve të këtushëm shqiptarë, është proporcionale me numrin e letrave anonime që “autorë të panjohur”, e bashkëpunëtorë të policisë, ua shpërndajnë të gjitha institucioneve, medieve shqiptare e maqedonase, duke dashur të dëshmojnë “tradhtinë” e të tjerëve dhe patriotizmin e vet. Me çka ata bëjnë vepër të pakontestueshme “patriotike” dhe e përmbyllin projektin antishqiptarë që ka për qëllim  të mos mbetet i panjollosur asnjë personalitet yni që ka bërë emër e mbiemër , që më në fund të mos dihet se kush në cilin sofër ushqehet, që të  gjithë të barazohemi mes veti, kështu që populli të mos e dijë cili është bard e cili i pafytyrë. Pra, Maqedonia është shtet multikulturorë, po pa dikaster të duhur në Ministrinë e Kulturës që do kujdeset për kulturat e etnive jomaqedonase dhe pa këtë dikaster në Ministrinë e Arsimit që do kujdesej për kualitetin arsimorë në gjuhët jomaqedonase.  

Në Maqedoni për çdo ditë ngrihen përmendore në shenjë lavdie të personaliteteve nga e kaluara maqedonase, por jo edhe nga ajo e historisë shqiptare. Dhe nëse ndodh të përurohet ndonjë përkujtimore nga e kaluara shqiptare, ajo dallon nga ato të Gruevskit jo vetëm për nga madhësia dhe pse nuk mund të vendoset në qendër të Shkupit, por se përmendoret e VMRO-DPMNE-së i financon shteti, e ato të shqiptarëve ngrihen me kontribut të vetë popullit të këtushëm shqiptarë. Dhe mbase Gruevski vepron kështu duke e keqpërdorur një vesë të shqiptarëve kudo që janë : se ata nuk i çmojnë të gjallët që vlejnë diçka, por çdo gjë flijojnë për të vdekurit e tyre. Dhe duke qenë të tillë, sa je gjallë ata të shpallin gomarë, e posa të vdesësh, bëjnë çmos që të të shpallin të vlefshëm dhe të denjë për të pasur përmendore. 

 Maqedonia ka shumë muze ku vizitorët mundë të ndërmendin të kaluara e këtyre trevave. Muzeve të këtushëm do u shtohet edhe ai i VMRO-DPMNE-së, që ndërtohet buzë lumit Vardar dhe atyre u është shtuar Muzeu i Lirisë i shqiptarëve, që ndodhet në një shtëpi të marr me qira. Këto dy muze, përpos që kanë të bëjnë me historinë e  dyfishtë etnike të këtij shteti, i dallon diçka e ngjashme me përmendoret: muzeu i VMRO-DPMNE-së ndërtohet edhe me parat e shqiptarëve, e ai i UÇK-së, apo i quajturi Muzeu i Lirisë, mirëmbahet vetëm me parat e shqiptarëve që duan të ruajnë kujtimin për të kaluarën e tyre kombëtare. Dhe duke qenë të tillë, përpos të kaluarës, këta dy muze shpalosin edhe të sotmen e këtyre dy popujve që vendosin për fatin e këtij shteti: të sotmen e privilegjuar të maqedonasve etnik  dhe atë të të nënshtruarat të popullit të këtushëm shqiptarë.  

                Maqedonia ka parti opozitare dhe parti qeveritare. Por përpos këtyre, ajo ka edhe parti të shënuar me simbolet etnike: maqedonase dhe shqiptare. Me këto parti etnike ajo ndërton shtetin e qytetarëve të barabartë. Dhe përderisa partitë maqedonase luftojnë me njëra tjetrën për ta marrë në duar pushtetin, partitë shqiptare ia hanë kokën njëra tjetrës vetëm për t’u bërë “vasal” që do kënaqet me pagën që do ua jep punëdhënësi (lexo: kryeministri) si shpërblim për punën e bërë: të  mbanë nën  kontroll dhe ta ushqen me shpresë popullin e vet shqiptarë. Kështu që, partitë shqiptare me asgjë nuk dallojnë mes veti: kur janë në opozitë, sa nuk ia kallin themelet shtetit që nuk i respekton të drejtat e shqiptarëve, e  posa vijnë në pushtet,  aq e dashurojnë dhe e pëlqejnë Maqedoninë të këtillë siç është, sa negativisht ndikojnë te maqedonasit etnik: i çojnë ata të mos e duan shtetin e të dyshojnë se mos vallë kanë bërë ndonjë gabim dhe kanë lejuar të bëhet “shqiptarizimi” i Maqedonisë.

  Maqedoni ka edhe polici shumetnike, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët. Por, shqiptarët mund të jenë vetëm polic dhe shefa “kukulla”, të cilët askush nuk i përfill nëse nuk i nënshtrohen kushëririt të Gruevskit. Kështu që ata kanë të drejtë të arrestojnë e të ndëshkojnë shqiptarë, por në çastin kur vetëgënjehen se janë dikush në MPB, kushëriri i Gruevskit  ua kurdisë lojën që vetë shqiptarët të mos u besojnë, e të kërkojnë ndihmë nga ndonjë “sasho”. Kështu që cilido shqiptarë i punësuar në MPB, e që beson se është i barabartë me shefat maqedonas, pra cili do shqiptar që donë të hyjë më thellë në “lojërat” policore, përfundon njësoj si edhe intelektualët e këtushëm që kanë dinjitet e burrëri: shërbimet sekrete, të ndihmuara nga shërbëtorët e vet shqiptarë që shkruajnë “letra anonime” , menjëherë e shpallin “spiunë” të dorës së parë. Pra bëhet  përzierja e plotë e  “spiunëve” dhe patriotëve, kështu që shqiptarët e këtushëm as që e dinë se kush në cilin shtrat bënë gjumë, e le më ta kuptojnë të vërtetën se të gjallët u ndërtojnë përmendore të vdekurve, jo vetëm për të shënuar lavdinë e  tyre, por edhe për të mbivlerësuar vetveten.

                Nga kjo pakë që u tha, shihet qartë se Maqedonia e sotme nuk ka shenjë njohëse mozaikun e saj shumë etnik, por portretin e etnitetit maqedonas. Dhe përderisa maqedonasit etnik gjithnjë e më shumë e sforcojnë pozitën e vetë shtetëbërëse dhe shtetsunduese, shqiptarët veprojnë sipas parimit: të humbësh pasurinë është fatkeqësi e madhe, të humbësh shëndetin është shumë  e dhembshme, por të humbësh shpresat – ke humbur gjithçka.  Andaj, përderisa maqedonasit etnik e bëjnë Maqedoninë sa më të “maqedonizuar”, shqiptarët atë e shohin si shumë shpresëdhënëse. E për këtë, atyre u ndihmon edhe Shqipëria amë, e cila nuk ka kohë të kujdeset për vetveten e le më për shqiptarët jashtë kufijve të saj. Pra, që të ushqehen vetëm me shpresa për të nesërmen më të mirë, shqiptarët e këtushëm i përkrahë edhe Shqipëria nënë, e cila assesi të del nga lloçi i zënkave ndërpartiak, ku është harruar edhe shenjtëria e familjes, e le më vlera shqiptare se burri të vret, por nuk ta njollos familjen. Ku është harruar ajo me çka me shekuj dallohej shqiptaria nga të tjerët: se ka fjalë që kurrë nuk t’i thotë burri, se ka thënia që të zhburrërojnë posa t’i thuash, apo posa dikush t’i thotë për ty. 

                Maqedonia pra ka shumëçka që e bënë të jetë më specifike se cilido shtet tjetër i Ballkanit. Ajo  ka edhe gazetari dygjuhësore: shqip e maqedonisht. Andaj edhe e vërteta për Maqedoninë përbëhet nga dy gjysmë të vërteta: ajo që për Maqedoninë e tregojnë mediat në gjuhën maqedonase dhe e vërteta për këtë shtet që e rrëfejnë ato në gjuhën shqipe. Diku në mes këtyre dy të vërtetave, ngulfatet realiteti politik i Maqedonisë së sotme, e cila është bërë pronë e partisë së Gruevskit, pronë të cilën ai e sundon i ndihmuar nga BDI-ja. Dhe si i tillë, ky shtet ka dy kategori qytetarësh: maqedonasit që shtetin e  ndjenë si pronë që u takon vetëm atyre dhe shqiptarët që shpresojnë se një ditë do bëhen bashkëpronarë të saj. Kështu që këtë shtet nuk mund ta definosh  as si shumetnik, as si shtet qytetarë, as si dyetnik. Pra nuk mund ta quash as “kal” as “gomar”. Mbase andaj edhe shqiptarët e këtushëm të ngjajnë në atë që pretë të pjellë ”mushka”.