Back

Ngutje

Shkruan: Kim MEHMETI

Shpesh më bëhet se për asgjë nuk kam kohë, se çdo ditë e kaloj në një ngutje të pafundme, se çdo javë e përcjell me ndjenjën se ajo nuk ka pasur shtatë ditë, por më pak se aq, se pas gjithë asaj ngutjeje nuk kam arritur askund. Apo edhe të filloj të dyshoj mos vallë më janë ngatërruar ditët. Por, gabim nuk ka: aty është edhe dita kur duhet ta dorëzoj shkrimin e javës për gazetën “Koha Ditore”, aty janë edhe ditët e tjera të mbushura me obligimet për të cilat më paguajnë, si edhe ato që i harxhoj me gazetarë që kërkojnë ndonjë deklaratë, apo intervistë. Ka kohë që unë vazhdoj të pyetem se kush m’i vjedh ditët, kush m’i shkurton javët e i bën ato të më zgjasin vetëm shtatë orë, kush m’i grabit muajt që më ngjasojnë sa një ditë e vetme. Dhe duke menduar për këtë, drejtoj shikimin nga ekrani televiziv dhe përnjëherë ndërmendem se ka orë të tëra që jam kthyer në shtëpi, por aty nuk i shoh as fëmijët, as gruan. Më shoqërojnë vetëm zërat që vijnë nga ekrani televiziv ku debatuesit acarohen, i përfshin një entuziazëm i paparë, i barabartë me atë të politikanëve që i mbrojnë, apo i kritikojnë. Duke dëgjuar britmat e debatuesve, unë përnjëherë e kuptoj se ajo është e mbrëmja e së enjtes, nata kur thuajse në të gjitha TV-të e Shqipërisë debatohet në tema të ndryshme, por me debatuesit e njëjtë.  Dhe përnjëherë nuk mendoj më për kohën që më kalon aq shpejt, as për tekstin që më pret ta shkruaj, por hamendem se vallë ka ende shikues që mund të jenë aq të pamëshirshëm ndaj kohës që u takon, e atë ta harxhojnë duke dëgjuar debate të tilla. Përgjigjen e kësaj pyetje ma jep im bir, i cili, kur e pyes si e ka kaluar ditën, më lutet që të mos e shqetësoj përderisa me vëmendje dëgjon ata që ofrojnë zgjidhje për “krizat politike shqiptare”, e të cilët një natë më parë, në një studio tjetër, debatonin për “shumimin e lepujve”.

Më në fund çohem, shkoj në dhomën time të punës, e mbyll derën dhe shtegtoj në botën time që ka kufij të caktuar, të pakalueshëm për anëtarët e tjerë të familjes. Me çka, jam aty, por i padukshëm dhe i largët për të tjerët, po aq sa edhe ata nga unë, sa edhe familjarët tjerë që janë mbyllur në dhomat e veta, e me të cilët na ndan nga një mur në mes, por në të vërtetë jemi të largët aq sa edhe botët në të cilat jetojmë. E unë ulem pranë tavolinës sime me po të njëjtën ndjenjë që nuk më shkëputet, se ne të pestit, që jetojmë nën atë kulm, gjithnjë e më rrallë komunikojmë mes vete, gjithnjë e më rrallë qeshemi apo ankohemi. Mbase shkaku se ne edhe nuk jetojmë me atë që kemi pranë, por me botën që na ofrojnë kufjet në vesh apo ekrani televiziv dhe ai i kompjuterit. Pra, të gjithë ne, banorët e asaj shtëpie, e jetojmë vetminë tonë të shoqëruar nga zhurma dhe pamjet të cilat na vijnë nga larg, që mund t’i kontrollojmë me telekomandë apo me tastierën e kompjuterit, ne jetojmë të shoqëruar nga zhurma dhe pamjet që na mësojnë të ndahemi edhe nga njerëzit më të afërt që kemi, duke na ushqyer me iluzionin se e kemi mposhtur vetmin dhe se jemi të vetëmjaftueshëm. Zhurmë dhe pamje që na pamundësojnë të kënaqemi me atë që jemi dhe atë që kemi dhe që na çojnë të lakmojmë tjetërsimin tonë. E me çka, vetmia bëhet edhe më shkatërrimtare, ajo na mposht, na bënë t’i ngjajmë njeriut që ka dhunti, që ka dëshirë për të jetuar, por pa vetëdije, të gjitha i ka flijuar dhe është bërë murg i përjetshëm i mbyllur në Manastirin e  Teknologjisë.

Dhe përderisa e ndez kompjuterin që të kontrolloj postën elektronike dhe përderisa ai i “zgjon” nga gjumi të gjitha programet e veta, unë gjithnjë e më bindshëm e ndiej se në atë shtëpi është mbyllur fort dera e komunikimit mes nesh, se nga dita në ditë, gjithnjë e më pak kemi çka t’i rrëfejmë njëri-tjetrit. Në dhomën time të punës nuk kam vetëm kompjuterin dhe raftet me libra. Aty është vendosur edhe një pjesë e së kaluarës sime dhe e familjes që më rriti dhe më drejtoi rrugës së plakjes. Pra, aty kam makinën e vjetër të shkrimit, disa enë të bakërta, në të cilat dikur gatuante nëna ime, gramafonin e vjetër që me aq mburrje e solla para shumë dekadash nga Gjermania, si edhe qindra pllaka gramafoni të blera anembanë botës. Mbi tavolinën e punës kam vënë edhe telefonin fiks familjar, i cili tani më askujt nuk i shërben, sepse që moti nuk ia kemi dëgjuar cingërimën dhe askush nuk na kërkon më në atë numër. Unë edhe nuk besoj se ndonjë nga të afërmit, apo miqtë tanë, ende e mban mend numrin e tij. Andaj, shpeshherë, për t’u bindur se nuk i është ndryshkur zilja, e formoj numrin e tij në celulari që kam dhe e dëgjoj cingërimën që më bëhet si e ardhur nga thellësitë e një kohe tjetër, si jehonë e gëzimit të largët kur shtëpia jonë e dikurshme u lidh me botën dhe kur prindërit e mi, më në fund, mund të bisedonin me motrat e tyre që i kishim larg në Turqi. Dhe më bëhet se e shoh babin si i rrotullon ngadalë numrat, pastaj si kujdesshëm e afron kufjen pranë veshit dhe pret ta dëgjojë zërin e përmallimit të vet. Ndërkohë, përderisa ndërmend ditët e largëta kur jetonim, gëzoheshim dhe hidhëroheshim më ngadalë se tani, përderisa ndërmend javët që kishin shtatë ditë të plota dhe ditët mateshin me orë që kishin gjashtëdhjetë minuta komunikim me vetveten dhe njerëzit që më donin dhe i doja, shikoj kah fotografitë e radhitura pranë makinës së shkrimit. Nga aty më shikojnë sytë e atyre që i pata pranë vetes, e që nuk do t’i kem kurrë më. Dhe sa herë që i shoh ato fotografi, më rëndon ndjenja e humbësit të madh, e atij që ka përjetuar humbje pas të cilëve nuk do mund t’i gëzohet asnjë fitoreje në jetë.

Të radhitura pranë makinës me të cilën dikur shkruaja, ato fotografi ngërthejnë në vetvete edhe fjalët që kurrë nuk u thanë dhe që nuk ia dola t’i shkruaj as në letër, as në ekranin e kompjuterit. Mbase, them në vetvete, njeriu një ditë do të shpikë edhe teknikën që e njeh gjuhën e ndjesive dhe ato do mund t’i rrëfejmë me një fjalor tjetër, jo si shkrim që lexohet, po si diçka që e ndien. Por edhe atëherë, vazhdoj ta bind vetveten, jeta e njeriut do të mbetet një shkollë e bezdisshme, ku pandërprerë do të mësojmë të njëjtën urtësi, por nga ligjërues të ndryshëm: se jetën duhet ta ushqesh me atë që ëndërron të të ndodhë, e duhet ta jetosh me atë që të ka ndodhur.  Pra, pandërprerë të luftosh të arrish atë që dëshiron ta kesh e do të jesh, por të mësohesh të kënaqesh e të jetosh i tillë siç je dhe me atë që ke. Dhe mbase, i them vetvetes si mësuesi që nuk arrin ta mësojë gjë nxënësin e vetëm që ka, ne jetojmë në kohë të cilat ta pamundësojnë ta kuptosh këtë urtësi, kohë në të cilat rrënohet vlera e asaj që ke dhe asaj që je, sepse gjithmonë je i përballur me trysninë të bëhesh si të tjerët dhe të bindesh se nuk vlen gjë nëse nuk ke atë që kanë ata. Me çka e harron vetveten, i harron ata që ke pranë, bëhesh i pandjeshëm ndaj buzëqeshjes së të tjerëve dhe ndaj lotit në sy të huaj.

Kompjuteri im e ka përfunduar procesin e “ringjalljes” së programeve të veta. Nuk kam si të ik: tekstin për të premten duhet shkruar. Dhe përderisa shikoj shkronjat që duhet të ndërthurin fjalët dhe fjalitë, filloj t’i rikujtoj ditët kur askush nuk porosiste shkrime nga unë, por unë i shkruaja dhe thuajse të gjitha gazetat mezi prisnin ato t’i botonin. Pra i shkruaja me zjarrminë e atij që ende nuk e kishte kuptuar se jeta nuk matet me orë, me ditë, muaj, vite, dekada e shekuj, por me atë që bën, se çdo gjë në ne e kundërshton mënyrën se si jeton, por më në fund të gjithë i nënshtrohen asaj, se ne në të vërtetë as që kemi kohë të jetojmë, por vetëm sa të kuptojmë se atë e bëjnë të gjatë shpresat. E si ta kuptoja këtë në vitet kur shkruaja në makinë shkrimi, e cila nuk kishte ekran me orë në të, siç ka kompjuteri, e ku pandërprerë sheh sa ngutshëm rrjedh ajo që ne e quajmë “kohë”, që shkruhet vetëm me katër shkronja, me aq sa edhe fjala “jetë” dhe me dy më pak sa fjalët “vdekje” dhe “lindje”.