Kim MEHMETI
Të nderuar,
Meqenëse gjatë nënshkrimit të kontratës për botimin e librit tim në kolanën “Letërsia maqedonase”, nuk më informuat se logoja “Makedonska knizhevnost”, si e tillë dhe në alfabetin cirilik, do qëndrojë e shtypur edhe në kopertinat e librave në gjuhën shqipe, ua bëjë me dije se e shpalli të pavlefshme kontratën për botimin e librit tim. Pra,ua ndaloj ta përfshini cilëndo libër timin në projektin “Makedonska knizhevnost” dhe kontratën e nënshkruar me SHB “Mikena” nga Manastiri e shpall të pavlefshme dhe si rezultat të mjeshtërive tuaja manipuluese me autorët e painformuar shqiptarë. Andaj, do e konsideroj si thyerje të të drejtave të mia si autor, nëse cili do libër imi në gjuhën shqipe do botohet në këtë shtet si pjesë e letërsisë maqedonase.
Gjithashtu, ju njoftoj se ky qëndrim imi nuk ka të beje fare me gjuhën dhe popullin maqedonas, por me tendencat perverse që edhe projekte të artit dhe të kulturës, të bëhen pjesë e politikës së ditës, me tendencat destruktive që edhe letërsinë të cilës i përkas – atë shqiptare – ta bëni pjesë të komplekseve tuaja etnike, e që në këtë shtet manifestohen nëpërmjet tentimeve që çdo gjë, duke filluar nga plehu artificial, e deri te qielli dhe toka, të bartë substancën dhe prefiksin “maqedonase”. Pra, këtë veprim timin, duhet ta merrni të tillë siç është: e drejt e çdo autori, vet të përcaktojë përkatësinë etnike letrare, e jo këtë ta bëjë ndonjë ministri, ndonjë qeveri apo komision ministror.
Ju informoj se e nënshkrova kontratën me SH.B. “Mikena”, duke besuar se kam punë me njerëz të kulturës, të cilët e dinë se përkatësia letrare e një autori nuk caktohet me votat e ndonjë komisioni të Ministrisë së Kulturës. Pra, e nënshkrova kontratën duke besuar se kamë të bëjë me Ministrinë e Kulturës të shtetit tim, e cila e ka për obligim të mbrojë edhe identitetin tim letrar, se në këtë ministri ka anëtarë të komisioneve që e dinë se sikur të ishte e mundur që nënë logon “Makedonska knizhevnost” të përfshiheshin edhe veprat letrare të shkruara edhe në gjuhën shqipe, atëherë në këtë projekt, do mund të përfshiheshin edhe librat e cilit do autori dhe në cilëndo gjuhë të botës. Pra, mendoja se kam të bëjë me Ministri dhe Komision të Ministrisë së Kulturës, që e dinë se nëse sintagma “Makedonska knizhevnost” përfshinë tërë koloritin shumëgjuhësorë letrarë në Maqedoni, atëherë mbetet pa shenjën njohëse etnike letërsia e shkruar në gjuhën maqedonase dhe me alfabet cirilik. Por, mbase në qeverinë e Maqedonisë ka Komisione që çdo problem e zgjidhni me mbivotim, edhe atë duke mos e ditur se në këtë mënyrë e japin votën pro atyre që thonë se çdo gjë që ndërlidhet me popullin e sotëm të vetëquajtur maqedonas, duhet të identifikohet me emërtimin “Sllavomaqedonase”.