Back

ODA E BURRAVE

 Jo, me asgjë nuk mund të më detyroni të ndalem në përshkrime të parëndësishme të megjes së Sylës e cila përcillte kthesat e rrugës që shpinte në fshat prej te mulliri rrëzë kodrinës e deri te ndërtesa e shkollës, në hyrje të fshatit. Sikur të përshkruaja ata lisa dhe kaçuba që rriteshin nga të dy anët e rrugës së ngushtë nëpër të cilën kalonin gomarë të ngarkuar duke gërrithur me barrën e vet degët e manaferrave, do të ishte e pashmangshme të mos përmendja sekretet e rinisë sonë që kishin të bëjnë me pushin e parë në mes të këmbëve si dëshmi se ngadalë, por bindshëm bëheshim burra. Dhe atë burrëri e dëshmonim të fshehur pas ndonjë kaçubeje të dendur, duke lëmuar me shuplakat e nxehta burimin e pikave të bardha që binin mbi barin e njomë. Asgjë nuk do t’u rrëfej as për vejushën e Balës dhe për dritaren e ngushtë të dhomës së saj nëpër të cilën futeshim një nga një, sa të japim provën e natyrshme të burrërisë sonë, në kohën derisa të gjithë fshatarët falnin teravinë në muajin e shenjtë të Ramazanit. Poshtërsi mbi të gjitha poshtërsitë do të ishte të shpalosja para jush historinë për Galinin i cili kur për së pari herë hyri në dhomën e vejushës së Balës, pas ca çastesh doli i zverdhur si dylli dhe na u ankua se posa ishte shtrirë pranë shtatit të saj cullak, kishte filluar të dridhet, i ishin shtangur muskujt e këmbëve dhe, i zbutur dhe i qullosur nuk ia kishte arritur as t’ia ledhatojë këmbët e lere më të bëj diç më shumë. Fshinte me duar barkun e vet nga pikat ngjitëse të spermës dhe mezi erdhi në vete të rrëfejë për fyerjet që ia kishte përplasur në fytyrë vejusha e re e cila ngihej me nxehtësinë e shtatëve tona të papërvojë për gjëra të tilla. Dhe, kuptohet, pas tij e kisha radhën unë, që do të thotë e pësova, sepse vejusha e Balës, e skuqur në fytyrë, e nxehur nga zjarri i epsheve, por e pashuar nga asnjeri, posa fillova të zhvishem, ma preu me plot hidhërim: "Shiko qurravec, mos të të ndodhë si atij të mëparshmit se për besë me hithra do t’ua skuqi bythët!" Pastaj, eh pastaj! As që më shkon ndër mend të rrëfej hollë e hollë se si rashë në shtrat pranë saj, si ia lëshova dorën mbi gjinjtë e mprehtë, se si pastaj duart më rrëshqitën mbi barkun e saj lakuriq, dhe…, posa ia preka këmbët, oh…, posa duart e mia që dridheshin filluan të ledhatojnë këmbët e saj të ngrohta, disa pika ngjitëse dhe të ngrohta më ranë mbi bark; dështoi burrëria ime, u rrënuan të gjitha muret e qëndresës, diç e ëmbël dhe përfundimisht e pashpjegueshme ma gënjeu shtatin që të lëshoj pe dhe të zbrazem ende pa ndjerë ngrohtësinë e brendshme të trupit të saj. Ajo më shikoi vëngër dhe sa nuk ma flakëroi një shuplakë. "Burri i mirë si unë ka edhe për të hedhur edhe për të mbushur mitrën tënde!" i thashë duke e gulçuar me puthje, tani më i shtrirë mbi të dhe i gatshëm që të ngihem deri në alivanosje. Kush e di sa kishte zgjatur ajo bukuri që nuk rrëfehet dot, nuk di si nuk kisha dëgjuar fishkëllimën e shokëve pranë dritares së saj që më kishin dhënë shenjë se radhën e ka tjetri apo se kanoset rreziku ndonjë nga fshatarët të zbulojë sekretin pse vejusha e Balës në orët e muzgut të parë të mbrëmjes hapte dritaren e dhomës së fjetjes dhe fikte dritën. Ajo që më kujtohet, por që nuk ka as kuptim as nevojë ta përshkruaj deri në imtësi, është mjaft trishtuese dhe e pakuptimtë; kur kërceva nga dritarja në rrugë, pranë vetes pashë kunatin e vejushës, vëllaun e Balës së mjerë i cili vdiq pa bërë dy vjet martesë dhe la nusen e vet që pikëllimin ta ndaj duke u ngirë me shtatët tonë të njomë. Ma luajti nënën me të shara dhe shqelma dhe kurrën e kurrës nuk e kuptova si i shpëtova gjallë mllefit të tij. Të nesërmen, për turpin e ndodhur mori vesh i shurdhëri dhe i verbëri. Rezultati ishte i tmerrshëm; u kacafytën familja ime me atë të Mulajve. Nuk ua varja veshin sharjeve dhe ofendimeve që m’i dërgonte im atë, ungjit dhe të gjithë të afërmit, por më vinte të fundosesha nga turpi kur përballesha me gratë e shtëpisë të cilat më shikonin turpshëm me cep të syrit duke mos mundur të imagjinojnë se si mundja pas një turpi të tillë të shëtisja nëpër oborrin e shtëpisë. Dhe kisha hallin e rrjedhës së mëtejshme të grindjes ndërfamiljare. Histori e mërzitshme është kjo që shpalos hallet e asaj kohe dhe vejushën e bukur të Balës të cilën e shkërdhenim ne që kishim kapërcyer fazën e parë të burrërisë: atë të onanimeve te mezhdeja e Sylës. Pas dy javësh të gjorën kunati i saj e ktheu te oxhaku i prindërve, ndërsa ne sërish iu kthyem megjes së Sylës. Me ndërmjetësimin e pleqve të fshatit iu vu kapaku grindjes së familjes sonë me atë të Mulajve. Sa marrëzi do të ishte tani të rrëfeja për hidhërimin e shokëve të mi, se ata ditë me radhë  nuk më folën me gojë dhe më akuzonin për atë që më ndodhi edhe pse fare nuk ishin më të larë se unë. Më thoshin se jam grykës i madh i cili në emër të ngirjes momentale flijon ushqimin e herëpashershëm dhe ishte e kotë t’i bindja se asgjë, asgjë që të sjellë kënaqësi në këtë çast nuk duhet copëtuar në pjesë të lëna për më vonë. Nuk është e nevojshme tani të përshkruaj detajet sa i tronditi fshatarët vetëdija se në kohën kur ata falnin teravitë disa pisa mund të kryenin punë të tilla të ndotura dhe se pas dëbimit të vejushës së Balës neve na kanosej një agjërim i gjatë mashkullor.

 

            Sikur të kisha prirjen e disa rrëfimtarëve të përpiktë të cilët gjer e gjatë përqendrohen në përshkrimin e imtësive që unë i konsideroj të mërzitshme dhe fjalë të kota, do të duhej gjithsesi të përmend Thanën e Dalipit e cila ndodhet në të majtë të rrugës, mu te kthesa e parafundit kur ngjiteni drejt fshatit. Përshkrimi i saj dhe i atij lokaliteti do të më shpinte të kumtoja gjëra që madje nuk janë për në letër, apo nëse përshkruhen, duhet përdorur shumë fjalë të tërthorta, ndërsa unë fare nuk i pëlqej gjërat e mbuluara, të vërtetat që kumtohen nëpërmjet të aluzioneve apo ndonjë simbolike të pakuptueshme. Askush nuk e dinte saktësisht pse e quanin Thana e Dalipit, gjë që lejonte trillime nga më të ndryshmet duke filluar nga ai se njëfarë Dalipi, mesoburrë plak, para qindra vjetësh ishte ndalur të pshurrë pranë trungut të thanës dhe pas asaj i ishte zënë kanali i shurrës dhe kishte vdekur në mundime të tmerrshme; nga ograku që e kishte kapur pse kishte hapur këmbët mu mbi strofullin e një gjarpri. Flitej poashtu edhe për njëfarë Dalipi tjetër i cili, sipas rrëfimit të fshatarëve, paska qenë një bukurosh i ri. Por gjithashtu ngjarjen askush nuk e mbante mend në tërësi; flitej se ishte varur në një degë të  thanës pas mbrëmjes së parë bashkëshortore, kinse për shkak se nuses së tij, në çastin kur ai i ishte vërsulur, kishte filluar t’ rrjedhë gjak nga hundët ndërsa nga vrima në mes të këmbëve i kishte dalë një merimangë. Shkurt, gjëra që nëse u beson nuk humb asgjë, e nëse nuk u beson ia lejon vetes mundësinë të bëhesh autor i ndonjë rrëfimi të ri të trilluar për Thanën e Dalipit e cila si çdo thanë në botë lulëzonte e para në pranverë me çka paralajmëronte këngën e vashave nëpër çardakët e lartë si edhe atë të dallëndysheve në fluturim. Gjithsesi, lulet e saj paralajmëronin edhe zgjimin e kaçubave te megjja e Sylës. Po, Thana e Dalipit ishte vendi ku burrat e fshatit hidhnin shtratin e grave lehonë. Një zakon i tillë me siguri kishte mbetur prej para qindra vjetësh dhe nga arsyeja se afër fshatit nuk kalonte asnjë lumë: askush nuk kishte kohë të zbresë deri poshtë në fushë dhe shtratin e gruas së vet ta hidhte në valët e lumit që lehona të kishte sa më shumë tambël dhe pjella e porsalindur të kishte rrjedhë të këndshme në jetë. Thjeshtë, mbështillnin atë copë mishi të përgjakur në formë të plancit ku ishte rritur embrioni i pjellës së tyre dhe kishte marrë formë njeriu, kujdesshëm e vinin pranë trungut të thanës duke u kthyer në shtëpi sa të lumtur se u kishte lindur fëmijë poaq edhe të shqetësuar. Këtë rit e bënin gjithmonë në muzgun e hershëm të mbrëmjes. Në mëngjes po i njëjti baba shkonte të shohë se vallë e kishte ngrënë gjarpri i Thanës së Dalipit shtratin e prurë natën e mëparshme, ai banor i vetëm për të cilin ata që e kishin parë thoshin se ka sy si të foshnjës, shtat disa metra të gjatë dhe dy – tri qime në kokë. Dhe shtonin se kah mesnata fishkëllen shurdhueshëm, mirëpo vetëm në raste të rralla. Aq më shumë, të gjithë besonin se ai fëmijë që do të lindet natën kur gjarpri i Thanës së Dalipit do të fishkëllejë, tërë jetën nuk do  mbyllë sytë nga pagjumësia dhe do të vdesë në mundime të llahtarshme nëse në ndërkohë nuk pi tri vezë gjarpri, por që kanë nga dy të kuqe brenda. Ky gjarpër, sa trishtues poaq edhe krijesë me të cilën mburreshin të gjithë fshatarët, nuk i hante vetëm shtretërit e grave që kishin lindur fëmijë jetëshkurtër apo të zënë nga fara e ndonjë burri tjetër, do të thotë si fryt i tradhtisë bashkëshortore. Ishte hata përtej hatasë për atë baba që të nesërmen gjente pranë trungut të thanës shtratin e gruas së vet të paprekur; nuk e dinte se vallë i ishte lindur fëmijë që nuk do t’i gëzohej shumë gjatë jetës apo i gjakut të ndonjë burri tjetër që ia kishte çnderuar shtëpinë dhe përjetë ia kishte njollosur burrërinë.  Për fat fëmijë lindin shpesh në fshatin tonë dhe aq më tepër rrallë mbaheshin mend raste kur gjarpri i Thanës së Dalipit të mos e shijonte mishin e freskët duke ndjerë tradhtinë që ia kishte bërë gruaja bashkëshortit të vet. Më së shpeshti ndodhte që pjella e porsalindur të vdesë së shpejti, gjë që ua kishte paralajmëruar prindërve gjarpri me mosngrënjen e shtratit të lehonës. Do të ishte jashtë shijes tani t’u rrëfeja për rastin e Balanit  i cili plot gëzim dhe mburrje një natë të largët, në orët e para të mbrëmjes, çoi shtratin e lehonës së vet që i kishte lindur një djalë, aq të bukur sa nuk mund të rrëfehet me fjalë dhe të shëndoshë si molla, për të cilin edhe tani kur rrëfejnë gratë e fshatit pështyjnë dy-tri herë pranë këmbëve të veta duke belbëzuar mashallah, mashallah… Të paktë ishin ata fshatarë që pranonin të rrëfejnë për rastin e Balanit, dhe aq më të paktë ishin ata që donin të rikujtojnë rastin e tij, rastin e Balanit gëzimi i të cilit kishte qenë jetëshkurtër sepse të nesërmen, kur kishte shkuar te Thana e Dalipit ishte shtangur nga tronditja: shtratin e përgjakur e kishte gjetur të paprekur. Edhe i tillë, i tronditur dhe me plot mendime më të errëta në kokë, kishte mbledhur forcë të marrë shtratin e lindjes së fëmijës të vet dhe ta flakëroj sa më larg që të mos e shohin fshatarët tjerë. Por, sa ia vlente të gjorit ajo se fshatarët tjerë nuk dinin atë që dinte ai? Erdhi në shtëpi me plot helm në shpirt. Me mjeshtëri kishte fshehur ndjenjat e veta nga gruaja e tij lehonë duke shpresuar se bëhet fjalë për jetëshkurtsinë e të birit të porsalindur e jo për, mos e bëftë Zoti, tradhti të të shoqes. Por, vallë ishte lehtë të jetosh me bindjen se pjella jote e gjatëpritur së shpejti do t’i mbyllë sytë dhe do të shkojë sikur kurrë të mos kishte qenë në këtë botë!? Gjithsesi jo. Mirëpo, nuk ishte aspak më e lehtë të jetosh me vetëdijen se nëpër damarët e atij që të thirr baba rrjedh gjaku i ndonjë burri tjetër, se t’i i je gëzuar farës së huaj që ka përdhunuar nderin dhe arën që të takon vetëm ty dhe askujt tjetër. Vetëm Balani i gjorë do ta ketë ditur se sa vështirë jetohet me një barrë aq të rëndë në vetëdije dhe prandaj në mos tjetër do të ishte  gjest i mospasjes së kujdesit elementar unë të përshkruaja ndjenjat që ka përjetuar ndonjë tjetër siç bëjnë shpesh tregimtarët e që në një farë mënyre është tallje me ndjenjat e huaja. Kurrsesi nuk do të merrem me përfytyrime se si Balani net me radhë nuk ka vënë gjumë në sy duke soditur foshnjën që të zbulojë ndonjë ngjashmëri me të, ndonjë shenjë që përfundimisht do të ishte dëshmi se bartte në vete gjakun e tij, as me imagjinimin e mendimeve që kanë munduar të gjorin dhe hapur e pranoj se e kam shumë vështirë t’i shmangem një veprimi të tillë i cili të lejon të lëshosh fantazinë të kullotë nëpër livadhet më të dendura e që vetëm do të dëshmoj se çka trillon imagjinata e njeriut dhe çka mendon njeriu, nuk bën Zoti. Apo të jem më i qartë: djali i Balanit rritej si më mirë. Vogëlushi përballoi fruthin, kollin e keq, u bë për synet. Ky fëmijë do të ma hajë kokën, mendonte herëpasherë Balani kur e vërente të birin – apo t’i thuash kushtimisht të birin – duke bërë hapat e parë pranë pusit. Rritej vogëlushi dhe shqetësonte Balanin, por rritej edhe barku i të shoqes e cila bartte shtatzëninë e fëmijës së dytë. Po, po rritej në Balanin edhe ndjenja e përzier me mllef, gëzim, trishtim…, me të gjitha lëngjet që mund t’i prodhojë ajo punëtori e qenies së brendshme të njeriut që punon palodhshëm dhe nga gjendja gazmore, hop, të shpie në ndonjë situatë marramendëse të pikëllimit dhe dhembjes. Asaj nate kur e kapluan gruan e tij dhembjet e lindjes së fëmijës të dytë, ai iu ul pranë dhe ia fshinte djersët që ia vërshonin ballin. Kur të shoqen e tij gozhduan për shtrati dhembjet nga të cilat asaj i bëhej se i copëtohen një nga një eshtrat, ai iu afrua edhe më afër dhe i pëshpëriti në vesh: "Nëse nuk më pranon kush është babai i fëmijës që fle në dhomën tjetër do të të detyroj ta gëlltisësh pjellën të cilën çdo çast duhet ta lindësh!" E shoqja harroi dhembjen, shtriu dorën drejt tij, dhe me zërin e mekur iu përgjigj: " Ma bënë me tradhti! Duaje Balan sepse nuk është fryt i farës që e mbolla në barkun tim pse tënden nuk e doja, por për shkak se nuk kisha rrugëdalje! Më thanë se nga ajo varet shpëtimi yt asaj nate kur të thirrën te Oda e Burrave! Ai i poshtri, Asimi më gënjeu se kurrë më nuk do të të shoh me sy nëse nuk i jepem! Se hyqymeti të akuzon për veprime të rënda nga të cilat akuza mund të të shpëtojë vetëm paria e fshatit". Balani uluroi dhembshëm. Thuajse ai duhej nxjerrë nga barku foshnjën e jo gruaja e tij.

            Do të ishte e pakuptimtë edhe më tutje t’u lodhë me historinë e Balanit. Nuk dua një veprim imi i tillë t’u shërbejë si dëshmi atyre që pohojnë se tregimtarët edhe atë që mund ta thonë troç dhe shqip, e sjellin dhe mbështjellin në qindra mënyra vetëm sa e sa të lënë përshtypje kinse na qenka shumë e komplikuar të kumtosh gjërat që i ka shkruajtur zoti për t’i bërë njeriu. Shkurt, larg do të më shpinin detajet nëse përshkruaj gjendjen e llahtarshme që kaploi Balanin, të cilit asaj nate i lindi edhe një djalë ndërsa ai nuk ndjente as gëzim as mburrje pos një vërshim mendimesh nga më të ndryshmet që ia kishin kyçur gojën dhe nuk i lejonin të lëshoj zë. Gëzimin e tij e ngulfaste rikujtesa për një natë të largët që iu ringjall e tëra, thuajse nuk kishte ndodhur para ca vitesh, por mu në ato çaste deri sa gruaja e tij përpëlitej në shtrat duke u munduar t’i ndihmoj foshnjës e cila posa kishte braktisur ngrohtësinë e barkut të saj. Po, në orët e paradarkës, atëherë moti e kishin ftuar pleqtë e fshatit në Odën e Burrave. Nuk ishte punë e vogël që aq të ri të të ftonin aty ku matej edhe e mira edhe  e keqja që bënin njerëzit. Ku bëhej gjykimi dhe shpallej dënimi, ku merrej nderi dhe u kthehej burrëria atyre që ndonjë i pafytyrë i kishte njollosur pa të drejtë, në atë dhomë ku çdo fjalë matej mirë sepse tingëllonte anë e kënd fshatit dhe mund të të sillte adhurim apo urrejtje nga të tjerët. Nuk e dinte me çka kishte merituar atë nder, tani pas disa javë martese. Por, ai me të drejtë ndjehej krenar: asaj nate ai do të ishte dëshmitar i ndonjë vendimi të rëndësishëm që do ta binin paria e fshatit, ata më të mençurit. Dhe në të ardhmen shokët do ta shikonin me zili, do t’i gëlltisnin fjalët e tij, nuk do ta matnin me kandarin e deritashëm me të cilin peshonin një Balan që nuk kishte as krah as shpinë, as vëllezër as baba të qenë, por një plak matuf me të cilin talleshin të vegjël dhe të rritur. Po, Balani i rritur në prehrin e ngrohtë të nënës dhe nga thërrmijat e bukës që ajo i bartte në xhep sa herë që ia jepnin mirëbërësit duke u kujdesur të mos i mbetet i uritur djali i vetëm. Dhe mu atë kishin ftuar në Odën e Burrave, aty ku kuvendonin ata fjalën e të cilëve nuk kishte pirdh-ëme që mund ta bënte dy.  Sa e sa herë ai me shokë kishte shikuar nga larg dritën e zbetë që ledhatonte dritaret e gjëra të Odës së Burrave, sa herë deri tani tërë fshatarët kishin qëndruar në mes të fshatit duke u dridhur, që të dëgjojnë vendimin e kokave më të mençura dhe më të ndritshme të fshatit. Shkoi Balani para se të mbulonte terri fshatin, sa i gëzuar poaq i brengosur mos bëjë ndonjë gabim, mos t’ua thyejë fjalën burrave në çastin kur nuk duhej. Hyri në dhomë, shtrëngoi duart e pleqve të urtë dhe mjekërthinjur. I përshëndeti ashtu si përshëndet burri burrat. Dhe ata i thanë se e kishin ftuar të dëgjonte kuvendin e tyre, të mësonte se sa e mprehtë është fjala e burrit, se një ditë, kur këta pleq t’i lëshonte fuqia fizike dhe e ajo e të menduarit, do të duhej t’i zëvendësonin ata më të rinjtë. Pra unë, pra mua ata më konsiderojnë për njërin ndër zëvendësit e denjë, gëzohej dhe belbëzonte në vete Balani. Nga ai gëzim dhe nga ajo bisedë e brendshme me vetveten, nuk ia arriti të dëgjoj se ç`ka flisnin ata burra të vrenjtur dhe me shikim të ngulitur diku në larat e qilimit. Vonë, aty kah pasmesnata erdhi në shtëpi. U shtri pranë gruas së vet e cila dridhej çuditshëm. Por ai nuk ndjente as dridhjen e saj dhe as hetoi faqet e përlotura. Ndjente nevojë t’i rrëfente për nderin që ia kishte bërë paria e fshatit. Dhe foli e foli, derisa vërejti se gruaja e tij sytë e përlotur i kishte mbyllur. Mu si kësaj nate pas lindjes, pasi pranoi se djalin e saj të parë e kishte me Asimin i cili para ca vitesh kishte hyrë në dhomën e saj, e kishte gënjyer se Balanit i kanoset një rrezik i madh nga i cili vetëm ai mund ta shpëtonte. Ajo iu ishte gjunjëzuar, e kishte përqafuar si vëlla të vetin, si njërin nga të parët e fshatit të cilit nuk guxonte kush mos t’i besojë. Tani, pas aq vitesh Balanit iu kujtua se asaj nate të largët në Odën e Burrave nuk ishte Asimi, se pas asaj nate kurrë më nuk e ftuan që të dëgjojë kuvendin e tyre. Tani, tani Balani e kuptoi se të gjithë ata pleq mjekërthinjur ia kishin përgatitur tradhtinë sepse e dinin se ishte i pambrojtur, i vetëm në shtëpi. Ata që shëtisnin nëpër fshat me tespihe në duar, me nofulla të shtangura, gjithmonë të gatshëm të shpallin fajtorin për mëkatin që kishte bërë ndonjëri, ishin tallur me burrërinë, pasurinë e vetme që kishte Balani.

            Ja, e shihni se ekzistojnë gjëra që fare nuk është e hijshme njeriu t’i rrëfejë hapur dhe prandaj hamendem se vallë ia vlen të shpalos para jush se asaj nate kur gruaja e tij lindi fëmijën e dytë, Balani kujdesshëm ia fshinte djersët që ia vërshonin ballin. Kur atë e zuri gjumi, hyri në dhomën tjetër ku flinte si engjëll djali më i madh i gruas së tij dhe mezi që iu dorëzua gjumit në orët e hershme të mëngjesit. Tërë ditën qëndroi pranë lehonës dhe foshnjës së porsalindur. Kah mbrëmja doli dhe u nis drejt Thanës së Dalipit. Vonë u kthye në shtëpi, kah orët e pasmesnatës. Gruaja e tij as që u shqetësua për shkak të vonesës së tij, sepse e kishte lodhur gjakdobsia dhe flinte e fundosur në një llahtari marramendës. E hetoi në çastin kur ai përmallshëm e puthi. "Fli tani e qetë! Ke dy djem që meritojnë t’ i duash!" Në mëngjes u zgjuan që të dy në të njëjtin çast. "Do të shkosh të shohësh se vallë gjarpri i thanës së Dalipit ka ngrënë shtratin e lindjes?"- e pyeti e shoqja. "Jo, mbrëmë qëndrova aty derisa ai nuk doli nga strofulli. Dhe me sytë e mi e pashë me sa ëndje gëlltiste mishin e freskët të barkut tënd!" – u përgjigj ai. Bisedën e tyre ndërprenë thirrjet që vinin duke u bërë gjithnjë më të zëshme. Fshatarët vraponin kah fundi i fshatit. Vrapoi pas tyre edhe Balani. Atje, te Thana e Dalipit, i mbështetur për trungun e saj dhe i pashpirt qëndronte Asimi. Fytyrën e kishte të përgjakur. Gojën të ënjtur me një copë mishi në formë të plancit që i lëvarej në të. Dukej se kishte gllabëruar mishin me të shpejt dhe ishte ngulfatur. Fshatarët mbuluan të vdekurin me një çarçaf të bardhë dhe e çuan drejt shtëpisë së vet nga u dëgjua kuja e grave dhe vaji i fëmijëve. Në mbrëmje u ndez llamba e Odës së Burrave. Tërë natën paria e fshatit tëholloi ngjarjen e fundit që kishte tronditur fshatin. Balani shikoi edhe njëherë dritaren e ndriçuar të Odës së Burrave dhe shkoi të bëjë shurrën.

            U thashë edhe më parë se nuk jam nga ata që kanë aftësi gjatë të rrëfyerit të regjistrojnë gjithë atë që mund ta zbukurojë historinë që shpalosin e madje as që ua var veshin detajeve që lexuesit ndoshta do t’i ndihmonin të shthurte rrëfimin, gjë që shpreh ndoshta paaftësinë time të shpalos me fjalë atë që bluan koka. Prandaj, fare nuk do të përqendrohem në përshkrimin e përditshmërisë së hoxhës së fshatit i cili u ankohej fshatarëve se hajmalitë që ua kishte shkruar grave shterpë që t’u kthehet lindshmëria, një ditë i kishte gjetur të hedhura te pragu i xhamisë. Në çastin kur ishte përkulur t’i ngrejë ato letra të paluara dhe të shkruara me shkronjat e shenjta arabe, i ishin marrë mendtë, ishte përplasur para derës së xhamisë dhe, kur ishte zgjuar nga ajo kllapi, pranë vetes kishte vërejtur një kufomë gruaje e cila pas ca çastesh ishte shndërruar në urith që ishte përbiruar nën tokë duke cijatur. E kotë do të ishte t’u rrëfeja për rrëmujën që krijoi në fshat lajmi se hoxhës së fshatit i është marrë goja dhe nuk mund ta thërriste ezanin pesë herë në ditë. Prandaj do t’ua kumtoj me disa fjalë të vërtetën për plakën Salushe që është edhe shkaku kryesor që më detyroi të rikujtoj fshatin tim të dikurshëm dhe fshatarët e tij të lodhur nga përditshmëria monotone dhe barra e jetës. Dhe t’i bie sa më shkurt; plaka Salushe, e cila ende është gjallë dhe jeton në shtëpinë e parë pranë çezmës së fshatit kur ktheni në të djathtë rrugës që shpie drejt Odës së Burrave, sa herë që vërente se është ndezur drita në dhomën ku kuvendonte paria e fshatit, fuste duart në mes të këmbëve dhe duke fërkuar muskujt e vyshkur, belbëzonte: "Mençuria juaj dhe kjo që tani ledhatoj me duar kanë diçka të përbashkët; sa më shumë plaken gjithnjë e më shumë humbin lëngun dhe nuk reagojnë nga ndikimet e jashtme!"