Back

Pa Kosovë të pavarur, s’ka Maqedoni

Publicisti Kim Mehmeti në debatin “Pavarësia e Kosovës

Ne shqiptarët e Maqedonisë e pranuam këtë shtet vetëm e vetëm që mos të copëtohet Kosova dhe nëse vjen deri te kjo, atëherë duhet një pjekuri kombëtare”, sqaroi publicisti Mehmeti

BEKRI AJDINI

Shkup, 14 dhjetor – “Shqiptarët e Maqedonisë janë sikur ai vëllai i vogël në mesin e treshes së vëllezërve”, kështu e ka sqaruar publicisti Kim Mehmeti, rolin e shqiptarëve të Maqedonisë në procesin e gjatë të pavarësimit të Kosovës. Në debatin e organizuar nga Forumi Rinor Islam (FRI),  Mehemti ka sqaruar se shqiptarëve të Maqedonisë duhet t’iu interesojë pavarësia e Kosovës, sa edhe vetë kosovarëve.

“Ne kemi kontribuar mjaft për pavarësinë e Kosovës dhe për këtë arsye duhet të jemi të interesuar me këtë proces. Sot duhet të jesh faktor për të të dëgjuar dikush, sepse ka popuj shumë më të madhej se shqiptarët, vende që kanë territore shumë më të mëdha por që nuk janë shtet. Shqiponja fluturoi 100 vjet për të arritur në Prishtinë dhe kjo kërkoi mjaft sakrifica. Jugosllavia do të prishet, atëherë kur do të pavarësohet Kosova”, tha mes tjerash Mehmeti.

Duke u përgjigjur se a duhet Maqedonia ta njohë pavarësinë e Kosovës, ai tha se pa Kosovë të pavarur, s’ka Maqedoni. “Me pavarësinë e Kosovës vjen deri te stabilizimi i rajonit, do të thotë edhe Maqedonisë. Pavarësia është gjë e kryer. Ne shqiptarët e Maqedonisë e pranuam këtë shtet vetëm e vetëm që mos të copëtohet Kosova dhe nëse vjen deri te kjo, atëherë duhet një pjekuri kombëtare”, sqaroi publicisti Mehmeti.

Analisti dhe shkrimtari i njohur shqiptar, studentëve dhe të pranishmëve të shumtë u ka folur edhe për kohën e pas-pavarësisë. “Ndoshta atëherë do të ketë probleme më të mëdha, por jo të natyrës se kur do të bëhet pavarësia. Atëherë do të ketë probleme, ekonomike e të llojit tjetër. Por, në atë moment neve shqiptarëve na duhet një vetë njohje, një integrim brenda shqiptar, sepse në Evropën e integruar duhet të hyjsh vetëm si i integruar”, tha Mehmeti.

Sipas tij koha e luftërave ka marrë fund, por s’do të thotë se s’do të ketë ngacmime të ndryshme. “Edhe pas shpalljes së pavarësisë ne në Maqedoni duhet të paguajmë ndonjë çmim, sepse si vëlla më i vogël duhet të dëgjosh vëllezërit e mëdhenj”, përfundoi Mehmeti

(Gazeta Lajm)

Evropa ia mësoi hilet Rusisë

 Në pyetjen e njërit nga të pranishmit pse disa shtete evropiane të cilat ishin kundër pavarësisë së Kosovës, tani kanë shprehur qartë mbështetjen, Kim Mehemti është përgjigjur: “Ata shtete e vërejtën dhe u bindën se Rusia dëshiron t’i përçajë, e kur përçahen shtetet evropiane atëherë s’ka Bashkim Evropian. Evropa do ta pranojë Kosovën, sepse nuk dëshiron konflikt në këtë pjesë të kontinentit të saj”, tha Mehmeti.