Back

PËRRALLA E GJYSHIT

Shkruan: Kim Mehmeti

Thuajse asnjëherë gjatë shekujve të kaluar, shqiptarit të Maqedonisë nuk i ka ndodhur që certifikatën e vdekjes t’ia jep shteti (apo perandoria) në të cilën ai ka lindur. Që librin amë të lindjes dhe atë të vdekjes, ta ketë në kryeqendrën e të njëjtit shtet. Pra, atyre u ka ndodhur, për shembull, që certifikatën e lindjes ta kenë të shkruar me alfabetin e turqishtes së vjetër osmane, e certifikatën e vdekjes të mbushur me ciriliken serbe. U ka ndodhur që fëmiu të mësoj himnin e një shteti, e pastaj atë ta harrojë dhe ta këndojë atë të shtetit të ri ku do i jetojë vitet e pjekurisë. Shqiptarëve të Maqedonisë u ka ndodhur që gjatë një jete, t’i përkulen herë njërit, herë flamurit tjetër shtetërorë, të jenë lindur nën flamurin e Mbretërisë Jugosllave, të kenë rinuar nën flamurin trengjyrësh të Federatës Socialiste të Titos, e pastaj të kenë pleqëruar në shtetin e pavarura të dal nga federata e dikurshme e sllavëve të bashkuar.

Shqiptarëve të Maqedonisë u ka ndodhur të vëllazërohen, e të miqësohen me të tjerët, të durojnë përbuzjet dhe ofendimet nga të tjerët dhe mllefin ta zëvendësojnë me durim dhe respekt. U ka ndodhur që së bashku me të tjerët të mbrojnë një perandori, e në tjetrën të kryejnë shërbimin ushtarak, një flamuri t’i betohen për besnikëri, e tjetrit t’i shërbejnë me bindjen se mbrojnë diçka të veten. Pra, u ka ndodhur të jetojnë herë duke i shërbyer këtij, apo atij sunduesi, e herë duke u munduar të durojë sundimin e shumëfishtë. Por, që nga e kaluara e deri më sot, shqiptarët e Maqedonisë kurrë nuk ia dolën të sundojnë me vetveten, kurrë nuk arritën të groposin inatet e ndërsjella mes qarqeve të ndryshme partiake, e të prehen në flladin e pajtimit rreth çështjeve madhore, që nuk mund të jenë pronë vetëm të një partie apo rrethi të ngushtë partiak. Pajtim që sot do u mundësonte t’i realizonin të gjitha kërkesat e tyre të drejta, sepse nuk ka qeveri maqedonase që do mundë të kundërshtonte atë që do e thoshin njëzëri Ali Ahmeti dhe Arbër Xhaferi.

Shkaku i këtij fati të tyre, shkaku i inateve të sotëm ndërpartiak të shqiptarëve të Maqedonisë, gjyshërit e këtyre trojeve kurrë nuk kanë pasur nevojë të mësojnë përralle, kurrë nuk janë përballur me nevojën që nipërve t’u rrëfejnë për shtrigat dhe kësulëkuqet: ka mjaftuar t’ua ritregojnë jetën e vet të filluar në një shtet, e të përfunduar në tjetrin ku kanë lindur pasardhësit e tyre, e që nipërit e përgjumur t’u dorëzohen ëndrrave. Kështu që, edhe ata të lindurit nga fundi i shekullin e njëzetë, e të cilët nesër do bëhen gjyshër, nuk do e kenë gjithaq vështirë t’i venë në gjumë nipërit e tyre: do mjaftojë atyre t’u rrëfejnë për mitingjet partiake ku udhëheqësit shqiptarë shanin e ofendoni njëri tjetrin si të ishin ushtarë të perandorive të ndryshme, e jo përfaqësues të të njëjtit popull. E me çka, vogëlushët e tyre do i dorëzohen gjumit si qengja që lozin në livadh të vet, por të mbetur pa bari. Pra, gjyshërit e mileniumit të tretë, do rrëfejnë për vitet e kaluara si ushtarë të Titos, për pranverat kur kanë bartur stafetën me të cilën prijësit Jugosllavë ia uronin ditëlindjen me 25 majë, si e kanë përjetuar rënien e komunizmit, luftërat mes popujve të Ballkanit që filluan në Slloveni e përfunduan në Kosovë. Dhe për ardhjen e demokratëve që dolën nga kapota e partisë komuniste. Për politikanët e së djeshmes që ndërtojnë të sotmen tonë.

Mbase gjyshërit e ardhshëm, nuk do e kenë lehtë t’ua shpjegojnë nipave të vet, se nga ai fat i shqiptarëve të këtushëm që thuajse çdo katër dekadat të ndërrojnë flamurin shtetërorë, që gjithmonë të përballen me vështirësitë si të mbrojnë identitetin e tyre etnikë. Aq më vështirë do e kenë, t’ua shpjegojnë grindjet e sotme brendashqiptare në Maqedoni. T’ua zbërthejnë se kush i pengoi udhëheqësit e dekadës së parë të mileniumit të tretë, që të merren veshtë lidhur me kërkesat parësore të shqiptarëve të këtushëm, si për shembull, atë për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, për sanksionimin e të drejtës që vetë shqiptarët të caktojnë përfaqësuesit e tyre nëpër institucionet më të larta shtetërore, e jo këtë ta bëjnë qarqet politike të etnitetit maqedonas, siç ndodhi pas zgjedhjeve parlamentare të 2006.

Gjyshërit e ardhshëm, e të cilët sot janë simpatizantë të PDSH-së apo BDI-së, do e kenë vështirë pasardhësve të vetë t’u shpjegojnë se si ka qenë e mundur, për shembull, që Arbër Xhaferi, lideri i PDSH-së së sotme që është edhe pjesë e koalicionit qeveritarë, më të lehtë ta ketë komunikimin me udhëheqësit partiak maqedonas, se sa me Ali Ahmetin e BDI-së. Pa dyshim, se nipërit e ardhshëm do pyesin: "E pse, pse nuk arrinin të merren veshtë mes veti udhëheqësit partiak shqiptarë! Kishte ndonjë ligj që ua pengonte atyre takimet në Tetovë, apo nuk guxonin të flisnin në gjuhën amtare!" Dhe gjyshërit do përballen me mospasjen shpjegim për tërë këtë që shënon të sotmen e tyre, e që nesër do bëhet një kaptinë e së kaluarës, a e cila ndoshta do ketë vulë njohëse vetëm mjerimin tonë politik.

Pa dyshim se gjyshërit e ardhshëm, a rinosh të sotëm që u duartrokasin udhëheqësve të tyre partiak, kur në të ardhmen do plaken, e do i marrin në prehër nipat e vet që t’u rrëfejnë për rrugëtimin nga Jugosllavia e dikurshme socialiste, e deri te Maqedonia me disa parti shqiptare, do duhet të japin shpjegime se pse socializmin që ndërtonin nuk përfundoi ashtu siç thuhej – me parajsën komuniste, por me demokracinë dhe grindjet ndërpartiake. Ata në ndërkohë do duhet të kompletojnë edhe rrëfimin se si u bë Maqedonia shtet i pavarur dhe sovran duke mos përfillur vullnetin politik të shqiptarëve, për zanafillën e sistemit shumëpartiak në këtë shtet, i cili edhe sot luhatet në kolovajzën e dëshirave kundërthënëse të maqedonasve etnik dhe shqiptarëve. Gjyshërit shqiptarë në Maqedoninë e pas zhbërjes së Jugosllavisë, do duhet të japin shpjegime plotësuese se si ndodhi që rrugëtimi shumëpartiak i shqiptarëve të këtushëm të nisë me kalin e bardhë që shënoi themelimin e partisë së parë shqiptare në Maqedoni – Partinë për Prosperitet Demokratik – e të arrijë deri tek rrugaçëria partiake, deri te një mospërfillje e ndërsjellë mes partive të shumta që kanë sot shqiptarët e Maqedonisë. Që të arrijë pra deri te zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, kur BDI-ja fitoi, e PDSH-ja u bë pjesë e koalicionit qeveritarë. Apo, nga ecën, e nga shkuan partitë shqiptare që nga zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990, e deri tek ato të 2006, kur u thelluan mosmarrëveshjet ndëretnike dhe ato brendashqiptare, thuajse të gjithë kishin harruar se në ndërkohë kishte ndodhur edhe konflikti i 2001.

Duke rrëfyer tregimin e tyre për të kaluarën e vet në një Maqedoni të fillimëshekullit të njëzetenjë, e kur shqiptarët përpëliteshin në shtratin e pamundësisë që të pajtoheshin politikisht mes veti, gjyshërit e ardhshëm do e kenë të lehtë vetëm një gjë: të shpjegojnë se këto ishin kohë me shumë patriot, por me pakë ndjenjë përgjegjësie ndaj popullit. Prandaj edhe do mundë të ndodhë, për shembull, që politikanë e atdhetarë të llojit të Arbër Xhaferit, Abdulhadi Vejselit, Fadil Sulejmanit…, sado që edhe të kenë bë ndonjë të mire për popullin e vetë, në rrëfimet e gjyshërve të ardhshëm të mbeten të mbuluar nga hija e mjeshtërve që kanë manipuluar me ndjenjat e zgjedhësve të tyre. Dhe ata, si heronj të së sotmes politike të shqiptarëve të Maqedonisë, thuajse e kanë të sigurt vendin në tregimet që gjyshërit e ardhshëm do ua rrëfejnë nipërve, duke dashur të shpjegojnë pse shqiptarët e Maqedonisë kurrë nuk arritën të mësohen të jenë shërbëtorë të vetvetes, pse mbetën argat të huaj edhe në vitet kur kishin gojën përplot me integrime euro-atlantike. Apo, cili ishte ai qëllim kombëtarë, që i çoi liderët e sotëm partiak të kenë aq mllef ndaj njëri tjetër, sa edhe mirësjellje ndaj partnerëve të tyre maqedonas.

Gjyshërit e ardhshëm që do rrëfejnë për Maqedoninë e paskonfliktit të 2001, nuk do e kenë lehtë të shpjegojnë se çka kishte ndodhur në këtë vit. Jo pse këtë do ua ngatërrojnë historianët e etnitetit maqedonas, por shkaku se këtë e ngatërruan vetë drejtuesit e sotëm partiak shqiptarë. A në të vërtetë, rrëfimi për veprimin e sotëm të partive politike shqiptare në Maqedoni, mund edhe të thjeshtësohet, të mos zgjat as sa një përrallë që do arrinte të vë në gjumë një të mitur, të ngërthehet në një fjali, e të cilën gjyshërit e ardhshëm me siguri do e thonë me plotë neveri: ato ishin kohë kur dikush arriti që të vë baraspeshë mes grindjeve ndërpartiake shqiptare, kështu që, deri sa kryesuesit e PDSH-së sulmonin BDI-në, Gruevski sundonte me shqiptarët si ai që ka gjet shërbëtorë të atillë që përbuzin vetveten, e ia rrisin namin pronarit.