Shkruan: Kim MEHMETI
Nëse politika është perde që fsheh fytyrën e vërtetë të një rendi shoqëror, atëherë tërësia juridike e një shteti është pasqyra ku shihen të gjitha të metat e një shoqërie. Andaj, edhe rendi juridik i një shteti matet me atë se sa ai është nën ndikimin e politikës, sa arrin të mos bëhet qëndismë e perdes politike, e cila fsheh fytyrën e vërtetë të elitave pushtetmbajtëse të një shteti. Nuk ka dyshim se, sistemi juridik që e kontrollon politika, është peshore që e mbajnë në dorë gjykatësit dhe ligjet, por peshën e fajësisë e përcaktojnë politikanët. E politika që nuk respekton sistemin juridik është tirani.
Por, ka shoqëri më të këqija se ato ku politika dhe gjyqësori janë si dy vëllezër të pandashëm mëkatarë, që kalojnë ditën në dy dhoma të ndara, por flenë në shtrat të përbashkët partiak: ato janë shtetet që kanë sistem të dyfishtë të drejtësisë. Pra, ato janë shtet siç është Maqedonia e sotme, e cila ka vetëm një palë ligje dhe të njëjtin gjyqësor për të gjithë qytetarët e saj. Por kur bëhet fjalë për përcaktimin e fajësisë, ato ligje ndryshe lexohen dhe gjykata ndryshe e mat fajin, varësisht se cila është përkatësia etnike e atij që duhet matur me peshoret e drejtësisë.
Shqiptarët e Maqedonisë e dinë prej moti se jetojnë në një shtet, i cili ka standarde të dyfishta juridike. Njërin për etnitetin maqedonas, e tjetrin për shqiptarët e këtushëm. Andaj, ata janë më të kënaqur, për shembull, kur përplasen me makinën e tyre me atë të ndonjë bashkëkombësi të tyre, se sa me atë të ndonjë maqedonasi. Sepse e dinë se ligji dhe gjyqësori në këtë shtet, nuk kanë për obligim vetëm të mbrojnë të drejtën, të përcaktojnë fajtorin dhe të pafajshmin, por edhe të mbrojnë maqedonasit etnikë nga shqiptarët.
Mbase ka të tillë që mund të mos ta besojnë këtë vlerësim, mbase është mirë që botën ta mbisundojnë kureshtarët e skeptikët, ata që kërkojnë prova për të gjitha pohimet, që nuk u besojnë vlerësimeve të paargumentuara. Andaj, ja një argument më të ri, për ata që nuk besojnë, që thonë se shqiptarëve të Maqedonisë u duket e errët edhe dita me diell, se çdo gjë rreth vetes e shohin me syzet e dëshpërimit, sepse nuk munden edhe Maqedoninë ta bëjnë Shqipëri dhe bëjnë çmos ta njollosin demokracinë premtuese multietnike të këtij shtetit. Pra, ja një dëshmi për standardin e dyfishtë juridik të Maqedonisë, dëshmi që mbase do ta qartësojë atë që u tha më lart.
Këto ditë, në Maqedoni, filloi procesi gjyqësor i të ashtuquajturave "Lëndë të Hagës", e që kanë të bëjnë me konfliktin e vitit 2001. Pra këto ditë, pritet të fillojë gjykimi i të akuzuarve për keqtrajtimin e punëtorëve të kompanisë ndërtuese "Mavrovo" dhe për të dyshuarit se kanë mbyllur ujësjellësin e Kumanovës gjatë konfliktit të 2001-shit, duke rrezikuar jetën e shumë civilëve të pafajshëm. Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës nuk e pa të arsyeshme të ngrinte aktpadi për këto dy raste, si edhe për të zhdukurit e etnitetit maqedonas e për përgjegjësinë komanduese të udhëheqësve të ish-UÇK-së. Edhe pse partitë shqiptare – dhe jo vetëm ato – me të drejtë thonë se fillimi i proceseve gjyqësorë kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, është i dëmshëm për shtetin, se për krimet e luftës është kompetent vetëm Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës, se rastet për të cilat akuzohen edhe disa deputetë të BDI-së janë të përfshira në Ligjin për Amnisti, prokurori i këtushëm shkon tutje. Tanimë janë dhënë urdhëresat për paraburgimin e deputetit të BDI-së, Isein Xhemaili. Pra, këto ditë, u bë e ditur se dy nga deputetët e BDI-së kanë hequr dorë nga imuniteti i tyre dhe çdo gjë ia kanë lënë në duar sistemit juridik të Maqedonisë. Me këtë mbetet e paqartë nëse vallë ky është fillimi i ndonjë tregtie politiko-juridike mes Gruevskit dhe Ali Ahmetit, apo thjesht BDI-ja, për të mbetur në pushtet e për të kontribuar në rritjen e rejtingut të Gruevskit tek etniteti maqedonas, është e gatshme të flijojë ndonjë nga pjesëtarët e dikurshëm të UÇK-së. Pra, se është e gatshme të zhvlerësojë edhe vlerën më të madhe që kanë shqiptarët e Maqedonisë – luftën e vitit 2001 – vetëm për t‘ia plotësuar të gjitha dëshirat Gruevskit.
Sido që të jetë, duhet vazhduar argumentimi se Maqedonia ka sistem të dyfishtë juridik: një për maqedonasit etnikë, e tjetrin për shqiptarët e këtushëm. Edhe atë, duke mos u larguar nga konflikti i 2001-shit. E ky konflikt përfundoi me disa të zhdukur të etnitetit maqedonas, si dhe me të zhdukur shqiptarë, me disa civilë të keqtrajtuar të etnitetit maqedonas e shqiptar, me disa banorë shqiptarë të vrarë, e që nuk ishin pjesëmarrës aktivë në luftime, në mesin e tyre edhe fëmijë. Ky konflikt përfundoi si gjithë konfliktet në botë, ku e pësojnë edhe ata që nuk kanë veshur uniformat dhe nuk mbrohen me armë. Por, sot në Maqedoni, ngrihen aktakuza vetëm për shqiptarët e dyshuar se kanë bërë krime lufte. Pra, deri më sot, organet policore dhe gjyqësore të Maqedonisë, thonë se kanë identifikuar ata që kanë keqtrajtuar punëtorët e kompanisë "Mavrovo", ata që mbyllën ujësjellësin e Kumanovës gjatë konfliktit, ///////////cilët janë të dyshuarit për të zhdukurit e etnitetit maqedonas, cilët janë njerëzit që bartin përgjegjësi komanduese për gjithë këto të këqija.
Por kjo polici dhe ky shtet bëjnë sikur nuk dinë asgjë se kush ishin ata që morën pjesë në zhdukjen e shqiptarëve të pafajshëm, që rrahën me dhjetëra të tjerë edhe përpara spitaleve të shtetit, që komanduan të bombardoheshin vendbanime ku u vranë edhe fëmijë shqiptarë. Pra, ky shtet lehtë i zbulon fajtorët që kanë dëmtuar qytetarët e etnisë maqedonase, por kurrsesi nuk arrin t‘i gjejë ata që gjatë konfliktit të vitit 2001, bënë dëme nga më çnjerëzoret mbi civilët shqiptarë.
Andaj, duke qenë Maqedonia e tillë, me drejtësi dystandardëshe, shtrohet pyetja e logjikshme: pse partitë shqiptare lejojnë që në këtë shtet edhe më tej të vlejë një peshore juridike për maqedonasit etnikë, e një tjetër për shqiptarët e këtushëm? Pastaj pason pyetja tjetër: vallë partitë e këtushme shqiptare nuk e shohin se me hapjen e "Lëndëve gjyqësore të Hagës", Gruevski nuk kënaqet vetëm me paraburgimin e disa deputetëve të partive shqiptare, por do të arrijë diçka më shumë se kaq: t‘i mbajë sa më gjatë të "paraburgosura" BDI-në dhe PDSH-në. Dhe të shtojë popullaritetin e tij tek etniteti maqedonas, duke u dëshmuar si "hero", i cili do t‘i pastrojë llogaritë me shqiptarët për konfliktin e 2001-shit. Dhe, duke i kanosur me burgosjen e deputetëve shqiptarë, Gruevski jo vetëm që ua mbyll gojën partive më të mëdha të këtushme shqiptare, por shkon një hap më larg: e sforcon sistemin e dyfishtë juridik në Maqedoni dhe u përcjell shqiptarëve porosinë se çdo gjë e tyre varet nga vullneti i tij.
Mbase shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë nevojë që Gruevski t‘ua ripërtërijë porosinë, të cilën ata e kanë marrë vite më parë. Gruevski duhet ta ketë ditur se shqiptarët e këtushëm prej moti e kanë të qartë se jetojnë në shtet me standarde të dyfishta juridike. Duhej dikush t‘i tregonte Gruevskit se shqiptarët e këtushëm, nuk e përjetojnë gjithaq dhimbshëm standardin e dyfishtë juridik të shtetit ku jetojnë, e me të cilin thuajse janë mësuar, por i dëshpëron e vërteta se, edhe partitë e tyre i janë nënshtruar bindjes që ky realitet juridik është një e keqe e domosdoshme e që duhet duruar. Pra, shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë vetëm hallin e të pambrojturit nga sistemi juridik i shtetit, por i trishton e vërteta se kanë parti që edhe më tej mbeten të varura nga vullnetit politik i qarqeve partiake të etnitetit maqedonas. E se me këta përfaqësues shqiptarë nëpër organet më të larta shtetërore, shqiptarët e këtushëm nuk do arrijnë t‘i artikulojnë as pyetjet logjike, si për shembull atë, pse për zhdukjen e maqedonasve ka të akuzuar konkretë, e për të zhdukurit shqiptarë askush nuk akuzohet? Apo pse ky shtet aq lehtë arrin t‘i zbulojë "krimet" e bëra mbi popullatën e etnitetit maqedonas, e thuajse fare nuk e intereson zbulimi i atyre që keqtrajtuan dhe vranë civilë shqiptarë?
Pa dyshim, edhe politika zyrtare e Shkupit është vetëm një perde që mbulon fytyrën e vërtetë të rendit shoqëror në Maqedoni. Por, sado që ajo perde të jetë e stolisur dhe e patejdukshme, mjafton në të të shohësh qëndismat e standardit të dyfishtë juridik, e ta kuptosh se bëhet fjalë për rend shoqëror, i cili realisht është shumetnik, shumëkulturor e shumëgjuhësor, por ka polici dhe gjykatës që kuptojnë vetëm kur u flet maqedonisht. E këtë perde, e stolisin edhe qëndismat e partive të këtushme shqiptare, që bëhen pjesë e koalicioneve qeveritare. Parti që, ose kanë ndonjë strategji të fshehur për të ardhmen e këtij shteti, ose janë aq të përgjumura, sa nuk e kuptojnë se, sa më shumë e stolisin fytyrën me pomada dhe pudra të ndryshme, aq më shumë u plaket dhe e pëson lëkura e tyre.