Back

Partia e spiunëve apo spiunë te partisë

Individi nuk di thuajse asgjë nga ajo që i ka ndodhur gjatë periudhës së hershme të fëmijërisë së tij, andaj kjo pjesë e biografisë personale shkruhet nga të dhënat që i japin dadot, të cilat kurrë nuk tregojnë për keqtrajtimin e tyre ndaj foshnjës, por manipulojnë me ngjarjet dhe tregojnë vetëm atë që fëmijën e dikurshëm do e portretojnë o si të pagdhendur e torollak, o ashtu që ai t’i përshtatet të rriturit të sotëm. Diçka e ngjashme ndodh edhe me popujt që kanë qenë të sunduar nga të tjerët, që nuk kanë pasur kurrë mundësinë vetë ta shkruajnë “biografinë” e tyre, që nuk kanë mundur të shohin manipulimet që ua bëjnë “dadot” politike e policore të sunduesit, për t’i mbajtur sa më gjatë nën kthetrat e veta dhe për t’i larguar nga shtegu që i çon drejt lirisë. Mbase kjo vlen edhe për shqiptarët e ish-Jugosllavisë, e kaluara e të cilëve do mbetet ndoshta edhe përgjithmonë në dosjet që ruhen nëpër qendrat policore të Beogradit. Me çka, Beogradi do mund gjithmonë të manipulojë me biografitë e individëve dhe sa herë që të ketë nevojë, do mund të shpalosë të dhëna të sakta apo të trilluara, për të shkaktuar hutesë e për të diskualifikuar njerëz. Këtë të vërtetë mbase më së miri, dhe të parët, do e kuptojnë shqiptarët e Maqedonisë, të cilët vazhdojnë vëmendshëm ta ndjekin “tv-novelën” politike me titull “PDSH-ja i zbulon spiunët e BDI-së”, “tv-novelë” e cila bëhet gjithnjë e më interesante dhe sjell dëshmi të bollshme se Beogradi është qendra që ruan të kaluarën kolektive dhe individuale të shqiptarëve të këtushëm. Në “episodet” e fundit të saj është shtuar numri i aktorëve dhe janë përfshirë edhe lajmës të padukshëm, që bredhin natën nëpër Tetovë, duke hedhur nëpër oborret e qytetarëve të këtushëm dosje të tëra të ish-bashkëpunëtorëve të policisë sekrete jugosllave, e tani funksionarë të lartë të BDI-së. Dhe posa zbardh dita, ato dosje shumëzohen dhe u shpërndahen të gjithë të interesuarve, përfshi gazetarë e kryesues partish. Kështu që, sa më i madh bëhet numri i funksionarëve të BDI-së të dyshuar si bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete policore, aq më shumë rriten hamendësimet e shqiptarëve të këtushëm se kujt i duhet besuar: tmerrit që shkruan nëpër dosje, apo të dyshuarve si ish-spiunë, e që pohojnë se ato dosje i ka fabrikuar PDSH-ja, e cila sipas tyre bën punën për çka edhe është themeluar – i përçanë shqiptarët e këtushëm dhe atyre ua njollos njerëzit e vlefshëm që kanë. Dhe duke u marrë me atë se kush ka të drejtë, shqiptarët e këtushëm nuk ia dalin të shohin se këtë të keqe që u mbiu në arën e tyre politike, duhet ta përdorin që njëherë e përgjithmonë të shpalosin të vërtetën se vallë janë në duart e partisë së spiunëve, apo në ato të spiunëve të partisë. Pra, duke u marrë me atë se kujt i duhet besuar, shqiptarët e këtushëm mbase ende nuk e shohin se këtë betejë, që tani e kanë fituar qarqet antishqiptarë që kanë vetëm një qëllim: ta çojnë këtë popull të jetë mosbesues ndaj çdo personi publik, ta nxisin dyshimin te të gjithë ndaj të gjithëve, të mos i lënë mundësi këtij populli të dalë nga kthetrat e bindjes se, qenke apo jo spiun, fatin tënd e kanë në duar spiunët policorë shqiptarë. E me çka, më në fund, do bëhet më e besueshme thënia poshtëruese se nuk ka shqiptar që nuk do kishte pranuar të spiunonte, por ka shërbime policore që nuk paguajnë aq sa kërkojnë spiunët shqiptarë.

Duke u nisur nga e vërteta se kjo luftë ndërpartiake ka vetëm dy domethënie o PDSH-ja është parti që fabrikon apo ka qasje në dosjet policore, e që do të thotë se ka qëllime destruktive dhe është themeluar për shkaqe që i thonë të akuzuarit e BDI-së, o partia e Ali Ahmetit është kapur në kthetrat e spiunëve policorë – që tani mund të thuhet se kjo betejë ka shpalosur të vërtetën që disa e përsërisin vite me radhë: edhe sot, njësoj si deri dje, qarqet policore vendase, apo të Beogradit, janë ato që këtij populli ia caktojnë heronjtë dhe spiunët. Pra, cilido që të jetë rezultati i kësaj beteje, fundi i saj do tregojë pse partitë e shqiptarëve të këtushëm janë aq inferiorë ndaj partnerëve të tyre maqedonas, si dhe pse shqiptarët e Maqedonisë nuk ia dolën të shpëtojnë nga kthetrat e kontrollit policor, e që të munden të sundojnë me shtetin dhe vetveten. Gjë që duhet shqiptarët e këtushëm t’i çojë të kërkojnë nga udhëheqësit e këtyre dy partive të shkojnë deri në fund në zbardhjen e së vërtetës se kush gënjen. Dhe pasi t’u thonë kryesuesve të këtyre dy partive se ata nuk do kenë arsye t’i besojnë as PDSH-së e as BDI-së, nëse ato nuk ia dalin të dëshmojnë pastërtinë e tyre, shqiptarët e këtushëm do duhet ta bëjnë hapin e mëtejmë drejt pastrimit të tyre nga plehu policor: të ngrenë zërin e të tregojnë se nuk ndjehen të sigurt në shtetin ku jetojnë, të thonë përpara gjithë botës se ky shtet, duke u kurdisur atyre parti spiunësh apo spiunë nëpër parti, dëshmon se ata i konsideron si qytetarë të huaj, që duhet mbajtur nën vëzhgim të përhershëm policor, se ky shtet atyre nuk u lejon të shijojnë të drejtën më elementare të qytetarëve të lirë, që pa ndërhyrjen policore t’i zgjedhin përfaqësuesit e vet. Si dhe të pohojnë hapur se nuk janë të gatshëm të investojnë për të mirën e një shteti të tillë, që me metoda policore shkel mbi dinjitetin e tyre.

Pra, sido që të zhvillohet më tej kjo betejë ndërpartiake, ngjarjet e deritanishme duhen shikuar nga këndi se PDSH-së i kanë mbetur dy zgjidhje: o të dëshmojë vërtetësinë e dosjeve, o i tërë populli përfundimisht ta kuptojë se ajo i fabrikon ato, apo se është vetëm një dikaster policor që ka për detyrë sa më shumë t’i dëmtojë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë dhe jashtë saj. Dhe mbase nuk do mjaftojë vetëm kaq: nëse dëshmohet se dosjet janë të vërteta, PDSH-ja do duhet të shkojë më tej e të tregojë si është e mundur që fantazmat e natës ato t’i hedhin vetëm nëpër oborret e të besueshmëve të kësaj partie, apo në atë të kryetarit aktual të PDSH-së, siç ndodhi para ca viteve, kur dosjen e tij policore dikush e la në oborrin e shtëpisë së tij, me çka u pa se ai nuk ishte vetëm “vojvodë” i certifikuar nga vetë VMRO-DPMNE-ja, por edhe viktimë e shërbimeve sekrete policore. Gjithashtu, sa i përket kësaj lufte ndërpartiake, BDI-ja nuk mund të tërhiqet ashtu siç paralajmërojnë përfaqësuesit e saj, duke thënë se nuk kanë kohë të merren me trillimet e PDSH-së, por do duhet të dëshmojnë atë që pohojnë funksionarët e lartë të kësaj partie të akuzuar si spiunë të policisë sekret – se janë viktimë e insinuatave policore. Nëse ndodh që partia e Ali Ahmetit – e zënë me punë shtetërore dhe e angazhuar rreth anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE – të mos ketë kohë të mjaftueshme për të dëshmuar pavërtetësinë e akuzave të PDSH-së, atëherë shqiptarët e këtushëm do duhet të ndajnë pak kohë e të pyesin veten: Mos vallë BDI-ja është e kapur keq nga organet policore, andaj përfaqësuesit e saj në qeveri ngjajnë si me qenë të tredhur. Pra, pa u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, PDSH-ja dhe BDI-ja nuk do mund të shpresojnë se ky popull edhe më tej do u besojë dhe mbase kjo betejë e ndërsjellë do shënojë edhe shuarjen e ngadaltë të tyre. Kuptohet, përpos nëse Beogradi nuk u ka premtuar se së shpejti do fillojë shpërndarjen e dosjeve për vuajtjet e “atdhetarëve” tanë të devotshëm. Me çka do ndodhë ajo që ka ndodhur dekada me radhë në të kaluarën e shqiptarëve të këtushëm: që qarqet policore sekret t’ua kompletojnë listat e “patriotëve” dhe “tradhtarëve”.