Back

Partitë shqiptare duan më shumë pëlqimin e palës maqedonase

Analistët shqiptarë vlerësojnë se partitë politike shqiptare edhe pse më së shumti kërkojnë dhe u nevojitet vota e popullit shqiptar, por për ata prapë më e rëndësishme është që të pëlqehen nga pala maqedonase. Publicisti Kim Mehmeti thotë se partitë politike shqiptare në të vërtetë e kërkojnë votën e shqiptarëve, mirëpo dëshirojnë të jenë të pëlqyer nga pala maqedonase. “Ata më shumë i besojnë këtij pëlqimi, nisen nga ajo se nëse i pëlqen mandatori kanë fat më të mirë sa nga pëlqimi i popullit të vet. Kështu edhe në të vërtetë shqiptarët edhe kur votojnë për partitë e veta, ata mbështesin ndonjë parti maqedonase dhe që është më e keqja, partitë shqiptare manipulojnë me popullin shqiptar”, tha Mehmeti. Ai shtoi se  partitë politike asnjëherë nuk tregojnë se me cilën parti maqedonase duan të realizojnë programin e vet partiak. “Partitë politike shqiptare bëhen edhe pjesë e qeverive pa u treguar shqiptarëve se me cilin program partiak kanë hyrë në qeveri dhe cila pjesë e atij programit është bërë pjesë e interesit shtetëror”, theksoi Mehmeti. Drejtori i Asociacionit për Iniciativa Demokratike, Albert Musliu tha se partitë politike shqiptare kërkojnë votën e popullit shqiptar, por nuk bëjnë shumë për interesat e këtij populli. “Partitë politike shqiptare kërkojnë votën e popullit shqiptarë por nuk bëjnë aq shumë sa i përket interesave të shqiptarëve. Po të shohim në sferën e integrimeve, ekonomisë, mund të themi se nuk kanë bërë shumë partitë shqiptare”, tha Musliu.

Politika shqiptare nuk duhet të mbështet vullnetin antishqiptar

Publicisti Kim Mehmeti thotë se partitë shqiptare thonë se ato do të respektojnë vullnetin politik të popullit maqedonas, por nuk duhet ta bëjnë atë nëse mbështesin opsione politike antishqiptare. “Nëse përdoret kjo logjikë edhe Millosheviqi 20 vite mbështetej në vullnetin e shumicës serbe, mirëpo me atë nuk bashkëpunonte asnjë parti shqiptare prej kosovarëve. Kur ai vullnet i tjetrit është antishqiptar duhet ta luftoni atë vullnet e jo t’i bëni krah dhe ta ndihmoni të realizojë sepse ne BDI-së nuk ia dhamë vullnetin tonë politik shqiptarë që ta ndihmojë Gruevskin të ndërtojë përmendore dhe kisha që janë absolutisht antishqiptare”, tha Mehmeti.

Teksti u shkeput nga ueb-faqja: http://lajmpress.com/lajme/maqedoni/8877.html