Back

Pellgu i avdallenjëve politikë

Shkruan: Kim MEHMETI

Sa herë që arrij në Tiranë, nga unë shkëputet ai shqetësimi që e bart në Shkupin tim. Jo se këtu nuk i shoh gropat e shumta, pluhurin…, por ka diçka që më bën të ndihem më lirshëm, më çon të besoj se mund të jem ai që jam dhe që dua të mbetem. Pastaj vijnë takimet me miqtë, me ata që dua t‘i shoh dhe që i gëzon takimi ynë. Mes meje dhe takimeve miqësore qëndrojnë gazetarët që kërkojnë intervista, apo edhe ndonjë tekst për gazetën e tyre. Dhe mua më pëlqen ai profesionalizëm te kolegët e Tiranës, më vjen mirë që këtu është mbjellë fara e një konkurrence të shëndoshë, më lumturojnë lajmet se të rinjtë që shkolloheshin jashtë Shqipërisë kanë filluar të kthehen në atdhe. Më gëzon kjo, sepse atje nga vij unë, të rinjtë gjithnjë e më shumë braktisin vendlindje, se për shqiptarët e Maqedonisë mbetet thuajse çdo gjë siç ishte dikur: ata vetëm e ndërruan shtratin, dhe nga ai i njëmendësisë robëruese ideologjike u shtrinë në atë të çmendurisë shumëpartiake.

Sa herë që vij në Tiranë, më ringjallet bindja se ne që jetojmë në "periferitë" kombëtare, pak më egërsisht dhe më rrëmujshëm e ndjejmë dhe manifestojmë përkatësinë etnike. Apo, se duam apo nuk duam, ngadalë por sigurt, përkatësia etnike na vishet si profesion. Në të vërtetë, këtë më së miri e ndjen gjenerata ime e lindur nga mesi i viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Ata që rininë e kaluan në Jugosllavinë e Titos, ata që bartnin shenjën e "tjetrit", "ne" që ishim në një dialog të heshtur të mosbesimit të ndërsjellë me "ata" që na mbanin për fajtorët kujdestarë e për të gjitha dështimet politike të shtetit. Që na shikonin si të ishim "spiunë" të mundshëm të dyfishtë: që shtetin ku jetonin e spiunonin te mëmëdheu, apo mëmëdheun e spiunonin te shteti ku jetonin. Pra, "ne", të cilët "ata" mbase i mbanin edhe si "tradhtarë" të dyfishtë: ata që tradhtonin shqiptarinë në shtetin ku jetonin dhe që tradhtonin shtetin e tyre duke mbajtur kokën gjithmonë të kthyer nga Tirana e Prishtina.

E gjenerata ime në të vërtetë ishte vetëm pjesa e "tradhtuar" dhe e "spiunuar" e shqiptarisë. Sepse na ishte ndarë roli të mbetemi ëndërrues të përhershëm, pronarë të shpresës se do vijë koha kur "ata" do e kuptojnë se "ne", që mbajmë peshën e përkatësisë së dyfishtë – të jemi shtetas të Maqedonisë dhe bashkëkombës të atyre që jetojnë edhe në katër shtete tjera -jetojmë në pellgun ku mundimshëm bëhet eksperimenti se si të ndërtohet njeriu i Ballkanit. Se jemi banorë të shtetit "Askundeja", ku bëhet gjithnjë e më i thellë pellgu i avdallëve politikë.

Kur arrij në Tiranë, më kujtohen edhe vitet e pjekurisë së gjeneratës sime. Vitet kur çdo gjë ia flijuam shumëpartizmit. Të bindur se shumëpartizmi do e nxjerrë nga krahët tanë "yllin e Davidit" me të cilin na kishin shënuar me dyshimin e përjetshëm si "spiun" dhe "tradhtarë" të dyfishtë, si ata "tjerët", të cilëve nuk mund t‘u besohet. Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, ne, shqiptarët e periferisë kombëtare, as që mund ta mendonim se edhe pas shumëpartizmit do përballemi me partitë tona, të cilat – njësoj si dikur komunistët – do na e vënë në krahë "yllin e Davidit", e do na shpallin spiunë dhe tradhtarë të vetvetes. Se do bëjnë çmos të na bindin se ka diçka edhe më të egër se monizmi monstruoz komunist: shumëpartizmi i ndërtuar mbi bazat e rrugaçërisë.

Gjatë vizitës sime të para disa ditëve në Tiranë, disa miqve të mi u thashë se përfundimisht do i braktis të gjitha, e do vij në kryeqytetin e mëmëdheut. Jo se me këtë dua të sforcoj dhe dëshmoj boshtin e shqiptarisë në vetvete, por shkaku se në Shkup kam filluar të ndjehem si mes tregut, ku shiten ëndrrat e vjetruara. Se në vendlindje ndjehem si shitës i ëndrrave të gjeneratës sime, e të cilat askush nuk i blen. Miqtë e mi i gëzon ardhja ime eventuale në Tiranë, por gjithashtu edhe i hidhëron e vërteta se diku thellë tek unë ka bërë fole ndjenja e një dështimi personal, se unë dhe caku që ëndërronte gjenerata ime, edhe sot jemi të largët po aq sa në kohët kur fatin na e caktonin "ata" që na mbanin për "të tjerë". Se edhe tani, njësoj si dikur në socializëm, ne, banorët e periferisë kombëtare, që jetojmë në Maqedoni, mbetëm "të tjerët". Por tani, partitë shqiptare, që popullin e ndajnë si me thikë, e helmuan me mosdurimet partiake.

Tërë ajo qetësia që më ledhaton sa kohë qëndroj në Tiranë, zhduket në çastin kur arrij në kufirin ndërshtetëror. Aty ku policët kufitarë të Shqipërisë e respektojnë shkrimtarin tek unë dhe shpeshherë bëjnë atë që nuk e kërkoj nga ata: më lëshojnë edhe pa pritur radhë, që pastaj të nisem drejt policëve të Maqedonisë, ku sjellja e tyre varet nga fakti se simpatizant i cilës partie je. Dhe sa kaloj atë hapësirë ndërkufitare, më bëhet se shqiptarët e Maqedonisë edhe për shumë kohë do mbeten si banorë në "pellgun e askujt", e të cilët do kenë vetëm një vlerë: të jenë pronë e "sekteve" politike shqiptare, që demokracia ua mundësoi të mbledhin tatimin e duhur të "shqiptarisë", duke kryer vetëm një punë; duke na bërë të dëgjueshëm "neve" që nuk duam të jemi të "tjerët" në shtëpinë tonë. Pra, më forcohet bindja se edhe më tej do mbetemi "të tjerët", se edhe më tej do jemi ata, të cilët më intensivisht e ndjejnë dhe përjetojnë përkatësinë etnike, nga shkaku se jetojnë në periferi, aty ku është më e thellë ndjenja se sa e rëndë është të jesh gjithmonë "tjetri". Aty ku edhe kur mungojnë "ata", që duhet të na ndajnë "neve", del ndonjë i "yni" që bën të vetmen që di – ta ndajë popullin e tij që më lehtë të sundojnë "ata" me "ne".

Kësaj radhe, posa arrita në vendkalimin kufitar të Qafës së Thanës, dëgjova lajmin se Gjyqi Kushtetues i Maqedonisë kishte shpallur të pavlefshme disa nene të ligjit për përdorimin e flamurit shqiptar. E tek unë sërish u ringjall ndjenja e "tjetrit", që jeton në shtetin e "tyre", ashtu si dhe hidhërimi se kësaj radhe nuk më janë fajtorë "ata", por këta "tanët", këta që i lejuan kësaj garniture qeveritare ta kthejë Maqedoninë aty ku ishte, para vitit 2001. Pra, këta "tanët" në koalicionin aktual qeveritar u bënë krah i qarqeve politike maqedonase që donin të zhvlerësonin shpresën më të madhe të shqiptarëve të këtushëm: Marrëveshjen e Ohrit. E nxitës që të rishqyrtohet kushtetutshmëria e këtij ligji ishin Liljana Popovska (kryetare e Partisë për Ripërtëritje të Maqedonisë, pjesë e koalicionit të sotëm qeveritar), partia TMRO, VMRO- Partia Popullore (partia që pas zgjedhjeve parlamentare të 2006, të gjithë deputetët e saj ia la në dispozicion PDSH-së, vetëm që ta pengojë hyrjen e BDI-së në qeveri) dhe disa anëtarë të VMRO-DPMNE-së (partisë së Kryeministrit aktual të qeverisë së Maqedonisë). Pastaj pason lajmi për vrasjen e një polici maqedonas, në afërsi të kufirit me Kosovën. Unë ngutshëm i afrohem Shkupit. E mua vazhdon të më afrohet dhe të më mbështjellë një shqetësim që nuk më hiqet ka muaj me radhë. Kur arrij në shtëpi, dëgjoj se si përfaqësuesit e PDSH-së e thellojnë "pellgun e avdallëve" politikë: e sulmojnë Ali Ahmetin dhe LSDM-në për vendimin e Gjyqit Kushtetues. Pra, duan të thonë se iniciuesit e iniciativës që ky gjyq ta vlerësojë kushtetutshmërinë e këtij ligji (shokët e PDSH-së në koalicionin qeveritar) na qenkan shërbëtorë të Ali Ahmetit dhe LSDM-së maqedonase. Pastaj ecë e mos thuaj: o Zot, na shpëto nga paturpësia e avdallëve, se nga të mençurit do na shpëtojë ndjenja e tyre personale për sadopak respekt ndaj popullit që përfaqësojnë.

Sido që të jetë, tani jam në shtëpi. Aty ku më presin më të dashurit e mi. Mundohem të fsheh shqetësimin, por ka diçka që më bënë të ndihem si ai që ka tradhtuar ëndrrat e fëmijëve të tij. Sepse e di se edhe ata do e harxhojnë rininë, ashtu siç e harxhova unë timen: si "të tjerët" që jetojnë në shtëpinë e tyre. Me atë dallim se ne "tanët" e "tjerët" do i ndajnë partitë shqiptare. Ku ta dish, ndoshta kjo do i çojë të ndihen më keq sa ndihesha unë në rininë time, kur "ata" na llogarisnin si të tepërt dhe qiraxhinj në shtëpinë tonë. Sido që të jetë, unë dua që ata ta kuptojnë se të jesh "tjetri" atëherë kur "ata" duan ta heshtin tërë një popull, do të thotë të dëshmosh se Maqedonia do mund të ekzistojë vetëm nëse jetësohet ëndrra jonë: o do jemi të gjithë shtëpiarë të barabartë të këtij shteti, o nuk do vlejë gjë as kushtetuta, e as vendimet e Gjyqit Kushtetues të Maqedonisë.

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)