Akademia maqedonase ka njoftuar se përkohësisht do ta tërheq nga shitja “Enciklopedinë” skandaloze të botuar para disa ditëve. Dhe se do korrigjojë pjesë të këtij libri skandaloz. Në ndërkohë, në stadiumin e Prishtinës, u dogj flamuri i Maqedonisë, flaka e të cilit edhe më shumë e kalli zjarrin ndëretnik në Shkup. Mbase flaka e flamurit që digjej në Prishtinë, i detyroi kryeministrin e Maqedonisë Gruevskin dhe Ali Ahmetin më në fund të takohen e të zotohen se do e shuajnë këtë zjarr që kanoset ta kallë tërë shtetin që ata drejtojnë. Në takim e tyre, Gruevski dhe Ahmeti thanë se Akademia është ajo që duhet ta ndreq gabimin. Ata u zotuan se nuk do lejojnë që kushdoqoftë ta keqpërdorë këtë situatë për ta destabilizuar shtetin. E në ndërkohë, nuk treguan si ka qenë e mundur që qeveria të financojë një projekt të tillë dhe si është e mundur që askush të mos mbajë përgjegjësi politike për realizimin e këtij projekti antishqiptarë e antishtetëror. Aq më shumë, në deklaratën e tyre të përbashkët, mbizotëronte fryma se për këtë situatë, më fajtorë janë “individët” dhe qarqet që “keqpërdorën” këtë Enciklopedi, se sa ata që me të vërtetë e kallën jo vetëm flamurin e Maqedonisë, por edhe atë fijen e hollë të tolerancës ndëretnike në këtë shtet – akademikët maqedonas. Më çka, duke dashur ta shpërlajnë vetveten nga përgjegjësia politike që u takon, për piromanë i shpallën “individët” dhe “grupet”, ndërkaq duke mos treguar se si duhej të reagonin këta “individ” e “grupe”, mos vallë duhej t’i shprehnin falënderime të thella Akademisë maqedonase për trajtimin “shkencorë dhe korrektë” në “Enciklopedi”.
Partitë maqedonase e dënuan aktin e djegies së flamurit në Prishtinë dhe thanë se incidentet e këtilla nuk janë në interes të marrëdhënieve ndërshtetërore. Por gjithashtu, duke harruar të shtojnë se ata që në të vërtetë e kallën flamurin e Maqedonisë janë akademikët maqedonas. Pra, duke mos thënë të vërtetën se të rinjtë e Prishtinës, vetëm mbanin në dorë flamurin që e kallën qarqet e këtushme shkencore dhe politike antishqiptare, të cilat qarqe mbase edhe kanë pas për qëllim që flamurin që ata e ndezën, shqiptarët ta ngrinin sa më lartë, ta bënin sa më të dukshëm për popullin maqedonas, i cili do duhej me dorën e vetë ta digjte “Enciklopedinë” që gërryen themelet e shtetit që ata a mbajnë si të vetmen shtëpi ku duan të jetojnë.
Se situata e shkaktuar pas botimit të së ashtuquajturës ”Enciklopedi Maqedonase” ka rrezik të del nga kontrolli, dëshmoi edhe reagimi i dytë i ambasadës amerikane në Shkup. Ambasada amerikane i inkurajoi zyrtarët maqedonas të përqendrohen në caqet afatgjate të Maqedonisë. Dhe mirë bëri ambasada amerikane që reagoi për herë të dytë, sepse populli shqiptarë gjithmonë është përkulur e do përkulet me respekt përpara flamurit amerikanë, përpara flamurit i cili simbolizon miqësinë e shenjtë me popullin amerikanë, e në emër të së cilës miqësie ata mund të flijojnë edhe shumëçka të veten.
Me deklaratë të veten për opinionin e këtushëm publik u paraqitë edhe ish presidenti i Maqedonisë, Branko Crvenkovski i cili kërkoi të heshtet retorika luftarake. Kryetari i tanishëm i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Crvenkovski mbase është ndër të parët politikanë të këtushëm maqedonas që me kohë tregoi emrin dhe mbiemrin e autorëve të vërtetë të kësaj “Enciklopedie”, duke drejtuar gishtin kah qeveria e Maqedonisë. Andaj, zëri i tij për heshtje të retorikës që nxitë urrejtje ndëretnike, është i besueshëm dhe i vlefshëm. Njësoj siç ishte i vlefshëm edhe zëri i shumë analistëve dhe intelektualëve tjerë maqedonas të cilët guximshëm dhe me kohë thanë atë që duhej thënë akademikëve: mos luani me zjarr dhe mos e provokoni tërë një popull. Apo u thanë hapur të mos shkojnë rrugës së akademikëve serb, se do e djegin Maqedoninë dhe popullin e vet. Dhe këta politikanë, këta analistë e intelektual, janë ata që mbrojtën nderin e vetë dhe të etnitetit që i takojnë.
Lidhur me “Enciklopedinë” e shkruar me alfabetin e urrejtjes ndajë shqiptarëve, u prononcua edhe presidenti i maqedonasve Gjeorgji Ivanov, i cili tha se ky libër është problem i shkencëtarëve, e jo i politikanëve. Duke mos shpjeguar se ç’ndodh kur një projekt i tillë ka përmasat e një pamfleti politik. Ai jo se nuk e din se duhet dhënë edhe ky shpjegim, por është i vetëdijshëm se nëse do i futet shpjegimit se ç’ndodh me projektet antishqiptare të financuara nga shteti dhe të përuruar nga kryeministri, do duhet të shpalosë “autorët” e vërtetë dhe porositësit e një “Enciklopedie” të tillë. Pra, do duhet të tregojë me gisht nga vetvetja dhe shokët e partisë së tij në qeveri, të partisë e cila është e vetmja që nuk u distancua nga ky projekt antishqiptarë.
Lidhur me “Enciklopedinë” e shkruar me urrejtje ndaj shqiptarëve, e thanë atë që mendonin të gjithë ata që vlerësuan se duhej të dëgjohej edhe zëri i tyre. Tani pason faza kur shqiptarët do e shohin se botimi i parë i kësaj “Enciklopedie” në të vërtetë është shpërnda nëpër biblioteka dhe mbase edhe është shitur. Shqiptarët e këtushëm tani do shohin se si Gruevski dhe Ahmeti do e mbulojnë dëmin politik, pa kërkuar përgjegjësi edhe nga ministrja e kulturës. Ndërkaq, Ali Ahmeti do e ketë të pamundur të shuajë mllefin e shqiptarëve me kovë dhe atë mllef do mund ta paguaj me humbjen e besimit te votuesit e vet, posaçërisht nëse nuk u thotë hapur shokëve bashkëqeverisës të VMRO-DPMNE-së se ai e dinë se zjarrëkallësit e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni janë në mesin e kësaj partie. Andaj, para se Ahmeti të kërkojë nga “individët” dhe “grupet” të mos e keqpërdorin këtë situatë të shkaktuar pas botimit të këtij pamfleti politik antishqiptarë, do duhet t’i bind shqiptarët t’i besojnë Gruevskit i cili madhëroi këtë projekt gjatë ceremonisë promovuese. Pra, Ali Ahmeti do duhet të shpjegojë se kush do mbajë përgjegjësi politik për një projekt që ka pas për qëllim djegien e flamurit të Maqedonisë, e jo kultivimin e vetëdijes të ndjehesh mbushëm kur atë flamur e mbanë në duar.
Sa i përket Ali Ahmetit dhe bashkëpartiakëve të tij në qeverinë e Gruevskit, nuk ka dyshim se ata edhe gjatë kohë do digjen në temperaturat e larta që i prodhon furra antishqiptare e VMRO-DPMNE-së. Siç nuk ka dyshim se ne, “individët”, e kemi më lehtë duke i shikuar gjërat nga flladi i mospasjes përgjegjësi kolektive. Por, mbase edhe ashtu e do rendi: duhet të digjen ata që qëndrojnë pranë sofrës së privilegjeve, përpos nëse nuk kanë menduar se votën ua kemi dhënë vetëm sa të kemi kush të na përfaqësojë në sofrën ku ndahet “mishi i pjekur”. Më në fund, mbase ka ardhur koha kur politikanët shqiptarë duhet ta kuptojnë se çdonjëri mbanë përgjegjësinë që i bie në hise: “individët” për atë që e thonë publikisht, e pushtetmbajtësit për gabimet që marrin në qafë tërë një kolektivitet etnik. Ngaqë as “individët” as politikanët, ky popull nuk i ka lutur që të merren me punën që bëjnë. Të gjithë ne bëjmë atë që kemi zgjedhur si profesion tonin dhe përgjegjësia jonë është proporcionale me dëmin që shkakton çdo veprim yni. Barazim në përgjegjësit nuk ka. Sa i përket ikjes nga përgjegjësisë, ne prej moti e kemi parë filmin në regji të komunistëve të zhdërvjellë, të cilët, sa herë që dështonin, përgjegjësinë ua hidhnin “individët” dhe “forcave të errëta armiqësore”. Kësaj radhe duhet thënë hapur: “forca e errëta armiqësore” janë të dukshme dhe as qe mundohen të fshihen nga ne. Ato forca i panë shqiptarët dhe të gjithë maqedonasit me kokë të kthjelltë. Do mbetet e pashpjegueshme se si këto “forca të errëta” mbetën të padukshme vetëm për pushtetarët e Maqedonisë.