Back

Populli i fatit të tretë

Shkruan: Kim Mehmeti

Hera e parë është emocion, e dyta është përjetim, e treta pjekuri. Hera e tretë është korrigjimi i garës, është ndërlidhje e sukseseve dhe dështimeve të dy tentimeve të mëparshme, është racionalizim i emocioneve dhe përjetimeve. Ndalimi pas rrotullimit të tretë rreth vetes, luftëtarit të ndarë nga njësit i vetë, e të humbur në vend të panjohur, ia ka përcaktuar drejtimin nga duhet të shkojë duke iu dorëzuar dorës së fatit. E shqiptarëve të Maqedonisë, shpesh u ka ndodhur të rrotullohen tri herë rreth vetes, e të ndalen, duke shpresuar se kështu do e përcaktojnë drejt rrugëtimin e tyre të mëtejshëm të organizimit politik.

Kështu u ndodhi edhe nga mesi i dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, kur ishin të pakënaqur nga Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore, e kur fati i tretë ua solli Partinë Demokratike Shqiptare. Kështu ndodhi edhe pas konfliktit të 2001, kur të pakënaqur nga dy partitë e mëparshme – PPD-ja dhe PDSH-ja, sërish u rrotulluan rreth boshtit të tyre kurrizorë të organizimit partiak, që të niseshin rrugës nga i çoi i ardhuri i tretë, i dalë nga ish-luftëtarët e UÇK-së – Ali Ahmeti me Bashkim për Integrim Demokratik.

E që pastaj të arrijnë këtu ku ndodhen sot, të përballur me dilemën se vallë do duhet edhe për herë të tretë të fillojnë gjurmimin pas fatit që do duhet të korrigjojë pamundësinë e BDI-së që të mbrojë vullnetin shumicë të shqiptarëve të këtushëm dhe t‘i shpëtojë nga mendësia sllave e kryesuesit të PDSH-së (që për gjitha të këqijat t‘i fajësosh armiqtë e brendshëm e të jashtëm që merren me skenarë konspirativë), i cili këto ditë e qortoi edhe ambasadorin Fuere – përfaqësuesin e Unionit Evropian në Maqedoni – duke e këshilluar të "shikojë punët e veta" e të mos ndajë leksione për sjelljen e politikanëve të këtushëm.

Shqiptarët e Maqedonisë ishin dhe mbetën populli i fatit të tretë. Kësaj radhe, ata për së treti herë i dorëzohen trerrotullimit, duke shpresuar se do gjejnë rrugën e mirëfilltë të organizimit partiak, e që nuk do i ngjajë politikës së Ali Ahmetit, të mbështetur kryesisht në heshtje dhe në patericat e ambasadorëve perëndimorë. Që do i shpëtojë edhe nga politika e kryesuesve të PDSH-së, të cilët mbyten në ujin e turbullt të mercenarizmit dhe jeniçerizmit demokratik, mbase duke shpresuar se pasi ta kryejnë obligimin ndaj Kryeministrit aktual të Maqedonisë, Gruevskit, do i kthehen vetvetes e do bëhen Skënderbe.

Por, shqiptarët e Maqedonisë kësaj radhe e kanë më vështirë se më parë. Jo vetëm nga shkaku se ndiejnë marramendje nga trerrotullimet e shpeshta partiake të deritanishme, por shkaku se rrugët partiake, tani janë të thurura mirë nga dy partitë më të mëdha ekzistuese, të cilat shumëçka nuk realizuan, por një gjë arritën ta bëjnë: t‘ua humbin shqiptarëve të këtushëm dëshirën për të votuar dhe për të bërë garë politike. Gjë që u pa qysh në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2006, kur përqindja e atyre që dolën të votonin, nuk kalonte 43 përqindëshin. E kur kësaj përqindjeje do i nxirret ajo e votave të vjedhura nga aktivistët partiakë, del se shtatëdhjetë për qind të shqiptarëve të këtushëm, nuk i besojnë më as fatit të tretë.

Shqiptarët më të vullnetshëm të Maqedonisë, pra ata që ende i besojnë fatit të tretë, sot kanë drejtuar shikimin drejt partisë së Bardhyl Mahmutit – partisë për Bashkim Demokratik të shqiptarëve. Partisë e cila ka nga dy shkronja të partive aktuale më të mëdha të shqiptarëve në Maqedoni, dhe një udhëheqës të lindur në Tetovë, e të ardhur nga Prishtina. Politikan i cili u kthye në vendlindje në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, edhe atë me mision të caktuar e të paluhatshëm – të shkatërrojë BDI-në e Ali Ahmetit dhe të dëshmojë se cila është "fytyra e vërtetë" e udhëheqësve të kësaj partie. E për ta realizuar këtë qëllim, ai iu bashkëngjit Partisë Demokratike Shqiptare.

Me angazhimin e vet në këtë parti, Bardhyl Mahmuti arriti të realizojë dy gjëra: T‘i ndihmojë kësaj partie të ringjallet dhe ai vetë të kuptojë se nuk ishte mungesa e mjekrës pengesë që të qëndrojë më gjatë në krye të kësaj partie. Pra, të kuptojë se ishte futur në një sekt ku "kryemjeshtri" është edhe popull edhe parti, kështu që i mbetën dy zgjidhje: o të kthehej në Prishtinë dhe nga andej t‘u shkruajë letra udhëheqësve të këtushëm partiakë, o të korrigjojë gabimin e t‘ju dëshmojë partive të këtushme se as Zvicra nuk ka arritur t‘ia çrrënjosë një tipar karakteristik gjithëshqiptar – sa më i madh të jetë gabimi, aq më shumë të rritet inati për të shkuar deri në fund.

Andaj, tani kur PDSH-ja i ngjan një klubi nostalgjik të adhuruesve më besnikë të Arbër Xhaferrit, të cilët nuk dinë si do ia dalin me kryetarin e ri, tani kur BDI-ja kurrsesi nuk arrin të dalë nga organizimi i saj si i një "lidhjeje të socialistëve të vonuar", e të bëhet parti, Bardhyl Mahmuti jo më kot shpreson se është fati i tretë i shqiptarëve të këtushëm. Edhe atë jo vetëm pse dinë të "shajë" në mënyrë më të kulturuar se kryetari aktual i PDSH-së, jo vetëm pse ka pedigre atdhetare të ngjashme me atë të Ali Ahmetit, po pse shqiptarët e këtushëm ndiejnë lodhje nga arroganca e PDSH-istëve dhe maturia ngandonjëherë e pakuptimtë e BDI-istëve.

Pra, ai nuk e ka të pabazë shpresën se do arrijë t‘i bindë shqiptarët e Maqedonisë se atyre u nevojitet një parti e udhëhequr nga njeriu i cili nuk pranon as konceptet integriste as ato "janiçeriste", por që do i çojë drejt një Maqedonie e cila do jetë arë e përbashkët, por me kufij të saktë se deri ku kush mbjell e kush korr. Mbase ky mund të jetë koncepti i tij i vetëm që mund ta bëjë partinë e tij tërheqëse për shqiptarët e këtushëm, të cilët i provuan të gjitha konceptet e bashkëjetesës me maqedonasit etnikë. Pra, i provuan të gjitha, sa të kuptojnë se ata as mund të integrohen as mund të mëvetësohen në një Maqedoni të tillë, por mund vetëm të "kantonizohen". E sa u përket kantonizimeve, mbase Bardhyl Mahmuti mirë e ka shijuar këtë organizim shtetëror në Zvicër, ku ende ishin miq të ngushtë me Ali Ahmetin, nga sigurisht janë kthyer duke mos mundur të besonin se një ditë do bëheshin armiq politikë.

Shikuar realisht, Bardhyl Mahmuti do e ketë shumë vështirë të arrijë ndonjë rezultat nëse ndërkohë nuk ia del që shqiptarët e këtushëm t‘i bindë se nuk janë humbur të gjitha shpresat. Apo t‘i bindë se çdo gjë shteret e harxhohet, por vetëm idetë pa ndërpre ripërtërihen. Pra, t‘i bindë se ai ka ndonjë ide të re dhe koncept të paprovuar, i cili shqiptarët e këtushëm do i bëjë zot shtëpie, pa pasur nevojë as të integrohen, e as të mbeten jeniçerë, të cilët do e shkelin gjakun e vet që të bëhen të besueshmit e "sulltanit". Por, që ta arrijë këtë, BDSH-ja e Bardhyl Mahmutit në fillim do duhet ta kthejë optimizmin tek ata shtatëdhjetë për qind votues shqiptarë që ndihen të zhgënjyer nga të gjitha variantet e deritanishme të organizmit partiak, e pastaj të shkojë më tej: T‘i tërheqë nga PDSH-ja dhe BDI-ja ata që janë nisur rrugës për t‘u bërë "shërbëtorë të popullit", e që në të vërtetë duan ta pasurojnë shpurën e "oborrit të vet".

Gjatë aktivitetit të vetë disamujor, Bardhyl Mahmuti arriti të dëshmojë dy gjëra: se e njeh përdorimin dhe rëndësinë e mediave kur është në pyetje aktiviteti politik, dhe se fare nuk i njeh njerëzit e këtushëm. Kështu që, të parët që iu bënë shokë, janë edhe disa nga ata që edhe deri tani kanë treguar gatishmëri të bëjnë edhe intervenim kirurgjik të fytyrës, vetëm që të mos njihen se janë të njëjtit që e kanë provuar fatin politik me të gjitha partitë ekzistuese. Pra, nëse nuk arrin të ofrojë diçka të re, BDSH-ja e Bardhyl Mahmutit nuk do arrijë më shumë se sa të bëhet kosh për mbeturinat e BDI-së dhe të PDSH-së. Por, sido që të jetë, Bardhyl Mahmuti ka të drejtë ta shpallë veten si fati i tretë i të pafatëve.

E shqiptarët e këtushëm duhet të dëshmojnë se vallë në të shohin aktivistë të devotshëm për të mirën e popullit, apo edhe një nga ata që janë kthyer në vendlindje sa të mbledhin tatimin e shqiptarisë për kontributin atdhetar. E këtë do arrijnë ta kuptojnë vetëm nëse ndërkohë e kanë kuptuar pse gratë vejane mbajnë syze kur shkojnë në treg: jo që të mbrohen nga dielli, por që të mos u shihen sytë që shikojnë burrat e huaj. Pra, se ka edhe politikanë që dalin në tregun partiak jo që të shesin idenë e vet, po që të shesin fatin e huaj. Cilit tabor i takon Bardhyl Mahmuti, është herët të paragjykohet. E ardhmja do e dëshmojë se vallë ai dhe BDSH-ja e tij janë fati i treti, të cilin e presin shqiptarët e Maqedonisë, apo vetëm edhe një parti që ka selinë në ujdhesën e inatit shqiptar.      

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)