Back

Populli i ushqen, liderët i mjelin

Sa u përket të këqijave që të vijnë nga njerëzit, ka të atilla që jetën ta bëjnë rrënojë dhe të këqija, të cilat thuajse e paguajnë vetveten. Të këqija, të cilat e shpaguajnë vetveten, janë ato nga të cilat mund të dalë ndonjë e mirë, apo nga të cilat mund të nxjerrësh urtësi që përjetë të ndihmojnë t’i zbërthesh rrugët e ngatërruara të jetës. Andaj, tani kur shqiptarëve të Maqedonisë u ndodhi e keqja që në zgjedhjet e ardhme të parakohshme parlamentare të shkojnë me nga një parti në çdo lagje të tyre, nuk u mbetet gjë tjetër, përpos të bëjnë çmos që të përfitojnë diçka nga kjo e keqe e të mësojnë urtësinë se sasia e demokracisë nuk është proporcionale me numrin e partive dhe se nuk ndërtohet shoqëri e hapur, me parti të mbyllura, në të cilat çdo gjë varet nga dituria dhe disponimi i kryesuesit të saj. Pastaj, e mira që mund ta nxjerrin shqiptarët e Maqedonisë tanë kur të gjithë – përpos shkupjanëve – kanë partitë e veta vendore për t’i përfaqësuar në Parlamentin e ardhshëm republikan, mund të jetë urtësia se kur ke një parti të fortë që nuk di ta përdorë forcën e vet – siç ishte BDI-ja – është njësoj sikur të mos kesh asnjë parti dhe nisur nga kjo, mbase është më mirë të kesh më shumë parti të vogla që do mund t’i kontrollosh, sesa një të madhe që nuk të përfaqëson, por të kontrollon ty, duke të bërë të dëgjueshëm ndaj Gruevskit.

Ka shumë gjasa që në zgjedhjet e ardhme parlamentare, shqiptarët e Maqedonisë të përballen me dy mundësi: do të votojnë për BDI-në e të dëshmojnë se janë pajtuar me vasalitetin e partive të tyre ndaj VMRO-DPMNE-së, ose për treshin partiak opozitar (PDSH, DR dhe RDSH) që premton veprim ndryshe dhe përballje me nacionalizmin e Gruevskit. Dhe nëse zgjidhja që u ofrohet shqiptarëve të këtushëm do shikohej nëpërmjet portreteve të kryesuesve të këtyre partive, e të cilët subjektet e veta politike i ndiejnë si t’i kishin kompani private fitimprurëse, atëherë do mund të thuhej se shqiptarët do mund të votojnë ose për Ali Ahmetin e BDI-së, ose për njërin nga tre kryesuesit opozitarë shqiptarë, që kanë portret të dallueshëm nga njëri-tjetri edhe pse janë bijtë e së njëjtës “nënë” – të dalë nga mitra politike e PDSH-së. Kështu që, sa i përket kryesuesit të BDI-së, nëse nga Ali Ahmeti e veçon komandantin e UÇK-së Abazin (nofka luftarake e tij), atëherë, ngado që atë ta kthesh, sido që atë ta rrotullosh, ai të bën të ndihesh se je duke votuar për inferioritetin politik, për mendësinë vasale dhe për injorancën politike. Më tej, shqiptarët do mund të zgjidhnin si përfaqësues të vetin edhe atë që simbolizon kryesuesi i PDSH-së, i cili ngjan në “azganin e lagjes” që i ndërmend prindërit e vet vetëm kur shkon ushtar apo kur e burgosin. Pra, kryesuesi i PDSH-së bëhet truri dhe vullneti i popullit kur është në opozitë, por shndërrohet në simbol të “kamxhikut” dhe “rrugaçërisë” politike, posa vjen në pushet. Shqiptarët do mund të votonin edhe për Partinë Demokracia e Re, të Imer Selmanit, i cili i ngjan fëmijës mirë të edukuar, por që nuk ia del ta mbulojë trashëgimin nga “nënë rrugaçe” që e ka lindur (PDSH-ja). Nga ana tjetër, shqiptarëve të këtushëm u ofrohet edhe mundësia të zgjedhin kandidatët e partisë më të re të tyre, të partisë me kryetarin e së cilës ata kanë lidhje emocionale e jo racionale, ngaqë ai atyre ua rikujton ngjarjet e 1997, ngjarjet kur policia maqedonase e zbriti flamurin shqiptar nga shtiza dhe vrau katër shqiptarë, keqtrajtoji qindra të tjerë dhe burgosi prefektin e atëhershëm të Gostivarit, e kryetar të tanishëm të RDSH-së. Pra ngado që ta kthesh, e si do që ta rrotullosh, kryesuesi i RDSH-së ta rikujton flamurin e mbetur pa shtizë, ashtu siç kanë mbetur pa pronar edhe kërkesat e shqiptarëve të këtushëm.

Thënë shkurt, në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, shqiptarët e këtushëm do përballen me platformën tani më të mërzitshme të BDI-së, për një Maqedoni anëtare të BE-së e të NATO-s, për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe me lëvdatat e liderëve partiakë opozitarë, se ata çdo gjë do e bëjnë ndryshe. Që do të thotë, Ali Ahmeti do vazhdojë të sillet si i deleguar i institucioneve ndërkombëtare, që vëzhgon situatën e shqiptarëve të këtushëm, por që nuk e dinë se kush duhet t’i zgjidhë problemet e grumbulluara ndëretnike. Pra, Ahmeti do premtojë realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, e cila duhej të mbyllej qysh në vitin 2004, por pa u treguar shqiptarëve se kur është arritur pajtueshmëri për shtyrjen e afateve për realizimin saj dhe cilët janë kufijtë e ardhshëm kohorë që ajo të realizohet. Pra, pa treguar se vallë këtë Marrëveshje ai e mendon si diçka që duhet një ditë mbyllur, apo e ndien si diçka jashtëkohore, ashtu si edhe ish-komunistëve jugosllavë realizimin e një rendi shoqëror mbi bazat e “vetëqeverisjes së punëtorëve”, i cili rend në vend që të realizohej, i shndërruar në rrënoja.

Kur bëhet fjalë për Marrëveshjen e Ohrit, sikur të ishin korrekt ndaj vetvetes dhe popullit në emër të të cilit thirren, politikanët shqiptarë nuk do e përmendin atë me gojë, e le më të paralajmëronin kremtimin solemn të dhjetëvjetorit nga nënshkrimi i saj. Dhe në vend se për këtë Marrëveshje, ata do duhej të debatonin për një “remont” të tërësishëm të rendit kushtetues të Maqedonisë. Edhe atë në mos për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se duke e përmendur Marrëveshjen e Ohrit, ata më së miri dëshmojnë paaftësinë e tyre t’i dalin zot një Marrëveshjeje të mbështetur edhe nga faktori ndërkombëtar, e le më atyre pas të cilave qëndrojnë vetëm shtabet partiake. Dhe kur bëhet fjalë për këtë Marrëveshjen – të cilën, kalimthi thënë, Ali Ahmeti nuk e ka nënshkruar, por e shpalli veten prind të devotshëm të saj – ajo prej moti është shndërruar në mbulesë e VMRO-DPMNE-së, për t’i fshehur nga faktori ndërkombëtar politikat e veta antishqiptare edhe atë nëpërmjet punësimit të qindra shqiptarëve në vit, por ndërkohë, duke e aprovuar buxhetin e shtetit vetëm me votat maqedonase.

Ali Ahmeti do e ketë të vështirë t’u përgjigjet pyetjeve se si ishte e mundur që qeveria e tij të financonte “Enciklopedinë” përbuzëse për shqiptarët, si u lejua që Gruevski ta pyllëzojë Maqedoninë me përmendore, kisha e kryqe ortodokse. Mbase ai nuk është aq naiv politik dhe nuk e mban popullin e vet për aq të paditur, sa të besojë se lidhur me këto pyetje, do mjaftonte shpjegimi se këto na qenkan projekte të miratuara qysh nga koha kur PDSH-ja ishte pjesë e qeverisë së Gruevskit, ngaqë me këtë shpjegim, ai vetëm do dëshmojë se mbështetjen e popullit e ka përdorur vetëm që t’ia mundësojë Gruevskit realizimin e projekteve që kanë për qëllim deshqiptarizimin e Shkupit e të Maqedonisë.

Sa i përket treshit opozitar shqiptar, do mjaftonte që ato tri parti të bashkoheshin nën moton “Votoni për parlamentin e shqiptarëve të Maqedonisë”, e që t’ia dilnin që nga BDI-ja ta shlyenin edhe pikën mbi “i -në” në emrin e saj. Me çka do e tregonin forcën reale politike të shqiptarëve të këtushëm, forcë që nuk lejon përbuzje, mëkëmbje dhe inferioritet. Por, mbase këtë nuk mund ta bëjnë prijës partiakë, në sytë e të cilëve sheh vetëm shkëlqimin e xixës për të ardhur me çdo kusht në qeveri. Andaj edhe mund të paragjykohet se këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, do përfundojnë me një fitore të “lehtë” të BDI-së, e të cilës pastaj do i vardisen që të tri partitë e vogla opozitare, që t’i rreshtojë pas vetes, me çka, ashtu të bashkuara, do arrijnë forcën e kërkuar nga vasali që duhet ta ndihmojë sunduesin të mbajë nën kontroll popullin dhe hapësirën që vasali përfaqëson. Gjë që mbase do e vulosë vasalitetin politik të shqiptarëve të këtushëm dhe do i përballë ata edhe me një gabim, nga i cili do e mësonin urtësinë se, asgjë nuk duhet pritur nga politikanët që nuk e kanë kuptuar se të qeverisës do të thotë t’i shërbesh popullit, e jo ai të të shërbejë ty. Pra, nga këto zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoni, shqiptarët e këtushëm mbase nuk do arrijnë asgjë më shumë, përpos që më qartë do e shohin se partitë janë si lopët që i ushqen populli, por i mjelin kryesuesit e tyre.