Back

Portrete mbi syprinën e ujit

    Shkruan : Kim Mehmeti

       Ngandonjëherë, shiu nuk bie që ta ujit tokën, as pse retë duan ta shkarkojnë barrën e ujit që bartin në barkun e tyre, por ai bie edhe që t’ua rikujtojë njerëzve se nuk është natyra pronë e tyre, por ata janë pjesë e sajë. Aq më shumë, katastrofat natyrore, si edhe shumë dukuri tjera që janë në dorën e natyrës, pllakosen mbi këtë botë, sa për t’ua ndërmendur njerëzve se ata mund të ndryshojnë shtratin e fjetjes, se ata munden malet t’i bëjnë fusha, e fushat kodrina, por gjithmonë do dihet çka është poshtë e çka lart, përherë do mbetet e njëjtë kahja nga duhet të rrjedhë uji i tepërt, të cilin nuk mund ta pijë barku i tokës. Andaj edhe mund të thuhet se fatkeqësitë natyrore nuk ndodhin vetëm sa për ta dëshmuar varshmërinë e njeriut nga mëshira e natyrës, por edhe që të shihet sa njerëzit kanë ruajtur në vetvete njerëzoren, sa ata e kanë kuptuar se fatkeqësia e tjetrit, është vetëm paralajmërim për atë që mund të të ndodh ty, sa ata e ndërmendin se dasmorit nuk i tregohet për bëmat e pista të nuses ditën kur është nisur ta merr atë, se fatkeqit nuk i flitet për arsyet e fatkeqësisë përderisa ai merret me shërimin e plagëve që ja ka shkaktuar ajo. 

 
Nëse shiu s’bie vetëm për ta lagur tokën, por edhe për t’i flladitur kokat e njerëzve, për t’u parë qartë gjitha papastërtitë që ka mbi tokë, për të dalë në shesh si e përballin njerëzit të keqen e pashmangshme, atëherë, mund të thuhet se fatkeqësia e radhës që i ndodhi Shqipërisë me përmbytjet biblike, tregoi edhe një herë atë që dihet prej moti: se për fatkeqësinë e ndodhur, pushtetarët mallkojnë natyrën, e opozitarët pushtetin. Dhe të dy këto mallkime, përpos që bartin  brengën për fatkeqësinë që i ka ndodhur popullit, ato shpalosin edhe fanatizmin e pushtetarëve  sa më gjatë të mbeten në pushtet dhe padurimin e opozitarëve që një ditë më parë të bëhen sunduese. Gjë që nuk është jolegjitime për politikanët, por që merr dimension perversë atëherë kur pushtetarët janë të gatshëm që edhe diellin ta lidhin me tel e ta kallin e fikin sipas dëshirës së tyre, e opozitarët, për të marrë pikë politike, janë të prirë që edhe familjarët e të vetëvrarit me varje, t’i pyesin sa u ka kushtuar litari dhe mos vallë atë e kanë blerë në dyqanin e kundërshtarëve të tyre politik. Dhe duke pasur Shqipëria pushtetarë dhe opozitë që veçmas i shpërndajnë edhe ndihmat humanitare, fare nuk është e çuditshme pse partitë shqiptare flasin me gjuhën e popullit vetëm kur janë në opozitë. Mbase shkaku i kësaj, përmbytjet tragjike që i ndodhën Shqipërisë, shkaktojnë dhembje të dyfishtë te të gjithë shqiptarët, kudo që janë: njërën për vuajtjet e njerëzve që përballen me këtë katastrofë natyrore dhe dhembjen e dytë që ua shkakton shëmtia e fytyrës politike grindavece e Shqipërisë, portreti i së cilës shihet qartë edhe mbi syprinën e ujit që ka mbuluar tokat dhe shtëpitë shqiptare. Portet i cili mbase do mbetet i vizatuar edhe mbi lloçin që do mbulojë tokën edhe pas tërheqjes së ujërave vërshues.
 
Por, nëse njeriut i është pamundësuar t’u kundërvihet disa dukurive natyrore, atij i është lënë mundësia të bëjë zgjedhjen e atyre që do merren me të mirën e të keqen kolektive, të atyre që do i prijnë popullit, e të cilët nuk shpalosin vetëm portretin individual, por edhe pjekurinë politikë të votuesve. Mbase këtë e kanë kuptuar kosovarët që do dalin në zgjedhjet parlamentare, mbase ata tani e dinë se vota e hedhur në kutinë e votimit, nuk vlerëson vetëm të zgjedhurin, por tregon saktë edhe pjekurinë dhe vetëdijen politike të atij që bënë zgjedhjen. Dhe duke e ditur këtë, kosovarët do duhet të shkojnë edhe përtej kësaj vetëdije: ata do duhet të dëshmojnë që e kanë kuptuar se s’duhet kurrë të lejojnë t’i  infektojë virusi i mbrapshtë politik i Shqipërisë, ai i mospranimit të përhershëm të rezultateve zgjedhore, me çka ata edhe do mbrojnë nderin dhe pjekurinë politike të të gjithë votuesve shqiptarë. Posaçërisht edhe nderin e votuesit shqiptarë të Maqedonisë, i cili edhe kur voton për të vetin, në të vërtetë, e mbështet Gruevskin apo Crvenkovksin, të cilëve, pas zgjedhjeve, u nënshtrohen partitë e këtushme shqiptare.
 
Kur jemi te partitë e shqiptarëve të Maqedonisë, ato nuk kanë as hallin e shiut, as atë të thatësirave, ngaqë askush nuk i pyet se ku do ndërtohen digat e ku do kalojnë kanalet: ato i ka vërshuar inati ndërpartiak dhe injoranca politike, andaj më hapur se kurdo qoftë, tregojnë se nuk janë aq të ndjeshme kur e kritikon veprimtarinë e mbrapshtë të tyre politike, por kur ua shanë punëdhënësin – kryeministrin të cilit i shërbejnë. Duke qenë të tilla, dy partitë e këtushme më të mëdha shqiptare, BDI-ja dhe PDSH-ja edhe nuk e kanë gjithaq rëndë ta pranojnë se kryeministri aktual i këtij shteti,Gruevski ushtron një politikë izoluese për Maqedoninë, por ato nuk japin shpjegim se çka i çoi të bëhen argat të tij. Kështu që BDI-ja, këto ditë, publikisht kumtoi se nuk është kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që i kërkon opozita maqedonase, por ajo do donte që më parë të zgjidhej kontesti i emrit, ngaqë nuk donë që edhe një herë të fitojë legjitimitet politika izoluese e Gruevskit. Që në “përkthim” do të thotë: BDI-ja ka hallet e politikës së lartë shtetërore, ajo është në pritje që LSDM-ja e Crvenkovskit të forcohet aq sa t’i fitoj zgjedhjet, që pastaj BDI-ja të bëjë koalicion qeverisës me të. Pra, BDI-ja e sotme mendon se nuk i duhen zgjedhje të parakohshme, ngaqë ato prapë do e çojnë të bëhet këtë që është tani – shërbëtore e Gruevskit. Dhe duke mbajtur këtë qëndrim politik, BDI-ja shpalos se udhëhiqet nga një  mendësi e mbrapshtë e vasalit, e cila nuk shkon përtej veprimit politik të pavarur nga partitë politike maqedonase. Bëhet fjalë pra për mendësi, e cila kurrë nuk do e kuptojë se ka ardhur koha kur partitë e këtushme shqiptare nuk duhet fatin e vet ta lidhin me fitoren e cilësdo parti maqedonase, por do duhet të mbështeten mbi forcën politike të popullit të vet. Mbase pasi ta kuptojnë këtë, ata do e shohin më qartë se ka ardhur koha kur duhet mbajtur  “Kongresin e Çairit”, në të cilin do marrin pjesë të gjitha partitë shqiptare, e ku njëherë e përgjithmonë do merren veshtë mes veti si të dalin nga pozita vasale ndaj pushtetarëve maqedonas dhe si njëherë e përgjithmonë ta definojnë edhe projektin e Maqedonisë shqiptare. “Kongres” ku do e konstatojnë atë që dihet prej moti: se Marrëveshja e Ohrit qëmoti është dokument që duhet vendosur në Muzeun e Lirisë në Shkup dhe atë Marrëveshje duhet zëvendësuar me një të re shqiptaro-maqedonase, që qartë do i përcaktojë si do qëndrojnë njëra përballë tjetrës dy shtyllat etnike, të cilat bartin këtë shtet multietnik. 
 
  Si do që të jetë, shiu nuk bie vetëm për ta lagur tokën, por edhe për t’i flladitur kokat e njerëzve, zgjedhjet parlamentare nuk tregojnë vetëm cilët janë të zgjedhurit, por edhe vetëdijen e zgjedhësve, forca politike mbi shpinën e atij që nuk ka shpatulla për ta bartur atë, shndërrohet në të kundërtën e saj: në ligështi. Dhe nëse është kështu, atëherë ai që ka sy të sheh, nuk mund të mos vërejë portretin e shëmtuar të politikës grindavece shqiptare që pasqyrohet edhe mbi syprinën e ujit që ka përmbytur vendbanimet e Shqipërisë, ai që dinë të mendojë drejtë politikisht, nuk e ka të vështirë të kuptojë se zgjedhjet në Kosovë nuk do përcaktojnë vetëm emrat e parlamentarëve të këtij shteti, por edhe mbiemrin e pjekurisë politikë të zgjedhësve kosovarë dhe se injoranca e politikanëve të shqiptarëve të Maqedonisë, nuk tregon vetëm se vasali nuk mund të shkojë përtej mendësisë së vetëpëlqimit, por se ky popull ende nuk ka dal nga bërja politikë nëpër odat e burrave. Dhe ajo politikë mbështet mbi fjalët e mëdha që duhet ta mbulojnë injorancën politike, injorancë e cila nuk përballet me fytyrën që ka, por e thyen pasqyrën, injorancë e cila donë t’i heshtë të gjithë që mendojnë ndryshe. Gjë që tregon fytyrën e   politikanëve që nuk e kanë mësuar urtësinë se, forca e pushtetarit matet me atë sa nuk e përdorë shpatën që të është dhënë, me atë sa e ke kuptuar se prerësi i tanishëm i kokave të kundërshtarëve politik, ka vetëm një përparësi: sot e sheh vendin ku nesër do rrokulliset edhe koka e tij politike.