Shkruan: Kim MEHMETI
Në Shqipëri dëgjohet zëri i “popullit opozitarë” si edhe ai i atij “pushtetarë”, por askund nuk dëgjohet zëri i atyre që turpërohen kur shohin si të huajt i pajtojnë politikanët e çoroditur të mëmëdheut tonë. Në Kosovë, më të zëshëm janë ata që degjenerojnë mendimin publikë duke bërtitur “shteti i ri – identitet i ri”, se sa të papunët e rinj kosovarë të cilëve nuk u mungon identiteti – ai shqiptar – por shteti. Në Maqedoninë shumetnike, shumëreligjioze e shumëgjuhësore, ku sundon vetëm etniteti maqedonas, ku bëhet pyllëzimi i shtetit me kryqe ortodokse, e ku të kuptojnë vetëm kur flet maqedonisht, mund ta dëgjosh zërin e shqiptarëve të BDI-së e të PDSH-së, por jo edhe të 70 për qind të popullit që ende nuk është bërë pronë e partive të këtushme politike. Pra, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, mund të dëgjosh zërat e “popullit opozitarë” dhe atij “pushtetarë”, por jo edhe zërin e popullit. Kështu që, në të gjitha “shqipëritë” tona mungon zëri i shqiptarëve që nuk duan pushtet, por duan shtet që do u sigurojë të ardhme më të mirë . Dhe ai zë mungon sepse partitë shqiptare, kudo që janë, arritën atë që është e paimagjinueshme për një shoqëri që pretendon të jetë demokratike: ta privatizojnë një pjesë të popullit të vet.
Tirana është bë simbol i politikës grindavece shqiptare, ajo është arenë e një lufte më primitive mes prijësve të “popullit opozitarë” dhe atyre të “popullit pushtetarë”. Prishtina i ngjanë një udhëkryqi me dy palë semaforë, të cilët më shumë e ngatërrojnë, se sa e lehtësojnë ecjen e Kosovës drejtë konsolidimit të saj: semaforët e pushtetit vendorë dhe ato të sunduesve ndërkombëtarë. Shkupi i ngjanë një hapësire ku maqedonasit etnik e ndërtojnë të kaluarën e vet, e shqiptarët vrapojnë pas Gruevskit duke e lutur ta bëjë të pamundurën dhe të palogjikshmen: ta përfshijë edhe të kaluarën dhe të ardhmen e tyre në projektet antishqiptare të VMRO-DPMNE-së. Pra, në të gjithë kryeqendrat tona, shumëçka dëshmon se populli shqiptarë ka mbetur në duart e atyre që janë të etur për pushtet, por nuk dinë si të ndërtojnë shtet.
Shqipëria ka opinionistë që madhërojnë udhëheqësin e “popullin opozitarë”, apo atë të “popullit në pushtet”, që masin me saktësi sukseset ndërkombëtare të Ramës apo Salës, pra ka shumë opinionistë që nga urrejtja ndajë njërës apo tjetrës parti, nuk shohin turpin kombëtarë që ia shkaktuan mëmëdheut politikanët e tashëm grindavec, por ka pak të atillë që flasin me gjuhën e shqiptarit që nuk është bë pronë e partive, që ka hallin si të mbijetojë. Pra, në Shqipëri ka opinionistë që vlerësojnë lartë Ramën që ndërkombëtarizoi krizën politike të Shqipërisë, apo ka opinionistë që lëvdojnë Salën që e çoi PS-në të futet në parlament, por të paktë janë ata që shohin se politikanët e atjeshëm, e turpëruan gjithë shqiptarinë, se kjo “garë” nuk arriti asgjë më shumë përpos që Ballkanit – ku të huajt vinin të pajtojnë etnitetet e konfrontuara mes veti – ia shtuan edhe njollën e turpit që të huajt të vijnë të zbusin grindjet mes “popullit opozitarë” dhe atij “pushtetarë” të po të njëjtit populli, të popullit të cilit gjithnjë e më rrallë ia përmendin emrin prijësit partiak në Tiranë. Në Kosovë nuk mungojnë debatet për atë se kush sa ka kontribuar për pavarësinë e shtetit më të ri në botë, por mungojnë debatet ku do dëgjohej zëri i atyre që do tregojnë si do i çlirojnë kosovarët nga robëria e varfërisë së skajshme, mungon zëri i atyre që nesër do i kishin braktisur vatrat e lindjes, sikur të mos ishte muri i lartë i Shengenit, mungon zëri i atyre që e dinë se shtet mund të ndërtojnë vetëm burrështetas me dinjitet . Në Maqedoni jehojnë britmat e shqiptarëve të irrituar nga politika provokuese e Gruevskit, por mungojnë zërat që duhet ta thonë të vërtetën se ky popull i ka frikë partitë e veta, e partitë e tij i frikësohen Gruevskit, por jo edhe popullit të vet. Pra, nuk dëgjohet zëri i atyre që do thonë hapur se Gruevski ka probleme me emrin e shtetit dhe me ndërtimin e të kaluarës së popullit të vet, por kurrë nuk ka pasur problem të gjejë partinë shqiptare që do e merr në koalicionin qeveritarë sa për t’i mbuluar projektet antishqiptare, siç ishte projekti më i fundit që pas liberalizimit të vizave, Maqedoninë ta zbrazë nga jomaqedonasit.
Në Tiranë, Prishtinë e Shkup ka plotë kafene partiake, ka administratë shtetërore partiake, ka shkrimtarë e opinionistë partiak, ka media partiake. Ajo që u mungojnë kryeqendrave shqiptare është zëri i mekur i popullit, zë që do kumtojë se në Shqipëri , Kosovë e Maqedoni, nuk u bë vetëm privatizimi i pronës së patundshme shoqërore, por edhe ajo e popullit. Andaj “shqipëritë” tona ngjajnë në hapësira ku veprojnë “sekte” sekrete, të cilat nuk durojnë askënd që nuk i nënshtrohet besimit të tyre. Pra, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, dëgjohet vetëm jehona e zërave të prijësve të “popullit opozitarë” dhe atij “pushtetarë”. Nga britma e pronarëve të këtyre dy “popujve”, nuk dëgjohet asgjëkund zëri i popullit shqiptar. Që do të thotë se në “shqipëritë” tona demokratike, u realizua ajo që synonin sistemet e dikurshme socialiste: u bë barazimi i popullit me partitë. Madje u shkua edhe më larg se kaq: popullin e çuan të harrojë emrin e vet të vërtetë, e bënë të mos mendojë lirshëm për të ardhmen e vet kolektive, duke e bindur se demokracia nuk kërkon të mendosh lirshëm, po të dëgjosh e të nënshtrohesh. Dhe duke premtuar vlera dhe standarde të Evropës Perëndimore, liderët e “popullit opozitarë” dhe atij “pushtetar”, edhe vetë harruan të vërtetën se, që të bëhesh qytetarë i Evropës së lirë e pa kufij, më parë duhet të bëhesh shqiptar i lirë e t’i kesh shlyer kufijtë mendorë e gjeografikë që të ndajnë nga bashkëkombësit tu. Pra, liderët e “popullit opozitarë” dhe atij “pushtetar”, ia pamundësuan këtij populli të mendojë lirshëm për vetveten. Andaj ka ardhur koha që shqiptarët të fillojnë demokratizimin dhe evropizimin e tyre të vërtetë. Dhe e para që duhet ta bëjnë në këtë drejtim, është të dëshmojnë se janë qytetarë të lirë, e jo pronë private e partive të tyre.