Back

Pse po përzihesh?!

Presidentja Atifete Jahjaga – me ose pa qëllim – është përzier në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë, kur të premten takoi në një ambient joformal të Tetovës, përfaqësues të partisë në pushtet, BDI.

Gjesti i Shefes së Shtetit irritoi partitë opozitare, të cilat u injoruan nga ajo në një kohë kur po luftohet për çdo votë. 

Kryetari i PDSH’së, ai i BDSH’së, analistët Kim Mehmeti e Shkëlzen Maliqi kritikuan Presidenten Jahjaga, derisa Kabineti i saj refuzoi të jepte sqarime shtesë për takimet e zhvilluara në Tetovë. 

“Ka qenë një vizitë shumë private e Presidentes, por shumë shpejt do të dalim me një sqarim”, ka thënë Zëdhënësi i Presidentes, Arbër Vllahiu, të shtunën, për gazetën Express. 

Por çfarëdo sqarimesh që do të japë Presidenca, duket se nuk do t’ia ndërrojë mendjen Kim Mehmetit, njërit prej publicistëve më autoritativë në Maqedoni. 

“Presidentja ka arritur ta degradojë institucionin e Presidentit të Kosovës. Këtë nuk guxon ta bëjë as Sekretaresha e Presidentes së Kosovës”, ka thënë Mehmeti, për Express. 

Ai ka shkruar edhe më larg në vlerësimet e tij. 

“Zonja Presidente, ashtu siç erdhi në Maqedoni, nuk do të duhej të guxonte të shkonte as në dasmë, e jo më të vizitojë një shtet. Nuk e mora vesh a bëhet fjalë për vizitë zyrtare, apo jozyrtare”. 

Ai është i bindur se vizita do të duhej të realizohej në kapacitete të tjera. 

“Presidentja e Shtetit, e shteti normal, e shtetit të vërtetë, nuk vjen në një shtet tjetër në vendkalim sikur kur të shkojë unë në Kosovë. Por njëherë i organizohet pritje në nivel shtetëror, pastaj duhet të ketë agjendë”, ka thënë ai. 

Ndryshe e sheh këtë vizitë Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH’së në opozitë. 

Atij nuk i vjen keq se nuk është takuar me Presidenten e Kosovës. 

“Me ne nuk është takuar, por unë s’kam koment, sepse nuk e di ku ka qenë, a çka ka qenë”, ka thënë Menduh Thaçi për Express, të shtunën. 

E, Lideri i Bashkimit Demokratik Shqiptar, Bardhyl Mahmuti, fajin e hedh te protokolli, derisa pret që Presidentja të reflektojë. 

“Njerëzit e protokollit duhet të merren në përgjegjësi për çfarë arsye bëhet seleksionimi qoftë pozitë, apo negativ në vizitat e kësaj natyre. Të vizitohet në një fushatë dhe të bëhet një seleksionim i tillë, protokolli mban përgjegjësinë kryesore rreth lëshimeve eventuale”, thotë Mahmuti, për Express. 

Ai pret reflektim të Presidentes. 

“Çështje e kësaj vizite duhet ta bëjë të reflektojë edhe Presidenten, të shohë se në çfarë mënyre organizohen protokollet. Është e drejtë e tyre, por në këto raste duhet të rishikohet dhe të evitohet çdo interpretim në funksion të fushatës”, ka tërhequr vërejtjen Mahmuti. 

Analisti politik nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi ndërkaq, thotë se Presidentja duhet të ketë kujdes në takimet me zyrtarë të partive politike në Maqedoni, në kohë fushatash elektorale. 

Por, pse ka ndodhur një veprim i tillë i Presidentes? 

“Ose e ka bërë nga naiviteti, ose i është bërë ndonjë lojë në Maqedoni”, thotë Maliqi, për Express. 

“Mirëpo nuk besoj se ka ndonjë ndikim të madh atje, sepse është politikane e re, nuk ka ndonjë profil, por gjithsesi për të nuk është mirë”. 

Sipas tij, në këtë kohë, Presidentja është dashur t’i takojë të gjithë liderët politikë shqiptarë ose t’i injorojë të gjithë. 

“Nëse ka shkuar privatisht ajo, nuk është dashur të takojë askënd prej liderëve politikë në kohë fushate. Nëse ka shkuar për ndonjë dasmë – ajo nuk ka pasur nevojë ta takojë Ali Ahmetin, as askënd. Ajo nuk duhet fare të futet në këto lojëra, sepse atje është fushata zgjedhore dhe Kosova nuk ka politikë zyrtare që e përkrah Ali Ahmetin ose dikë tjetër”, ka qenë këshilla e Maliqit për Shefen e Shtetit. 

Edhe Kim Mehmeti këshillon Presidenten e re të Kosovës. 

“Sikur të vinte edhe në një dasmë, apo të kishte ndonjë akraba të vetin, Presidenti është President. Nuk ulet në veturë edhe i thotë vozitësit, hajde të shkojmë deri në Tetovë, hajt e të vozitim edhe të kthehemi, sepse ka protokoll, ka gjana që kanë të bëjnë me Presidenten. Nuk kam dëgjuar President që ulet në veturë dhe të shkojë në Tetovë dhe ta bëjë një shëtitje, ta pijë një kafe me Ali Ahmetin”. 

Jahjaga është zgjedhur Presidente në fillim të prillit, me mandat të kufizuar, me 80 vota në Kuvendin e Kosovës, pas një marrëveshjeje ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit. /gazeta express/