Back

Qindra kumanovarë në promovimin e librave të Kim Mehmetit

Eseja historike “Shkupi” dhe romani “Lypsiqarët e Shkupit” janë dy veprat e fundit të shkrimtarit dhe publicistit të njohur Kim Mehmeti, të cilat u promovuan të hënën në mbrëmje në Kumanovë. Si asnjëherë tjetër qindra kumanovarë, profesorë, studentë, njerëz që e duan kulturë ishin mbledhur në këtë promovim, ku debate mes autorit Mehmeti dhe atyre zgjati më shumë se një orë. Akademik Ali Aliu duke folur për veprat e Mehmetit tha se eseja “Shkupi” është një enciklopedi e vogël të cilën duhet ta bënin institucionet. “Aty ka materiale dhe fotografi për Shkupin të cilat asnjëherë më parë nuk janë publikuar. Ky libër, të cilin Kimi e ka quajtur ese  historike është një enciklopedi e cila duhej bërë nga institucionet dhe jo nga një autor”, tha Aliu. Ndërkaq romani “Lupsiqarët e Shkupit”, është një metaforë, ku autori tregon një rrjet në lypsarëve shqiptarë të cilët veprojnë në të gjitha hapësirat shqiptare dhe janë të vetmit të cilët e mbajnë gjallë fatin e kombit.

Autori Kim Mehmeti tha se esenë historike “Shkupi”, e ka shkruar për t’iu kundërvënë ndodhive që po ndodhin në 20 vitet e fundit në kryeqytetin e Dardanisë. Brenga e de-shqiptarizimit që po i ndodh Shkupit, i cili ka qenë kryeqytet i shqiptarëve para Tiranës dhe Prishtinës ka qenë shkak i publikimit të kësaj vepre, e cila i ka marrë autorit disa vite punë. Brenga rreth de-shqiptarizimit të Shkupit kaloi në një debat ku qytetarët e Kumanovës, si gjithnjë treguan gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje të madhe.

Promovimin e veprave të Kim Mehmetit e organizoi gazeta “Lajm”, ndërsa u ndihmua nga biznesmeni nga Kumanova Feriz Dervishi, i cili u tregua i gatshëm të jap ndihmën e tij. Esenë historike “Shkupi: dhe romanin “Lypsiqarët e Shkupit” i Botoi shtëpia botuese “Logos – A”.