Back

Robër të mendësisë së vasalit

Shkruan: Kim MEHMETI

Më rastisi të marrë pjesë në një tribun ku debatohej për të burgosurit e Sopotit. Bëhet fjalë për rastin e ndodhur në vitin 2003, kur nga një mjetë shpërthyes, u vranë dy ushtarë të NATO-s dhe një shoqërues i tyre civil. Pra, për rastin kur policia maqedonase veproi ashtu siç i ka hije atij që mbase donë që sa më ngutshëm t’i fshehë gjurmët e terroristëve të vërtetë: burgosi aq shqiptarë të pafajshëm nga fshati Sopot në afërsi të Kumanovës, sa iu deshën që rrejshëm të dëshmonte se kush janë armiqtë e Maqedonisë dhe të NATO-së. Dhe me të njëjtën shpejtësi, gjykata maqedonase i shpalli sopotasit e pafajshëm si “terroristë” të dorës së parë dhe i dënoi me gjithsejtë 160 vite burg. Dhe asokohe askush nuk organizoi ndonjë tribunë ku do debatohej si është e mundur që shqiptarët e Sopoti të vinin mjetin shpërthyes aq afër vatrave të tyre familjare dhe ta prisnin policinë nëpër shtëpitë e veta, thuajse donin t’ia lehtësonin punën që t’i gjente sa më lehtë. Pra, asokohe askush nuk organizoi tribuna ku do debatohej si ishte e mundur që cilido shqiptarë në këtë botë, të sulmonte ushtarët e NATO-s, ushtarakët e aleancës që kishte ndihmuar bashkëkombësit e tyre nga Kosova t’i shpëtonin gjenocidit dhe të shijonin lirën. Asokohe nuk dhanë asnjë shpjegim as Ministri i atëhershëm i Drejtësisë, as funksionarët e BDI-së që atëherë, njësoj si tani kur mbahen tribuna, ishin në pozita përgjegjëse nëpër institucionet shtetërore dhe në qeveri.

Por ja, tani kur sopotasit e burgosur u futën në grevë urie, kur edhe ambasadorë e huaj thanë se sopotasit janë të pafajshëm, të gjithë duan të rrëfejnë për pafajësinë e tyre. Përfshi edhe debatuesit në tribunën e organizuar nga një OJQ, ku më rastisi të marr pjesë. Dhe përpos ne të tjerëve, në tribun merrte pjesë edhe Avokati i Popullit, si dhe tre deputetë: dy të BDI-së dhe një i opozitës shqiptare. Dhe siç e do rendi, i pari e morri fjalën Avokati i Popullit. I qetë dhe pa emocione, në fillim ai shprehu keqardhjen pse në atë tribunë nuk marrin pjesë edhe maqedonas etnik, pse ata nuk duan të debatojnë me ne. Ja them në vetvete, alamet Avokat i Popullit i cili ende nuk e ka kuptuar se maqedonasit etnik merren me drejtimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve të shtetit, se ata me ne shqiptarët debatojnë nëpërmjet institucioneve dhe s’ka pse japin shpjegime plotësuese nëpër tribuna. Pastaj, Avokati i Popullit e nënvizon dobinë e këtyre debateve si për shqiptarët, po ashtu edhe për maqedonasit etnik. Pra, ai nënvizon qëllimin tonë të mirë që kemi ndaj bashkëqytetarëve maqedonas dhe shtetit të përbashkët në të cilin jetojmë. Ja, vazhdojë të mendojë në vetvete, kjo është gjuha e vetme të cilën e njeh mendësia e vasalit, mendësi e cila kurrë nuk harron të dëshmojë sa kujdeset për të mirën e sunduesit , e që pastaj të mundet të rrëfej diçka edhe për të keqen që i ndodh atij. Pastaj Avokati i Popullit, përndryshe i ardhur në atë postë vetëm pse është shqiptar dhe i propozuar nga BDI-ja, i numëron konventat ndërkombëtare që garantojnë liritë dhe të drejtat e njeriut dhe thekson se sipas tij, të burgosurit e Sopotit janë të pafajshëm. Por, ai nuk tregon se kur e ka kuptuar këtë, tani pasi të burgosurit kanë kaluar nga 7 vite në qelitë e Idrizovës, apo më herët, ende kur ishte Ministër i Drejtësisë. Dhe këtë na e thotë neve dhe familjarëve të të burgosurve, ua thotë atyre që këtë e thonë plot 7 vite me radhë. Deri sa ia flet, më kujtohet rasti i Brodecit, kur familjarët e të burgosurve nga ky fshat i malësisë së Tetovës donin të dinin diçka për të burgosurit e tyre dhe kur po ky Avokat i Popullit, deklaroi se të burgosurit janë mirë e shëndosh dhe nuk ankohen për asgjë. Pastaj u pa se me të vërtetë ata nuk i ishin ankuar atij: aq barbarisht ishin rrahur nga policia, sa me ditë të tëra nuk mund të flisnin.

Pas Avokatit të Popullit fjalën e merr deputeti i partisë në pushtet . Dhe përderisa i dëgjojë disa nga debatuesit, nuk mund t’i ikë ndjenjës se ajo tribunë ka vetëm një qëllim: t’i amnistojë ata që lejuan sopotasit e pafajshëm t’i kalojnë 7 vite në qelitë e burgut. Pra, më bëhet se shumica e debatuesve kanë vetëm një qëllim: të dalin në lajmet qendrore televizive, që populli të sheh kush janë të merituarit që kanë dëshmuar pafajësinë e sopotasve. E në ndërkohë, unë s’kam si mos e shpalosi ndjenjën se shqiptarët e pafajshëm që vuajnë nëpër burgjet e Maqedonisë, janë viktimë edhe e mendësisë vasale , janë haraçi që duhet paguar për shqiptarët që qëndrojnë në krye të institucioneve shtetërore, duke plotësuar vetëm një kusht: të jenë të pëlqyer dhe të përdorshëm për “sunduesin”.

Gjatë debatit përsëriten fjalët proces i montuar politikë, zgjidhje gjyqësore, amnisti! Dëgjojë e them me vete: si u bëka i pafajshëm t’i kalosh 7 vite në burg, si u bëka që pafajësia të amnistohet, si u bëka… si… I shtrojë vetvetes shumë pyetje që ta përmbyllë pyetësorin me hamendjen: Si është e mundur të kesh Avokatin e Popullit shqiptarë dhe aq shqiptarë tjerë në piramidën shtetërore, e Maqedonia edhe më tej të mbetet shtet i cili mbrohet nga shqiptarët dhe ata i burgos me aq lehtësi sa herë që dëshiron të dëshmojë armiqësinë e tyre nda shtetit apo perëndimit!? Dhe kush do i amnistojë shqiptarët me mendësi vasale që e ndihmuan “sunduesin” ta mbulojë të vërtetën se populli shqiptarë i Maqedonisë ende është joinstitucional dhe i jashtëligjshëm. Pra, vazhdojë të pyes veten se kush do i amnistojë shqiptarë që nuk bënë asgjë të na mbrojnë nga proceset e montuara gjyqësore, kush do i amnistojë ata që përfituan vetëm pse janë shqiptarë, e gjatë tërë jetës nuk bënë gjë tjetër përpos se u kujdesën të jenë sa më të pëlqyer e më të përdorshëm për “ “sunduesin”.

E braktisë sallën ku mbahet tribuna. Dhe kur dalë jashtë ndjehem i mposhtur. Më ngushëllon vetëm një gjë: e di se në lajmet e mbrëmjes nuk do jepet asgjë nga ajo që thash dhe nuk do shihet se kam marrë pjesë në atë debat. Mbase pa dashje, por redaktorët partiak ma bëjnë shërbimin më të madh të mundur: më heqin nga portreti grupor ku janë edhe disa nga ata me të cilët nuk më ndërlidh asgjë e përbashkët. Pastaj më kujtohet dita e mëparshme kur më erdhën në zyre të rinjtë që do i organizojnë protestat e 10 majit nën moton për “Drejtësi”. Ata donin t’i ndihmojë. E shikoja sinqeritetin e tyre, e shikoja edhe hutesën dhe u them: mos e lini të sotmen dhe të ardhmen tuja në duar e atyre me mendësi të vasalit, shpëtojeni vetveten nga ata që mbase edhe jo me fajin e vetë, e njohin vetëm pozitën e të nënshtruarit. Pastaj më bëhet se nuk i udhëzojë, por se jam duke i këshilluar siç bëjë me fëmijët e mi, e u them: dilni e protestoni dinjitetshëm, pa dhunë, mos u bëni viktima të inateve personale ndërmjet politikanëve dhe “heronjve” të këtushëm, mos lejoni edhe më tej të gjakosen e të burgosen shqiptarët e pafajshëm, mos urreni askënd, dëshmoni se ju nuk jeni robër të mendësisë së vasalit, se e jetoni kalendarin e kohës suaj, e cila kohë kërkon të kesh bosht të drejtë kurrizorë. Dilni dhe tregoni se ka ardhur koha të shporren nga institucionet shtetërore shqiptarët të cilët vetëm gjatë fushatave parazgjedhore duan të jenë të pëlqyeshëm e të pranueshëm për popullin, që pastaj, gjatë tërë mandatit të tyre, të bëjnë çmos që të jenë të pranueshëm e të përdorshëm për “sunduesin”. Bëhuni, u them të rinjve përballë meje, bashkësundues të këtij shteti, merrni pjesën e shtetit që u takon, bëhuni bashkëdrejtues të institucioneve shtetërore , sepse vetëm ashtu do mund të jetoni pa frikën se dikush do u burgosë, apo do u vret të pafajshëm, e që pastaj të vijë Avokati i Popullit shqiptar, por me mendësinë e vasalit, e t’u tregojë çka thonë konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ata dalin nga zyra ime. Disa orë më vonë dëgjojë se protestën e tyre do e përkrahë edhe BDI-ja në pushtet. Por, të nesërmen, BDI-ja e tërheq mbështetjen e protestave me arsyetimin se ato janë drejtuar kundër saj. E në paralajmërimet për protestat e 10 majit shkruan qartë se ato janë kundër Gruevskit dhe “Për Drejtësi”. Andaj them në vetvete: Është e mundur që BDI-ja të identifikohet me Gruevskin dhe të jetë kundër drejtësisë! Apo mos vallë BDI është bërë degë e VMRO-DPMNE-së, e miqtë e mi të shumtë nga kjo parti, ende nuk ma kanë treguar këtë!