Back

Rreziku nga maunat pa frena

Shkruan: Kim Mehmeti

 

            Shoqëritë ku gazetaria është gojë e politikës ditore e gazetarët janë argatë të pushtetmbajtësve, janë shoqëri ku është zhdukur kufiri që ndanë të vërtetat që karakterizojnë gazetarin nga gënjeshtrat që janë shenjë njohëse e politikës. Dhe në ato shoqëri gazetaria është në kthetrat e politikës dhe është mjegull që pengon popullin të sheh nga ecin hijet e politikanëve. Mbase duke e ndje shtrëngimin e kthetrave politike dhe ato të pushtetmbajtësve, gazetarët e Maqedonisë dolën këto ditë rrugëve të Shkupit, që të protestojnë kundër “burgosjes” së fjalës së lirë. Dhe ata thanë se nuk duan të jenë as shërbëtorë të politikanëve e as pronë e biznesmenëve që mendojnë se duke financuar madiat kanë blerë edhe shpirtin e gazetarëve. Por, ata nuk shkuan më tej të tregojnë se kush duhet t’i  shpëtojë nga kjo “robëri” e dyfishtë. Robëri e cila në thelb shpjegon atë që mbase gazetarët e këtushëm nuk duan ta pranojnë: forcën dhe zgjuarsinë e qarqeve pushtetmbajtëse dhe inferioritetin dhe joprofesionalizmin e një pjese të gazetarisë së këtushme. Si edhe atë se Maqedonia e sotme është në mbyllje të dy fazave që i kaloi Serbia e viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë të shekullit të kaluar: fazën e parë kur gazetarët e lartësojnë “prijësin” dhe e dehin popullin me nacionalromatizëm dhe, atë të dytën, kur prijësi i përdor mediat si kalë në betejat që çojnë drejtë humbjes kolektive.

           

                 

                   Andaj, shikuar nën sipërfaqen e asaj që i mundon gazetarët e Maqedonisë, do shohësh se sa u përket gazetarëve të mediave në gjuhën maqedonase, ata me duart e veta i farkuan grilat e burgut mediatik ku i ka mbyllur Gruevski dhe partia e tij në pushtet, VMRO-DPMNE-ja. Në të vërtet, gazetarët e këtushëm maqedonas, të dehur nga fitorja e Gruevskit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, të mahnitur nga vendosmëria e tij që të mos përfill “terroristët” e Ali Ahmetit, pa marrë parasysh vullnetin politik të shqiptarëve të këtushëm, pra të dehur nga “trimëria” e Gruevskit t’ua merr hakun shqiptarëve për luftën e 2001, gazetarët maqedonas atë e pritën  sikur t’u kishte ardhur në Shkup personalisht Aleksandri i Madh i hupur mbi Bukefallin e tij. Nga kjo mahnitje dhe nga mrekullia që ua ofroi Gruevski, shumica e gazetarëve maqedonas nuk pan as atë që do ta shihte edhe një gjysmë i verbër: se nga një politikani i keq dhe demokrat i shtirur, mund të lindë vetëm një diktator qesharak i hipur mbi gomar, siç është sot Gruevski.

 

 

Duke u ndje përnjëherë aq i madh sa e bënë mediat maqedonase dhe aq i dashur për popullit i cili ia shpërbleu antishqiptarin me rejting të lartë politik dhe me fitoren absolute në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2008, Gruevski bëri atë që mund të pritej nga një politikanë që më shumë i beson ëndrrës se realitetit. Në fillim ai e barazoi të mirën e partisë së vetë me atë të shtetit dhe thuajse ia doli Maqedoninë ta bëjë pronë të VMRO-DPMNE-së. Pastaj i bëri mediat zëdhënëse të qeverisë së tij dhe vazhdoi më tej t’i ndërlidh pushtetin dhe kishën ortodokse, si dy dikastere të të njëjtit institucion që e ndërton dhe përkujdeset për shtetin. Dhe duke mos pasur me çka ta begatoj të sotmen e popullit të vet, Gruevski filloi ta pasurojë të kaluarën e maqedonasve. Kështu që u nisë shtigjeve të shekullit të nëntëmbëdhjetë, duke gërryer sa më thellë në varret antike nga nxirrte eshtrat e heroizmit të popullit të vet dhe njëkohësisht duke shndërruar në skelet pa mish të sotmen e Maqedonisë. Edhe atë gjithmonë i shoqëruar nga priftërinjtë ortodoksë të cilët barazonin vullnetin e Zotit me atë të prijësit. Si dhe bënin bekimin e parave të mbledhura nga taksapaguesit mysliman që përdoreshin për ngritjen e kryqeve dhe kishave ortodokse.

 

 

Ecja e Gruevskit rrugëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë, e bëri Maqedoninë me shumëçka t’i ngjajë Serbisë së kohëve të Millosheviqit. Pra, e çoi shtetin drejtë përmendoreve të larta që do stolisin qendrën e Shkupit dhe ndoshta do groposin të ardhmen e këtij shtetit. Kështu që këto ditë ai shpalosi planin e madhërishëm dhe numrin e përmendoreve që do e madhërojnë të kaluarën e popullit maqedonas, një të kaluar e cila pa dyshim ka barkë aq të madh sa mund të gëlltit cilindo hero të Ballkanit. Pra, Gruevski shpalosi se sheshi i Shkupit në të ardhmen do bartë mbi vete Aleksandërin e Madh, e ura e gurit do ketë nga të dy brigjet kalorësit e mëvonshëm të historisë maqedonase, Goce Dellçevin dhe Dame Gruevin. Dhe duke i vënë përmendoret e tyre nga të dy anët e Vardarit, mbase Gruevski donë t’i shënojë kufijtë e Shkupit, i cili, me këto përmendore,  mund edhe ta fillojë fazën e “bejrutizimit” të vet. Gjë që mund ta çoj partinë e Ali Ahmetit në pushtet më në fund të pyes veten sot atë që pa dyshim do mund ta pyesnin gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve të këtushëm: ç’rolë patën, çka bënë dhe ku ishin pushtetarët e BDI-së në kohën kur Gruevski Maqedoninë e mbuloi me kryqe, kisha ortodokse dhe me ciriliken sllave. Mbase këto janë pyetjet e munguara që sot duhet t’ia shtrojnë BDI-së gazetarët e këtushëm shqiptarë përpara se të dalin të protestojnë kundër dhunës politike që bëhet mbi ta. Dhunë e cila mbase do përfundojë  atëherë kur rrugëve të Maqedonisë, njësoj si dikur nëpër Serbinë e Milloshevqit, do shëtisin mauna pa frena. Të cilët shumë rastësisht do të përplasen me makinat e gjithë atyre që thonë se Gruevski i ndërton vetvetes përmendore mbi mjerimin e popullit të vet dhe mbi themelet e inferioritetit të partive të këtushme shqiptare. Dhe mbase kur të dalin rrugëve të Maqedonisë këto mauna pa frena, Ali Ahmeti do e kuptojë se mëkat politik nuk është vetëm ai kur bënë keq, por edhe kur nuk bënë asgjë ta pengosh të keqen e paralajmëruar. Dhe se mëkat nuk është vetëm mbajtja e Albin Kurtit pesë orë në zyrat e policisë maqedonase, por mëkat mbi gjitha mëkatet është kur bëhesh se nuk kupton se qëndrimi i këtillë i policisë së shtetit ku je bashkëqeveritar ka vetëm një shpjegim: u përcjellë porosi shqiptarëve të këtushëm të kenë kujdes me cilin bashkëkombës të tyre kontaktojnë. Apo t’u thotë shqiptarëve të këtushëm: miqtë që nuk i duam ne maqedonasit, ju s’keni pse i pranoni në shtëpitë tuaja.

 

Kolumnat e publikuara në këtë faqe janë botime ekskluzive të gazetës "Koha Ditore", Prishtinë