Back

S’ka kush ta implementojë Marrëveshjen e Ohrit

Me që dhjetë vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit (MO), ende flitet dhe shpresohet se ky dokument do të zbatohet nga ky vit në tjetrin, flet për një marrëveshje të dështuar. Në Maqedoni s’ka klasë politike e as kapacitete demokratike për të implementuar një marrëveshje të tillë. Ky ishte konstatimi që doli nga tribuna “Ballkani dhe Shqiptarët në të” organizuar nga Qendra për Hulumtime Politike dhe Ekonomike “Liberta”.

Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme në Kosovë, Veton Surroi u shpreh se me Marrëveshjen e Ohrit u arrit një marrëveshje e cila prej shqiptarëve krijon një palë hisetare, kontraktuale në shtetin e ri. “Sot kur festohet 10 vjetori i MO-së, nuk kemi një klasë politike, e cila do të bëjë një llogari të thjeshtë se ku është arritur në zbatimin e marrëveshjes, sa duhet të bëhet më tutje, dhe çka ende duhet të bëjë kapërcimin për të. Por kjo varet jo vetëm nga marrëdhëniet shqiptaro – maqedonase, por nga koncepti evropian ose antievropian i Maqedonisë”, theksoi analisti politik Veton Surroi.

“Maqedonia sipas meje është e ndarë në bllok populist i cili përjeton ardhmërinë e Maqedonisë në bazë të projekteve regresive, me një përpjekje kontinuale të kërkimit apo të shpikjes të një identiteti. E kemi një bllok të shqiptarëve i cili në gjitha fjalimet e Gallupit demonstron një afinitet pro NATO pro BE, por kjo nuk reflektohet në sfidën e vet parlamentare dhe kemi një bllok i cili vazhdon në një ‘status quo’ Maqedonia duke mos ecur përpara në integrimin në NATO dhe BE, por shënon regres”, ka thënë Surroi.

Sa i takon çështjes së emrit, ky kontest sipas Surroit duhet të zgjidhet me përfshirjen e dy bashkësive më të mëdha etnike të saj. Nga ana tjetër, publicisti Kim Mehmeti në diskutimin e tij tha se në Ballkan nuk ka shtete demokratike. Sipas tij, në Ballkan jetojnë popuj që brenda imagjinatës së tyre kanë kufijtë e tyre imagjinar e jo ata shtetërorë.

“Problemi i Maqedonisë është zgjidhja e problemeve etnike e jo çështja e emrit. Ëndrra e maqedonasve është interesi i tyre, ndërsa ëndrra e shqiptarëve të Maqedonisë është një Shqipëri e vogël brenda saj, që nuk do të del jashtë standardit të përbashkët”, ka deklaruar Mehmeti. Sipas tij, këtu dështoi MO-ja. “Vetë fakti që ne për MO-në flasim edhe dhjetë vite pas nënshkrimit të saj ajo domethënë se në këtë shtet s’ka kapacitete demokratike, s’ka vullnet politik, s’ka forca politike që atë do ta zbatonin deri në fund”, vlerësoi Kim Mehmeti. Ai gjithashtu tha se Maqedonia të cilën do ta donin të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë në të është shumë më ndryshe se kjo, me një kryeministër shumë më serioz. ”Maqedoninë të cilën e dua unë do të jetë ajo e cila kryeministrit nuk duhet t’ia rikujtojë se ka shqiptarë në këtë. Unë këtë mund t’ua dëshmojë me shumë shembuj se kryeministri aktual sillet sikur nuk ka shqiptarë në Maqedoni. Ai ndërton brenda natës kishë në Kalanë e Shkupit. A do ta kishte bërë këtë një kryeministër serioz, një kryeministër që ndjehet edhe kryeministër i shqiptarëve”, pyeti analisti Mehmeti.

Teksti u shkeput nga ueb faqja: http://kohaere.eu/index.php/lajme/maqedoni/13214.html