Back

S’ka kush të turpërohet

Shkruan: Kim MEHMETI

Të dish shumë gjuhë do të thotë të jesh i ngjashëm me një përcjellës shumë valësh që e çon tutje të vërtetës për vetveten dhe i pranon porositë e të tjerëve pa pasur nevojë për ndërmjetësues. Njeriu që njeh shumë gjuhë më lehtë komunikon me realitetin rreh vetes, më lehtë e pikturon portretin e tij para të tjerëve. Shikuar nga ky këndvështrim, të njohësh gjuhën e atyre me të cilët bashkëjeton në një shtet, do të thotë të kesh komunikim më të drejtpërdrejt me bashkëndërtuesit e të sotmes tënde dhe me ata që do duhet ta jetosh të ardhmen. Por, në shtete ku gjuhët janë instrument manipulimi politik, aty ku njohja e gjuhëve të mjedisit nuk ka për qëllim komunikimin mes njerëzve, por pasqyrimin se kush është pronari i shtetit, pra aty ku gjuhët tregojnë se kush mbi këndë sundon, gjuhët bëhen e kundërta e tyre: instrument i mosmarrëveshjeve. Mbase këtë mirë e kishin kuptuar edhe komunistët e Titos, andaj mësimin e gjuhës së mjedisit ata e kishin zgjidhur ashtu që mos bëhej gjithaq e dukshme se të gjithë duhej ta dinin serbishten, e serbet ta mësonin vetëm gjuhën që u pëlqente. Pra, edhe komunistët e ish Jugosllavisë, e kishin kuptuar se fëmija që jeton në mjedis etnikisht të përzier, e mëson gjuhën e bashkëmoshatarëve të vet edhe sikur të mos e dëshironin këtë prindërit e tij. Andaj, nxënësit e atëhershëm, mësimin e gjuhës së popullit shumicë, e fillonin nga klasa e tretë, në moshë kur mundeshin ta kuptonin se një shkronjë që në gjuhën e tyre amtare është "x", në gjuhën e popullit tjetër është "h". Por sot, kur themi se mundësitë për të zgjedhur janë më të mëdha, kur shqiptarët e Maqedonisë kanë përfaqësues të vet në qeveri, e të cilët në mos më shumë duhet të dinë se si mbrohet gjuha e nënës, del se nuk mund të kundërshtohet demokracia e Gruevskit, e cila sjell vendime që nxënësit shqiptarë ta mësojnë gjuhën maqedonas që nga mosha e tyre gjashtëvjeçare. Pra, del se nuk mund të kundërshtohet një politikë e cila në thelb të saj ka komplekset e një etniteti që përballet me krizën e identitetit të vet, një koncept që mbështetet mbi shpirtngushtësinë etnike, që udhëhiqet nga bindja se shtetin dhe popullin maqedonas duhet mbrojtur nga "rreziku shqiptar". Çka edhe e bënë qeverinë e Gruevskit të pandjeshme dhe mospërfillës ndaj kërkesave të prindërve shqiptarë, e të cilët thonë se nuk do lejojnë që fëmijët e tyre ta mësojnë gjuhën maqedonase që nga dita kur fillojnë të thithin qumështin e nënës së vet.

Por, në të gjitha këto pakënaqësi të shqiptarëve të këtushëm me ligjet dhe vendimet që i sjellë qeveria e Gruevskit, ka diçka që arrin kufirin e absurdit: reagimet e shqiptarëve ndaj qeverisë së VMRO-DPMNE-së kanë intonacionin thuajse në atë qeveri nuk ka kush ta përcjellë zërin shqiptarë, thuajse në atë qeveri vendosin vetëm ministrat e VMRO-DPMNE-së, e jo edhe ata të BDI-së. Gjë që mund të ketë vetëm dy domethënie: o shqiptarët e këtushëm janë pajtuar me realitetin se përfaqësuesit e tyre në qeveri janë vetëm kukulla pa zë, o kanë frikë që pakënaqësitë e veta t’i drejtojnë në adresën e duhur – në selinë e BDI-së, që ka për obligim të mbrojë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë.

Cila do qoftë arsyeja pse shqiptarët e këtushëm me aq lehtësi shpalosin mllefin ndaj pushtetarëve maqedonas, e me aq droje e shprehin mendimin kritik ndaj përfaqësuesve që i kanë votuar, pra cila do që të jetë arsyeja që i çon shqiptarët e këtushëm të sillen ndaj qeverisë së Gruevskit thuajse ajo nuk ka në përbërjen e saj edhe ministra shqiptarë, mbetet e vërteta se shqiptarët e këtushëm edhe pas dy dekadave pjesëmarrjeje nëpër institucionet më të larta shtetërore, nuk ia dolën të shkëputen nga rrafshi i përfaqësimit etnik vetëm sa për sy e faqe, e të ngjiten në shkallën e faktorit vendimmarrës. Pra, edhe pas dy dekadave nga mëvetësimi i Maqedonisë, përfaqësuesit shqiptarë nëpër institucionet shtetërore, mbetën vetëm mbulesë e vendimeve qeveritare, e të cilat vendime jo rrallëherë janë edhe kundër interesit të tyre kolektiv. Dhe duke e pranuar këtë rolë që e kishin edhe në ish sistemin socialist, ata shpeshherë edhe vetë japin dëshmi se aty ku janë, as ata vetë nuk besojnë se mund të realizojnë diçka, përpos ndonjë përfitim personal. Pra, duke e pranuar rolin e vasalit në qeveritë e Maqedonisë, partitë e këtushme shqiptare i degraduan postet udhëheqëse nëpër institucionet shtetërore deri në ato përmasa, sa krijuan bindjen se mbështetja partiake është vlera më e lartë profesionale dhe çelës që t’i hapë dyert të hysh edhe aty ku as vetë nuk ke ëndërruar se mund të hysh.

Se deri në çmas arrin bindja partiake se ministër dhe përfaqësues i popullit mund të bëhet çdonjëri që ka librezë partiake dhe, deri në ç’përmasa shkon injoranca e disa përfaqësuesve shqiptarë nëpër institucionet shtetërore, ka shumë shembuj konkret. Por më bindës është rasti i para do kohe, kur nga një kabinet ministror u shpërnda një komunat për media nëpërmjet të së cilës opinionit i bëhej e ditur "ngjarja gazmore" në familjen e një ministrit të BDI-së, i cili për herë të dytë ishte bërë "baba i një vajze të mrekullueshme". E që do të thotë se përpos se ke një ministër injorant, ke edhe një kabinet të tërë ministror ku nuk ka njeri që do i tregonte punëdhënësit të vet se lindja e fëmijës është ngjarje madhështore për një familje, por as mbretërit e sotëm nuk lejojnë të dalin jashtë protokollit dhe lumturinë e tyre familjare të shndërrojnë në turp kolektiv. Kuptohet, me këtë komunikatë u tallën mediat maqedonase, mediat shqiptare atë e heshtën nga turpi dhe në ndërkohë mbeti sekret se vallë kryesia e BDI-së ka mbajtur ndonjë mbledhje që ta shënojë këtë ditë aq të rëndësishme për Maqedoninë dhe për shqiptarët e këtushëm.

Dhe jo vetëm aq, por vetë zyrtarët e BDI-së ofrojnë argumente se përfaqësuesit e tyre në qeverinë e Gruevskit janë të papërfillshëm. Një dëshmi e tillë ishte edhe deklarata publike e para do koheshe e Kryetarit të Shoqatës së Veteranëve të Luftës (SHVL), i cili e paralajmëroi opinionin e këtushëm se nëse së shpejti nuk gjendet një zgjidhje për ish luftëtarët e UÇK-së, atëherë ata do i përsërisin veprimet e vitit 2001. Dhe këtë e thotë njeriu që deri dje ishte në kryesinë e BDI-së, njeriu që është deputet i partisë në pushtet. Pra, njeriu nga i cili duhet të kërkohet përgjegjësi pse ende nuk është zgjidhur statusi i ish luftëtarëve të UÇK-së, e jo ndonjë vëzhgues i Kombeve të Bashkuara i cili duhet të vlerësoj situatën politike, e të bëjë raporte për punëdhënësit e vet. Andaj, kjo deklaratë shpjegon diçka edhe më të thellë: duke mos pasur guxim të marrin përgjegjësi politike, kryesuesit partiak shqiptarë, delegojnë përfaqësues të paaftë nëpër institucionet shtetërore, vetëm që ta ndjejnë veten superior.

Si do që të jetë dhe nga do që ta kthesh, del se të presësh përfaqësim dinjitoz dhe frytdhënës nga ata që nuk dinë të mbrojnë as dinjitetin e tyre personal, është njësoj sikur të presësh të pjellë mushka. Shkurtë e shqip, shqiptarët e Maqedonisë sot nuk kanë vetëm hallin e mos realizimit të kërkesave kolektive, por ata përballen me të vërtetën se s’ka kush turpërohet për veprimet e turpshme të përfaqësuesve shqiptarë nëpër institucionet shtetërore. Andaj, deri sa nuk ka kush turpërohet për injorancën e përfaqësuesve shqiptarë nëpër institucionet shtetërore, Maqedonia do mbetet toke mbi të cilën Gruevski ngutshëm do e ndërtojë të kaluarën e munguar të popullit të vet. Me çka, shqiptarët e këtushëm do ngjajnë në argatë, të cilët me djersën e vet do e financojnë këtë projekt, që ka për qëllim që e kaluara e popullit maqedonas të duket sa më e vjetër dhe sa më e begatë. Me çka e sotmja e shqiptarëve të Maqedonisë do i ngjajë një kufome të varrosur nëpër gropat që i hapin arkeologët maqedonas, e ku ata nuk gjejnë vetëm atë që fshehë barku i nëntokës, por edhe atë që i duhet politikës ditore të VMRO-DPMNE-së. Pra, e sotmja e shqiptarëve të Maqedonisë do mbetet pasqyrë ku do shihet se ç’ndodh me një popull që ka shumë politikanë, por pakë tru politik, se ç’ndodh me një popull që vonë e kupton se je i pafat kur fatin ta përcakton ai që nuk dinë t’i kontrolloj pasionet dhe dobësitë individuale, ai që edhe nuk bënë keq pse është keqbërës, por pse aq ia pret rradakja.

Dhe përderisa shqiptarët e Maqedonisë kanë përfaqësues që nuk të mbrojnë por të turpërojnë, deklaratat e sotme të pushtetarëve të BDI-së do kenë jehonën e absurdit, do mbeten dëshmi për një kohë kur Gruevski sillte ligje, e shqiptarët protestonin kundër tyre thuajse në qeverinë e VMRO-DPMNE-së nuk kishte asnjë shqiptarë të gjallë. Pra, shumë nga deklaratat e disa kryesuesve të sotëm të BDI-së, do dëshmojnë vetëm një gjë: se në çdo profesion ka injorantë dhe njerëz që nuk e kanë kuptuar çka i nderon e çka i turpëron, por vetëm injorantët e partive të këtushme shqiptare kanë kabinetet e tyre ministrore, shoqatat kulturore, vetëm ata mund të bëhen përfaqësues të popullit. Mbase shkaku i kësaj ndodh diçka e pritur: pas çdo paraqitje publike të disa zyrtarëve të BDI-së, PDSH-së opozitare i rritet popullariteti për një për qind. Andaj, PDSH-ja nuk duhet të bëjë asgjë të veçantë për ta rritur popullaritetin e vet, por mjafton ta lutë Zotin që BDI-ja të vazhdojë ecjen rrugës nga është katandisur.

Kim Mehmeti
https://kmehmeti.com