Back

S’ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit

Nuk e thonë tërë të vërtetën ata që pohojnë se nëpër “Shqipëritë” tona nuk luftohet korrupsion. Nuk kanë plotësisht të drejtë ata që pohojnë se institucionet e shteteve shqiptare nuk e zbatojnë ligjin, se vendet tona nuk janë shoqëri demokratike ku sundon e drejta dhe ku vlerë mbi të gjitha vlerat është njeriu dhe aftësitë e tij individuale. Gjysmë të vërteta janë pohimet se nëpër institucionet e shteteve tona shqiptare nuk ndëshkohen keqpërdoruesit e pozitës dhe detyrës.  Nuk e thonë të vërtetën e plotë as ata që pohojnë se gjithandej nëpër “Shiqipëritë” tona mbillet fara e bimës së keqe të jonjerëzores dhe se asgjësend nuk vlejnë morali dhe  etika. 

E vërteta e plot për “Shqipëritë” tona është krejt ndryshe. Në “Shqipëritë” tona përfundon në burg, apo pezullohet nga puna çdo zyrtarë që merr ryshfet prej 50 euro, por jo edhe kryehajduti që ia del të vjedh 50 milion euro. Në “Shqipëritë” tona dënohet me zbritje të pagës mujore çdo i punësuar në ndonjë ministri, i cili, për t’i plotësuar kushtet për marrjen e kredisë për të mbijetuar, merr vërtetim me shumën rrejshëm të rritur të pagës mujore,  por jo edhe ai që i falsifikon librat e kadastrës, në të cilat pronën shoqërore e regjistron si të veten dhe të afërmve të tij.  Në “Shqipëritë” tona ngrihet aktakuzë dhe hetohet ai që e shqetëson qenin e fqinjit të tij, por jo edhe ata për të cilët publikisht flitet se kanë vrarë kundërshtarët e vet politik. 

Dhe e tëra kjo ndodh ngaqë me burgosjen e atij që ka keqpërdorë 50 euro, mbulohet hajduti i 50 milionave, me çka para të huajve dëshmohet devotshmëria në luftën kundër korrupsionit. I punësuari në ndonjë ministri, që me makinën zyrtare ka çuar fëmijën e sëmurë te mjeku pa kërkuar leje nga shefi i tij, menjëherë pezullohet nga puna, ngaqë kështu dëshmohet  lufta kundër keqpërdorimit të detyrës, sepse kështu njëkohësisht mbulohet ai që me veturën e shtetit e çon në pushim dashnoren e vet, kështu mbulohet ai që brenda një muaji harxhon aq litra karburant të paguar nga taksat e qytetarëve, sa një familje shqiptarë pinë ujë brenda një viti. Dhe paraburgoset e hetohet ai që e shkel bishtin e maces së fqinjit të vet, vetëm që të dëshmohet ekzistimi i shtetit të së drejtës, vetëm që askush të mos e hetoj se lirshëm shëtisin ata për të cilët publikisht thuhet se kanë marrë në qafë edhe të pafajshëm. 

Që të mos mbetet e tëra kjo që u tha më lartë e pambështetur në fakte, ja një shembull se si “Shqipëritë” tona e luftojnë korrupsion, por vetëm kundër atyre të cilët mbase këtë e bëjnë për të mbijetuar, ku vlen ligji, por vetëm për ata që nuk kanë me çka ta blejnë gjykatësin,  ku ka moral e etik, por të cilën e përcaktojnë ata që nuk kanë as fisnikëri as ndershmëri. Një i punësuar si drejtor dikasteri në një ministri të “Shqipërive tona ku ende udhëtohet nëpër botë me viza, merr një ftesë për të marr pjesë në disa takimi në shtetin e ëndrrave të tij rinore. I tillë siç është, i padjallëzuar, krijues i ri, duke besuar se parajsa mund të ndërtohet edhe mbi pronë të ferrit, nga përgjegjësi i administratës kërkon notë verbale për të siguruar vizën e duhur. Kolegu i tij, gjithashtu i ri e i padjallëzuar, përgatitë kërkesën për notë verbale dhe ia përcjell shërbimit konsullor pranë MPJ. Nga atje marrin notën verbale (për ata që nuk e dinë – Nota verbale është kërkesë që u drejtohet ambasadave të huaja në rastet kur zyrtarisht kërkohet vizë për të punësuarit nëpër institucionet shtetërore), me çka drejtori i ri i dikasterit ministror fillon ta jetojë gëzimin e realizimit të njërës nga ëndrrat rinore për ta vizituar shtetin që mbahet si djep i demokracisë, e ku shpreson se do bëjë diçka të vlefshme edhe për institucionin ku punon. 

Por thonë se të padjallëzuarit dhe ëndërrimtarët, janë gjahu më i lehtë dhe më i dëshiruar i intrigantëve dhe varrtarëve të ëndrrave. Në po të njëjtën kohë kur ky e dërgon kërkesën për vizë, nga një ambasadë perëndimore, u bëhet me dije pushtetarëve të kësaj “Shqipërisë” sonë, se kanë informata se u jepen nota verbale edhe atyre që fare nuk punojnë nëpër institucionet e shtetit dhe se ka parashenja se këtë e keqpërdorin edhe disa grupe me veprimtari të dyshimta. Pushtetarët e kësaj “Shqipërie”, të përballur me lëshimet që janë bërë me vite gjatë dhënieve të notave verbale, por edhe të papërkulur që të dëshmojnë se janë të pamëshirshëm ndaj keqpërdoruesve të detyrës zyrtare, e masin punën nga të gjitha anët dhe nga cili do këndë që e vlerësojnë, gjithmonë u del përpara o fytyra e tyre, o ajo e ndonjë të afërmi të tyre. Dhe ngaqë nuk mund të ndëshkojnë të vetin, e as vetveten, ata gjejnë mbulesë si të dëshmojnë para të huajve se janë të paluhatshëm në luftën kundër keqpërdoruesve të notave verbale: i pezullojnë nga puna dy të rinjtë e lartpërmendur. Pra, e pezullojnë nga puna drejtorin e ri të dikasterit ministror, me arsyetimin se ka sjellë vendime dhe ka ndërmarr veprime që i tejkalojnë autorizimet që i takojnë, se ka bërë veprim pa konsultuar Sekretarin e Përgjithshëm. Të kota ishin treguar dëshmitë e të riut se ai s’ka bërë asgjë pa dijeninë e Ministrit, ngaqë Komisioni Disiplinor i bie shkurt e shqip: kërkesën e tij për të marr vizë e vlerëson si vendim, ndërsa dëshirën e tij për të udhëtuar në shtetin e ëndrrave rinore ku do realizonte takime të rëndësishme për institucionin ku punon, e barazon me veprim të dënueshëm, duke e lënë të dënuarin të ngushëllohet se mirë që nuk e kanë shpallur falsifikues të ftesës, mirë që nuk kanë shkuar më tej e ta shpallnin pjesëtarë të ndonjë grup që merret me punë të dyshimta.

Autori i këtij teksti e posedon tërë dokumentacionin për këtë ngjarje, që nga ftesa  e deri te Vendimi i Komisionit  Disiplinor që një të padjallëzuar e shpallë shembull të djallëzisë dhe së keqes institucionale. Nënshkruesi i këtij teksti e shpalos këtë rast ngaqë ka pjesë të fajit në tërë këtë ngjarje. Faji i autorit të këtij teksti qëndron në të vërtetën se kur drejtori i ri iu drejtua për ndihmë që ta bëjë publik këtë rast, morri përgjigjen: Mos se mund ta pësosh edhe më keq, mos se mëkot e ke ta nxjerrës para gjyqtarit publik atë që nuk e qorton ndërgjegjja e vet, mos se në zhdukje është ajo racë njerëzore që nuk të bënë keq jo pse nuk mundet, po pse nuk ia lejon gjykatësi i rreptë i njerëzores në vetvete! Dhe tani, duke e pranuar pjesën e gabimit të vet pse nuk i lejoi të vepronte me kohë ashtu siç vepruan ata që u ngutën ta shpallnin publikisht të fajshëm para se të grumbulloheshin faktet, nënshkruesi i këtij teksti publikisht i premton se po vendos ta dëshmojë të vërtetën e të kërkoj drejtës, do ia mbuloj të gjitha harxhimet gjyqësore përfshirë edhe ato para Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut.

Por këtij të riu, si dhe të gjithë të rinjve të tjerë të padjallëzuar, duhet dikush t’ua bëjë me dije se në “Shqipëritë” tona është e rrezikshme të  vjedhësh 50 euro, por jo  50 milion, ngaqë vjedhësi i dhjetëra  eurove, përfundon në burg, e ai i milionave bëhet mik me gjykatësit, se  pezullohesh nga puna nëse të zënë si ke rritur shumën e rrogës në vërtetimin për të marr kredi bankare për të mbijetuar, por do kesh karrierë të ndritshme politike nëse ia del që pronën e shtetit ta përvetësosh si ta kishe trashëgimi të lënë nga gjyshërit. Dikush duhet t’i shpjegojë kësaj rinie se “Shqipëritë” tona janë të tilla siç janë, ngaqë parajsën në to e ndërtojnë muratorët e xhehnemit dhe ngaqë ndërtues të tillë u bëmë thuajse të gjithë ne. Dhe u bëmë të tillë  ngaqë e  votojmë të korruptuarin duke shpresuar se të tillin do mund më lehtë ta blejmë kur të kemi nevojë, e  përkrahim dyfytyrëshin vetëm pse në njërën nga fytyrat e tij e shohim atë tonën. Me çka e harruam të vërtetën se  të gjithë ne, të korruptuar e të ndershëm, hajna e fisnik, vrasës e të atillë që nuk e shkelin as buburrecin kur dalin  të shëtisin nëpër male, me dashje apo pa të, vetëgënjehemi se është e mundur të ndërtosh parajsë me muratorët e ferrit. Dhe shkelëm mbi shumëçka që ka të bëjë me moralin e etikën njerëzore, vetëm pse harruam edhe atë më të rëndësishme që pasqyron vetëdijen e një populli: se për asnjë veprim institucional nuk ka përgjegjësi kolektive, por për të gjitha deformimet në një shoqëri, ka fajësi  kolektive. Pra, harruam se përgjegjësia u takon dhe duhet t’u bie mbi shpinë muratorëve të ferrit, por fajësinë pse parajsën tonë e ndërtojnë ata, e bartin të gjithë ne. Pra fajësia u takon edhe atyre  që nuk vjedhin, por e votojnë hajdutin ngaqë ashtu u thotë hajni në vetvete, edhe i atyre që e votojnë të korruptuarin ngaqë ashtu u thotë në vetvete i korruptuari që s’ka kush e blen. Fajësia pra na takon të gjithë neve që  në heshtje sodisim si mjeshtrit e ferrit, të papenguar nga askush, janë duke ndërtuar parajsën tonë.

Gazeta “Shqip”