Shenjat e etnisë

Lypsiqarët e Shkupit ka në brendi të tekstit dy domene: diskursin historik dhe atë letrar. Kjo formulë e tij e zgjedhur në librin e fundit dëshmon rrugën e tij se, historia dhe letërsia, poetikja dhe historikja vetëm së bashku brenda tekstit japin universalitetin e mendimit të shkrimit. Lypsiqarët e Shkupit ka një teori arkihistorike

Kim Mehmeti është njëri ndër studiuesit më meditans shqiptar. Ai është gjurmues, hulumtues i domeneve nacionale në funksion të kauzës shqiptare. Me librin e tij të fundit Lypsiqarët e Shkupit, ka dëshmuar edhe një herë kulturën e shkrimit letrar dhe argumentimin e diskursit historik. Kim Mehmeti tani identifikohet si shkrimtar e studiues i rrallë në hapësirën shqiptare të letrave shqipe. Diskuri i tij letrar për nacionalen është bërë shenjë e jetës së tij, ndërsa toposi: Kosova, Çamëria, Shkupi dhe Shqipëria që ndjekin një relacion interkomunikimi kulturor, historik dhe nacional në veprën e tij Lypsiqarët e Shkupit e bëjnë Kim Mehmetin shkrimtar të etnisë në funksion të dëshmisë.

Parabola e tekstit

“Jeta e njeriut nuk matet vetem me ate që njeriu mban mend, por edhe me ate që ka harruar, pra jo vetem me të ndodhuren historike, por edhe me vetëmashtrimin se nuk kemi mundur të veprojmë ndryshe, se nuk na ka ndodhur e dëshiruara, por e merituara dhe e pashmangshmja”. Është kjo filozofia e shkrimit të veprës përballë mendimit të njeriut që e lexon dhembjen si tragjedi të jetës nëpër konturën më të tmerrshme të historisë sonë nacionale. Është ky autori që artikulon fuqishëm dhembjen për Kosovën, Çamërinë, Shkupin e Shqipërinë, janë këto varrë që i provon me jetën e tij nëpërmjet empirisë së shkrimit, përvojës dhe identifikimit/ pra jetës si shenjë personale përballë dashurisë si shenjë nacionale. Janë këto dy shenja empirike që e provojnë zjarrminë personale karshi veprimeve atdhetare. Toposi i Kosovës, Çamërisë, Shkupit dhe Shqipërisë, përsëritja e këtyre emrave bën që i gjithë teksti të marrë status klithjeje (K. Shala) për mallin dhe dhembjen e etnisë mbetur në udhëkryqet e historisë.

Titulli i tekstit/metaforë intertekstuale

Lypsiqarët e Shkupit shenjon titullin e tekstit si metaforë e rrëfimit mbi simbolin si pa përcaktueshmëri të kuptimit. Që në vijimn të tekstit autori afishon idenë se, Lypsiqarët për të cilët flet ai nuk janë këta të tanishmit, madje as nuk shenjohet ndonjë ngjashmëri në të mundshmmën, por këta lypsiqarë janë njerëz të shërbimit e veprimit/vlerësimit që marrin pas leximit të tekstit. Lypsiqarët e shkupit ka në brendi të tekstit dy domene: diskursin historik dhe atë letrar. Kjo formulë e tij e zgjedhur në librin e fundit dëshmon rrugën e tij se, historia dhe letërsia, poetikja dhe historikja vetëm së bashku brenda tekstit japin universalitetin e mendimit të shkrimit. Lypsiqarët e Shkupit ka një teori arkihistorike. kur Aristoteli bënte dallimin mes historisë dhe letërsisë,  theksonte se: historia flet për gjëra të veçanta, kurse letërsia për gjëra të përgjithshme, historia tregon atë që ka ndodh, letërsia për atë që ka mund të ndodh. Pra derisa letërsia flet për të mundshmen e ndodhur në jetë bëhet më filozofike se sa historia si shprehje e të veçantë si fakt. Libri Lypsiqarët e Shkupit është ndërtuar mbi këtë domen shkrimor, pra mbi informacionin historik si dëshmi dhe diskursin artistik si filozofi e shprehjes. Lypsiqarët e Shkupit është libër i kujtesës historike si dëshmi e së panjohures, libër mbi fatin dhe fatalitetin e kombit shqiptar nëpër periudha historike. Libri e tejkalon informacionin historik që deri më tani kemi lexuar për vetveten tonë, kombin, kulturën, fenë dhe trashëgiminë historike. Libri hapet me personazhet e fiksionit që ndahen në dy kategori: personazhet kryesor dhe ata dytësor ose ndihmës personazhet. Syla, Fazileja dhe Dulla përbëjnë trinomin e dëshmisë, të ndodhurës dhe historisë. Dulla dhe Syla janë personazhe të dëshmisë dhe të ndodhurës historike. Syla është mishërim i njeriut të devotshëm fetar e kombëtar. Ai është simbol i veprimeve atdhetare, sepse veprimet e tij lidhen pashmangshëm me historitë tragjike të Çamërisë,  Kosovës, Shkupit dhe Shqipërisë. Duke qenë se është krylypsiqar i Lypsiqarkut të Shkupit, derisa ndodhej në Çamëri ishte i bindur se vetëm me lira turke mund ta shpëtontë nga një kokë fëmijë të Çamërisë, sepse ai kishte rënë në kontakt me të eturit për gjak çam. Bllaca është topikja dramatike nga ku shikohet me optimizëm klithma e një rendi të ri për shqiptarët. Bllaca sipas personazhit të plakës do të jetë vendi ku do të bashkohen klithmat e kosovarëve të ikur me të shkupjanëve dardanë, dyvajtim që do të jep shenjat e një rilindje të re.  Në personalitetin e Sylës gjejmë militantin dhe meditansin në funksion të kauzës kombëtare, ku si kryelypsiqarë kishte dhënë urdhër që e tërë pasuria e Lypsiqqarkut të shpërngulej për kauzën e Kosovës, ku me këto lira do të mund të bliheshin shpirtat e fëmijëve të pafajshëm.

Madje blerja do të bëhej nga të dy anët e kufirit. Syla e pa tokën e përgjakur çame, fëmijën e vraraë çam, është zëri i arsyes dhe ndërgjegjes sonë të sotme. Duke u kthyer nga kolona çame ai kishte në kraharor një fëmijë të vrarë çam, dikush e kishte pyeur nëse fëmija ishte i tij, kurse Syla  i ishte përgjigjur “jam babai i të gjithë fëmijëve çam”. Narratori rrëfen nga pozicioni ata, që flasin, komentojnë e dëshmojnë. Syla është kryelypsiqari i Lypsiqarkut të Shkupit, një profesion që e trashëgon nga babai i tij Dulla. Dulla është personazh  i të vërtetës së hidhur historike, madje një të vërtete historike të pa  thënë deri më sot: derisa ishte në Stamboll, ai sheh në ëndër se si djali i tij po e tradhton duke e lënë në baltë, Fatka ja shpjegon ëndrrën se: Ai për të cilin ti e mban për djalë mban në dej gjakun e ndonjë tjetri”. Ky është rregulli i pashkruar, të cilit duhet ti nënshtrohen të gjithë kryelypsiqarët që nuk mund të kishin fëmijë, apo që kishin vetëm vajza. Sipas këtij rregulli, vajza e gjakut të tyre, duhej ngjizur me një lypsiqar të panjohur dhe ai mandej të bëhet trashëgimtar i kryelypsiqarit. Dulla është personazh edhe i dëshmisë dhe tragjedisë sonë historike. Në takimin sekret me Sulltanin atij i kërkohet që këtë takim ta mbaj sekret dhe të mos e dëshmojë as gjatë natës së parë të varrit. Ishte ky takimi në të cilin perandoria kishte hequr dorë nga ballkani dhe kërkonte mbrojtjen e ngrehinave të saj nga vartësit e saj. Viti 1912 është një fillim i një procesi më të tmerrshëm për fatin tonë nacional, kur do të krijohej Shqipëria politike për ta lënë përgjithmonë jashtë kufijve Shqipërinë etnike. Etnikja këtu është esenca e historisë sonë, e pjesa jonë më e mirë e historisë është jashtë kufijve të Shqipërisë. Sepse aty ruhen shenjat e etnosit, eposit dhe kulturës shqiptare, pra pjesa historike jashtë kufijve të sotëm të Shqipërisë e Kosovës është amza jonë.  1912, ky vit tragjik i cili do të komentohej jo vetëm nga nga plani real, por edhe imagjinar. Ura e Gurit bëhet vend nga vajtohet, bisedohet e shihen ëndrrat e së ardhmes. Narratori komenton bisedën e dy grave pranë urës së gurit, ku njëra i thoshte tjetrës: “koha e turkut do të marr fund dhe tani do të vijnë kohë të vështira, kur mishi i qengjit dhe ai i gicit do të piqen në të njëjtën furrë!” shoqja ja kthen “motra ime “Shkupi nuk do të jet më ky që ka qenë! Ai do të mbetet përmallim i kohës së sotme për atë që ka qenë dikur dhe përmallim i së nesërmes për atë që është sot”. Është ky dialogu imagjinar që jep shenjat e tjetërsimit nacional të kulturës e trashëgimisë, tjetërsim që ka filluar, por që nuk ka dhënë shenjat e perfundimit, sepse tjetersimi është dhembje dhe vdekje e ngadalshme. Nëpërmjet këtyre personazheve autori hap dialogun e tekstit që bëhet metaforë për të provuar teorinë se jo vetëm letërsia, por edhe historia ndonjëherë jeton në figurë. Shkupi këtu bart shenjat e pastra të etnisë shqiptare për të artikuluar dhembjen për të kaluarën e tij si dëshmi e jetës, trashëgimisë së moçme që ruan shenja të pastërta shqiptare, përballë asimilimit/tjetërsimit si një hije vdekjeje e ngadalshme. Është kjo ikje nga origjinaliteti i shenjave të etnisë, etikës e historisë. Teksti bart porosinë për të zbuluar njësinë e kombit.  Është kjo porosia e romanit që thërret për vetedije historike, për mbrojtje të trashëgimisië përballë asimilimit të etnisë sonë nacionale jo vetëm në Shkup, por në tërë etninë shqiptare. Është kjo thirrje për rezistencë përballë luftës si ekzistencë e vetme. Dulla është personazh që dëshmon të vërtetën historike se, trashëgimia kulturore fetare islame është bazamenti mbi të cilën është ndërtuar një pjesë e trashëgimisë sllave e mëvonshme. Ai kujton ditën kur serbët e dogjën Burmali Xhaminë, shtyllat e kësaj xhamie janë përdorur për ndërtimin e një kishe të mëvonshme në Beograd, kurse harqet e dëmtuara sot zbukurojnë Shkupin, por rrallëkush e di origjinen e tyre. Madje propaganda sllave kishte përhapur lajmin se, ata që dëshirojnë të shpërngulën dhe marrin nga një guri të burmali xhamisë do të shpërblehen nga Sulltani. Ishte ky një projekt sllavo- ballkanas që përpiqej për zhbërjen e shenjave të etnisë shqiptaro- islame nga ballkani si një vatër e trashëgimisë shqiptaro- islame. Dulla në këtë aksion përpiqej me retorikën e tij ti bindte shqiptarët se pasha e gurit nuk do tua lehtësonte atë të mallit për etninë. Shkatërrimi i trashëgimisë islame në ballkan ishte vazhdimësi e Pikolominit, i cili e kishte djegur Shkupin vetëm pse xhamitë i dukeshin po aq të bukura sa katedralet e tij.  Por, Polikolomini e kishte kuptuar një gjë që, mund të digjen vendbanimet e të gjallëve, por jo edhe ato të vdekurve. Ishte dhe vete i bindur se, kishte djegur tokën, por jo edhe nëntokën dhe gurët që do të ishin simbole të ndërtimit të sërishëm të qytetit të lashtë. “Andaj vendbanimet janë të mbrojtura sa nga të gjallët ashtu edhe nga të vdekurit që nuk mund të shpërngulen më tutje”. Lypsiqarët e Shkupit është libër i dhembjes, mallit, kohës, kujtesës historike, dëshmisë dhe arkifakteve të trashëgimisë sonë të moçme islame- shqiptare. Informacioni historik i të ndodhures, kombinatorika e shkrimit diskursiv, loja imagjinative, situatat dhe personazhet e shtjelluar me një figuracion të pastër letrar e bëjnë Kim Mehmetin ndër autorët themelor të postmodernizmit letrar shqiptar.

Author avatar
Kim Mehmeti
https://kmehmeti.com