Shkruan: Kim Mehmeti
Në të gjitha shtetet dhe në të gjitha shoqëritë, ka një përqindje njerëzish të pakënaqur me çdo gjë rreth vetes, e të cilët zgjohen në mëngjes me lutjen që shteti i tyre të shkatërrohet, ta përfshijë ndonjë tollovi ku do vinin në shprehje të gjitha instinktet e tyre destruktive. Në çdo shtet, në të gjitha shoqëritë, ka një përqindje të qytetarëve që bien në gjumë me lutjen: o Zot, shkakto në këtë vend të pistë një rrëmujë që të mundemi të shkatërrojmë, t’i mundojmë njerëzit që i urrejmë dhe ua kemi zili, të vjedhim, të jemi zotërues dhe mjeshtër të tmerrit. Duke e ditur se njeriu është materie e gjallë, se prirjet njerëzore janë nga më të çuditshmet, se ato janë më depërtuese se lagështia, shtetet ndërtojnë institucione të cilat i përcaktojnë kornizat e sjelljeve të (pa)pranueshme të individëve dhe qytetarëve. Apo, përcaktojnë një etikë të interesave të grupeve, vendosin rendë dhe baraspeshë mes kësaj etike, vënë korniza që ai interes të mos merr përmasat e kanibalizmit të pakontrolluar ku më i madhi do e gëlltit të pambrojturin. Pra, shoqëritë e organizuara mbi bazën e të drejtës, u përmbahen rregullave dhe procedurave të cilat vlejnë edhe për “mbretin” edhe për “lypsarin”. Andaj edhe shoqëritë e shëndosha nuk maten me përqindjen e popullatës destruktive që e përbëjnë atë, por me aftësinë e institucionet shtetërore të mbrojnë kufirin mes të mirës e të keqes, të absorbojnë destruktivitetin dhe t’i lënë hapësirë të gjerë vepruese aktivitetit pozitiv shoqërorë.
Maqedonia prej moti nuk ka nevojë të përcaktojë numrin e njerëzve destruktiv në shtet, por shkallën e destruktivitetit institucional. Veçanërisht atë të institucioneve që e kanë për detyrën të kujdesen për kufirin që ndanë të mirën nga e keqja, që duhet të kultivojnë vetëdijen qytetare se edhe e keqja që bëhet në emër të së mirës, është po aq jonjerëzore sa edhe gjitha të tjerat. Maqedonia prej moti është shtet i standardeve të dyfishta, në të cilin shqiptarët shpeshherë janë si popull i jashtëligjshëm, qëllimisht i lënë në duart e “instinktit”, e jo të rendit, në duart e “policëve” partiak shqiptarë që çdo gjë bëjnë për të mirën e popullit, e cila e mirë rëndomë përfshinë mirëqenien e oborrit të tyre familjarë. Kjo mbase bëhet me qëllim të dyfishtë: që të zhytur në mosmarrëveshjet e veta, shqiptarët të mos shohin se janë viktimë e lojërave antishqiptare dhe në ndërkohë, të mbeten “fajtorë kujdestarë” për të gjitha destruktivitet tjera shoqërore në këtë shtet.
Ata që nxisin konfrontimet brendashqiptare, bëjnë një parallogari të gabuar. Harrojnë se kur dënesë nëna shqiptare për djalin e vet të rrahur egërsisht nga policia, në të vërtet kalben themelet e këtij shteti. Se atëherë kur edhe një pjesë e strukturave shtetërore vihen në shërbim të destruktives – që të dëmtojnë “tjetrin” – shteti ngadalë bëhet zonë e errët ku jo vetëm individin, po një ditë terri e gëlltit tërë një shoqëri.
Kohëve të fundit, në Maqedoni shpesh ndodhin vrasje të shqiptarëve, e në
ndërkohë vrasës nuk ka. Ndodhin edhe rrahje e maltretime të të rinjve shqiptarë, të cilët për këtë direkt fajësojnë strukturat e këtushme policore, por për këtë policia nuk “është e informuar”. Kështu ndodhi edhe kur u gjet i vrarë në fshatin Odri të Tetovës i ikuri nga burgu i Dubravës së Kosovës. Kështu ndodhi edhe disa ditë më vonë, kur po në të njëjtin fshat, persona të panjohur – për të cilët i dëmtuari pohon se kanë qenë pjesëtarë të njësitit policore të njohur me emrin “Alfa” – e keqtrajtuan mizorisht një të ri të këtij fshati. I cili pastaj publikisht, nëpërmjet ekraneve televizive, tregonte trupin e tij të masakruar barbarisht. E pranë tij qëndronte nëna e tmerruar, e përlotur, e cila nuk dinte ç’të thotë më shumë se sa të mallkojë ata shqiptarë që lejuan dikush të maltretojë pjellën që mezi e ka rritur. Pra, për dallim nga nënat e dikurshme të socializmit, që mallkonin policët sllavë, të cilët egërsisht ua rrihnin fëmijët, nëna e kohëve demokratike nga Odri, mallkonte ata politikanë shqiptarë që e sollën punën deri këtu që shqiptari të maltretojë e të vret shqiptarin. Andaj edhe në lotët e saj kishte diçka edhe më trishtuese se mynxyra në lotët socialist të nënave shqiptare: lotët e saj ngërthenin në vetvete edhe ëndrrën e rrënuar se kur do çlirohen nga të “tjerët”, shqiptarët e këtushëm do dinë të mbrojnë vetveten, do dinë të mbrohen edhe nga destruktiviteti i vetë, pa pasur nevojë këtë ta arrijnë nëpërmjet vrasjeve dhe maltretimeve të ndërsjella jonjerëzore, për të cilat dikur thoshin se mund ta bënin vetëm të “tjerët”.
Në Maqedoni, kohëve të fundit rritet numri i nënave shqiptare që lotojnë rininë e pjellës së vet. Për dallim prej dikur në socializëm, kur lotëve të nënave shqiptare u bashkëngjitej zëri i revoltës së studentëve, profesorëve, artistëve, gazetarëve…, shqiptarët e Maqedonisë sot i ka kapluar heshtja. Heshtje e cila mbase dëshmon se janë dorëzuar përpara atyre “pashallarëve demokrat” që rrisin fëmijët e vet duke i ushqyer edhe me lotët e nënave shqiptare. E kjo heshtje trishtuese dëshmon se pjesa më e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë ende nuk e ka kuptuar se, ai që nuk dënon dhunën ndaj tjetrit, në të vërtetë e ndihmon atë, se ai që nuk e ndjen dhembjen e nënës që loton, në të vërtetë e ka zgjedh për fat lotëderdhjen e vet, e cila nuk do vonojë dhe një ditë do ia stolisë sytë.
Në Maqedoni, kohëve të fundit, gjithnjë e më shpesh vriten dhe maltretohen shqiptarët. Dhe organet policore bëhen se nuk din asgjë për këtë. Pra, në këtë shtet mundet edhe vrasësi të të vijë në varrim, mundet që nënën që dënesë për fëmijën e saj të vrarë apo të rrahur, ta ngushëllojë ajo e vrasësit. Sepse, as njëra, as tjetra nuk e dinë se në çfarë loje vëllavrasëse dikush është duke i futur fëmijët e tyre. E në ndërkohë, qeveritarët shqiptarë dalin në ekranet televizive dhe për situatën e këtillë e akuzojnë opozitën. Ndoshta duke menduar se kjo mjaftojnë që të bëjnë gjumë të qetë. Mbase ata besojnë se me kaq, e kanë shpërla ndërgjegjen e tyre, se mjafton kaq që t’i shijojnë lirshëm privilegjet që kanë edhe shijen e lotëve të nënave të këtushme shqiptare.
Ka shumë parashenja që dëshmojnë se shqiptarët e Maqedonisë sot janë më të rrezikuar se kurdoqoftë më parë. Në mos për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se duhet të mbrohen nga të “vetët”. Ka shenja që dëshmojnë se qeveria aktuale arriti që vendbanimet shqiptare t’i lë në duart e “bandave” lokal, dhe tani, ata të rinj të manipuluar nga “kryebanditët” partiak, t’i çojë drejtë shfarosjes së ndërsjellë. E me këtë, t’i futë shqiptarët e këtushëm në spiralen e paskajshme të vëllavrasjes. Ka shumëçka që Maqedoninë e bënë të duket si hapësirë mbi të cilën bie shi me diell. Se dielli shndrit mbi shoqërinë e etnitetit maqedonas, e shiu bie mbi vendbanimet shqiptare. Mbase ka edhe qarqe politike që u gëzohen reve që kanë mbuluar shoqërinë e këtushme shqiptare. Me çka dëshmojnë se nuk e dinë se shiun me diell e sjellin re të shpejta, të cilat papritur mund ta mbulojnë të gjithë qiellin, se ato rëndom bartin breshër nga i cili pëson e tërë ara. E Maqedonisë së sotme qëmoti i kanoset shtrëngatë ndëretnike. Jo pse atë e duan maqedonasit etnik apo shqiptarët e këtushëm, por shkaku se shtetin e udhëheqin pushtetarë – përfshi edhe ata me shenjën etnike shqiptare – të cilët i ka kapluar një verbëria e plotë, e cila nuk u lejon të shohin se përroskat e grindjeve ndërpartiake qëmoti janë bërë lumë që i vërshon vendbanimet e këtushme shqiptare. Mbase këtë nuk e shohin edhe të tjerët. Sepse sikur ta shihnin, sheshet e Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Dibrës… qëmoti do mbusheshin me dhjetëra mijë studentë, me mijëra profesorë, me qindra krijues…, të cilët pushtetarëve të vetë do u thoshin: Jeni të shënuar përjetë me mallkimin e nënave shqiptare! Por sheshet janë të zbrazura. Qëmoti sheshet dhe shqiptarët e këtushëm janë bërë pronë e disa pashallarëve partiak. Andaj njerëzit tubohen në sheshe vetëm kur dëgjojnë daullet e “pashait”. E një shoqëri që respekton vetëm tellallin e frikës, herdo- kurdo paguan çmimin e klithmës së vonuar. Ato shoqëri janë si fshatë pa gjela, e ku të gjithë zgjohen vonë. Edhe atë vetëm sa të shohin se frika u takon atyre që mendojnë vetëm për vetveten. Se frika i sundon shoqëritë ku edhe ata që duhet ta ngrenë zërin e revoltës, kanë harrura se frikacaku është i vdekur që ecën.
(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)