Back

SHITËSIT E ARDHMËRISË SË RREME

Shkruan: Kim Mehmeti

 Shqiptarët që ishin fëmijë dhjetëvjeçarë kur u soll kushtetuta e parë e Maqedonisë së pavarur, u rritën e u bënë djelmosha me të drejtë vote, duke dëgjuar se i takonin popullit i cili vetëm "kërkonte" që tjetri t’ia jepte atë që ishte e tija. Fëmijët e etnitetit maqedonas që në kohën e mëvetësimit të shtetit nuk kishin më shumë se një dekadë jete, u rritën dhe u bënë për martesë, duke dëgjuar të njëjtën melodi, por me tekst tjetër ku thuhej se shqiptarët pandërprerë vetëm diçka "kërkonin" të marrin nga ajo që ishte vetëm e tyrja, se ata duhej gjithmonë të ishin dorëlirë e të japin. Pra, Maqedonia rriti gjeneratat e atyre që ishin larguar nga një e vërtetë thelbësore kur bëhet fjalë për shtetet shumetnike, shumkulturore e shumreligjioze: për shtetet me koncept të qartë qytetarë, e ku e drejta individuale është e pamundur pa të drejtat kolektive. Maqedonia pra rriti gjeneratat e dy etniteteve numerikisht më të mëdha – ato të etnitetit maqedonas dhe shqiptarë – me bindjen se të parët duhet të mbajnë dorën e djathtë gjithmonë shtrirë për të dhënë, e shqiptarët gjithmonë me dorën e majtë të gatshme për të marrë. Apo thjeshtë, Maqedonia kultivonte gjenerata e "lypsarëve" të pangirë – shqiptarëve, dhe "dorëlirëve" zemërgjerë që ishin lodhur duke dhënë – maqedonasit etnik.

Dhe, jo se të rinjtë shqiptarë dhe ata të etnitetit maqedonas nuk ia bënin me dije shtetit se si i edukonte ata të cilëve dikush ua harxhonte ardhmërinë. Shumë herë në të kaluarën, ata dilnin rrugëve të Shkupit apo të Tetovës. Kështu që të rinjtë e etnitetit maqedonas protestonin kundër hapjes së shkollave me mësim në gjuhën shqipe, madje edhe duke ngritur tenda përpara kuvendit republikan, e duke bërë grevë urie. E nga ana tjetër, të rinjtë shqiptarë i vërshonin rrugët e Tetovës që të tregonin se sa i nevojshëm u ishte arsimimi në gjuhën amtare. Në të shpeshtën e rasteve, protestuesit e rinj të etnitetit maqedonas, ishin të shoqëruar nga parlamentarët e ndonjë partie të vetë, dhe shumica nga ata që organizonin këto protesta, e kishin të siguruar karrierën politike në VMRO-DPMNE. Të gjithë ata "filipa, milloshovska, gjorçevska"…, pas zgjedhjeve parlamentare të 2006, do bëhen funksionar të lartë shtetëror dhe do marrin rroga mujore edhe nga taksat që do paguajnë moshatarët e tyre shqiptarë, të cilëve dikur ua kishin kundërshtuar mësimin në gjuhën amtare.

Duke rritur gjenerata të tilla, Maqedonia arriti deri te 2001. Që pastaj, të gjithë të besonin se pas këtij konflikti shteti nuk do rriste më gjenerata "lypsarësh" shqiptarë dhe "dorëlirë" të etnitetit maqedonas. Se do rriste gjenerata të qytetarëve që kanë të njëjtat pozita startuese në jetë, të njëjtat parakushte për të arrit ardhmëri më të mirë për vetveten dhe për tërë shtetin. Pra, të gjithë besonin se e kaluara do mbetej e harruar, se për politikanët e ardhshëm, gjitha ato që ndodhën në të kaluarën, do jenë shenjë treguese se si nuk duhet të udhëhiqet shteti dhe çka nuk duhet bërë.

Por, Maqedonia është shtet i çudirave. Ky shtet duron aq naivitet dhe amatorizëm politik, sa do mjaftonte të shkatërrohej një perandori e tërë. Kështu që kur të gjithë mendonin se Maqedonia do i linte pas grindjet ndëretnike, se duke realizuar sa më shpejtë Marrëveshjen e Ohrit do përqendrohej në problemet ekonomike, ndodhi çudia e paszgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, kur pushtetin e morri në dorë koalicioni qeveritarë i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. Nga Gruevski i cili shtetin e solli aty ku ndodhet sot: të zhytur në baltën e mosmarrëveshjeve ndëretnike. Kështu që ke përshtypjen se ngjarjet ndodhin e harrohen, se vitet vijnë e shkojnë, pleqtë vdesin e fëmijët rriten, por vetëm Maqedonia mbetet ajo e njëjta – atdheu i naivitetit politik.

Mbase një situatë e tillë ishte e pashmangshme pas fitores së VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006. E pashmangshme sepse vinte në pushtet një parti e cila kapital më të "vlefshëm" politik kishte të kaluarën antishqiptare dhe institucionalizimin e "maunokracisë". E udhëhequr nga qeveria e Gruevskit dhe shokët e tij – shumica e të cilëve kanë biografi të pasur si organizatorë të protestave kundër shkollimit të shqiptarëve në gjuhën amtare – Maqedonia e sotme edhe nuk mund të shkonte më larg, e më tej, se të bëhej atë që është sot: një kënetë e bezdisshme politike ku pandërprerë vazhdon kënga me vite e dëgjuar, kënga për shqiptarët që gjithmonë duan të "grabisin" diçka nga shteti, dhe e pushtetarëve që duhet ta pengojnë "grabitjen".

Maqedonia sot është në duart e atyre që e kanë vështirë të dalin nga lëkura e vet. Dhe ndoshta qytetarët presin të pamundurën nga Gruevski dhe "vojvoda" e tij. Ndoshta një numër i zgjedhësve të etnitetit maqedonas ende nuk arrijnë të shohin se Maqedonia e sotme është në duart e atyre të cilët mbase bashkëjetesën me shqiptarët e konsiderojnë si fatkeqësi të domosdoshme, si sëmundje kronike e cila duhet pandërprerë mjekuar me arrogancë politike dhe mospërfillje ndaj obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit. Andaj, Gruevski dhe qeveritarët e tij, edhe sot, njësoj si dikur, popullaritetin e vet e kanë mbështetur vetëm në letrën e injorimit të kërkesave shqiptare dhe në mohimin e të vërtetës se, përderisa BDI-ja ka kaq deputet sa ka, vetëm ajo, dhe asnjë parti tjetër, mund të jetë përfaqësuese legjitime e kërkesave shqiptare.

Duke u shtirë se nuk janë ata të dikurshmit, duke përdorur si mbulesë Partinë Demokratike Shqiptare, Gruevski i sotëm dhe shokët e tij si Milloshovski, Gjorçevi etj. të ngjajnë në monedha të rrejshme, të cilat nga jashtë duken si të vërteta, por posa i gërvishtë pakë, të mbetet në duar ngjyra e antishqiptarisë që e kanë thellë në vetvete. Si të tillë, ata edhe ndoshta arrijnë ta gënjejnë një pjesë të popullit të tyre maqedonas, por jo edhe shqiptarët. Si të tillë, ata më shumë ngjajnë në shitës të ardhmërisë së rreme, se sa në politikan që kanë vizion për të nesërmen e shtetit. Me çka, ata në të vërtetë e çojnë shtetin drejtë një "marrëveshje të re të Ohrit", pa të cilën thuajse do jetë e pamundur Maqedonia të shkojë tutje. Ndoshta me veprimet e veta Gruevski vetëm u ndihmon shqiptarëve të këtushëm me kohë të kuptojnë se projekti i një Maqedonia shumetnike është i pamundur nëse në ndërkohë nuk arrihet edhe "një marrëveshje" me të cilën do qartësohen ato segmente që nuk u përfshinë në Marrëveshjen e Ohrit. Me të cilën në mos më shumë, do mbyllen të gjitha dyert që ua mundësojnë mandatarëve të etnitetit maqedonas ta përdorin demokracinë ashtu që ajo më shumë të ngjajë në rrugaçëri politike, se sa në veprim të mbështetur mbi standarde dhe ligje.

Maqedonia rriti gjenerata të rinjsh që vonë e kuptuan se aktivistët e VMRO-DPMNE-së ishin ata që më së shumti ndihmuan ky shtet të përballej me konfliktin e 2001. Disa nga ata aktivist të kësaj partie, sot janë pushtetarë dhe marrin rroga edhe nga taksapaguesit shqiptarë. E në ndërkohë, nga dita në ditë dëshmojnë se nuk njohin rrugë tjetër politike pos asaj që çon drejtë "marrëveshjeve të Ohrit". Apo, se e kanë vështirë ta kuptojnë se ëndrra e tyre për një Maqedoni me shqiptarë të nënshtruar në të, është me e largët se ajo ta ribësh ish – Jugosllavinë. Dhe me këtë ata në të vërtetë më së paku dëmtojnë shqiptarët. Me këtë ata e marrin në qafë Maqedoninë. Dhe nuk do arrijnë ta shpëtojnë politikisht as vetveten. E këtillë siç është qeveria e sotme e Maqedonisë, ajo kurrë nuk do arrijë të prodhojë tinguj të pastër politik, të cilët do jenë të ndershëm ndaj shtetit dhe të kuptueshëm për të tjerët. Më në fund, ndoshta edhe shumë pritet nga Gruevski, i cili gjithnjë e më shumë i ngjanë njeriut i cili kërkon të shitet më shtrenjtë se sa vlen, të duket tjetër nga ajo që është, që më në fund të mos e dish se kush është. A është mbrojtës i konceptit shumetnik, apo rrënues i tij.