Back

Shqiptarët duan marrëveshje të re

Anketa gjithashtu tregon se kur bëhet fjalë për liderët partiak shqiptar, 56.3 për qind mendojnë se nuk ia kanë dalë t’i bëjnë ballë politikës nacionaliste të Gruevskit. Më i besueshmi si kryeministër është vlerësuar Vllado Buçkovski me mbështetje 8 për qind, Lupço Georgievski me 3.7, ndërsa për kryeministrin aktual negativisht mendojnë 82. 7 për qind

Aida XHONI

Votuesit shqiptarë gjithnjë e më skeptik. Këtë e dëshmojnë edhe rezultatet e hulumtimit të qendrës për Hulumtime Politike dhe Ekonomike të Institutit “Liberta”. Anketa telefonike e Institutit “Liberta”, sipas drejtorit të saj Edmond Ademi, flet për rezultate alarmante për sa i përket besueshmërisë së qytetarëve qoftë në parti politike, lider apo kryeministra që gjatë 20 viteve të fundit kanë qeverisur me Maqedoninë.

Madje, sipas anketës 49.5 për qind e qytetareve vlerësojnë se zgjedhjet e 5 qershorit nuk do të jenë as fer e as demokratike. “72.2 për qind e qytetarëve shqiptarë mendojnë se MKO nuk e ka arritur qëllimin e duhur, gjë që është tregues për partitë politike se duhet të ndryshojnë strategjinë për të kompensuar këtë pakënaqësi te popullata. 78.5 për qind e shqiptarëve nuk janë të kënaqur me mënyrën se si jetësohet Marrëveshja. 46.8 për qind e të anketuarve, madje mendojnë se asnjëra nga partitë shqiptare pjesëmarrëse në Qeveri gjatë 20 viteve të fundit nuk i ka mbrojtur sa duhet interesat e tyre kombëtare”, ka thënë Ademi.

Anketa gjithashtu tregon se kur bëhet fjalë për liderët partiak shqiptar, 56.3 për qind mendojnë se nuk ia kanë dalë t’i bëjnë ballë politikës nacionaliste të Gruevskit. “28.2 për qind e të anketuarve vlerësojnë se kreu i PDSH-së ka qenë më rezistent ndaj nacionalizmit të Gruevskit, karshi Ali Ahmetit të BDI-së për të cilin vlerësojnë vetëm 8.7 për qind e qytetarëve.

Për kryeministrin aktual të Maqedonisë, Nikolla Gruevski kanë menduar negativ 82.7 për qind e shqiptareve të Maqedonisë. Më i besueshmi është vlerësuar Vllado Buçkovski me mbështetje 8 për qind, Lupço Georgievski me 3.7, Hari Kostov 1.8 për qind dhe 1.5 për qind Branko Cërvenkovski”, ka shtuar Ademi.

Për publicistin Kim Mehmeti këto të dhëna edhe një herë dëshmojnë atë se gjithnjë e më tepër rritet përqindja e shqiptarëve të pa përcaktuar. “Përqindja e shqiptarëve të pa përcaktuar, dhe atyre që nuk do të dalin të votojnë është thuajse e barabartë me përqindjen e atyre që do të votojnë. Kjo duhet të jetë thuajse alarmante për gjitha partitë politike shqiptare, unë mendoj se bazuar edhe në këtë anketë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do t’i fitojë ajo parti e cila do të gjejë mënyrë ta inspirojë elektoratin e pa përcaktuar të cilët mendojnë se nuk duhet të dalin në zgjedhje”, është i mendimit Mehmeti.

“Deri tani partitë politike shqiptare shumë mirë e përdorën mos të them e keqpërdorën MKO-në, për t’i motivuar ata qytetarë. Mirëpo, përqindja 72 e qytetarëve që e konsiderojnë këtë marrëveshje si të pamundur apo të vdekur del se partitë shqiptare e kanë shumë të vështirë të gjejnë një motiv shtesë të dalin e të votojnë”, ka thënë Mehmeti. Për profesorin universitar Sefer Tahiri, qytetarët e Maqedonisë e dinë shumë mirë për diskriminimin e skajshëm që u bëhet si në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, si në ndarjen e buxhetit shtetëror. “Statusi juridik-politik i shqiptarëve vazhdon të konsiderohet si diskriminues, dhe kjo shpreh pakënaqësi drejtë implementimit të MKO-së. Kemi përdorim zyrtar të gjuhës shqipe por kjo ndodh vetëm në letër e jo në praktike, pasi gjenden arsyetime banale dhe shqipja vazhdon të mos përdoret”,ka thënë Tahiri.

Ndryshe, anketa është realizuar në telefon në periudhën kohore 8-11 prill, ku janë përfshirë 840 qytetarë të rastësishëm në njësitë zgjedhore 1, 2, 5 dhe 6.

Diskriminimi me buxhetin

Nga ana tjetër kemi diskriminim shumë të madh për sa i përket ndarjes së Buxhetit shtetëror. Për shembull buxheti vjetor i USHT-së, është shumë i vogël se ai i Universitetit ‘Goce Delçev’ në Shtip. Buxheti që ndahet për kulturën shqiptare nuk e kalon as pesë përqindëshin, apo mos të themi është aq sa kushton një koncert i këngëtares Ceca në Shkup. Kemi statusin e ish ushtarëve të UCK-së, të cilin nuk arriti ta zgjidh as ky koalicion qeverisës e as ato para tij”, ka thënë Sefer Tahiri.

(Koha e Re) 

http://kohaere.eu/index.php/lajme/maqedoni/13546.html